Pas një sëmundje të rëndë dhe të gjatë, në moshën 59-vjeçare ka vdekur, Bahti Mustafë Graiçevci nga fshati Ribar i Madh. Bahtiu gjatë tërë jetës, krahas punëve të ndryshme është marrë edhe me veprimtari poetike. Në vitin 2011 ka botuar përmbledhjen me poezi, “Shpresa e fundit”. Trupi i Bahti Graiçevcit u varros në varrezat e fshatit Ribar i Madh, komuna e Lypjanit.
Poezi që burojnë nga një botë e pasur dhe e motivuar shpirtërore
Bahti Graiçevci nga fshati Ribar i Madh, i komunës së Lypjanit i takon grupit të poetëve të heshtur, të cilët kanë shkruar, por nuk kanë botuar, jo sepse kanë dyshuar në vlerat e poezisë së tyre, por sepse nuk i ka favorizuar koha, apo ndoshta edhe sepse kanë konsideruar me të drejtë, se dikush tjetër duhet të kujdeset për poezitë e tyre.
Rasti i poetit, Bahti Graiçevci është i veçantë. Ai ka shkruar poezi kohë pas kohe, por nuk i ka botuar ato. Arsyet për këtë janë të shumta dhe kryesisht individuale, familjare por edhe politike. Si anëtar i një familje të persekutuar nga regjimi serb, nip i Kadri Bebë Ribarit, ai ishte i ekskomunikuar nga njerëzit e regjimit, por edhe i përbuzur dhe i shpërfillur nga ambienti ku jeton.
Duke qenë se ka përjetuar shqetësime dhe trauma në familje, ekskomunikim në rrethin shoqëror, Bahtiu ngushëllimin e vetëm për të përballuar vrazhdësinë e jetës e ka gjetur duke shkruar poezi, të cilat janë mjaft të motivuara dhe kanë një origjinalitet specifik, meqë janë të përjetuara me ndjenja të thella, disa herë edhe melankolike dhe me një dozë të shprehur të vanitetit, pesimizmit, lodhjes dhe zvetënimit të jetës, që janë pjesë e jetës së tij fizike.
Poezia e tij pasqyron edhe realitetin e trishtuar kohor, të jetës së shqiptarëve nën robërinë serbe. Një jetë, e cila prore ndeshej me të papritura dhe bëhej edhe më e rëndë nga skamja e mjerimi, sepse të gjitha shtigjet që çonin në jetë i kishte zënë regjimi. Si pjesëtar i një familje që trajtohej armike e regjimit komunist jugosllav, Bahtiu nuk pati mundësi të kryente studimet, por qysh i ri punoi fizikisht me qëllim për ta mbajtur familjen. Një kohë të gjatë ka punuar edhe në kurbet, larg familjes.
Rravgimet e jetës së rëndë kanë lënë gjurmë edhe në shëndetin e tij delikat, por jo në frymën e tij shpirtërore, sepse ai e ka ruajtur të paprekur botën e tij autentike të meditacionit, meqë të vetmen mbështetje të ngazëllimit shpirtëror kishte poezinë, atë valvul nga ku buronte shpirti i çiltër, aty ku gjente ngushëllim, por edhe baraspeshë, me qëllim për të qëndruar dhe për të jetuar me shpresë për ditët në liri, ku poezia do të tingëllonte lirshëm dhe do t’i kthente në kujtesë dromcat e së kaluarës, me të cilat ai rikthen në mendje pjesën e “pa jetuar” të jetës, pjesën e saj më të dhembshme.
Kanë kaluar dyzet vjet qyshkur Bahti Graiçevci ka shkruar poezinë e parë. Dhe gjatë tërë kësaj kohe ka jetuar si poet i panjohur, por jo edhe i pashprehur. Ai asnjëherë nuk ka hequr dorë nga poezia, e cila e shoqëroi në jetë si dashnore besnike, gjithnjë duke qenë shpresë për ditët më të mira dhe për qetësi e prehje në jetë. Por jeta u tregua shumë e ashpër dhe tejet e vrazhdë ndaj tij.
Poezia e Bahti Graiçevcit tani është në duar të lexuesit, i cili do ta vlerësojë më së miri.
- Ti s’ ke vdekur, i gjallë je!
ADEM JASHARIT
Malet po ushtojnë
Nga krisma topi,
Heronjtë po qëndrojnë
Në Drenicë, qysh moti.
Rrethi po zgjerohet,
Kufoma pushtuesish plot mali,
Në zjarr, madhështor vërsulet
Komandant, Adem Jashari.
I betuar para veprës legjendare
E të madhit Skënderbe
U lidhe në besën e kombit
Jetën e dhe për Atdhe.
Prekazi është sot qendër e botës…
Dheu i vendlindjes, ngjyrë ari,
Aty është lapidari i legjendës të shekullit
I Komandantit, Adem Jashari.
Shpirti ndër yje pushon
Eshtrat në varr, e lart qëndron kurora
Ti s`ke vdekur, je i gjallë
Legjendar, të ka shpallë Kosova.
GJALLËRI SHPRESE
Po vjen me erën e shpresave të humbura
Shpëtimtar i urave të zemrave,
Po vjen t’i pushtosh ëndrrat e tmerrshme
Që sonte edhe dhomës po i japin tmerr.
Shpëtimtar i fundit i shpresës,
Të zgjuar po të shoh si në ëndërr.
Ti vrapon me kalin e bardhë
Të shkumuar nga djersa
Që të arrish në minutën e fundit
Ta shpëtosh këtë Atlantidë të egër
Të mos fundoset përherë.
Shpëtimtar, shpata jote argjendi,
Po e pret forcën tënde burrërore
Që të arrish aty dhe ku nuk arrihet
Për ta shpëtosh veten.
Atje ku duhet shpëtuar
Në rast paniku.
Ti nuk je dhunues,
Por vetëm një shpëtimtar
I shpirtrave që kërkojnë shpëtim.
Do të bekojnë hyjnitë qiellore
E drita e yjeve të lartë,
Do ta ndriçojë veprën tënde,
Pastaj do të lësh një gjurmë
Këtu në dheun e djegur,
Që të japë shenja jetë
Dhe të dëshmohet se tani
Edhe këtu mund të jetohet.
Duke ngadhënjyer mbi një monstrum.
DUKE PRITUR
Do të shterën shtatë dete
Derisa të vinë kalorësit,
me Kuaj të bardhë të Apokalipsës,
Pastaj pritja do të shkatërrojë
Do të jesh si në përrallë
me trungun e tharë
ku në të do flenë,
gjarpërinj flokë-thinjur
E pastaj ligji i tyre do të jetë
Sintagmë zjarri,
pastaj vinë drejtuar,
me turinj nga qielli.
Mundë të këndojnë himnin e tyre..
Nën duartrokitjen e milingonave
Pastaj, Akilë me thembra të çelikta
Me emër te një maratone sportive,
do t’i shkelin lulet më të bukura të këtij planeti.
E, atëherë shpirti yt do të rebelohet.
Do të ik nga trupi yt gjysmë i vdekur,
Qe mos ta sheh të keqen e së keqes
Me sy gati të mbyllur
Që ende shikojnë.
ATDHEUT TIM TË LASHTË
Tregoi botës se këtu jeton gjatë shekujve,
këtu merr frymë, me tërë mushkëritë,
këtu, këtë vend, të parët na e lanë neve
të saktë, të dëlirë të kthjelltë si loti.
Këtë vend, që të parët e mbrojtën,
E mbrojtën trimërisht këtë vend,
askujt nuk ia japim le ta dinë të gjithë,
do ta mbrojmë përgjithmonë.
Këtu lëshoi rrënjët bima jonë fisnike
kur Ballkani ishte i qetë nga dyndjet e lindjes
këtu qëndroi Skënderbeu me luftëtarët e vet
këtu janë varret e të parëve tanë…
Këtu në këtë vend lirie
Të gjithë zgjuar jemi,
Kujtojmë gjyshërit tanë tima bujarë
Këtu fëmija kur të lind,
pas emrit `nënë“ thërret emrin tënd.
TË BURGOSURIT
Ditë e bukur prilli,
ditë magjepse
cicërimë e zymtë zogjsh,
përreth shtazë të ngordhura.
Muzgu ka rënë,
klithma trishtuese njerëzish,
xhelatët e maskuar
fillojnë punën e tyre të ndyrë.
Asnjë klithmë më s`dëgjohet
mëngjesi agon i rëndë,
Jashtë, ulërima qensh
duket se edhe ata i vajtojnë të vdekurit
Xhelatët mburren me viktimat,
me duar të lyera me gjak,
në radhë tani kush do te jetë
këta njerëz të urtë e pa mëkat.
O, prill muaj i gjelbër
O zot i madh
Kij mëshirë për këta njerëz.
KOSOVËS
Një minutë, njëmijë rrugë kaloj,
Ashpër me tërë zërin thërras një emër.
Kosovë ndërgjegje e vrarë e Evropës
damarët m’u kanë fryrë nga gjaku,
Truri po më digjet…
-Kosovë e mjerë sa shumë po durojmë.
Unë po vdes ngadalë në kujtim për ty
të kam nënë në ty jam betuar
Kosovë atdheu im i bukur
Do të mbrojmë, nuk të harrojmë.
A po e ndjen Kosovë
Si po thërret qetësia,
E qielli dhembshëm po na shikon.
Kosovë, lirinë do ta kesh
kurrë më nuk do të ketë okupatorë.
Prore të kujtoj, Kosovë,
Dhe zemra më dhemb.
Zgjuar jemi, nata unë dhe Ti.
Para syve më dalin masakrat në trupin tënd
-Kosovë , mëkatin mos ia fal gjakësorit.
Tash ke trima e gjeneralë
Dëboi gjakpirësit.
Edhe pse larg, nuk të kemi harruar
ushtarë e Tu të gjithë ne jemi
e prej këtu e deri në amshim
është vetëm një rrugë
e ajo rrugë e mundimshme është çlirim.