Partia Demokratike e Kosovës ka ngritur shqetësimin e saj se Lëvizja Vetëvendosje ka thyer heshtjen zgjedhore në Prishtinë, duke shpërndarë fletushka propaganduese. Zyrtarja e lartë e PDK-së, Blerta Deliu –Kodra, ka theksuar se disa parti politike janë duke bërë fushatë edhe në ditën e zgjedhjeve. “Sipas të dhënave të fundit të marra nga degët PDK-së anekënd vendit kemi një trend të mirë të daljes së votuesve në zgjedhje, si dhe vlen të theksohet se procesi është duke shkuar normalisht. Deri më tani nuk kemi të raportuar ndonjë parregullsi e cila vlen të theksohet në këtë konferencë dhe që do të mund të ndikonte në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, përpos disa përpjekjeve dëshpëruese të disa subjekteve politike që të bëjnë fushatë elektorale edhe sot para qendrave të votimit. Një rast të tillë e kishim edhe në Prishtinë, ku ashtu siç jeni informuar edhe ju, Lëvizja Vetëvendosje kishte shpërndarë në kryeqytet fletushka propaganduese, duke thyer kështu edhe heshtjen zgjedhore”, ka deklaruar Deliu-Kodra. Ajo ka uruar, sidomos votuesit që votojnë për herë të parë si dhe ka ftuar qytetarët që të dalin sa më masovisht në këto zgjedhje.