Siç është informuar edhe opinioni publik, shumë shkarazi, në ditën e zgjedhjeve të 22 tetorit 2017, nga Policia e Republikës së Kosovës u parandalua një akt terrorist, me destinacion Kosovën, i cili u evitua gjatë një kontrolle rutinë në pikën kufitare në Jarinjë nga policia e Kosovës. Në autobusin me udhëtarë nga Serbia, të cilët kishin destinacion vendvotimet në komunat me shumicë serbe në Kosovë, u gjenden dy granata dore me telekomandë, të instaluara për shpërthim brenda autobusit.
Sipas policisë së Kosovës, tre persona janë ndaluar lidhur me rastin dhe hetimet vazhdojnë. Ndërsa, anën tjetër, fatkeqësisht, ende nuk hasëm në ndonjë reagim të krerëve të shtetit apo partive politike lidhur me incidentin, i cili jo rastësisht ishte projektuar në ditën e zgjedhjeve me një autobus përplot votues të komunitetit serb, që më vonë nga eksponentët politik të jashtëm apo të brendshëm të përdorej për qëllime destabilizimi dhe cenim të sigurisë së vet shtetit.
Si qytetar dhe studiues i sigurisë, ndjehemi të shqetësuar lidhur me rastin, e mbi gjitha për tendencën e heshtjes së këtij tentim akti-terrorist pikërisht në ditën e zgjedhjeve, e cila heshtjen e nxjerr në pah edhe atë të faktorit ndërkombëtar në vend, diçka si brenda suazave të normales për shumë aktet të tilla në vendin tonë, pikërisht në vendin më të izoluar ndërkombëtarisht në Ballkan dhe në gjithë Evropën.
Akte të këtilla jo vetëm që duhet patjetër të dënohen, por gjithashtu duhet trajtuar me mjaft seriozitet duke ngritur të njëjtën kohë edhe shkallen e sigurisë në vend, pasi që tendenca është shumë e qartë dhe brenda kësaj tendence ekziston edhe një plan shumë konkret, gjë cilën duhet të merret me shumë seriozitet nga organet e sigurisë në vend.
Në rikujtim të publikut, ky nuk ishte incidenti i parë në këtë formë me eksploziv, në dhjetor të vitit 2014, një tjetër planifikues nga një pjesëtar i komunitetit serb, me përmasa të një akti terrorist në hapësirat ku gjenden ambasadat ndërkombëtare në Dragodan, në Prishtinë, ishte arrestuar me plot 12 kilogram eksploziv.
Gjendja politike në vend, ka krijuar vakum të madh në sferën e sigurisë, vakuume të cilat përveç që po shfrytëzohen nga eksponentët e jashtëm për akte terroriste dhe destabilizim, si ky i fundit në ditën e zgjedhjeve lokale, gjithashtu vetëm një vit më parë janë shfrytëzuar edhe nga eksponentët e brendshëm politik me sulme terroriste, siç ishte ai ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës, zyrës së Presidentes Jahjaga, apo përpilimet e listave për të ekzekutuar krerët e shtetit, një tentim puçi për marrjen e pushtetit në Kosovë. Integrimi sa më i shpejt i vendit në mekanizmat ndërkombëtar, respektivisht në ato evropiane, mundëson siguri stabile në Kosovë, në të kundërtën, përdorimi i standardeve të dyfishta nga BE-ja ndaj Kosovës, procesi i sigurisë çdo ditë e më shumë është duke rrëshqitur drejtë pasigurisë dhe pa qëndrueshmërisë, pikërisht në kohën e ndryshimeve të poleve nga fuqitë botërore me interesa Ballkanike.