leoni

Ahmet Qeriqi: Burgu

Kadri Rexha: MONUMENT BREZASH TË LIRISË

(Çast me romanin “Burgu” të autorit, Ahmet Qeriqi)

Po çel mëngjesi gri mbi përfytyrimin ndërsa unë ende rri ulur mes miqve që frymojnë me fjalë, me tinguj, me shenja, me krisma pushke. Sipër tryezës prej druri palos faqet prajshëm “Burgu”, libri i shenjtë i posalexuar. Ashtu i heshtur ai tashti flet si pikturë mesjete, si kjo natë dimri në dheun e huaj, si kujtimi i përlotur i stinës së rrahur nga mijëvjeçari i fundit, si përmendore që përshëndet brezat me gjuhën që nuk shuhet.
Libri, tashti hijerëndë, heshtë mbi tryezë, heshtë si lumi i trazuar pas stuhisë, si fara e misrit në ugare ditën e pranverës. Po agon, por unë nuk kam gjumë në sy. Dhoma ime e ngushtë vlon nga fjalët, nga zërat e largët, nga shpirtrat e shqetësuar që përftojnë. Nuk e di flet heshtja pas kujtimit të trazuar, nata futë e kështjellës së krimit, apo flas unë me gjuhë gjethesh në shpërthim. Nuk e di udhëtoj unë në kohëra që s’kthehen më, apo kohërat e rizgjuara rendin drejt meje. Dhjetëra pyetje, qindra pyetje brenda çastit vlojnë në qenien time. Po ku qëndron magjia e këtij libri? – pyes vetën për të satën herë. Te zhanri? Te përmbajtja? Te mesazhi? Te stili? Te emri i autorit?… Dhe, pyetjet mund të vazhdojnë në pakufi, po unë mjaftohem vetëm me kaq. Më mjafton emri i autorit dhe të gjitha pyetjet që më vijnë varg e varg shkojnë e shkrihen në një krijesë unike të pa kund qift.
Dhe, sërish sytë më shkojnë tek titulli i librit. Pesë shkronja formojnë emrin konkret të institutit të llahtarit dhe sinonimin e dhunës së shtetit që dëshmon shekuj gjenocidi. Në secilën shkronjë shoh kështjellat e tmerrit dhe trishtimin pafund shqiptar. Në secilën zbrazëtirë mes shkronjash shoh detin e ferrit të muzgjeve tona pambarim. Dhe, për një çast, nuk u besoj as syve të mi, shkronjat lëvizin dhe zënë vendin e njëra tjetrës. Ato përzihen, rreshtohen në kolonë dhe fillojnë lojën. Valle makabre kështjellash mesjetare. Nga larg dëgjoj klithma, gjëmë dhe rënkime gjyqesh inkuizicionale. Dhe, pa e hetuar fare, si në titërr dite, e shoh veten labirinteve të kështjellës ngjyrë hiri të larë me gjak shqiptari. Në duar e në këmbë më shtrëngojnë zinxhirë robërie shekullore. Prapa shpine me grah dora dhe arma e pushtetit gjakatar. Nuk mund të shquaj mirë jam në Prishtinë, në Mitrovicë, në Pejë, në Gjilan apo në Ferizaj. Nuk mund të dalloj qartë jam në Nish, në Goli Otok, në Stara Gradishkë, në Idrizovë apo në Beograd. Më në fund, më bëhet se gjithçka është njësoj. Njësoj uniforma, njësoj platforma, njësoj hetuesit udbashë, njësoj mënyra e torturës, një soj veglat e dhunës. Herë më duket se kam hyrë në kështjellën e rrezëbitur që vetëm dhuna e gjaku e mban mes tokës e qiellit, e herë më bëhet se i kam rënë pëllëmbë për pëllëmbë rrethit të nëntë të ferrit dantesk.

Në rravgimet mijëravjeçare drejt dritës dhe lirisë, aty, në mesin e lules së rinisë shqiptare, gjej edhe shokun tim të burgut, mikun tim të ardhshëm, të urtin dhe të paepurin, autorin e romanit. Para se ta merrte penën e shkrimtarit në dorë, për të parën herë ai burgun e kishte provuar në moshën adoleshente, në fillim të viteve të gjashtëdhjeta, në vitet e stuhishme të Flamurit Kombëtar. Më vonë mbaron studimet e larta, pajiset me dituri dhe përvojë njerëzish të shquar dhe popujsh të ndryshëm, studion teologjinë, filozofinë, sociologjinë, historinë dhe letërsinë. Për një kohë punon në arsim, boton artikuj publicistikë, dritëson shkrime letrare. Pas aktivitetit legal dhe ilegal atdhetar, në fillim të viteve të tetëdhjeta, për t’i ikur burgosjes së sigurt, për një kohë bën jetë arratie. Në pamundësi aktiviteti më të gjerë ai bie në dorë të organeve të pushtetit me bindje të fortë se edhe qëndresa në burg është luftë e domosdoshme kundër armikut. Tashti, në burgun e Gurakocit, atë e shoh nga afër, ashtu të qetë, të çiltër, me besim të theksuar në vete dhe në idealin e kohës. Me përvojë të pasur dhe me horizont të gjerë, si orakull antik, pa iu bërë vonë asnjëherë, edhe në rrethana të reja, ai merr e jap mesazhe deri në këlthitje shpirti, deri në dhimbje shqisash.
Pos autorit të librit, në barkun e gjerë të kështjellës së sëmurë, gjeta djalërinë dhe burrërinë atdhetare, të brumosur me dashuri për tokën, me urrejtje ndaj pushtuesit, që po jepnin provat e forta për heroizma të reja dhe për flijime vullnetare. Aty merrte frymë e tërë gjenerata e artë e dritës e ngarkuar deri në dhimbje me vuajtjet e padurueshme të etërve dhe të gjyshërve tanë martirë. Ashtu të mbyllur dhe të lidhur me zinxhirë ishim bërë, jo vetëm simbol lirie dhe pavarësie, por dinamit konkret në themelet e kështjellës së robërisë dhe të mbarë pushtetit të saj.
Nuk kishte shumë kohë, përafërsisht para tri decenieve, krijesa ruso-evropiane, Serbia, nën emrin e urryer Jugosllavi, dukej e fortë, e paprekshme, e pamposhtur. Atë e mbronte ushtria, milicia, kamxhiku dhe pushka. E mbronin Fuqitë e Mëdha që e kishin krijuar. Bota e quante metaforë demokracie, kurse popujt brenda saj e quanin burg. Marshimi i saj, nëpër detin e gjakut shqiptar, kishte filluar qysh para tetë shekujsh, për t’u derdhë më vonë me zjarr e me hekur nëpër qindra fshatra shqiptare që po shuheshin aq tragjikisht, me aq pikëllim. E shtrirë mbi gjysmën e tokave shqiptare Serbia ëndërronte gllabërimin e Shqipërisë dhe mbarë Gadishullin Ilirik. Për të realizuar ketë ëndërr ajo projekton plane gjenocidi e etnocidi dhe i materializon ato me dhunë shtetërore, me burgje, me varreza masive, me shpërngulje. Midis dhunës shtetërore dhe të përndjekurve me dhunë, shteti gjakatar me kujdes krijoi një klasë shpirtshiturish shqiptarë të privilegjuar në çdo gjë: ua dha shkollën dhe kulturën e Beogradit, ua dha pozitën dhe paranë, ua dha luksin dhe pushtetin…
Por, nga ajo ditë kur zinxhirët e pushtuesit shtrënguan duart e liridashësve, të njëjtit zinxhirë filluan të shtrëngojnë edhe krijuesin e vetë, pushtetin serb. Sa më shumë mbusheshin burgjet me djalërinë shqiptare, aq më shumë po i dridheshin themelet pushtuesit. Nga ajo ditë rruga jonë e lirisë dredhoi nëpër zandanët e lagëta me beton e hekur thurë, nëpër qeli të errëta trishtimi e vetmie, nëpër net të gjata torture e llahtari, nëpër varrezat masive te të pushkatuarve pa dëshmi netëve të pa hënë, nëpër meditime të pafre për ardhmërinë e lirisë së projektuar, nëpër shtigjet e përgjakshme plot lavdi të luftës së ardhshme të djalërisë atdhetare, nëpër kalvarin biblik të shpërnguljeve masive të popullit duarthatë, nëpër rëniet heroike të trimave në fushëbetejë, nëpër varrezat plot me lule e lot të dëshmorëve të ri, nëpër lirinë që si pranverë e përjetshme ringjalli tokë e qiell, gurë e dru, plak e të ri.
Në bisedat e gjata më autorin e romanit, në ndejat e heshtura rreth tryeze ku pihej çaji dhe helmi i burgut, gjatë pjesëmarrjeve në gëzimet e rralla dhe në hidhërimet e shumta të shokëve të burgut, te ai kam hetuar prirjen e kronikut që mbledh sa me shumë ngjarje, sa më shumë mendime, sa më shumë ndjenja. Dhe qysh atëherë kam fituar bindjen se tharmi i «Burgut » po ngjizej, se romani i ardhshëm po formohej, se libri për liridashësit po lëshonte shtat.
Në rrethana burgu fjala e autorit kishte forcë këndellëse, fjala e tij forconte, fjala e tij jepte shpresë. Në mesin e të burgosurve politikë ai me zell e dashuri mbillte besimin, kujdesin, fleksibilitetin dhe tolerancën. Burgun ai e shihte si një shkollë për kuadro të mëvonshme, si një farkatore për kalitjen e rrugës së rezistencës dhe të luftës së ardhshme kundër pushtuesit. «Nëpër burgje dhe kazamate po ndërtoheshin të forta themelet e lirisë. Ato themele po krijoheshin me mund, djersë, gjak e tortura të mizorishme kundër liridashësve, por rruga e filluar në mars dhe prill të vitit 1981, për realizimin e aspiratave çlirimtare nuk do të ndalonte. Ajo rrugë ishte e gjatë, e përgjakshme dhe e tmerrshme, por ajo tanimë kishte filluar… » ende i mbaj të freskëta fjalët që sot i gjej në faqet e romanit « Burgu ».

Dhe, çka e dallon romanin “Burgu” nga “Gjarpinjtë e gjakut”, nga “Vdekja më vjen prej syve të tillë” apo nga “Titistët”? Është apo jo e rëndësishme klasifikimi i librit si autobiografi personale apo e gjeneratave të tëra, kujtime personale të një të burgosuri politik apo kronikë kolektive e mbarë një populli të pushtuar? Ky libër është shkruar sot apo ka filluar të shkruhet para një shekulli? E shkroi këtë libër autori, apo para se ta shkruaj ai, këtë libër e shkroi dhuna dhe gjenocidi njëshekullor serb? Është me rëndësi që tashti romanin e kemi në dorë dhe për të mund të flasim lirisht si për një libër të jetuar, si për një jetë skllavërie që nuk do të kthehet kurrë, si për një libër të shenjtë që do të na e ruaj kujtesën…
Brezat që vijnë nga romani “Burgu” do të mësojnë shumë për jetën, për vuajtjet, për qëndresën, për luftën, për mendimin dhe për ndjenjat e mbarë popullit shqiptar nën robërinë serbe. Në mënyrë të veçantë ata do të mësojnë për idealin, mendimin dhe flijimin e të burgosurve politikë të gjeneratës së viteve të tetëdhjeta. Ndaj, me lot në sy dhe me krenari të arsyeshme, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje ata do të përkulën deri në lartësinë e nënës tokë për të nderuar qëndresën dhe heroizmin e gjeneratave të tëra, të cilat Kosovën me Vise e sollën deri te Pavarësia, deri te hapi i fundit i ribashkimit të kombit dhe shtetit shqiptar. Nga distanca kohore, brezat që vijnë do të binden se një fitore si kjo nuk ishte e lehtë. Se në këtë luftë të gjatë dhe të përgjakshme arma e vetme e gjeneratave të tëra ishin gjokset e hapura, grushtet e bashkuar, krenaria e të qenit shqiptar dhe dashuria e madhe për atdheun.
Do të vijnë brezat dhe do të na gjejnë kudo, në gurë e në lisa, në fusha e në male, në kroje e në lumenj, në fije bari e në petale lulesh, në monumente sheshesh e në faqe librash… Do të vijnë brezat dhe do të marshojnë drejtë shtigjeve të reja. Fëmija, nxënësi, bujku, blegtori, punëtori, minatori, mësuesi, artisti, ministri,… mund të bëjnë edhe mrekulli. Verës mund të merr verë e dimrit – dimër… Por Eknat Malmiri, si simbol i të burgosurit politik, do të mbetet po ai, i njëjti. Rrëfimi për të është klithmë kohe, pikëllim, krenari, dinjitet… Tash liria e fituar u përket të gjithëve.
Po agon mëngjesi tëmbëlor mbi alpet zvicerane ndërsa mua më bëhet se kam ndenjur shtruar tërë natën e lume mes miqve që frymojnë vetëm me fjalë, me tinguj, me shenja, me krisma pushke. Sipër tryezës prej druri, si më parë, qetësisht prehet romani “Burgu”. Ashtu i shqetësuar, i pikëlluar dhe me premtimin se do të takohemi sërish në logun e artit, më në fund, në heshtje, ndahem edhe me Eknat Malmirin.
Deri sa po pija kafen e mëngjesit, melodia e një këngë pleqërishte, që vinte si nga një botë tjetër, ma kujtoi Plakun Balë dhe rrëfimin e tij për Bijtë e Motit të Madh. Nuk mund të them saktësisht ishte kjo këngë e poetit Dara i Ri apo tregimi i gjatë i shkrimtarit Ahmet Qeriqi, derisa, befasisht, e zura vetën me këto vargje në gojë:

Mori bijë, bijë e Lalës,
Moj e bukur, e trishtuar,
Pse m`kujton motin e shkuar?

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …