Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe kandidati i kësaj partie për kryetar të Komunës së Burimit, Haki Rugova, janë shprehur të bindur sot gjatë një tubimi madhështor parazgjedhor, se jo vetëm në Istog, por në tërë Kosovën, LDK-ja do të dalë fituese. Mustafa ka shprehur bindjen e tij se Haki Rugova do të rizgjidhet kryetar i Istogut pa balotazh. “Komuna e Istogut do të vazhdojë të qeveriset nga Haki Rugova dhe LDK-ja edhe në disa mandate tjera. Sepse ne realizojmë programet tona dhe punojmë me përgjegjësi”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, rivalët politikë të LDK-së do të ndëshkohen nga qytetarët e Kosovës për shkak të papërgjegjësisë së tyre. “Nuk shërbehemi me akuza e gënjeshtra sikur rivalët tanë politikë. Kundërshtarët tanë politikë, të inkriminuar deri në fyt, po mendojnë se krejt njerëzit janë sikur ata. Por, qytetari na njeh të gjithëve dhe na gjykon të gjithëve”, ka thënë Mustafa.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Istogut, Haki Rugova, ndërkaq ka kërkuar dalje masive të qytetarëve të Istogut në zgjedhjet e 22 tetorit dhe zmbrapsje të atyre që ai ka thënë se nëpërmjet mashtrimeve po duan të zaptojnë Istogun. “Mbështetja e madhe për LDK-në që po shoh këto ditë, sidomos e të rinjve, më bën të jem i bindur se Istogu nuk do të ketë nevojë për balotazh. Ne do të fitojmë me të parën”, ka thënë Rugova.
Ai ka premtuar realizimin e kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të kësaj komune, të përfshira në projektin e tij dhe LDK-së për qeverisjen e Istogut në 4 vitet e ardhshme. Rugova ka premtuar edhe ndërtimin e palestrave sportive në të gjitha qendrat urbane si dhe aktivizimin e Bjeshkëve të Istogut, për t’i ndërlidhur ato me aktivitete që e ndihmojnë zhvillimin ekonomik të komunës së Istogut.
Gjatë mandatit të ardhshëm, Rugova ka premtuar ndërtimin e dy shkollave të reja, pajisjen e qendrave të mjekësisë familjare dhe ambulancave si dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Ai ka premtuar zhvillimin e Istogut bazuar në planet zhvillimore dhe hartat zonale, duke theksuar se gjatë mandatit të ardhshëm, përparësi do t’u jepet edhe zonave ekonomike apo parqeve industriale.