Individët nuk duhet të shënjestrohen pse i takojnë një partie politike apo një tjetre, por parimi themelor është se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin”, deklaroi të mërkurën nga Prishtina, Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee, duke folur lidhur me debatin që ka përfshirë vendin për “çështjen Tahiri”. Në një intervistë me korrespondentin e Zërit të Amerikës në Prishtinë, Hoyt Brian Yee foli për zhvillimet në Shqipëri, dhe konkretisht akuzat që janë drejtuar ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas zyrtarit të lartë amerikan, Qeveria është ajo e cila duhet të japë shembullin dhe të demonstrojë para qytetarëve se është e përkushtuar të luftojë korrupsionin, qofshin ata qytetarë, zyrtarë qeveritarë, të huaj, shqiptarë”.
“Jemi shumë të kënaqur me përparimin që Shqipëria ka arritur dhe jemi të kënaqur që Shtetet e Bashkuara kanë pasur mundësinë të kontribuojnë në reforma, përfshirë këtu edhe reformën në drejtësi. Bashkërisht me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar Shqipërinë të miratojë legjislacionin, të miratojë ndryshimet kushtetuese, me synimin që të forcojë sistemin e drejtësisë. Dhe kjo për faktin se një gjë e tillë nuk është e rëndësishme vetëm për sundimin e ligjit në Shqipëri dhe për kushtet në të cilat jetojnë qytetarët e saj, por edhe për faktin se [reformat] janë një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Pikërisht në këtë frymë, sipas zyrtarit të lartë amerikan, “SHBA ka vazhduar të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për të zbatuar reformat në sundimin e ligjit, dhe po ashtu edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
Sipas tij, “të gjitha këto shërbejnë për të ngritur standardin jetësor për qytetarët e Shqipërisë, por edhe për ta ndihmuar përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.
“Ne jemi duke ofruar drejtpërdrejtë ndihmën tonë, ekspertizën teknike, ndihmën financiare, në ndërtimin e strukturave, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve, për t’u ndihmuar që të kryejnë punën e tyre. Sinqerisht, nuk mund të flas dot mbi rastet individuale, por gjithsesi besojmë në disa parime. I pari është se ligji duhet të jetë i zbatueshëm për të gjithë njësoj, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, askush nuk mund të gëzojë imunitet nga ligji”, tha ai.
Në vijim, Hoyt Brian Yee u shpreh se “Shqipëria është serioze në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin”. “Shprehim mbështetjen e plotë për prokurorët dhe gjykatësit, të cilët ndjekin hetimet dhe për dënimet, kudo që ato çojnë, në nivele të larta apo të mëposhtme të administratës”, tha ai.
Shtetet e Bashkuara, siguroi Hoyt Brian Yee, “janë të përfshira në procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të vazhdojnë të kryejnë pjesën e tyre të punës në këtë proces”. (ATSH)