Beteja e Prekazit e 5, 6 dhe 7 marsit e vitit 1998, ka qenë njëra ndër betejat më të dhembshme, por edhe më krenare të historisë sonë më të re.
Tri ditë rresht luftuan në mbrojtje të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor të gjithë Jasharët, duke filluar prej Legjendarit Adem Jashari, pastaj Hamëz Jashari, Shaban Jashari dhe duke u zgjeruar në tërë lagjen.
Shembullin e Adem Jasharit për të mos u dorëzuar e kanë ndjekur edhe Hamit Jashari me tërë familjen e tij, pastaj Halit Jashari po ashtu me tërë familjen, Faik Jashari e shumë të tjerë.
Për tri ditë rresht mbi shtëpitë dhe mbi anëtarët e këtyre familjeve u zbrazën të gjitha llojet e makinerisë së krimit serb. Nuk mbeti shtëpi, pullaz, mur, bodrum pa u granatuar me predha tankesh, me minahedhës, me topa kalibrash të ndryshëm me praga e mitralozë të rëndë.
Gjatë atyre tri ditëve të sulmit më barbar të okupatorit serb kundër familjeve Jashari, ranë heroikisht dhe u martirizuan 57 pjesëtarë të familjes së ngushtë dhe të gjerë Jashari, duke përfshirë edhe disa miq, të cilët u ndodhen te të afërmit e tyre. Ranë për të fituar përjetësinë 20 pjesëtarë të familjes së ngushtë të legjendarit Adem Jashari, 12 anëtarë të familjes së Hamit dhe Salë Jasharit, 11 anëtarë të familjes së Halit dhe Zejnë Jasharit…..
Të rënët e të martirizuarit ishin të të gjitha moshave prej fëmijëve e vajzave të mitura, deri te gratë, plakat e pleqtë.
Elhemja lindi në fshatin Kryshevc të Skënderajt, më 18 gusht të vitit 1938. Ishte bija e Ukshinit dhe Rabijes. Ajo pati dy vëllezër: Muharremin e Ganiun si dhe dy motra: Zojën e Rabishen.
Martohet me Halit Jasharin e Prekazit, me të cilin lindi dhe rriti me kujdesin e nënës së përkushtuar bijtë: Naserin, Xhavitin, Agimin dhe bijat: Sadijen, Shahën, Lumnijen, Abiden dhe Safeten.
Si nënë e dashur dhe grua e zakonit patriarkal, ajo nuk përzihet në punët e burrave, por punonte pa u ndalur, me qëllim për t’i ndihmuar burrit dhe për ta ngritur familjen. Bashkëshorti, Haliti, një kohë kishte punuar në Gjermani dhe asaj i kishin mbetur nën përkujdesje bijtë e bijat. Më vonë në Gjermani kishin shkuar edhe dy bijtë, Xhaviti e Agimi.
Ashtu sikurse edhe gratë dhe vajzat e tjera të Jasharëve, edhe Elhemja ishte në dijeni të aktiviteteve ilegale të bashkëshortit dhe të kushërinjve të tij. Intervenimi i forcave serbe pritej nga dita në ditë. Shumica e burrave të Jasharëve ishin armatosur.
Sulmi brutal dhe barbar i forcave ushtarake e policore serb kundër Jasharëve kishte filluar rreth orës 6 të mëngjesit të 5 marsit. Në të njëjten kohë me predha artilerie qenë goditur shtëpia e Legjendarit Adem Jashari, e Halit Jasharit e Hamit Jasharit, ku edhe kishte filluar rezistenca e armatosur.
Më 4 mars, bija e Elhemes, Safetja dhe djali, Naseri, kishin shkuar në Turiçec. Ajo kishte mbetur në shtëpi me bashkëshortin dhe djemtë e kunatit.
Një ditë më parë Naseri, i cili ishte i organizuar në radhët e UÇK-së dhe kishte sjellë armatim nga Shqipëria, kishte bërë roje, ndërsa më 4 mars ndodhej në dyçan. Djali i Naserit, Leotrimi, shkon në shtëpi dhe i thotë nënës së vet të përgatitej për të shkuar te dajët. Pastaj shkon te babai, të cilit i thotë se e ka porositur nëna për të shkuar te dajët. Naseri arsyetohet se ishte i zënë me punë dhe nuk kishte karburant për autoveturën, mirëpo gjyshi, Haliti, për t’ia plotësuar dëshirën të nipit, Leotrimit, që kishte lindur pas pesë vajzave, i thotë Naserit që të shkonte. Më në fund i blejnë 10 litra krburant dhe shkojnë në Turiçec.
Herët në mëngjes, nënë Elhemja kishte marrë në telefon djalin, Agimin, i cili jetonte dhe punonte në Gjermani, së bashku me birin tjetër, Xhavitin, dhe i kishte treguar se ishin rrethaur nga ushtria dhe policia serbe.
Forcat serbe kishin zënë pocizion te vendi i quajtur Mali i Premë, rreth 200 metra përballë shtëpisë së Halit Jasharit, nga ana lindore. Baza ishte sulmuar nga serbët edhe nga Fabrika e Municionit. Jasharët po sulmoheshin me armë të rënda të artilerisë nga të gjitha anët. Goditjet ishin fatale për të gjitha familjet nën rrethim. Sapo pushonte granatimi dhe forcat e këmbësorisë merrnin turr drejt kullave, ato ndeshenin në breshërinë e kallashëve të Jasharëve çlirimtarë. Këmbësoria sërish tërhiqej dhe sërish fillonte sulmi nga artileria e rëndë. Në një gjendje të tillë të sulmit mizor Jasharët e Prekazit rezistuan rreth 80 orë.
Në shtëpinë e Halit Jasharit ndodheshin: Halit Imer Jashari, me bashkëshorten e tij Elhemen, pastaj Hajzer Zymer Jashari, Murtez Zymer Jashari, Abdullah Zejnë Jashari, Mihrije Jashari, bashkëshortja e Zejnë Jasharit së bashku me bijat: Sabrijen e Hanifen. Në kullë ndodheshin edhe tre bijtë e Zejnë Jasharit: Abdullahu, Bujari dhe Blerimi, ndërsa Valdet Zejnë Jashari ndodhej në shtëpinë e Hamit Jasharit.
Ditën e parë të rezitencën në shtëpinë e Halit Imer Jasharit kanë rezituar me armët e tyre derisa u shpenzohet tërë municioni: Halit Jashari, Hajzer Jashari, Murtez Jashari dhe Abdullah Jashari.
Në rrethana të një rrethimi të hekurt, të goditur nga të gjitha anët me armë të rënda të artilerisë kanë rënë në altarin e atdheut: Halit Jashari, Hajzer Jashari, Murtez Jashari, Abdullah Jashari, Elheme Jashari, Mihrije Jashari, Bahtije Jashari, Sabrije Jashari, Hanife Jashari, Bujar Jashari dhe Blerim Jashari.
Në ditën e katërt, serbët me qindra forca të motorizuara të artilerisë e këmbësorisë kishin thyer rezistencën e Jasharëve dhe kishin tërhequr kufomat, të cilat fillimisht i dërguan në “Servisin” e Lah Tushilës, në dalje të Skënderajt.
Trupat e këtyre dëshmorëve dhe dëshmoreve të kombit prehen në Kompeksin e varrezave në Prekaz, ku janë varrosur të gjithë të rënët më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, së bashku me legjendarin e UÇK-së, Adem Jashari.
Para shtëpisë së rezistencës së Halit Jasharit është ngritur një kompleks modest përkujtimor, ku janë skalitur në mermer fotot dhe emrat e këtyre 11 të rënëve të kësaj dege të lagjes Jashari të Prekazit.
Familja e Halit, Zymer dhe Zejnë Jasharit kanë marrë “mirënjohje” nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës, nga shoqatat e luftës dhe nga Kuvendi komunal i Skënderajt.
Jasharët sërish kanë ngritur kullat e tyre dhe me bijtë, bijat, nipat e mbesat po vazhdimësojnë jetën, krenarë për veprat e baballarëve, nënave, motrave e vëllezërve, që u bënë gurë themeltarë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. (A. Q.)