Kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli gjatë ditës së sotme në sheshin “Nënë Tereza” ka shpërndarë programin e tij qeverisës për kryeqytetin. Pacolli programin e tij qeverisës e konsideroi si shpresë për Prishtinën, i cili ofron jetë dhe komoditet për qytetarët e saj. Ai iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve që ta lexojnë këtë program dhe ta votojnë më 22 tetor sepse ofron zgjidhje për problemet e tyre.
“Ky është programi i shpresës për Prishtinën dhe ky është programi i zgjidhjeve të problemeve të qytetit të Prishtinës dhe është programi që ofron jetë dhe komoditet qytetarëve të Prishtinës dhe unë sot këtë program do ta shpërndajë dorë më dorë të gjithë qytetarëve të Prishtinës kudo që arrij sot për ta dhe iu bëjë thirrje prej këtu që ta shfletojnë këtë program ta lexojnë këtë program dhe më datë 22 tetor të zgjidhet ky program i shpresës”, tha Pacolli.
Ai tha se programi i tij qeverisës është për një Prishtinë urbane, pa mbeturina, për rininë dhe pensionistët e saj. “Prishtina urbane, Prishtina pa mbeturina, Prishtina me trotuare të lira, Prishtina me parkingje, Prishtina për të rinjtë e saj, Prishtina për rininë e saj, dhe Prishtina për pensionistët e saj, Prishtina pa ndotje të ambientit dhe Prishtina me trafik urban elektrik”, tha kandidati i AKR-së.
Gjatë shpërndarjes së programit të tij Pacolli para qytetarëve u zotua se programi i tij qeverisës ka dy shtylla kryesore rininë dhe pensionistët e Prishtinës. Ndryshe, Selim Pacolli gjatë ditës së sotme do të zhvilloj takime edhe me banorët e lagjes Prishtina e Re, dhe të rinjtë në Kodrën e Trimave