Sociologu italian Domenico De Masi, në një intervistë për gazetën prestigjioze italiane “La stmpa” thotë se sot bota po jeton në epokën e çoroditjes. Nuk e dimë me saktësi se çfarë është e majta dhe çfarë është e djathta, e bukura dhe e shëmtuara, burri dhe gruaja, e vërteta dhe e pavërteta, madje edhe e gjalla dhe e vdekura. Çoroditje. Nuk e kanë pasur të tillë as tek Iliada, apo Lufta dhe Paqja. Është një gjendje e kohëve të fundit. Në çfarë kohe po jetojmë?
Dhe ju, çfarë shpjegimi keni dhënë?
Domenico De Masi: Shikoni, më parë të gjitha shoqëritë lindnin në bazë të një modeli që ekzistonte tashmë. Republika greke qëndron tek fjalimi i Perikliut drejtuar athinasve. Mesjeta buronte nga dhjetë komandamentet dhe nga baballarët e Kishës. Në shtatëqindtën, nja pesëdhjetë të rinj iluministë krijuan një botë të re. Edhe BRSS bazohej në një model që ekzistonte tashmë, atë të Marksit dhe Engelsit.
Po shoqëria jonë post-industriale?
Domenico De Masi: Është e ndryshme nga gjithë të tjerat. Një ditë, arkitekti i madh, Le Crobusier erdhi në Positano dhe pyeti se mbi çfarë kriteri ishte ngjitur për lart. Në fakt, gjithsecili kishte ndërtuar shtëpi për hesap të tij. Kjo është shoqëria jonë, “Projekti Positano”. Ne jemi si kartografët e lashtësisë, jemi nisur pa një hartë.
Çfarë e dallon këtë shoqëri nga ajo e mëparshmja?
Domenico De Masi: Epoka industriale bazohej mbi prodhimin e të mirave materiale, dhe vlerat e saj ishin shpejtësia, produktiviteti, organizimi hierarkik, puna e dorës. Shoqëria post-industriale – që lindi me Frojdin, Ajnshtainin, Pikason është megjithatë ende në fillim – bazohet mbi prodhimin e të mirave materiale (shërbime, informacione, simbole) dhe vlerat e saj janë intelektualiteti, subjektiviteti, estetika, feminilizimi, cilësia e jetës, etika dhe destrukturimi i hapësirës dhe kohës.
Një shoqëri në kërkim të modelit
Domenico De Masi: Po, dhe është gjithashtu momenti për të mobilizuar mendjet më të ndritura për ta krijuar, këtë hartë. Nevojitet një Davos i mendimit. Për shembull, me Renzo Pianon dhe muzikantin venezuelian Jose Abreu. Pak politikanë, pasi nuk shoh mendje të mëdha. Nuk më ekzaltojnë as yjet e shoqërive likuide dhe të gazta, as edhe Papa, që bën gjëra shumë fëmijërore. Fatkeqësisht, nuk shoh shumë Focault-ë në qarkullim.
Ndërkohë, keni klasifikuar 15 modelet e shoqërisë në histori. Cilët prej elementeve të tyre duhet të rikthejmë?
Domenico De Masi: Benedetto Croce thoshte se nuk mundemi të mos jemi kristianë. Nuk mundet as të mos quhemi indianë, për shembull, për humanizmin e tyre spiritual, bir i një politeizmi që është më tolerant se sa monoteizmi. Konfucianizmi kinez na mëson se nuk ka nevojë të besosh për të pasur atë që Kanti e quante ligji i moralit. Nga modeli japonez do të merrja rafinimin. Modeli mysliman është i vëmendshëm sa i përket koherencës me tekstet e shenjtë. Katoliku ka ditur të reduktojë ankthin tonë kundrejt kënaqësive tokësore, ai carpe diem roman që rikthehet në Amerikën e sotme, siç e tregon Scorcesse tek filmi i fundit “Ujku i Uoll Stritit”.
Megjithatë, dy modelet që keni më shumë për zemër janë ai europian dhe ai brazilian
Domenico De Masi: Po, shteti social, i lindur me Bismarkun është krenaria e Europës. Nëse nuk pranojmë se cilësia e jetës është lënda jonë e parë, atëherë vëmë në lojë identitetin, dhe përfundojmë duke qenë të nënshtruar kundrejt SHBA, nga ana e tyre të mbërthyer nga një mijë kriza. Sa për Brazilin, ai është atdheu im i dytë, aty ku ky libër është shitur tashmë në 20 mijë kopje. Janë një popull i butë, bujar, i ndjeshëm, alegër, ngaherë një laborator shumë interesant hibridizmi.
Nëse mendoni kur ishit ju i ri, dhe si janë nipërit tuaj sot, cili mendoni se është dallimi kryesor?
Domenico De Masi: Është e njëjta pyetje që i bëra Alberto Moravisë kur mbushi 80 vjet. Mu përgjigj: “Estetizmi. Të rinjve nuk u duhet të jetojnë më mes erës së pulave, dhe vishen më mirë”. Nipërit e mi do të jetojnë në një botë edhe më të bukur se e imja.
Jeni i sigurt? Në libër ngrihet pyetje, me Hannah Arendt: “Çfarë ndodh në një shoqëri të përqendruar tek puna, kur puna mungon?
Domenico De Masi: Mbi të gjitha, po kalojmë nga një shoqëri të bazuar tek puna, në një shoqëri të bazuar tek koha e lirë, dhe do të punohet gjithnjë e më pak. Pastaj kam besim se do të ndodhë një rishpërndarje e madhe: e vetë punës (mes etërve dhe bijve), e garancive, pushtetit, dijes dhe shanseve. Kam besim sepse, siç thoshte bashkëpatrioti im Giambattista Vico, “Bota është ende e re”. Dhe sepse të rinjtë e sotëm mund të fluturojnë në të gjithë vendet e Europës me pak para, jetojnë në një epokë globale të mbushur me stimuj, dhe kanë më shumë kohë për t’ia kushtuar kreativitetit, ndonëse shpesh herë atë e çojnë dëm.
Pra po na thoni se i keni zili të rinjtë e sotëm? Po atëherë ju provokoni, profesor!
Domenico De Masi: Ndonjëherë shoh mbesën time, studente e fizikës, dhe mendoj kohën kur unë isha i ri. Kam qenë gjithmonë një i apasionuar pas muzikës klasike, një trashëgimi e tim eti, i cili vdiq kur isha 9 vjeç. Mbaj mend që, për të dëgjuar Simfoninë e nëntë nga një gramafon i rrënuar, duhej të ndërronim tetë disqe! Ndërsa sot, shikoni pak. (Ngrihet në këmbë, afrohet tek dritarja dhe shkëput një iPod nga impianti i stereos). Tek kjo gjëja e vogël janë memorizuar 4700 këngë, sinfoni dhe koncerte. Kjo është më e mira e botëve që kanë ekzistuar deri sot. Mbesa ime është vërtetë me fat.
(La stampa, përktheu dhe botoi shqip, bota. al)