Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i japin ultimatum drejtuesve të institucioneve dhe partive politike se nëse nuk i marrin pagat e tyre deri të premten, ata nuk do të dalin për të votuar në këto zgjedhje që do të mbahen të dielën dhe kërcënojnë edhe me organizmin e protestave para Kuvendit. Kështu ka deklaruar kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë së Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, i cili theksoi se tash e tre muaj veteranët nuk i kanë marr pensionet. Gucati tha se veteranët janë në gjend të rëndë financiare, ngase paga e fundit për ta ka qenë 52 euro në muajin gusht. Ai në një intervistë për KosovaPress kërkoi nga Qeveria dhe Kuvendi që ta votojnë sa më parë rishikimin e buxhetit për të dal nga kriza financiare që kanë ish ushtarët e lirisë.
“Nëse pagat nuk dalin deri të premten, frikën dhe llogarinë duhet ta mbajnë partitë politike për votat e tyre, sepse ka veteranë që nuk do të votojnë fare për shkak të hidhërimit që nuk i kanë marrë pagat qe tre muaj. Edhe nuk jam i detyruar të dal t’iu them veteranëve dilni votoni subjektet politike apo kandidatin e juaj të preferuar për arsye se kanë të drejtë veteranët me u hidhëruar në këtë aspekt. Unë i kisha bërë apel Parlamentit dhe ministrave të Qeverisë që t’i lirojnë mjetet sa më shpejt dhe sa më parë, mos të na detyrojnë neve të dalim në rrugë”, u shpreh Gucati. Madje, ai ka kërkuar nga Qeveria që të paktën t’u kërkohet falje veteranëve për këto vonesa të stërzgjatura, dhe siç tha ai , ‘të dalin në lëkurën e veteranëve’ sikur të mbeteshin pa paga deputetët dhe zyrtarët qeveritarë.
“Është mirë që Qeveria e Kosovës t’u kërkon falje veteranëve për vonesën që e ka bërë për pagat e veteranëve. Unë i kisha bërë një pyetje kryeministrit dhe deputetëve çka do të thotë për ta që atyre do t’ju ndaleshin pagat vetëm një muaj dhe çka do të kishte ndodhur në shtëpitë e tyre?… Kishte qenë mirë që kryeministri t’iu ndal pagat gjithë deputetëve një muaj ditë dhe të shohin edhe ata çfarë do të thotë me mbet një muaj ditë pa paga. Pagën që e marrin veteranët 170 euro nuk i mbulon as shpenzimet për dy persona se lëre më për anëtarë të familjes me pesë e gjatë anëtarë”, ka thënë ai.
Gucati ka shtuar se ka takuar edhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe i ka kërkuar që sa më parë të del në Kuvend projektligji për rishikimin e buxhetit 2017, ngase një ditë veteranëve do t’iu vjen fundi i durimit dhe nuk do të mund të presin kaq gjatë. Ai ka folur edhe për organizimin e protestave, sepse sipas Gucatit nuk do durojnë të mbështeten për muri.
“Unë kam thënë gjithmonë se rrugën nuk e preferoj, por kur mbështetemi për muri duhet me preferuar pastaj. Unë, është e vërtetë se nuk e kam përkrahur protestën e fundit, para një jave që ka qenë, këtë nuk e mohoj dhe nuk do t’i përkrahi, ngase veteranët e luftës kanë organizatë, kanë kryesi, kanë kryetar dhe kanë Këshill Drejtues, andaj vendimet për përtesën i marrim ne. Mirëpo, do të vjen dita që do t’i thërrasim veteranët e UÇK-së që të dalim dhe të protestojmë para parlamentit të Kosovës, ndoshta do t’ju bllokojmë edhe hyrjen deputetëve nëse ata nuk e votojnë projektligjin. Ne kërkojmë nga ta që ta votojnë sa më shpejt, dhe t’ju lëshojnë mjetet veteranëve, sepse ka që tre muaj që nuk kanë marrë paga, si dhe ka prej tyre që nuk kanë para për ta marr një injeksion për fëmijët e vet apo për të. Pjesa dërmuese e tyre janë edhe të sëmurë. Protestat e organizuara në mënyrë individual e nuk i përkrahu kurrë në jetë”, theksoi ai.
Gucati ka thënë se pagat do të merren në mënyrë retroaktive për borxhin e mbetur. Rreth 32 mijë veteranë të luftës sot gëzojnë pensione dhe Qeveria me projektligjin për rishikim të buxhetit ka paraparë 26 milionë euro deri në fund të këtij viti.