Publicisti, veterani dhe invalidi i UÇK-së, Habib Zogaj ka nxjerrë në dritë monografinë për veprimtarin dhe luftëtarin e mirënjohur të luftërave tona çlirimtare, Rifat Osman Krasniqi. Në monografinë e tij të letrarizuar, “Rifat Osman Krasniqi”, autori ka sintetizuar një varg faktorësh përmbajtësorë, me qëllim për ta na paraqitur sa më gjithanshëm figurën e veprimtarit dhe luftëtarit, Rifat Krasniqi nga Pagarusha e Anadrinit, i cili në rrethana të caktuara së bashku me familjen ishte shpërngulur nga vendlindja e tij dhe një kohë të gjatë kishte jetuar në fshatin Reshtan të Therandës, pastaj në mërgim. Rifat Krasniqi ka qenë veprimtar i dalluar i Çështjes Kombëtare, bashkëveprimtar i vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka, pjesëmarrës në demonstratat antijugosllave gjatë kohës së okupimit dhe luftëtar i çlirimit të viseve të robëruara të Shqipërisë.
Autori i monografisë, Habib Zogaj deri tani ka botuar monografitë: “Miftar Hasani (1900-1926)” në bashkautorësi. Pas luftës së UÇK-së, në të cilën mori pjesë me armë e me penë në dorë, ka botuar librin dokumentar, “Krimi dhe mbijetesa”, (2000). Kjo vepër e shquar dokumentare është përkthyer në tri gjuhë. Në këtë libër ai ka prezantuar qindra foto të masakrave dhe krimeve monstruoze që kishte kryer regjimi serb kundër popullatës shqiptare gjatë kohës së luftës së UÇk-së, në vitet 1998-1999.
Në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 2012, Habib Zogaj ka nxjerrë në dritë monografinë: “Në mungesë të varrit të Halil Jashar Sylës” ( 1870-1944). Libri i cili sapo ka dalë nga shtypi është vepra e katërt e këtij autori. Habib Zogaj gjatë luftës ka qenë reporter dhe anëtar i stafit të Radios-Kosove e Lirë. Aktualisht është drejtor në Radio-Malishevë.