Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë takimit me shërbimin e zjarrfikësve, është zotuar se në vitin e ardhshëm do ta ndërtojë objektin e dytë për ta, duke ua lehtësuar punën jashtëzakonisht shumë. Haziri ka vlerësuar lart punën e Shërbimit të Zjarrfikësve, duke thënë se janë model i funksionimit institucional.
“Tashmë jemi në përfundim të renovimit total të objektit të zjarrfikësve, ndërkaq në vitin e ardhshëm do ta ndërtojmë objektin e dytë për ta në Rrugën Qarkore. Gjatë mandatit, nga buxheti komunal ne i kemi furnizuar zjarrfikësit me uniforma të reja, pajisje për intervenim të aksidenteve të trafikut, sikurse që i kemi siguruar dy automjete për funksionim më të suksesshëm të tyre”, tha ai. Komandanti i Njësit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Gjilan, Shaip Ismajli, ka theksuar se ndërtimi i objektit të dytë është lajm i mirë, pasi ua lehtëson punën dhe ndikon direkt në efikasitet.