RKL

RKL: Zgjedhjet vendore të 22 tetorit konfiguruan forcën e vërtetë të secilës parti dhe kandidatëve të pavarur

Zgjedhjet vendore të 22 tetorit zbuluan para qytetarëve të Kosovës një realitet faktik të forcave aktuale politike në vend. Edhe pse në votime kanë marrë pjesë vetëm rreth 44 për qind e votuesve me të drejtë vote,  dhe nuk kanë marrë pjesë, ose i kanë injoruar ato 56 për qind e qytetarëve të Kosovës, këto zgjedhje konfiguruan forcën e vërtetë të secilës parti dhe kandidatëve të pavarur.

Rezultatet nuk kanë qenë edhe aq shumë të papritura, përveç në rastin e Vetëvendosjes, e cila pati një ngritje enorme në zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit, ku zuri vendin e parë me numrin e deputetëve dhe pritej që të rritej edhe më tej numri në zgjedhjet vendore por ndodhi befasia. Vetëvendosja nuk fitoi asnjë komunë pa balotazh, ndërsa në garën mujshare të balotazhit mund të ndahet edhe më keq, sepse është e vetme dhe nuk ka pranuar, as pritet të pranojë aleancë me paritë e tjera, përveç nëse ndërron qëndrimet.

Fushata e zjarrtë e Vetëvendosjes në zgjedhjet vendore mori një epilog të papritur, për shumë shkaqe, por në radhë të parë për shkak të qëndrimit tejet arrogant të disa krerëve të kësaj partie, të cilët nuk dinë të përmbahen sidomos në momentet kur vetëpërmbajtja prodhon vota me shumicë. Po ashtu ishte tepruar me një “performancë” tejet propaganduese, vetëbesuese të protagonizmit aprioristik që nuk dha rezultat, përkundrazi…

 Tash po shihet botërisht se dyfishimi i numrit të Vetëvendosjes në zgjedhjet e përgjithshme  ka qenë një lloj “dushku” i asaj pjese të elektoratit, e cila ka votuar për mëri të partisë së vet, në stilin për inati të resë…, apo edhe për fatin se ajo nuk i ka zgjedhur kandidatët e frymës së vet dhe të pranueshëm për votuesit e saj.

Fituesja jo vetëm morale e këtyre zgjedhjeve është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila  në zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit, e kishte dëmtuar rëndë veten në koalicion me disa parti të vogla dhe me “prurje” të kuadrove, duke lënë anash, disa nga më  meritorët në radhët e veta. Megjithatë, elektorati i konsoliduar i LDK-së u angazhua më shumë dhe fitoi në shumë komuna, edhe për faktin se LDK-ja ishte “tradhtuar” nga partneri qeverisës, PDK-ja, me rastin e rrëzimit të Qeverisë dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme.

Partia Demokratike e Kosovës nuk është këndellur dhe nuk shihet të ketë fituar diçka më shumë sesa në zgjedhjet e 11 qershorit,  kur forca e saj e prezantuar në koalicionin e zgjeruar e rrudhi atë dhe e solli të tretën me numër të deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Aktualisht, PDK-së po i hakmerret qeverisja autarkike, autoritare e një individi, i cili kësaj partie, deri tani  i ka kushtuar humbjen e gati gjysmës së elektoratit. Pavarësisht  fitores në ndonjë komunë  duke u mbështetur në marrëveshje me AAK-në dhe Nismën, PDK-ja nuk ka arritur të konsolidohet në zgjedhjet e  22 tetorit dhe nëse nuk ndërron kursin dhe kreun ajo do të degradohet më tej.

AAK-ja e Ramush Haradinajt ka korrë një rezultat të hetueshëm dhe ka shans të fitojë në Kastriot, Therandë, në Gjakovë e mbase edhe në ndonjë komunë tjetër, përveç në Junik dhe në Deçan ku ka fituar pa balotazh. Ngritja e AAK-së në radhë të parë i atribuohet punës këmbëngulëse të kryetarit të partisë, aktualisht edhe kryeministër i Kosovës, i cili megjithatë di të ballafaqohet me sfida, të cilat do të jenë mjaft  të rënda për t’ i përballuar.

AKR-ja e Behxhet Pacollit ka fituar një rritje sidomos, në Prishtinë, ku ka kandiduar me kandidatin për kryetar, Selim Pacolli i cili ka shënuar një rezultat të papritur, duke fituar 10 për qind të votuesve në kryeqytet, aq sa ka fituar PDK-ja, dhe më shumë se kandidati i AKR-së. Megjithatë, përveç në Mitrovicë ku ka shanse ta mbajë pushtetin vendor, meqë PDK-ja nuk e merr dot përkrahjen e Vetëvendosjes dhe ka pak gjasa të fitojë në balotazh me AKR-në, kjo parti nuk duket se mund të fitojë edhe ndonjë komunë tjetër.

Nisma për Kosovën duket se e ka ruajtur elektoratin dhe e ka shtuar numerikisht, meqë ka fituar një numër të konsiderueshëm të votave në nivel të vendit, ndërsa në Malishevë edhe pse duhet të shkojë në balotazh, ajo e ka të sigurt fitoren.

Zgjedhjet vendore të 22 tetorit shënuan një rezultat të mirë edhe për fuqizimin e kandidatëve të pavarur. Përveç Rufki Sumës, në Komunën Hani i Elezit, i cili ka fituar për të tretën herë, duke u mbështetur vetëm në forcat e  veta dhe besimin tashmë të konsoliduar të elektoratit të kësaj ane, në Skënderaj, ashtu sikur edhe pritej ka fituar pa balotazh kandidati i pavarur, Besim Hamëz Jashari. Kandidati i tretë i pavarur, Fatmir Rashiti i komunës  së Shtimes është në balotazh, me kryetarin aktual të PDK-së, Naim Ismajli.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Përse u la i lirë Sali Berisha

Ngjarja më e bujshme e javës së fundit në Shqipëri, pa dyshim  ka qenë ndryshimi …