Doli nga shtypi përmbledhja poetike: “Vargje në heshtje”, e autorit, Kadri Ferati

 Doli nga shtypi përmbledhja poetike: “Vargje në heshtje”, e autorit, Kadri Ferati. Poezia e Kadri Feratit është kryesisht poezi malli për vendlindjen, për Tupallën e Siarinën, për Medvegjën, Kapitin, Ramabajën, Svircën…, për trojet e lashta shqiptare, që fati i keq historik i katandisi, sepse: “S’ka gjë në botë më të vështirë se në shtëpinë tënde të jesh mysafir”. Kjo ndjenjë malli e pikëllimi për vendin dhe “humbja” e vendlindjes janë dhembjet më të mëdha të shpirtit të poetit, dhembjet e pashërueshme, të cilat ai i reflekton në poezitë e tij. I vetëdijshëm se jeta vazhdon, pavarësisht rrethanave tragjike të njerëzve në një moment të caktuar, poeti nuk shket në pesimizëm, përkundrazi ai i beson njeriut, së vërtetës, drejtësisë, sepse forcat e territ e të tmerrit nuk e bëjnë zap botën. Ato lajmërohen si stuhi shkatërrimtare, por nuk janë të përjetshme, sado që lënë pasoja. Ai beson fort se e ardhmja i takon humanizimit të njeriut, zhdukjes së errësirës dhe mbretërimit të së mirës. Besimin për një ardhmëri të lirë ia forcojnë edhe “malet krenare të vendlindjes, shtati i tyre që ngrihet lart në qiell, male plot me jetë, që kurrë nuk u trembën, as u përkulën… Libri ka 80 faqe, botoi Radio-Kosova e Lirë, shtypi “Shkrola” në Prishtinë.
Një tufë poezish të lidhura si mishi me thoin

Fati tragjik, por edhe heroik i shqiptarit, në çdo kohë dhe në çdo vend ku ka jetuar, del të jetë histori më vete. I tillë dhe vazhdimisht tragjik ka qenë dhe mbetet fati i shqiptarëve në lindje të Kosovës, në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë, gjithandej ku trojet tona u bënë pre e hegjemonizmit sllav, të cilin Serbia e ka vënë në jetë qysh moti.
Malësia e Medvegjës, njëra ndër trevat e pastra dhe të begatshme malore, ashtu sikur edhe trevat në lindje, iu shkëputën Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore, edhe pse vendi ynë, sado që e kishte një autonomi kulturore, administrativisht kishte mbetur nën Serbi e nën Jugosllavi.
Në mungesë të shkollimit dhe të perspektivës për punë, banorët e fshatrave të Medvegjës ia mësynë Kosovës, sidomos në kohën kur në vendin tonë kishte filluar arsimimi masiv në gjuhën shqipe. Me qëllim që t’i asimilonte dhe t’i dëbonte gradualisht shqiptarët nga trojet e veta, regjimi serb në viset shqiptare në lindje të këtyre trojeve  kishte hapur pak shkolla shqipe, kryesisht fillore tetëvjeçare. Arsimdashësit shqiptarë ia kishin mësyrë Prishtinës dhe qyteteve të tjera të Kosovës për të kryer shkolla të mesme dhe fakultete. Një pjesë e tyre më pastaj u kthye në vendlindje për ta ndihmuar zhvillimin e arsimit nëpër fshatra, ndërsa pjesa tjetër perspektiven e gjeti në Kosovë, e gjithandej në trojet shqiptare.
  Në mesin e të rinjve që e barti mbi supe peshën e rëndë të kohës në robëri është edhe Kadri Ferati nga Tupalla e Medvegjës, autori i kësaj përmbledhjeje me poezi. I hareshëm nga natyra, i zgjuar, i dashur dhe i edukuar në frymë kombëtare, i çiltër dhe i vëmendshëm, Kadriu, pasi e kishte kryer shkollën fillore në fshat, mësimet e shkollës së mesme i vazhdoi në Akademinë Pedagogjike të Prishtinës, ku kishte edhe shumë bashkëvendës, të cilët sidomos në vitet e ’70-ta filluan në mënyrë masive të shkollohen në Kosovë. “Pasi e kreu Shkollën e Lartë Pedagogjike, Drejtimin për Matematikë, u kthye në vendlindje dhe gjatë viteve 1987-1999 punoi mësimdhënës i matematikës në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Banjë të Siarinës. Gjatë kësaj periudhe, ai ishte bartës i shumë aktiviteteve në shërbim të çështjes kombëtare, ndër të cilat edhe kryetar i Partisë për Veprim Demokratik për Medvegjë. Duke qenë i rrezikuar nga regjimi antishqiptar i Serbisë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, në prill të vitit 1999, pas shumë e shumë peripecive të vështira e tronditëse migroi në Zvicër, ku tani jeton bashkë me familjen e tij”.
  Poezia e Kadri Feratit është kryesisht poezi malli për vendlindjen, për Tupallën e Siarinën, për Medvegjën, Kapitin, Ramabajën, Svircën…, për trojet e lashta shqiptare, që fati i keq historik i katandisi, sepse: “S’ka gjë në botë më të vështirë se në shtëpinë tënde të jesh mysafir”. Kjo ndjenjë malli e pikëllimi për vendin dhe “humbja” e vendlindjes janë dhembjet më të mëdha të shpirtit të poetit, dhembjet e pashërueshme, të cilat ai i reflekton në poezitë e tij. I vetëdijshëm se jeta vazhdon, pavarësisht rrethanave tragjike të njerëzve në një moment të caktuar, poeti nuk shket në pesimizëm, përkundrazi ai i beson njeriut, së vërtetës, drejtësisë, sepse forcat e territ e të tmerrit nuk e bëjnë zap botën. Ato lajmërohen si stuhi shkatërrimtare, por nuk janë të përjetshme, sado që lënë pasoja. Ai beson fort se e ardhmja i takon humanizimit të njeriut, zhdukjes së errësirës dhe mbretërimit të së mirës. Besimin për një ardhmëri të lirë ia forcojnë edhe “malet krenare të vendlindjes, shtati i tyre që ngrihet lart në qiell, male plot me jetë, që kurrë nuk u trembën, as u përkulën.
Poeti i beson fort ardhmërisë së lirë, i këndon edhe dashurisë, natyrës, hireve frymëzuese të jetës, kujtimeve sublime të së kaluarës, çasteve të joshjes e të ngazëllimit shpirtëror, çasteve të tjera të dhembjes e pikëllimit, sepse jeta përbëhet nga të gjitha, sepse ajo ikën shpejt, sepse, “jeta është sikur ai treni i shpejtë që ecën vetëm përpara, nuk ndalet në asnjë stacion dhe nuk kthen kurrë prapa”. Dhe, jeta sillet në rreth, meqë/ Hallet e shumta, peripecitë/ Secilin e mundojnë/ Dhe të gjitha/ Si në shirit magnetofoni/ I rikujtojmë me radhë… /Shkojmë në kafene/ për të pirë/ Themi, për t’i harruar hallet/ Dhe, vërtet/ Të gjitha i harrojmë! (Rrethi)
Kadri Ferati i takon gjeneratës së trimave e trimëreshave, të cilët në mars e prill të vitit 1981 marshuan si uragan shkëlqimtar nëpër rrugët e Prishtinës, duke kërkuar liri, drejtësi e barazi. I frymëzuar nga ato ditë të pranverës së hershme shqiptare, të cilën e kishte përjetuar thellë në qenie, ai ndihet i fortë si Shkëmbi, të cilin Shekujt e trazuan dhe Desh e copëzuan, por nga shkëmbi u krijua kalaja, e cila kurrë nuk u dorëzua, sepse: Veç një zemër unë kam/ Fund e krye zemër jam/ Shkëmb kam qenë e do të mbes/ S’më bën gjë në botë të vdes (Shkëmbi).
Poeti ka shkruar në intervale kohore prej vitit 1980 e deri tani kur doli në dritë përmbledhja e tij e parë poetike, “Vargje në heshtje”. Për dallim nga poezitë e para, ku zakonisht te shumica dërrmuese e poetëve vërehen ato që shpeshherë edhe quhen “belbëzime poetike”, poezia e shkruar kohëve të fundit është mjaft e arrirë, e segmentuar në përmasa të vrojtimit të pjekur dhe të gjykimit realist mbi botën, atdheun, është poezi tipike bashkëkohore, e cila qëndron lirshëm në nivelin e poezisë që krijohet sot kudo ndër ne. Poezia e titulluar “Shqipëria” pasqyron një vrojtim autentik mes frymëzimit të dikurshëm ëndërrimtar dhe realitetit, sepse Shqipëria, pavarësisht tronditjeve e goditjeve të pandërprera, është po ajo, Shqipëria e bukur dhe krenare, e ashpër dhe e butë, sepse ajo është Mëmëdheu i shtrenjtë dhe i shenjtë i të gjithë shqiptarëve

    Ëndërroja të të shihja
Dhe të pashë
Deti ta shtonte bukurinë
Ndërsa malet – krenarinë
Pashë ashpërsinë e Veriut
E butësinë e Jugut
Dhe krenarinë e përbashkët
Aq mirë e plotësonin njëra-tjetrën
Pashë
Të shenjtën e të shtrenjtën
Shqipëri
                                                                     Dhjetor, 2010

Poezitë e përmbledhjes poetike “Vargje në heshtje” janë poezi të frymëzuara nga jeta, nga vetë realiteti ynë në kohë dhe hapësirë, janë krijime që na sjellin në kujtesë tërë mallëngjim për të mos i harruar trojet tona të dikurshme dhe të tanishme, poezi të lidhura fort me tokën e jetën, ashtu si mishi me thoin.

Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …