RKL: z. Haradinaj mirësevini në valët e Radios Kosova e Lirë. Marrëveshjet e arritura së fundmi me Serbinë, kanë hasur në kundërshtimin e rreptë të partive opozitare. Në anën tjetër, koalicioni qeveritar nuk duket i penduar për arritjen e këtyre marrëveshjeve. Ku po e çon vendin, sipas jush, kjo situatë?
Haradinaj: E mira e gjithë kësaj është se kundërshtimet tona po e çojnë vendin në pamundësi të zbatimit të marrëveshjeve. Ne si AAK mbështesim të drejtat për pakicën serbe dhe mundësinë që komunat e tyre të kenë lidhje njëra me tjetrën, por jemi kategorikisht kundër ndërhyrjes të Serbisë në sistemin tonë kushtetues dhe ligjor qeverisës. Është fat i mirë që nuk është arritur normaliteti i cili synohej për realizimin e këtyre marrëveshjeve.
RKL: Mbase tingëllon paksa e zymtë, por opozita nuk është se ka arritur t’i kundërvihet me sukses Qeverisë, p.sh në themelimin e Gjykatës Speciale. A do t’ia dalë mbanë opozita kësaj radhe për të detyruar Qeverinë të tërheq nënshkrimin nga këto marrëveshje?
Haradinaj: Situata me Gjykatën ka qenë një qëndrim parimor yni për faktin se Kosova ka kaluar nëpër shumë filtra të Gjykatave, fillimisht prej atyre të OKB (UNMIK-ut), Tribunalit të Hagës dhe EULEX-it. Tash së fundmi u kërkua edhe një Gjykatë tjetër, kërkesë e cila është e tepërt. Kërkesa jonë nuk është kuptuar drejtë prej shumë kolegëve deputetë për shkak se ata gabuan që i dhanë mbështetje kësaj gjykate. Kjo Gjykatë nuk bazohet në parimet e drejtësisë ku ne ishim viktimë gjatë luftës së fundit dhe nuk është vendosur ende drejtësia për viktimat në Kosovë që janë të shumta.
RKL: Zyrtarët e Qeverisë thonë se marrëveshjet e arritura në Bruksel janë punë e kryer dhe se nuk bëhet fjalë për shfuqizimin e tyre. Madje, ata tërheqin vërejtjen se në rast se kjo ndodh, atëherë do të pasonte reagimi i ndërkombëtarëve. A është i mundshëm ky skenar dhe cila do të ishte veprimi i opozitës në një situatë të tillë?
Haradinaj: Është një dallim tek situatat. Ne kemi pamundësuar zbatimin e marrëveshjeve të 25 gushtit. Këto janë “punë e kryer” vetëm në kokat e atyre që kanë vënë nënshkrimet por jo edhe tek ne. Ne kemi mesazhe mbështetëse prej plot individëve të partive në pushtet që janë kundër këtyre marrëveshjeve. Populli i Kosovës nuk është dakord që të zbatohen këto marrëveshje. Qëndrimi ynë është shumë i qartë dhe i prerë: ne nuk bazohemi vetëm tek numrat e deputetëve tanë por edhe në vullnetin e qytetarëve që janë kundër kthimit prapa të Kosovës.
RKL: Opozita tashmë ka krijuar një front të përbashkët, diçka që ka munguar për vite me radhë. Por skeptikët dyshojnë në unitetin e saj, duke vënë në spikamë diferencat konceptuale të tri partive opozitare. Sa janë reale këto paralajmërime?
Haradinaj: Ne kemi dallime si parti opozitare dhe kjo është normale në pluralizëm. Sidoqoftë, ne kemi pajtueshmëri të plotë me qëndrimet që i kemi deklaruar publikisht lidhur me tërheqjen e nënshkrimit nga marrëveshjet me Serbinë dhe atë për demarkacionin me Malin e Zi. Ne kërkojmë edhe ndërprerjen e seancave. Në këtë drejtim jemi të gjithë unik. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot ka mbajtur një takim të jashtëzakonshëm me Këshillin Drejtues të AAK-së, ku pjesëmarrja ka qenë mbi 80 anëtarë të Këshillit Drejtues. Kemi votuar të gjithë që përmes protestës të zërojmë kërkesën e qytetarëve që të tërhiqen nënshkrimet nga këto marrëveshje. Poashtu në mbledhjen e sotme morëm vendim për protestë. Data nuk është vendosur ende, por nga sot ne fillojmë përgatitjet tona në këtë drejtim.
RKL: Opozita shprehet e vendosur për të bllokuar punën e legjislativit, duke e kushtëzuar atë me tërheqjen e nënshkrimit nga marrëveshjet diskutabile. Në sallën e Kuvendit janë krijuar situata konfliktuale, ku nuk ka munguar as gazi lotsjellës. Përplasja para stacionit të Policisë midis protestuesve opozitarë dhe pjesëtarëve të njësive speciale, ishte një shprehje e tensionit të përgjithshëm në vend. Kah po shkon vendi në këtë situatë?
Haradinaj: Po shkon thjesht kah pamundësia e zbatimit të këtyre marrëveshjeve, kah korrigjimi i tyre politik që nënkupton ose tërheqjen e marrëveshjeve ose zgjedhje të reja. Pushtetarët duhet ta kenë të qartë se nuk mund të vendosin gabim për fatin e Kosovës pa konsensus të gjerë.
RKL: Peticioni kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe asaj me Malin e Zi, ka grumbulluar deri më tani mbi 170 mijë nënshkrime. Opozita ka arsyetuar mbajtjen e një peticioni të tillë si mënyrë për zërimin e pakënaqësisë qytetare ndaj marrëveshjeve me Serbinë. Për fat të keq, peticionet nuk është se janë kurorëzuar me sukses, duke qenë se ato shpesh kanë përfunduar në sirtarët e Kuvendit pa u diskutuar asnjëherë. Cili do të jetë fati i këtij peticioni?
Haradinaj: Mos harroni se protesta do të jetë vendimtare. Ne aty dalim për t’i dhënë vendim qëndrimeve tona, ngase nuk guxon dikush të veprojë në mënyrë kaq tradhtare apo t’i jap tokë të Kosovës një vendi fqinj e as që Serbisë t’i kthehet roli në Kosovë. Këtë nuk mund ta bëjë as Isa Mustafa, as unë dhe askush tjetër.
RKL: Opozita tanimë ka deklaruar qëllimin e saj për të organizuar protesta gjithëpopullore. Poashtu edhe Qeveria duket e frikësuar nga këto protesta, për të cilat druan se mund të përshkallëzohen në dhunë. Si po ecin përgatitjet për këto protesta dhe cili do të jetë qëllimi i tyre?
Haradinaj: Ne jemi të vendosur që protesta ta jetë vendimtare dhe përfundimtare. Kjo protestë do t’i jep epilog çështjes sepse nuk do të tërhiqemi nga ajo që kërkojmë. Kërkojmë tërheqje të nënshkrimeve ose dorëheqje të Qeverisë. Vendimi është marrë dhe do të zbatohet. Kjo bëhet në bashkëpunim me Nismën, Vetëvendosjen dhe të gjitha shoqatat shqiptare që janë në kundërshtim me këto procese.
RKL: AAK gjatë muajve të fundit ka qenë më e zëshme në kundërshtimin e procesit të shënjimit të kufirit me Malin e Zi. Ju keni hedhur akuza të forta në adresë të Qeverisë dhe Komisionit për shënjimin e kufirit, të cilët i keni akuzuar për faljen e mijëra hektarëve tokë të Kosovës. Marrëveshja tashmë është arritur, pavarësisht kundërshtimeve. A prisni një reagim tjetër të banorëve të brezit kufitar me Malin e Zi, pasi ata kanë shterur të gjitha mjetet paqësore demokratike?
Haradinaj: Ata presin që nëse ne dështojmë ta zgjidhin problemin në mënyrën e tyre. Ne po mobilizohemi ngase jemi të zgjedhurit e tyre, në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet institucionalisht. Nuk e pranojmë kufirin në mes të Rugovës në Kuqishtë e as në Sarinovodë. Kufiri është në Qafë të Çakorrit dhe në Kullë të Zhlebit dhe nuk mund të shtyhet më poshtë në asnjë mënyrë.
RKL: Në rast se situata precipiton asisoj që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, a do të garojë AAK e vetme apo do të përdorni një listë të përbashkët me Vetëvendosjen dhe Nismën?
Haradinaj: Ka logjikë që opozita të shkojë bashkë në zgjedhjet e ardhshme dhe të marrë besimin për një Kosovë ndryshe nga kjo që kemi sot.
RKL: Cila është porosia juaj për qytetarët e Kosovës?
Haradinaj: Këto marrëveshje duhet të ndalen tash. Nuk mund t’i kthejmë prapa. Tani është nevoja që të japim ndihmën tonë për të këtë drejtim. Me këtë rast duam t’u bëjmë të ditur të gjithëve se askush nuk mund të dëmtojë Kosovën për t’i dhënë favore regjionit.