Intervista e veteranes së UÇK-së, profesoreshë, Elmije Plakiqi

Elmije Plakiqi është ndër bijat e para të Kosovës, që mori armën dhe iu bashkua radhëve të UÇK-së, në Drenicë. Në kohën kur u kyç në luftë, ishte drejtoreshë e Shkollës tetëvjeçare në fshatin Nekovc të Drenicës. Qysh në kohën kur ishte nxënëse në gjimnazin “Skënderbeu” të Drenasit, (ish-Gllogovc), ka marrë pjesë në demonstratat e marsit e prillit të vitit 1981 dhe ka qenë e dënuar me burg për të mitur, ndërsa vëllai i saj, Fehmi Plakiqi u dënua 5 vjet burg. Edhe 16 vjet pas luftës, ajo nuk gjeti një punë të qëndrueshme në asnjë institucion të vendit. Ndihet krenare për kontributin që i ka dhënë luftës, por i ngelet hatri te të gjithë ata që kanë mundur të bëjnë më shumë për vendin e luftëtarët e lirisë dhe nuk kanë bërë… Ajo ka kryer me nder e ndërgjegje detyrën e vet për kombin e Atdheun. Po sa ka bërë shoqëria për te dhe bashkëluftëtaret e saj? Këto dhe pyetje e përgjigje  të tjera do t i lexoni në intervistën, që profesoresha veterane e UÇK-së, Elmije Plakiqi i ka dhënë Radios-Kosova e Lirë.

Zonjusha Elmije, mirë se erdhët në valët e Radios-Kosova e Lirë!

-Mirë se ju gjej!

RKL: Gjatë luftës  së UÇK-së u kanë njohur me nofkën “Drejtoresha”, kush u quajti kështu  për herë të parë?

Elmije Plakiqi: Që nga emërimi im, drejtoreshë shkolle në vitin 1992- 1993 më kanë thirrur me këtë emër, fillimisht anëtarët e kolektivit ku punoja e më pastaj edhe të tjerët  kanë filluar të më thërrasin me këtë nofkë. Vlen të theksohet se asokohe kam qenë drejtoresha e parë femër në komunën e Drenasit por edhe më gjerë. Edhe pas angazhimit tim në UÇK kanë vazhduar të më thërrasin me këtë emër. Edhe sot e kësaj shumica e të njohur vazhdojnë të më thërrasin me këtë emër.

 

RKL: Keni qenë e organizuar në celulat e Ilegales patriotike. Me sa dimë ne keni bashkëvepruar me  vëllanë Tuaj Fehmiun, i burgosur politik, me  gjeneralin, tani të ndjerë, Shaban Shala  dhe  me veprimtarë të tjerë. Kur daton veprimtaria Juaj në këtë drejtim dhe me cilat aktivitete jeni marrë konkretisht?

Elmije Plakiqi: Po.  Në celulat e ilegales kam qenë e kyçur që në moshë të re, fillimisht me vëllanë tim, Fehmiun, më vonë kemi pasur kontakte dhe bashkëpunim edhe me shokë të tjerë të ilegales dhe veprimtarë të devotshëm si Shaban Shala dhe shumë bashkëveprimtarë  të tjerë.

Mund të them pa modesti se veprimtarinë time në shërbim të çështjes kombëtare e kam filluar që nga mosha 15-16 vjeçare. Dhe që nga ajo moshë nuk ka aktivitet që është zhvilluar në shërbim të çështjes kombëtare ku unë nuk kam marrë pjesë, madje  në mënyrë aktive. Duke filluar nga aktiviteti  ilegal, ne shpërndarjen  dhe propagandimin e literaturës ilegale, organizimin dhe udhëheqjen e demonstratave të viti 1981, organizimin e demonstratave dhe protestave të mëvonshme dhe të gjitha aktivitetet pasuese në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ish-Këshillin për Financimin e Punëtorëve të Arsimit, një kohë edhe si veprimtare e LDK-së në organizimin e saj në Komunën e Drenasit dhe si kryetare e Forumit të Grave po në këtë komunë.

 

RKL: Luftës së UÇK-së iu keni bashkuar që në fillet e saj. Çka mund të na thoni për krijimin e pikave të para të luftës në pjesën jugore të Drenicës?

Elmije Plakiqi: Që nga beteja e Prekazit e paraprakisht nga masakra e Qirezit dhe Likoshanit, unë isha përcaktuar për të qenë pjesë e kësaj lufte, sepse isha e përgatitur politikisht edhe fizikisht. Isha e bindur në faktin se liria pa gjak nuk fitohet. Por ideja ime ishte që kjo luftë duhej zgjeruar dhe se nuk mjaftonte rrëmbimi i një pushke dhe bashkimi me  një grup të caktuar, grupe këto  që vepronin  në një pjesë të Drenicës. Prandaj i vura vetes synim që të filloja të punoja, së bashku me bashkëveprimtarët  për formimin e celulave në pjesën e Drenicës që përfshinte territorin nga Llapushniku deri në Carralevë. Kjo punë rezultoi me suksese, kuptohet edhe falë punës së veprimtarëve të tjerë dhe shokëve të cilët më kanë mbështetur pa kursim dhe me një besim të palëkundur në punën time. Me krijimin e dy pikave të forta në Nekovc dhe Krojmir, UÇK fitoi një shtrirje pothuajse në tërë Drenicën, sepse shembullin e këtyre dy fshatrave shumë shpejt filluan ta ndjekin dhe fshatra tjera.

RKL: Përveç jush edhe një numër i madh i vajzave të kësaj ane iu bashkua luftës që në fillim. Cilat kanë qenë bashkëluftëtaret, me të cilat keni marrë pjesë në luftime dhe në angazhime të tjera gjatë luftës.

Elmije Plakiqi: Mungesa e armëve kishte vështirësuar punën për armatosjen jo vetëm të femrave por edhe të luftëtarëve në përgjithësi. Për një armë duhej të shkohej deri në Shqipëri dhe të ktheheshe, nëse nuk bie në pritë të forcave serbe e pastaj  për t’u bërë pjesë e kësaj ushtrie. Kjo ishte edhe arsyeja kryesore pse kishte numër të vogël të femrave që merrnin pjesë në vijat e frontit. Numri më i madh i femrave në këtë pjesë të Drenicës kanë qenë të angazhuara në fshatin Krojmir. Shumë luftëtare atje  në mungesë të armëve kanë kryer  punë dhe shërbime nga më të ndryshmet si: Organizimi i  rojës në hyrje të fshatit, puna në ngritjen e pikave shëndetësore, me qëllim për të ndihmuar të plagosurit, popullatën civile, e cila zhvendosej nga një zonë e luftimeve në tjetrën, përgatitja e ushqimit për ushtarë, larja të rrobave,  shërbime mkeësore, kudo që ka qenë e nevojshme. Do përpiqem të përmend disa nga këta emra: Në mesin e grave të moshuara në Krojmir ishte Nëna Ajshe, e cila ishte me tërë qenien e saj në shërbim të kësaj lufte, pastaj disa bashkëluftëtare  nga Prizreni: Merita Mazreku e Mirushja, Milikje Qeriqi e Shukrije Mustafa nga Krojmiri, Sevdije Mehmeti nga komuna e Lipjanit, Metihe Konjuha, nga komuna e Fushë Kosovës, Arbanë Qeriqi, Ganimete e Mirditë Qeriqi nga Krojmiri, Habibe Zeqiri nga Prishtina, pa përmendur këtu edhe emrat e shumë grave dhe vajzave të cilat ndihmuan, në mënyra të ndryshme luftën e UÇK-së, shumë prej tyre edhe me armë në dorë. Përveç fshatit Krojmir ishin të angazhuara edhe një numër i femrave në Fshatin e Ri, fshat afër Berishës dhe në Shtabin e Përgjithshëm në Kleçkë, ku po ashtu ishin të angazhuara disa femra si: Valbonë Morina (Bardha), Shqipe Ahmeti, Kumrie Buçaj, Shefkije Zogaj, e luftëtare të tjera.

RKL: Në cilën zonë kanë ndihmuar më shumë femrat gjatë luftës, a mendoni se ka specifika  të caktuara lidhur me pjesëmarrjes e gruas në luftë?

Elmije Plakiqi: Po sa i përket numrit  të femrave me armë, nuk mund të mburremi për numrin e tyre as në zonën ku unë kam operuar, as në zonat tjera, për arsye të cilat i cekëm më lartë. Në radhë të parë ishte mungesa e armatimit, meqë nuk kishte armë e municion, as për qindra vullnetarë, që prisnin me javë e muaj për të shkuar në Shqipëri dhe për t’ u armatosur. Por numri i femrave që kanë treguar gatishmëri për të qenë në shërbim të kësaj lufte  dhe të cilat e kanë ndihmuar këtë luftë në forma të ndryshme organizative, mendoj që ka qenë i konsiderueshëm në të gjitha zonat, veçmas në Drenicë, ku femra shqiptare në çdo lëvizje kombëtare ka qenë pjesë e luftës kundër robërisë.

RKL: A ka pasur njësoj femra në të gjitha zonat, meqë ne kemi përshtypje se në Zonën ku ju keni operuar ka pasur më shumë vajza, që iu kanë bashkuar luftës.

Elmije Plakiqi: Nuk mund të them me saktësi numrin  femrave në zona tjera, por në zonën ku ne kemi operuar ka qenë një numër i konsiderueshëm i femrave të angazhuara, qoftë me armë apo forma të tjera të organizmit dhe angazhimit. Nuk ka pasur zonë të luftës në Kosovë ku nuk ka pasur luftëtare të lirisë, ku më shumë e ku më pak, varësisht nga specifikat, ndërsa femra që e kanë ndihmuar  luftën ka pasur në të gjitha zonat e UÇK-së, sidomos në malet e luginat e Kosovës ku ajo ishte pjesë e popullatës së zhvendosur.

 

RKL: Natyrisht se ndiheni krenare me çlirimin e Kosovës nga robëria serbe, ku edhe ju keni dhënë kontributin Tuaj të jashtëzakonshëm, ndërsa zhvillimet e pas luftës lanë në hije shumë luftëtarë e luftëtare të përkushtuara të lirisë. A pajtoheni me këtë konstatim dhe pse mendoni se ndodhi kjo?

Elmije  Plakiqi: Luftërat nuk zhvillohen çdo ditë dhe në çdo kohë.  Brezi ynë ishte me fat që luftoi për çlirimin e vendit dhe shporri njëherë e përgjithmonë pushtuesin e egër serb nga trojet tona.

Padyshim, i gjithë populli liridashës  i Kosovës ndihet krenar për kontributin gjakun, mundin djersën, gjymtyrët, që i ka dhënë kësaj lufte. Është e vërtetë  se zhvillimet e pas luftës kanë lanë në hije shumë luftëtarë dhe luftëtare të përkushtuara të lirisë. Mendoj se arsyet pse ndodhi kjo janë nga më të ndryshmet duke filluar nga format e vjetruara organizative, nga mentaliteti bajraktar, që te ne si popull ka qenë dhe vazhdon të mbetet një formë ende e shprehur e politikës, etja e shumë njerëzve të shquar të kësaj luftë për pushtet dhe para, ndarja në baza partiake dhe prirja e një pjesë të njerëzve tanë për të qenë në shërbim, deri në servilizëm, të këtyre liderëve.

Kanë mbetur anash të gjitha ata luftëtarë e luftëtare që kanë pasur dhe kanë ego, të cilët nuk kanë pranuar që kapitalin e tyre atdhetar e çlirimtar ta kthejnë në përfitime materiale e favore personale, apo klanore. Mjerisht kjo ka ndodhur….

RKL: A ka edhe luftëtare të tjera në vend, të cilat kanë mbetur pa punë dhe pa përkujdesje të duhur nga shoqëria?

Elmije Plakiqi: Padyshim që ka. Por edhe ato femra që kanë arritur të sistemohen, në institucionet e Shtetit, të cilat kanë qenë pjesë e luftës së UÇK-së, ato vetë janë gjetur në forma të ndryshme dhe shumica prej tyre në vende dhe pozita jo adekuate. Nuk ka pasur një përkujdesje të veçantë institucionale për luftëtarët, as luftëtaret  e lirisë.

RKL: Qindra luftëtare të lirisë kanë marrë pjesë në luftë, mbi 30 kanë rënë dëshmore, qindra kanë marrë plagë, mijëra të tjera kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Në mesin e tyre edhe shumë intelektuale me arsim të lartë dhe me sa dimë ne asnjëra nga ato, me ndonjë përjashtim, nuk  janë pranuar në punë në institucionet  tona.

Elmije Plakiqi: Mendoj që ata të cilët është dashtë të merren me këtë kategori të luftës, për veten e tyre dhe për klanet e interesit të cilat i përfaqësojnë kanë shkuar aq larg,  sa kanë humbur çdo lidhje me këto kategori të shoqërisë. Pushteti, paraja, mirëqenia materiale, komoditeti, janë bërë preokupim parësor i tyre. Prandaj, për t’u zgjidhur kjo çështje ata duhet të zbresin në tokë, dhe  t’i shohin këta njerëz, t’i prekin dhe t’i mirëkuptojnë hallet dhe preokupimet e tyre nga afër, brengat e tyre dhe të jenë pjesë e zgjidhjes së tyre.

Se a do të ndodhë kjo dhe kur do të ndodhë, mbetet të presim dhe të shpresojmë.

Femra shqiptare në trojet e robëruara ka mbartur mbi supe barrën më të rëndë të robërisë, barrë e cila ende rëndon mbi shpirtin e qenien e mijërave prej tyre. Kjo barrë e pashëruar do të ngelë në ndërgjegje të të gjithë atyre që kanë mundur të bëjnë shumëçka dhe nuk kanë bërë asgjë, ose kanë bërë fare pak. Femra jonë ka lindur fëmijë në luftë, ka rritur fëmijë në luftë, ka parë me sytë e tyre barbarët serbë duke ua  masakruar  fëmijët në prani  të tyre. Në të njëjtën kohë ajo ka gatuar bukën për luftëtarët e lirisë, u ka larë rrobat, ka jetuar nëpër tenda plastmasi. Kur i them këto kam para sysh femrat që kanë qenë pjesë e luftës. Një fat të keq  e të rëndë e kanë pasur edhe shumë femra që kohë sa janë dëbuar nga Kosova…

RKL: A njihini ndonjë deputete të  tashme të Kuvendit të Kosovës të ketë marrë pjesë me armë në dorë për çlirimin e vendit?

Elmije Plakiqi: Me sa kam unë njohur shifrat janë minimale, për të mos thënë asnjë. Unë nuk njoh asnjë bashkëluftëtare timen deputete, ministre apo zyrtare të lartë… Mbase ka ndonjë përjashtim…

Faleminderit për intervistën…

Ju faleminderit Juve.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …