Skënder Shatri: Fjala e mbajtur në Varrezat e Dëshmorëve, në Gllogjan, në rivarrimin e trupave të dëshmorëve Xhefer e Gani Balaj

Skënder Shatri: Fjala e mbajtur në Varrezat e Dëshmorëve, në Gllogjan, në rivarrimin e trupave të dëshmorëve Xhefer e Gani Balaj

Vëllezër e motra !

E respektuara familja Balaj! Familje të dëshmorëve, invalidë e veteran të Luftës së UÇK-së,  shokë të idealit,  pjestarë te FSK-së, miqë e dashamirë. I dashuri baca, Ismajl Haradinaj,  shumë i dashuri e i paharruari, trim mbi trima, Beg Riza.

Sot, pikërisht në këtë ditë të shënuar të 16 Tetorit, na bashkoi emri i Dëshmorëve të Atdheut, bijve të Musë Mehmetit , Xhafer e Gani Balaj. Erdhen këtu në Gllogjan, jo për të nënçmuar një palë apo mbiçmuar një palë tjeter, por erdhen, që tu bashkohen shokëve të luftës dhe armëve me të cilat nisen dhe vazhduan luftën për liri.

Këta djem nuk erdhen për së pari herë, sot në Gllogjan, këta ishin këtu edhe në vitet e ’80-ta,ata ishin edhe atëherë kur këtë tokë filluan ta ngrohin rrezet e para të uçk-es.

Në gjysmën e dytë të shekullit që shkoi,djemt e Balës plak, ishin flamur i Isniqit në luftrat për çlirimin e Atdheut, ndërsa bijtë e Musë Mehmetit ishin shtizë e këtij flamuri. U vranë Misini, Ahmeti, Ramushi, Zeqiri e Mehmeti. Në luftën e dytë kurrë nuk u kthye Zeka e Kadria. Pasi që u ripushtua gjysma e Shqipërisë natyrale, pas luftës së dytë, kulla dhe trualli i Musë Mehmetit u radhit në krahun e të mundurve,por jo të nënshtruarve nga OZNA e më vonë UDB-a. Djem të këti trualli ishin të dënuar për vdekje. Në vitin 1953 u vra Smajli në Shishman të Bokës vet i katërti mësues,ndërsa mësuesi Ali u dënua me burg të rëndë si anëtar i NDSH-së.

Pra, Musë Mehmetit dhe bijëve të tij, iu dasht që ti përvjelin duart dhe të rreshtohen në istikame që ta bartin flakën çlirimtare nga brezi ne brez.

Nuk do të flasim për luftën e fundit, por për luftën e tyre, në paraluftë, ku në ato beteja kishte vetëm dy parti :

Njëra ishte fantazma e Bashkim-Vëllazërimit e udhëhequr nga UDB-a, LKJ dhe Kolona e pestë, që mjerisht ishin pjellë bastarde e popullit tonë, dhe tjetra Lëvizja çlirimtare që kishte busollë vendimet e Konferences së Bujanit. Mërgimin e vitit 1969,  shfrytëzoi duke kontaktuar patriot që kishin ikur nga klika e satrapit Tito, si, Sylejman Haxhiu me shokë, duke sjellur literaturë atdhetare ilegalisht në atdhe, për t’ i edukuar dhe frymëzuar me atdhedashuri, djemt dhe shokët e tyre. Viti 1981 i gjeti në këmbë, me aksione e demonstrata kundër regjimit gjakatar,Tito-Kardel-Rankoviq.

UDB-a, dhe Udbashët me damkë, nuk mund t’i nënshtronin, ata kontrolluan, bastisën kullën, maltretuan, përpos burrave, edhe nuse shatëzëna, por derën e kullës kurrë nuk arritën ta mbyllin për ilegal dhe veprimtarë të çështjës. Vet kulla ishte mësuar ti ketë dyertë e hapura për Isa Boletinin dhe kalorësit e tij, Demë Alia e Mehmet Aga. Ndërsa në kohen e djemëve që sot i kemi para nesh,aty erdhen kaçak si Nuhi Berisha, Enver Topalli dhe Sali Çeku me shokë.

Pas rënjes në burg të grupit të Smajl Haradinit, djemt e Musë Mehmetit ngarkohën me përgjegjësi për organizimin e ilegalës për Deçanin me rrethinë në nivel të Kosovës. Organizata, në verën e vitit 1981, cakton njërin nga këta djem që të shkoj në Gjermani për të takuar Jusuf Gërvallën për konsultime, për vazhdimin e luftës. Gazeta “Liria” dhe “Zëri Kosovës “ nuk mungonin, përkujdesja për familjet e të burgosurve nuk mungonte ,për aq sa kishe mundësi.Akt pas akti sypatrembur, drejt shigjeve të lirisë.

UDB-a nuk kishte të ndalur me dhunen ndaj popullatës shqiptare, ndaj emigracionit kudo nëpër Europë. Tani , njëri nga protogonistët që disa hërë ishte takuar me këta djem në kullen e Musë Mehmetit ishte edhe Naser Shatri i cili pak më vonë do t’i qerojë hesapet me njërin nga UDB-ashet në stacionin e Milicisë në Istog.

Kur Mentor Tolaj bie për të mos vdekur, Bekim Kuqin e plagosur e dërgojnë në spital për ta mbytur më vonë, këta djem organizuan para syve të Milicisë dhe nxorën nga spitali me çarçafa për dritare. E luftën çlirimtare e kërkuan si i vërbri sytë dhe nuk kishte ndryshe përpos në kullën e Musë Mehmetit të formohej celuala e parë UÇK-së kur një ditë marsi 1998 erdhi në kullën e tyre,tani Gjeneral Daut Haradinaj dhe tha: “Erdha për të themeluar celula të UÇK-së por ato i gjeta këtu”.

Për luftën dhe ditët e saj, do të flasin të tjerët. Pra, për atë erdhën sot këtu dy lisa të mëdhenj nga Isniqi në Gllogjan.

Për të iu bashkuar lisave të tjerë të Dukagjinit, këtu ku për roje nderi kanë rrapin shekullor-bacen, Smajl Haradinaj, ku këta lisa së bashku me lisa tjerë të mëdhenj të Prekazit, e të tjerë, anë e kënd Atdheut tonë, do formojnë një erë kalimtare në formë elekticiteti, që do kthjell mendjen e freskoj trurin sot e mot,Qeverive në: Tiranë, Prishtinë, Shkup, Preshevë e Ulqin me një kufi, një flamur, një hymn komëtar,një kushtetutë e një ushtri që është amanet dhe aspiratë shekullore e të gjithë atyre që derdhen gjakun tash e 3000 vjet të shkuara,deri të Beg Riza me shokë.

-Lavdi Dëshmorëve Xhafer e Gani Balaj!

-Lavdi Dëshmorëve të Atdheut!

Gllogjan,16 Tetor 2017

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …