Fetnete Ramosaj – PA APOLOGJI…. (VËLLIMI I)

Populli i Kosovës në krye me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës edhe pse bëri luftë mbrojtëse, luftë për liri, megjithatë, shqiptarët po e paguajnë shtrenjtë haraçin e krimeve që kryen forcat serbe në Kosovë. Propaganda e zezë serbe edhe pse tërësisht e bazuar në shpifje e të pavërteta, ka dhënë e po jep rezultate. Çdo krim të kryer nga forcat serbe në Kosovë, Serbia është përkujdesur me kohë që t’ia adreson UÇK-së. Ndërkaq në raste të tjera është përkujdesur të trumbetojë se krimi apo krimet të jenë bërë gjithsesi për shkak të saj (UÇK-së). Edhe pse e vërteta e këtyre vrasjeve dihet botërisht, fabrikimet, shpifjet dhe trillimet e tilla kanë mjaftuar të bëhen lëndë për kriminalizimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Megjithëse pa asnjë bazë qëndrueshmërie, “argumentet” e milicisë serbe janë bërë “brum” i mirë për dosje kundër pjesëtarëve të UÇK-së. Pas luftës në Kosovë, më së shumti janë diskutuar “krimet” që nga qarqe të caktuara i janë mveshur UÇK-së. Madje, dëshmitë kundër saj, janë stimuluar në mënyra nga më tëndryshmet, ndërsa krimet serbe është tentuar dhe po tentohet të lihen në harresë. Jo rastësisht po mbulohen krimet serbe, jo rastësisht po tentohet të tërhiqen paralele për bashkëpërgjegjësi për luftën e zhvilluar në Kosovë. Pasojat e këtyre tendencave janë tepër të rënda dhe të kushtueshme si për të sotmen, ashtu edhe për të ardhmen e Kosovës. Deri më tani, asnjë serb nuk është përgjigjur për vrasjet dhe masakrimet e rreth 20 000 qytetarëve të Kosovës; askush nuk është përgjigjur për mijëra dhunime; askush nuk është përgjigjur për qindra-mijëra djegie e shkatërrime; askush nuk është përgjigjur për dhunën, terrorin, gjenocidin dhe dëbimin masiv të popullit të Kosovës. Madje, askush nuk denjoi as të kërkojë falje për të bëmat mizore në Kosovë. Se në lartësitë e Kopaonikut të Kosovës ekziston një kamp sekret, ku punojnë specialistë të policisë sekrete nga Beogradi, u mësua në Gjyqin e Hagës. Në atë kamp marrin mësime dhe përpunohen ish-spiunët e UDB‐së serbe që të dalin dëshmitarë në Gjyqin e Hagës kundër pjesëtarëve të UÇK‐së.1 Praktikisht, edhe shumë deklarata akuzuese kundër UÇK‐së, janë nxjerrë me dhunë gjatë luftës në policinë serbe, në burgjet serbe, nga njerëz të zënë rob, nga njerëz të kërcënuar me vdekje. Ata që guxuan të thonë të vërtetën u kushtoi me jetë….

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …