Vepra letrare e shkrimtarit dhe veprimtarit të mirënjohur të çështjes kombëtare Adem Demaçi u përurua edhe në Gjenevë. Përurimin e ka organizuar ambasada e Kosovës në Zvicër dhe Universiteti Popullor Shqiptar në Gjenevë. Vepra Letrare e Demaçit fillimisht përurohet në Bernë me 1 shkurt në orën 19.00, në Restorant Mappamondo, Länggtrasse 44. Ndërkaq, të nesërmen në Glattbrugg në ora 17.00, në Restorant Glatthof, Schafhauserstr. 126. Kurse, më 3 shkurt në Gjenevë, në ora 14.00 në lokalet e Universitetit Popullor Shqiptar në Gjenevë, chemin Surinam, 1203. Në këto promovime merr pjesë shkrimtari, Adem Demaçi, por edhe Shyqri Galica dhe Arif Bozaxhi. Vepra e Adem Demaçit nuk është e çmuar sa duhet nga politika e sotme por ai është krahasuar me Mandelen Evropian. Rruga e tij ka qenë një rrugë e vështirë të cilës ai asnjëherë nuk iu nënshtrua për të thënë fjalën e lirë duke qenë një institucion më vete për kauzën tonë kombëtare. Politika ka qenë ajo që e ka shtyrë, të merret me letërsi, sepse ishte e pamundur që idetë e tij politike t’i plasojë ndryshe në turmat shqiptare, përveç nëse duke i mbështjellë me njëfarë sheqeri. Proza e Adem Demaçit sjell një vizion autorial, vizion prozaik, ku shkrihet historia, miti, legjenda, përvoja e vet autorit, theksimet e së kaluarës dhe tragjikja e atyre viteve.
Në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, botuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, doli në dritë kompleti i veprave të simbolit të gjallë të rezistencës kombëtare, shkrimtarit të mirënjohur, Adem Demaçi. Kompleti përfshin veprat: Fërkime, Gjarpijtë e gjakut, Libër për Vet Mohimin, Heli e Mimoza, Nëna Shegë e pesë gocat, Shkrumbnajë e dashur, Dashuria Kuantike e Filanit, Alb Prometeu, Politika dhe Pushka dhe Tung vargu im. Në këtë komplet janë përfshirë shtatë romane, një dramë, një përmbledhje me tregime dhe një me poezi. Lexuesit shqiptarë në 100-vjetorin e Pavarësisë, kanë në duar edhe këtë komplet të veprave të shkrimtarit, Adem Demaçi, njëri ndër krijuesit më të njohur dhe më të lexuar jo vetën në Kosovë por kudo në trojet tona dhe në mërgatën shqiptare.
Dalja në dritë e kompletit të veprave të Adem Demaçit është mirëpritur nga lexuesit shqiptarë edhe për faktin se ato pasqyrojnë besnikërisht jetën dhe rravgimet e shqiptarëve në rrugë për liri e bashkim kombëtar. Qysh prej botimit të tregimeve të tij të para në revistën, “Jeta e Re”, në vitet 50 të shekullit të kaluar, e deri tani, rrëfimet dhe romanet e Adem Demaçit kudroherë kanë qenë burim frymëzimi për militantët e lirisë, edhe për faktin se Demaçi ishte materializues e mishërues faktik i rrugës drejt lirisë, vetëvendosjes e bashkimit kombëtar dhe i tillë mbeti si shembull unikat në letrat tona dhe në historinë tonë më të re…
Dashuria e përhershme dhe pashtershme e Adem Demaçit për njeriun dhe njerëzimin
Filozofi më i madh idealist, gjerman, Georg Vilhelm Fridrih Hegel, në veprën madhore “Fenomenologjia e shpirtit” në kapitullin, “Perënditë dhe njerëzit”, ndër të tjera ka shënuar: “Forcat e përgjithshme disponojnë në vetvete shenjën e individualitetit, e cila është e lidhur me principin e veprimit. Nga kjo del se vepra e tyre manifestohet si veprim i lirë, i cili përgjithësisht rrjedhë prej tyre. Kështu kanë vepruar perënditë, kështu veprojnë edhe njerëzit*.( Hegel Fenomenologjia e shpirtit, BIGZ 1974 faqe 420.)
Adem Demaçi është një emër i veçantë dhe shumë i njohur i rezistencës shqiptare, një individualitet i llojit të vet, origjinal në jetë dhe në vepra, origjinal në tërë jetën e tij, në të gjitha periudhat e jetës së tij. Si i tillë ai është një fenomen, “sui generis”, nga ai lloj, të cilin duket se Krijuesi e ka përzgjedhur për të kryer një mision human, në dobi të njeriut dhe të njerëzimit dhe jo vetëm në dobi të kombit, ashtu sikur na pëlqen ta përkufizojmë. Njerëz të ë tillë, të përzgjedhur, ka pasur dhe ka edhe në mesin e kombeve të botës. Dhe të gjithë këta kanë shenjën e individualitet, e cila është e lidhur me principin e veprimit. I tillë ka qenë Sokrati, Xhordano Bruno, Galileo, Martin Luteri, Partis Llumumba, Nelson Mandela e shumë të tjerë. Demaçi qëndron në mesin e këtyre personaliteteve, për nga principi i individualitetit, përkushtimi e sakrifica. Të gjithë këta, që nga Sokrati kanë sakrifikuar jetën për të vërtetën, “për atë të vërtetë që qëndron në ballë të Universit, si princip primar i jetës dhe i lëvizjes”, ashtu sikur ka thënë sundimtari i Prusisë, Frederiku i Madh. (Jeta e gjenive).
Duke medituar për shpëtimtarin dhe cilësitë e tij në kohën e apatisë jetësore, nën sundimin e autarkisë monarkiste, filozofi i madh shqiptar, Kristë Maloku ka shkruar: “Shpëtimtari i kombit duhet të ketë fantazi krijuesi si Platoni, … entuziazëm djalërie si Alkibiadi, vullnet vetëflijues si Sokrati. Por kësi shpëtimtarësh të kombit nuk mbijnë aq lehtë në Shqipëri e as tjetërkund, sepse Zoti i dërgon ata vetëm njëherë brenda qindra e mijëra vjetësh. Dhe, i dërgon vetëm si një kurorëzim të një pune të gjatë kombëtare, plot orvatje e mundime, si një lulëzim të shkëlqyeshëm mbi gjethe, gjemba e ferra të një kopshti të kulturuar kombëtar.” (Kristë Maloku, Shteti apo kombi, botuar në revistën Dardania Sacra nr.4. Prishtinë 2002,f. 74.) Krahasimet e tilla, në këtë mes, në raport edhe me Demaçin, janë të shumta me faktin se edhe paraqitjet e fenomeneve në botën njerëzore nuk janë të pakta.
Pavarësisht se besojmë apo jo në përcaktimin hyjnor, Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij misionare është një paraqitje e realizuar vegimtare, një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.
Profesor, doktor, Hakif Bajrami, njohësi ndër më të mirët dhe ndër më të përkushtuarit e veprimtarisë atdhetare, filozofike dhe politike të Adem Demaçit shkruan: “Filozofia dhe gnoseologjia e veprës së Demaçit, janë një fushë, të cilën duhet ta hulumtojnë institucionet ose akademitë e shkencave. E them këtë, sepse një hulumtim si ky, individual, nuk do të mund t’i përfshinte të gjitha sferat, që të mund të kënaqnin lexuesit në të ardhmen e largët. Po e them këtë, sepse nga kjo afërsi kohore, rëndësia historike e Adem Demaçit, si institucion kombëtar, që ka vepruar personalisht dhe brenda burgut, sidomos për kauzën e lirisë në përgjithësi dhe njëkohësisht për kauzën kombëtare, jashtë burgut, me idetë dhe ndikimet e tij, në masat e reja të popullit, kjo disi nuk mund të përthekohet. (Dr. Hakif bajrami:“Epoka e Adem Demaçit”, Prishtinë, 2009, f.6.)
Selatin Novosella, ish i burgosur politik dhe autor i disa librave, në të cilat ka trajtuar veprimtarinë ilegale në Kosovë e më gjerë, është po ashtu njohës shumë i mirë i jetës dhe i veprave të Adem Demaçit. Ai në një prononcim të tij për medie, lidhur me veprën e tij, “Demaçi Metaforë lirie”, ndër të tjera ka shkruar: Sado që të shkruash për të, kurrë nuk je i sigurt që ke thënë mjaft, meqë jeta dhe vepra e tij është një minierë e artë. Sado që ta hulumtosh, cilësia e arit del më e pastër dhe më kualitative dhe më e qindpërqindtë. Kështu, jeta dhe vepra e Adem Demaçit, në esencë është histori e Kosovës”… Shembulli jetësor i Adem Demaçit, me plotë të drejtë, atë e ka shndërruar në INSTITUCION në vete, çka nuk mund të thuhet, qoftë edhe për një njeri tjetër në Kosovë. (S. Novosella: Demaçi, Metaforë lirie, Prishtinë 2006.)
“Me humanizimin e tij, Adem Demaçi i sfidoi të gjithë, madje edhe atëherë kur u keqkuptua. Kur të gjithë prisnin prej tij që të paralajmëronte një luftë revolucionare, ai nga burgjet serbe paralajmëronte një mision afatgjatë historik kundër Jugosllavisë së mbështetur nga Lindja dhe Perëndimi. Kur të gjithë prisnin prej tij që të kundërshtonte Jugosllavinë si shtet dhe si përbërje etnike, duke përfaqësuar individin që nuk lufton për demokracinë jugosllave po për lirinë e popullit të vet, ai mbështet mendimin e disidencës jugosllave për lirinë dhe çlirimin e të gjithë popujve. Edhe pas rënies së sistemit komunist dhe madje fillimit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, kur të gjithë prisnin prej tij që të niste në fushatë kundër populizmit serb, ai i identifikon ata si ‘vëllezër’ të një misioni të përbashkët. Edhe kur Serbia merr shtyrjen e fundit ndërkombëtare, kur prej Demaçit dikush priste hakmarrjen e fundit kundër atij sistemi dhe atij populli që e kishte mbajtur tri dekada në burgje, ai u bë fryma e humanizmit dhe lirisë së Kosovës: përfaqësues i zyrës së UÇK-së, në të cilën bashkoheshin kërkesat e luftëtarëve të lirisë, ndërmjetësuesit e diplomacisë ndërkombëtare dhe madje kërkesat e qytetarëve serbë”. Myrvete Dreshaj-Baliu, Begzad Baliu: Adem Demaçi dhe kulti i frymës së tij. “Fjala e lirë” 17. 4. 2012.
Në këtë shkrim për Demaçin, për hyrje, prezantova disa nga vlerësimet pozitive të mendimtarëve dhe studiuesve të ndryshëm, për Demaçin dhe veprat e tij në përpjekje për ta vënë në pah personalitetin e tij shumëdimensional, kredon e tij jetësore në përgjithësi, sidomos sa u përket veçantive, origjinalitetit në krijimtari dhe në jetë, duke qenë se Demaçi është një institucion në vete, një humanist që i ka kaluar shumëfish përmasat kombëtare, një idealist i llojit të vet, i papërsëritshëm deri tani për nga origjinaliteti dhe veçantitë në jetë dhe në shkrime.
Humanizmi, kredo jetësore dhe krijuese e Adem Demaçit
Për karakterin humanist të Demaçit, qoftë në jetën e tij, apo në krijimtari mund të flitet me shembuj të shumtë relevantë, edhe pse një pjese të njerëzve tanë nuk iu ka pëlqyer, as iu pëlqen ky qëndrim i tij, të cilin janë munduar ta interpretojnë si një idealizëm internacionalist, madje edhe marksist. Pavarësisht nga kjo, Demaçi, mendoj unë, si në vepër ashtu edhe në krijimtari është një humanist i thellë, njeri i sakrificës, i krijuar apo i materializuar jo nga rastësia, por nga vetëdija e tij e thellë shpirtërore, mbase e trashëguar edhe nga ADN-ja, e pastër njerëzore. Baca, rrjedh nga një familje tradicionale shqiptare, e cila në katrahurën e gjatë të luftës për mbijetesë kishte ruajtur të paprekura idealet e njerëzisë, si digat e vetme të qëndrueshme të gjenit njerëzor, të atij gjeni pa të cilin nuk përparon dot raca njerëzore.
Adem Demaçi është mbrujtur me brumë nga palca e Shqipërisë, thoshte një poet i entuziazmuar nga jeta dhe vepra e tij, me rastin e lirimit nga burgu ku i kishte kaluar 28 vjet.
Dhe, shumë çka tjetër mund të thuhet dhe të dëshmohet me fakte për Demaçin, edhe pse baca nuk i duron fjalët e mëdha, dhe ky është një shenj tjetër, jo vetëm i modestisë, por edhe i filozofisë së tij jetësore. Nganjëherë me të drejtë reagon, duke përkujtuar atë maksimën popullore për këngën dhe trimin. Po e vërteta gjithnjë mbetet ajo që është, dhe në këtë rast, atë, as e zvogëlon, as e asgjëson, as e fsheh dot. Sepse ajo është vetë principi, që qëndron në ballë të Universit, ashtu sikur është edhe arsyeja, e cila i udhëheq shpëtimtarët, idealistët e vërtetë, ata që kanë mbijetuar dhe janë prore të pranishëm në mendjen njerëzore, mbi të gjitha si misionarë e krijues.
Jemi mësuar që Demaçin ta vlerësojmë në radhë të parë si simbolin e gjallë të rezistencës kombëtare, shqiptarin e pathyeshëm dhe më meritorin ndër të gjallët për lirinë e Kosovës. Jemi mësuar tashmë me paraqitjet e tij realiste, qëndrimet e tij të drejta, shpeshherë të ashpra, por gjithherë të vërteta, të shëndosha, të pastra dhe pa paragjykime.
Të rrallë janë ata shqiptarë, që duke përcjellë paraqitjet e tij në opinion nuk kanë pyetur, se ku e merr tërë atë energji ky kalorës i fjalës dhe i mendimit të lirë? Çuditërisht, Demaçi ka manifestuar dhe manifeston një energji të brendshme e të thellë shpirtërore, e cila e ka përcjellë gjatë tërë jetës, në trajtën e një dhuntie hyjnore, si virtyt universal, si fenomen i llojit të vet. Tash në moshën 76-vjeçare, Demaçi, në botën e tij të pasur me energji krijuese e meditative, duket se është po ai i moshës rinore. Gjithnjë energjik, i paepur, i sinqertë por edhe i ashpër, sipas momentit dhe rastit, kurdoherë i dashur për popullin, të cilit shpeshherë ia qan hallin, duke ia kujtuar vuajtjet shekullore dhe duke ia fishkëlluar lehtë të metat e babëzitë. Dhe, duke e parë Demaçin si “homo politicus” në njëfarë mënyre krijimtaria e tij letrare artistike ka mbetur nën hijen e kësaj, edhe pse është krijimtari e thellë dhe e mirëfilltë artistike, dhe tërësia e saj e deritanishme, nga të gjitha pikëpamjet ideore, artistike, stilistike e gjuhësore, e radhit në “sofrën” e parë të krijuesve kombëtarë e më gjerë. Tregimet dhe romanet e Adem Demaçit janë po aq të veçanta në letërsinë tonë, sa është i veçantë edhe vetë autori në jetën dhe disidencën politike të tij.
Dikur shkrimtar i ndaluar dhe i persekutuar nga regjimi jugosllav, Demaçi ka qenë shkrimtari më i lexuar për afër 30 vjet në Kosovë e më gjerë, deri në vitet ‘90, kur u lirua nga burgu dhe kur vepra e tij kishte filluar të ribotohej.
Ishte kështu, në një masë, ndoshta edhe për faktin se veprat e tij ishin të ndaluara, por nuk është vetëm ky fakt, sikur pretendojnë ta interpretojnë disa kritikë hileqarë dhe hipokritë. Tregimet e përmbledhjes “Kur Zoti harron”, pastaj romani antologjik “Gjarpinjtë e gjakut”, romani “Libër për Vetë Mohimin”, “Heli e Mimoza” “Tung, vargu im” “Dashuria kuantike e Filanit” përbëjnë një opus tërësisht origjinal krijues, në të gjitha segmentet e krijimtarisë letrare, artistike.
Demaçi në letërsi ka ecur me kohën. Ai ka filluar të shkruajë tregime me temë sociale, pikërisht në akord me periudhën e vuajtjeve të mëdha dhe katrahurës së varfërisë, që i kishte pllakosur shqiptarët, ndërsa në romanin e tij të fundit, “dashuria Kuantike e Filanit” ai ka shkruar një roman modern, një roman të personazhit, duke thyer klishetë e ndërtimit të romanit tradicional. Me rastin e shënimit të 50 vjetorit të botimit të romanit të tij “Gjarpinjtë e gjakut” Demaçi ka thënë: “Krijimtaria ime ka qenë dhe ka mbetur thellësisht politike, por jo e shkruar në mënyrë politike, por në mënyrë artistike. Politika ka qenë ajo që me ka shtyrë, të merrem me letërsi, sepse ishte e pamundur që idetë e mia politike t’i plasoj ndryshe në turmat shqiptare, përveç nëse duke ia mbështjellë me njëfarë sheqeri”.(Minire Berisha). Ndërsa shkrimtari, Abdullah Konushevci e vlerëson Demaçin si njërin nga prozatorët më të mirë të prozës shqiptare në vitet pesëdhjetë. Ai shkruan se tregimet e tij të botuara gjatë viteve 1953-1958 ishin intonime sociale e psikologjike për fatin e individit dhe atë kolektiv. Ndërkaq, ligjërimin poetik të Demaçit e vlerëson si një alter ego e miqve të tij krijues, një përkushtim për ta, ndërsa lirikën si dritë e shpirtit, pa patetikë, retorikë e kozmetikë. Duke folur për romanin “Gjarpinjtë e gjakut” studiuesja, dr. Sabile Keçmezi-Basha thotë se “Proza e Adem Demaçit, si kjo e romanit “Gjarpinjtë e gjakut”, imponohet me ide, ofron mesazhe historike e aktuale dhe, mund të themi se së pari është një dokument artistik i kohës ku sublimohet fryma e situatave ekzistenciale, dhe, së dyti, ky roman ka sublimuar një substrat, që do ta quaja historik, dhe që vazhdimisht përsëritet në jetën e brezave. Si i tillë, ky roman del se është zë i ndërgjegjes së një kohe, i cili arriti të identifikohej me kolektivitetin e vet nacional, me fatin dhe tragjiken e tij historike. Mirëpo, s’është vetëm refleksi etik ai që e përvetëson lexuesin. Proza e Adem Demaçit sjell një vizion autorial, vizion prozaik, ku shkrihet historia, miti, legjenda, përvoja e vet autorit, theksimet e së kaluarës dhe tragjikja e atyre viteve. Dr. Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri historik i romanit të Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut” “Zemra shqiptare” (17.05.2010.)
Romani,“ Dashuria kuantike e Filanit”, në simbiozën e ideve humaniste
Romani i Demaçit, “ Dashuria Kuantike e Filanit” është roman tipik i personazhit si për nga modelimi i kompozicionit artistik ashtu edhe nga përmbajtja që trajton, në evokim të së kaluarës. Diskursi modern i komunikimit i akordon rrëfimit të dramës jetësore përmes kujtimeve, duke i shkrirë këto dy segmente në tërësinë e rrëfimit të thjeshtë, të çiltër, gjithnjë realist në përshkrimin e situatave duke e dimensionuar ngjarjen me elemente të reja narracioni. Kjo mënyrë e qasjes artistike, konsideroj se ka qenë përzgjedhja më e mirë për të komunikuar me lexuesin, dhe në këtë drejtim Demaçi ka treguar se e njeh dhe i përcjellë me vëmendje të arriturat letrare e artistike bashkëkohore. “Nëntë letrat elektronike drejtuar Dardhës” janë themelet e romanit, janë shtyllat kryesore të godinës, ku shkrimtari, me shumë sukses, ka sintetizuar përvojën e tij jetësore si qëndrestar, idealist dhe krijues, në raport me kohën dhe njerëzit, në raport me të dashurit, por edhe me ata që nuk e duan, me ata që bëjnë përpjekje të pareshtura për t i shkaktuar plagë shpirtërore por edhe fizike, atij vetë dhe të gjithë atyre që nuk i përshtateshin dhe nuk i përshtaten regjimeve autarkike e despotike.
Filani, është ai që nuk i gjykon të tillët, madje as i urren, mbase duke pasur për bazë një segment të mesazhit biblik, që përmblidhet me fjalët: “Fali o Zot se nuk dinë çka bëjnë”. Në këtë raport, romansieri ka ndërtuar tipin e personazhit unikat, tipin e idealistit të pamposhtur, i cili në çdo çast, në çdo situatë e zotëron veten dhe i ruan të tjerët nga vetvetja e tij. Filani, është ajo pika e pa zhdukur e Universit, është ADN-ja e patretshme, “është arsyeja që qëndron në ballë të Universit”, është piedestali ku arrin vetëm idealisti, në përpjekjet e tij jetësore për liri, barazi, drejtësi, që është korpusi unik i vendosur mbi principet e vetme, të cilat mund ta sjellin paqen e përgjithshme njerëzore… Filani është i gatuar me brumin e njerëzisë dhe si i tillë, i lindur, i rritur, i edukuar ai ka arritur ta kuptojë me kohë se, njeriun në jetë e mban besimi në të drejtën dhe në të vërtetën, duke lënë anash kënaqësitë e jetës, duke e bërë zap lakminë negative, duke mos pranuar nga jeta, atë që nuk të takon, duke mos lakmuar flakën e kashtës, e cila përhapet shpejt, por edhe shuhet përnjëherë, duke lënë prapa hirin e zi, sterrë.
Romani “Dashuria kuantike e Filanit” shquhet në radhë të parë për etikën humaniste, njerëzore, me porosi të qarta, që burojnë nga jeta, nga ligjet e saj universale. I ngujuar nëpër qeli e kazamate burgjesh të ish-Jugosllavisë, Filani ngrys ditët, muajt e vitet, gjithnjë duke qëndruar vertikalisht, duke mbajtur qëndrim të fortë kombëtar dhe duke mos u sprapsur as edhe një herë nga idealet e shenjta njerëzore për: barazi, drejtësi, liri, duke mos u ndarë për asnjë çast nga kërkesat për çlirim dhe bashkim kombëtar mbi principet universale të Vetëvendosjes së popujve.
Në përballim me hetuesit dhe inspektorët e sigurimit, ai është krejtësisht i qartë dhe krejt i pandjeshëm ndaj ofertave të tyre. Filani është i vetëdijshëm se nuk ka kryer vepër penale. Këtë e dinë edhe inspektorët, por ai nuk pranon t’ i ndërrojë bindjet e tij, qoftë edhe sa për sy e faqe, sa për të dalë nga burgu, sikur kishin bërë shumë të tjerë, para dhe pas tij. Ai, në qenien e tij ishte përgatitur për t’iu bërë ballë katrahurave e rrebesheve jetësore, i bindur se vetë Krijuesi e kishte përzgjedhur për të kryer një mision të tillë, në dobi të kombit dhe të njerëzimit. Në një rrugë të tillë, të gjatë, të jetës së tij, Demaçi nuk do të thyhet asnjëherë, dhe ky qëndrim i tij i patundur, i çeliktë, e shquan atë dhe e vendos në piedestalin e idealizmit, duke e bërë shembull heroizmi për së gjalli.
Përshkimi i jetës nëpër burgje në dukje është fragmentar, por me elemente të pasura narrative, me përshkrim situatash e konfliktesh të përhershme në raport: i burgosuri me të burgosur të qelisë apo dhomës së përbashkët, në raport me gardianët, inspektorët, drejtorët e burgjeve etj, pastaj me personazhe të burgosurish shqiptarë, por edhe të burgosur të kombeve e kombësive të tjera të Jugosllavisë, të cilët kishin rënë ndesh me ligjin e regjimit dhe vuanin dënimet e rënda nëpër burgje, për veprat e ndryshme që kishin kryer, apo të cilat ua kishin veshur.
Filani është i afërt me të gjithë dhe nuk shpreh urrejtje në pikëpamje kombëtare, nuk paragjykon, por paraqitet tejet komunikues dhe mban qëndrim parimor, si ndaj të burgosurve shqiptarë, me të cilët burgjet ishin të mbushura përplot, ashtu edhe ndaj të burgosurve të tjerë. Në raport me njerëzit e regjimit, ai është shumë i qartë dhe diskret, por edhe me ta komunikon lirshëm, duke u dhënë të kuptojnë se sa më shumë që e trashin zullumin, aq më të afërt e kanë mbarimin, sa më shumë që e mbajnë ngujuar atë, e bëjnë edhe më të vendosur dhe gjithnjë këmbëngulës në qëndrimet e tij.
Duke qenë se për nga zhanri, “Dashuria kuantike e Filanit” është roman personazhi, është krejt e natyrshme që ngjarjet të sillen rreth tij, meqë ai është edhe strumbullari i rrëfimeve, përmbajtjes dhe strukturës ideore të romanit.
I shkruar në formë të thjeshtë, në formë letrash shpjeguese, drejtuar Dardhës,
Filani arsyetohet për qëndrimin e tij të prerë në raport me të, për shkak se e kaluara nëpër burgje ka krijuar një vakum të gjatë, në jetën e tij, një ndërprerje shumë të gjatë të rrjedhës normale njerëzore, në aspektin fizik dhe pikërisht për shkak të kësaj të kaluare të gjatë, nëpër burgje, asgjë nuk mund të rikthehej më në vendin e vetë. Filani është i vetëdijshëm se pjesa joshëse e hireve dhe kënaqësive individuale ka kaluar përgjithmonë, andaj ai ndien nevojë të shpjegojë, për se ka marrë një qëndrim të tillë, përse ka vendosur ta braktis Dardhën, duke shpjeguar se këtë e ka bërë me qëllim për ta shpëtuar atë dhe vetveten.
Demaçi ka arritur që filozofinë e tij shumë të preferuar iluministe-idealiste, të stisur mbi principet e ligjeve të jetës, ta sintetizojë në këtë vepër madhore, e cila ruan në vetvete freskinë e shpirtit njerëzor, dhuntinë e jetës, qoftë edhe të ngujuar brenda katër mureve të errëta e të lagështa nëpër qeli e kazamate, sepse jeta është dhunti hyjnore, dhe njeriu nuk ka të drejtë t’ia marrë tjetrit. Dhe nëse ia merr, ai, merr edhe një pjesë të tij të jetës, pavarësisht se si e bën këtë për përfitime individuale apo politike. Demaçit i dhimbsen persekutuesit, meqë beson se ata janë të manipuluar, janë pjesë e ingranazhit të dhunës dhe si të tillë janë vegla fatkeqe.
Shkrimtari, Adem Demaçi në veprën e tij “Dashuria kuantike e Filanit” mendoj se ka sintetizuar me sukses një pjesë të filozofisë së tij jetësore në kërkim të së vërtetës, filozofinë e tij autentike të jetës, e cila përshtresohet nga dy segmente të fuqishme bazike, arsimimin dhe vetë-arsimimin e tij të gjatë nëpër burgje, aq të gjatë në kohë, sa realisht ka mjaftuar për të kryer 10 fakultete, të cilat ai edhe i ka kryer gjatë studimit dhe leximit të pandërprerë të literaturës botërore. Këtë dije enciklopedike Demaçi e shpreh kudo, në çdo bisedë të çdo teme apo përmbajtje, meqë bota e tij shpirtërore e intelektuale është pasuruar me përvojën jetësore nëpër burgje, por dhe në “liri”. Arsimimi dhe vetë-arsimimi i Adem Demaçit kanë dhënë si rezultat një tipologji të veçantë, të krijuesit dhe intelektualit të kompletuar edhe në vrojtimin e definimin e raporteve, të cilat i ka marrë në shqyrtim në romanin e tij të fundit, Dashuria Kuantike e Filanit.
Përmbledhja me tregime “Kur Zoti harron, një libër që kurrë nuk harrohet”
(Duke rilexuar rrëfimet e para të shkrimtarit dhe simbolit të rezistencës kombëtare shqiptare, Adem Demaçi)
Përmbledhja me rrëfime “Kur Zoti harron” e autorit të mirënjohur të letërsisë shqipe, Adem Demaçi, e botuar në vitin 1990 gjithsesi se është një vepër antologjike e prozës sonë, e cila kishte filluar të krijohej në Kosovë në vitet 50 të shekullit të kaluar.
Po bëhen 55 vjet qyshkur Adem Demaçi e ka shkruar tregimin e tij të parë, “Te xha Sakipi”, botuar asokohe në revistën letrare “Jeta e re”. Dhe prej vitit 1953, kur u botua rrëfimi i tij i parë, në historinë e Kosovës do të shquhej ky emër i veçantë, i cili do të bëhet i njohur jo vetëm në Llap, ku kishte lindur apo në Prishtinë ku ishte rritur, shkolluar dhe frymëzuar, por ky emër i veçantë dhe shumë meritor i kombit tonë do të bëhet shumë i njohur për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm për ta.
Ishte në radhë të parë talenti, por edhe shumë veti e virtyte të tjera, që i disponon shpirti i këtij njeriu, të cilat bënë që ky emër të mbetej përgjithmonë një emër i veçantë, i dashur, i nderuar, i respektuar, për të gjithë liridashësit e kombit tonë, një emër po ashtu i përveçëm, me të cilin lidhet tërë historia jonë e rezistencës, por edhe fillimet e prozës realiste shqiptare në Kosovë, ku krijimtaria letrare kishte filluar të zhvillohej me shumë vonesë, për shkaqe tashmë të ditura dhe mirë të kuptuara. Ky emër, do të mbetet i paharrueshëm edhe për regjimin okupator jugosllav dhe për të gjithë ata që në mënyra të ndryshme iu shërbyen ish regjimeve.
Adem Demaçi për shumë çka është simbol i shqiptarësisë liridashëse, është njeriu i cili edhe për së gjalli, me tërë dinjitet dhe kapital njerëzor e kombëtar po hyn lirshëm në pjesën më të shenjtë të historisë së kombit shqiptar.
Me qëndrimin e tij kurdoherë horizontal, me guximin e tij dhe fuqinë e vizionit u bë shembull tipik i njeriut të rezistencës, i cili frymëzoi sa e sa breza liridashësish, duke mbetur gjithmonë digë e pamposhtur në luftë për çlirimin dhe bashkimin kombëtar.
Fati i katandisur i shqiptarit
Rrëfimet e shkruara nga Adem Demaçi në vitet 50 të shekullit XX shënojnë fillimin e prozës realiste shoqërore në Kosovë, e cila burim frymëzimi kishte fatin e katandisur të shqiptarit të trojeve të robëruara të atdheut. Ashtu si dikur Migjeni, Nonda Bulka, Sterjo Spasse, Karl Gurakuqi, Demaçi e fillon krijimtarinë e vet letrare e artistike duke marrë pozicion realist, meqë në shpirtin e tij të ndjeshëm, më vonë revolucionar, ai do të brumoset me idealet e shenjta të çlirimit, për të mos u pajtuar kurrë me dhunën, robërinë, shfrytëzimin dhe denigrimin.
Si bir fshatari, Demaçi ka trashëguar një moral tradicional të vlerave. Si bir i një populli të shtypur e të katandisur, ai qysh në fëmijëri kishte arritur të identifikonte shkaktarët e vërtetë të shtypjes dhe shfrytëzimit, duke mos u ndalur vetëm në konstatimin si të tillë, por duke bërë tutje, fillimisht me publikimin e tregimeve e romaneve, më vonë me forma dhe metoda të tjera. Me kohë ka marrë guxim qytetar dhe intelektual me qëllim që ta denonconte pabarazinë shoqërore dhe këtë fillimisht e bëri përmes rrëfimeve, të cilat u lexuan dhe u komentuan me shumë interes, si në kohën kur u shkruan e po ashtu edhe më shumë në kohën kur regjimi titist i futi nën embargo dhe ndalonte leximin e veprave të tij.
Në anën tjetër, pikërisht këto tregime bënë që regjimi të hapte dosjen për këtë intelektual, i cili edhe pse kishte studiuar në Beograd nuk do të bëhej vegël e regjimit, sikur mjerisht u bënë shumë nga bashkëkohësit e tij, shumica prej të cilët nga Beogradi në Kosovë sollën edhe frymën sllave të mendimit, të krijimtarisë dhe të mentalitetit të tillë.
Frymëzimin dhe orientimin për të shkruar i mori nga gjendja tejet e rëndë e klasës së shtypur të asaj kohe. Demaçi, kishte goditur në shenjë, që në rrëfimet e para, meqë krejt lirshëm pasqyronte një realitet mizor, i cili kishte goditur sidomos shtresat e varfra të popullatës shqiptare, që kishte rimbetur nën pushtimin jugosllav. Kjo popullatë kishte mbetur në shënjestër të goditjeve nga nacional-shovinizmi serb, madje edhe nën maskën e bashkim vëllazërimit, socializmit dhe komunizmit jugosllav pas Luftës së Dytë Botërore.
Për dallim nga shkrimtarët e tjerë të kohës, të cilët në veprat e tyre glorifikonin politikën e vëllazërim bashkimit, duke kopjuar dhe duke përkthyer sa e sa vepra të autorëve serbë e sllavë, duke u frymëzuar nga heroizmat partizane të Kozarës e të Sutjeskës, Demaçi nuk ra në kurthe të tilla, sepse nuk kishte ambicie për të qenë pjesë e pushtetit, as për të vjelë favore duke shkruar dhe duke lajkatuar regjimin.
Ai mendonte esëll.
E shihte, e ndiente dhe e përjetonte rëndë pabarazinë shoqërore, e cila kishte goditur në radhë të parë shqiptarët. Dhe pikërisht këtu ai do të ndalej, jo vetëm për të menduar e për të konstatuar, por edhe për të vepruar fillimisht duke shkruar rrëfime, duke nxjerrë në sipërfaqe shembuj konkretë, të veshur me petkun dhe metodat shprehëse të letërsisë, e më vonë duke hartuar edhe plane e duke bërë organizime për rezistencë, liri dhe bashkim kombëtar.
Rrëfimi antologjik “Kur Zoti harron”
Tregimi i tij antologjik, “Kur Zoti harron” i botuar në vitin 1954 në revistën letrare “Jeta e re” ishte më shumë se një akuzë e rëndë shoqërore drejtuar jo vetëm rendit shtypës, por edhe mungesës së shprehur të solidarësisë njerëzore për ata që vuanin dhe vdisnin duke u përballur me skamjen e mjerimin.
Në këtë rrëfim dramatik, rrëqethës e tragjik, Demaçi ka sintetizuar historinë e shqiptarit të nëpërkëmbur brez pas brezi. Është fati i njeriut të lënë në mëshirë të kohës, të cilin e kanë harruar të afërmit, shoqëria, të gjithë, e ndoshta edhe vetë Zoti. Duke mos përjashtuar Migjenin, nuk ka në letërsinë shqipe një tregim tjetër, i cili pasqyron aq thellë realitetin makabër të njeriut të nëpërkëmbur. Vetëm te Dostojevski, Mopasani, Çehovi apo Gogoli hasim në rrëfime të tilla, tronditëse.
Përshkrimi i fatalitetit të tillë, i frymëzuar nga realiteti faktik, doemos se nga shkrimtari ishte menduar për të qenë protestë letrare, në dukje e heshtur, por e temperuar për të goditur në një kohë të caktuar, në një kohë të volitshme. Demaçi dinte për çka shkruante dhe dinte çka donte. Andaj edhe i mbeti besnik Atdheut dhe vetvetes.
Të tilla për nga përmbajtja janë edhe rrëfimet: “Një natë Bajrami”, “Vegjëtarja në treg”, “Llustraxhiu”, e sidomos “Pizh Magjupi” që është një rrëfim tjetër antologjik, i frymëzuar me ndjenja të larta fisnike dhe njerëzore, për të gjithë njerëzit e vuajtur pa dallim kombi, feje apo race…. Demaçi, përmes këtyre rrëfimeve kishte depërtuar thellë në paraqitjen lakuriq të realitetit.
Për dallim nga Migjeni i cili hapur kishte manifestuar zërin kryengritës, Demaçi rezervohet nga tonet e tilla, i vetëdijshëm se rrëfimet diskrete migjeniane nuk do të shihnin dritë.
Dhe për të parë dritë rrëfimet e tilla, të cilat kanë ngelur si vula më autentike e një kohe, ai zgjodhi rrugën autentike të përshkrimit. Tregimi “Kur Zoti harron” jo vetëm ngjall zemërim e mllef kundër pushtetit antipopullor por ngjall edhe mëshirë humane te njerëzit, me qëllim për të ndihmuar të afërmit dhe skamnorët, me qëllim për të mos anashkaluar ata, sepse epilogu i lënies anash është tejet tronditës.
Në këto rrëfime, në dukje fragmentare Demaçi ndërton filozofinë e tij kryengritëse, duke bërë përshkrime të një realiteti makabër, ku ishte nëpërkëmbur njeriu deri në nivelin më brutal dhe më çnjerëzor, ku ishin shkelur të drejtat elementare për ekzistencë.
Në të gjitha rrëfimet e veta Demaçi ka hartuar me një kujdes të veçantë sidomos në perceptimin e realitetit, duke e pasqyruar rrëfimin në këndin epik dhe tragjik, në trashëgiminë jetike të varfërisë, duke u rezervuar nga manifestimi i kritikës diskrete kundër regjimit, e cila zakonisht sillte pasoja, e pak më vonë do t i sjellë pasoja edhe vetë autorit.
Në rrëfimet e mëvonshme për vetveten, në mbrojtjen e tij para gjyqeve, Demaçi ka treguar dhe ka pranuar se dhuna që është ushtruar kundër shqiptarëve, nga regjimi titist, sidomos aksioni i dëbimit të tyre për në Turqi, aksioni armëve i vitit 1956, i kanë mbetur në kujtesë si veprime tejet të shëmtuara, antishqiptare dhe pikërisht për këtë ai do ta marrë rolin e opozitarit dhe të kundërshtarit të fuqishëm të regjimit.
Edhe pse të thjeshta në dukje dhe në ndërtim, rrëfimet me temë shoqërore të Demaçit janë shumë të arrira në të gjitha aspektet. Me përmbajtjen e rrëfimeve sikur janë” “Kur Zoti harron” “Burrëria”, “Toka nuk sillet vetëm rreth boshtit të vet” etj. mund të shkruhen novela të gjata, romane, drama dhe mund të bëhen filma të shkëlqyeshëm artistikë.
20 tregimet e para të Adem Demaçit kanë ndikuar në publikun lexues të kohës më shumë se veprat e 20 shkrimtarëve dhe rrëfimtarëve të tjerë të cilët burim frymëzimi kishin “jetën e re” në Jugosllavinë e Titos.
Për të pasqyruar në tërësi ndikimin që ushtroi Demaçi pothuajse i vetëm në krahasimin me bashkëkohësit, duhet të shfletojmë shtypin e kohës dhe të zbulojmë sesi në këtë kohë të vuajtjeve të rënda për shqiptarët, zëdhënësit dhe skribët besnikë të regjimit pasqyronin realitetin e imagjinuar të jetës në harmoni dhe begati, por në asnjë mënyrë realitetin faktik.
“Heli e Mimoza”
Proza e shkrimtarit Adem Demaçi prej fillimit të krijimtarisë së tij, në vitet ’50 të shekullit XX e deri tani, ka qenë dhe do të mbetet një prozë përmbajtësore, me tematikë të angazhuar, qoftë në aspektin shoqëror, ashtu edhe në atë kombëtar e meditativ.
Tregimet e para të botuara më vonë nën titullin: “Kur Zoti Harron” kanë qenë tregimet më të thella sociale të regjistruara në letërsinë shqipe, që kishte filluar të zhvillohej në vendin tonë, qysh në vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore.
Adem Demaçi një emër shumë i njohur, jo vetëm për botën shqiptare, i mirënjohur për qëndresën, guximin dhe atdhetarinë e tij të dëshmuar, është po ashtu i njohur edhe me disa vepra të shquara letrare e artistike, në mesin e tyre tri romane: “Gjarpinjtë e gjakut”, që konsiderohet se romani më i mirë i letërsisë shqipe të shkruar në Kosovë, në vitet 50-60 të shek XX, pastaj romani shumë i brumosur me ide humane, i shkruar pas lirimit nga burgu 27 vjeçar, i titulluar “Libri për vetëmohimin” dhe pjesa e parë romanit të sapobotuar “Heli e Mimoza”.
Vepra letrare artistike e Adem Demaçit është një sintezë e përpjekjeve, për ta shprehur botën meditative dhe filozofinë e tij të thellë humaniste përmes mjeteve dhe shprehjeve gjuhësore të romanit. Në këtë drejtim, Demaçi krijues, ka arritur të sendimentojë artistikisht një mori vlerash morale, në esencë humane, vlera këto të përgjithshme njerëzore, të cilat iu nënshtrohen dhe gjithnjë janë në akord me “ligjet e jetës”.
Në krijimtarinë e deritanishme letrare artistike, në skicat, rrëfimet dhe romanet e tij, Demaçi ka arritur të shpreh një pjesë të shpirtit të tij krijues, të shpreh një pjesë të botës së tij të pasur ndiesore, ka arritur të segmentojë fragmente nga filozofia e tij meditative dhe krijuese, të cilën e ka gjurmuar prore dhe ka arritur ta vjelë, sikur vjel bleta nektarin.
I çiltër në jetë, i thjeshtë në thjeshtësinë e tij meditative filozofike, gjithnjë i guximshëm, rrënues i pamëshirshëm i censurës dhe pengesave ideologjike, Demaçi, po i tillë lajmërohet edhe në krijimtarinë e tij artistike. Ai e njeh mjaft mirë artin letrar, ashtu sikurse e njeh edhe jetën, dhe sfidat me të cilat ballafaqohet ajo. Në çdo situatë, me të cilën e ka ballafaquar jeta, Demaçi ka gjetur modelin e ballafaqimit, por edhe të tërheqjes në raste të caktuara, i prirë kurdoherë nga filozofia e tij jetësore, e cila buron nga erudicioni i tij, nga literatura që ka lexuar dhe nga burimet e shumta të informimit, mbi të cilat e ka pasuruar kredon e tij meditative krijuese.
Pjesa e parë e romanit “Heli e Mimoza” trajton një segment të zhvillimeve shoqërore e politike në fillimin e zgjerimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në pranverë dhe në verë të vitit 1998. Përmes dialogëve në raport: djali dhe ëma, (Heli- Shega), studentë e shokë të pandarë: (Heli – Mimoza), dhe bijë e baba: (Mimoza e Azem Zeqiri me të tjerë), Demaçi ka përmbledhur zhvillimet në kohë dhe hapësirë, duke mbarështuar në roman ngjarje nga jeta e përditshme, si dhe duke i sintetizuar ato si ngjarje që kanë rrjedhën e vetë si shkak pasojë, rrjedhën e ligjeve të jetës së përhapur në universum, rrjedhën e luftës së përhershme të ballafaqimit të të kundërtave, negacionin e negacionit. Demaçi krijues, tashmë disponon një filozofi të fuqishme të komunikimit letrar artistik mes personazheve, duke i përjetësuar ata letrarisht si pjesë të një tërësie, ku ata ballafaqohen me sfidat e jetës, me të priturat e të papriturat saj, me të rëndomtat e ngjarjet e jashtëzakonshme. Këndi nga ku Demaçi e vrojton realitetin, të cilin e përshkruan në roman, është një kënd autentik, i cili buron nga filozofia e tij jetësore, nga ligjet e natyrës e të Zotit, nga pjesëzat e shkëputura si dhe nga pjesëzat dhe tërësia e kuantumeve. Gjithçka në jetë dhe në natyrë ndodhet në kauzalitet të përjetshëm, ndodhet në një lidhje organike mes së kundërtave, në mes së mirës dhe të keqes, në mes të dritës dhe errësirës, në luftën e përjetshme të të kundërtave, mbi principet, në të cilët ekziston jeta, lëvizja, ligjet e natyrës, ligjet e jetës dhe të lëvizjes, universi…
Romani “Heli e Mimoza” është një roman realist, meditativ dhe psikologjik, që mëton të bëjë sintezën e ngjarjeve në një periudhë të caktuar, përmes protagonistëve të rrethit të ngushtë të Azem Zeqirit, i cili është edhe personazhi kryesor i veprës, i sintetizuar në përvojën dhe fatin jetësor të vetë shkrimtarit. Bartësit e ideve por edhe dhe batutave jetësore janë njerëz të thjeshtë në dukje, por janë bartës të rrethanave të caktuara historike, të jetës së shqiptarëve nën robërinë serbe e sllave. Si të tillë, ata janë përshkruar si pasojë e robërisë së njerëzve të rritur në rrethana tejet të vështira të jetës. Shega, një grua malësore, e pafat në martesë, mezi e shpëton djalin nga tragjedia e sigurt, por i biri i vetëm, Heli i saj i dashur, mbetet me pasoja fizike gjatë tërë jetës. Ai mbetet gungaç në pikëpamje fizike, por ka një inteligjencë të jashtëzakonshme, dhe është i vetëdijshëm për gjendjen e tij. Ndërsa Mimoza është bija e një të burgosuri politik, e edukuar me norma morale pozitive, e çiltër, e pastër, besnike, e përkushtuar për brendësinë e shpirtit jetësor, e jo për ambalazhin, për mbështjellësin e jashtëm të atij shpirti. Ajo ka kuptuar esencën e jetës, duke qenë se në jetë ka përjetuar shumë të papritura në rrethana të caktuara. Ajo e dëshiron dhe e dashuron shokun e studimeve, Helin gungaç, sepse ajo e vëren gungën, si pjesë të formës së jashtme, ndërsa çmon përmbajtjen shpirtërore e njerëzore. Mimoza, nuk ka komplekse të natyrës borgjeze, të natyrës së rutinës dokësore patriarkale. Për më tepër, e edukuar nga mësimet dhe përvoja e babai humanist, ajo me vetëdëshirë do të sakrifikohet për Helin, për botën e tij të pastër ndiesore, për inteligjencien dhe talentin e tij, duke mos e vërejtur fare grushtin e pamëshirshëm me të cilin atë e ka goditur fatkeqësia. Mimoza, në dashurinë e saj të çiltër ka mbështetjen e babait humanist, por ajo ndeshet ashpër me të ëmën, Belkize, e cila në asnjë mënyrë nuk do të pranojë, që e bija e saj e vetme të bëhet nuse e një gungaçi.
Heroi kryesor i veprës është Azem Zeqiri një intelektual shqiptar, të cilin nuk e ka thyer burgu 27 vjeçar, përkundrazi e ka bërë të fortë, të qëndrueshëm, të çelikosur me ide humaniste e kombëtare. Ai tashmë është kthyer në ndërgjegje kombëtare, në sinonim të qëndrestarit të gjallë, të ideatorit, salvuesit dhe bërësit të një segmenti të lirisë. Ai tashmë është i vetëdijshëm se rruga e filluar nga ai vetë, e pasuar nga qindra e mijëra bashkëmendimtarë të tjerë, ka dhënë edhe frytet e para, të arrira, armët e para të lirisë të luftës heroike të UÇK-së. I vetëdijshëm për ndikimin që ushtron në radhët e çlirimtarëve, Azem Zeqiri bën edhe vërejtjet e para rreth organizimit të luftës, duke i dhënë përparësi luftës guerile dhe jo asaj frontale, e cila në kushte dhe rrethana të caktuara, fillimisht qe interpretuar si e padobishme.
Pjesa e parë e romanit “Heli e Mimoza” mbaron me marrjen e lajmit nga Azem Zeqiri për rënien dëshmorë të Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Krasniqit-Lladrovci.
Edhe pse vetëm si pjesë e parë, romani disponon tërësinë e duhur kompozicionale, është i pasuruar me të gjitha mjetet shprehëse që e shquajnë tërësinë e prezantuar në trajtë të një rrëfimi kompleks me stilin, gjuhën e pasur e të rrjedhshme, skalitjen e personazheve, e mbi të gjitha me përmbajtjen e thellë humaniste. Shpresojmë, që lexuesit, sa më parë t’i kenë në duar edhe pjesët e tjera të romanit.
Shkëlqimi i prozës së Demaçit në mesin e shkrimtarëve të kohës
Në të njëjtën kohë me Demaçin shkruante e botonte tregime e romane edhe njëfarë “komitetlije” besnik i Jugosllavisë, Sinan Hasani, pastaj Enver Gjerqeku i cili thurte sonete për betejat legjendare të Sutjeskës e të Kozarës dhe shkruante himne për njëfarë, Sava Kovaqeviqin për kovaçë të tjerë, për shokun Tito, për bashkim vëllazërimin. Skribë të tillë të devotshëm të regjimit ishin dhe mbeten: Vehap Shita, Fahredin Gunga, Adem Gajtani, Rexhai Surroi, Rexhep Zogaj, Ali Podrimja e shumë emra të tillë, tashmë të tretur dhe të harruar. Ata, asokohe sollën në Kosovë përvojat letrare të shkollave të Beogradit, dhe me përjashtime të rralla, deri në fund të jetës mbeten besnikë të devotshëm të jugosllavizmit.
Bën përjashtim në këtë mes, kthesa që kishte bërë në drejtim të dëgjimit të ofshamave të popullit, Esad Mekuli, të cilët edhe i përket merita për botimin e tregimeve dhe romanit “Gjarpinjtë e gjakut” të Adem Demaçit.
Rrëfimet e para të Demaçit, pastaj botimi i romanit “Gjarpinjtë e gjakut” u priten me shumë interes nga lexuesit shqiptarë të Kosovës e më gjerë.
Arrestimi i Adem Demaçit më 19 nëntor 1958 nga UDB-ja jugosllave, si dhe dënimi i parë 5 vjet bënë që veprat e tij të futeshin në indeksin i librave të ndaluar. Pikërisht atëherë fillon edhe leximi pothuajse masiv i veprave të tij, meqë si të ndaluara tregimet dhe romani lexoheshin dorë pas dore, tregimet e përshkruheshin ilegalisht në fletore nga nxënës e studentë dhe vepra e tij po kthehej në burim primar të frymëzimit atdhetar të rinisë shkollore, e cila në 10 vjetorin e burgosjes së parë të Demaçit, në nëntor të vitit 1968 u ngrit në protesta dhe demonstrata, duke kërkuar të drejta, barazi dhe liri.
Përmbledhja me rrëfime “Kur Zoti harron” është vepër që kurrë nuk mund të harrohet. Disa nga tregimet kanë vlera antologjike dhe duhet të prezantohen në librat shkollorë por edhe si literaturë e domosdoshme shkollore për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme.
Literatura:
- Hegel Fenomenologjia e shpirtit, BIGZ 1974.
- Kristë Maloku, Shteti apo kombi, Dardania Sacra nr.4. Prishtinë 2002.
- Selatin Novosella: “Demaçi Metaforë lirie”, Prishtinë, 2006.
- Dr. Hakif bajrami:“Epoka e Adem Demaçit”, Prishtinë, 2009.
- Minire Berisha dhe Abdullah Konushevci, vlerësime kritike në 50-vjetorin e botimit të romanit “Gjarpinjtë e gjakut” të Adem Demaçit.
- Myrvete Dreshaj-Baliu, Begzad Baliu: Adem Demaçi dhe kulti i frymës së tij. 17. 4. 2012.
- Dr. Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri historik i romanit të Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut”.
Ahmet Qeriqi