Doli në dritë një libër tjetër për Kosovën dhe aktualitetin e saj. Libri titullohet “Kosova – Koloni dhe El Dorado neoliberale“ i autorit, Max Brym, ligjërues i kohëpaskohshëm në fakultetin filozofik të Universitetit të Kosovës dhe themelues i portalit elektronik “Kosova-Aktuell”. Autori ka shumë kohë që merret me zhvillimin e Kosovës. Ky është një libër tematik me përshkrim të gjallë të proceseve të shpronësimit të pronës publike e shoqërore, varfërimit të popullit dhe rezistencës sociale në Kosovë. Libri përmban edhe sasi të madhe faktesh sociologjike dhe historike.
Në trajtimet e tija tematike edhe nëpër rrjetet sociale elektronike Max Brym, parë nga prizmi i parimit të vetëvendosjes kombëtare dhe barazisë sociale, është njëri ndër „të huajt“ më të njohur dhe ndër më aktivët kur është fjala për çështjen shqiptarët në përgjithësi me fokus në çështjen e aktualitetit regjional, kontinental dhe atij ndërkombëtar, mbi dhe ndërlidhur me Kosovës. Ai angazhohet për forcimin e së majtës gjithandej si edhe të lëvizjes punëtore ndërkombëtare.
Autori është botuesi i portalit të mirënjohur elektronik në hapësirat gjermano-folëse Kosova –Aktuell (www.kosova-aktuell.de), e i cili është i njohur si avokat i çështjes shqiptare (kombëtare dhe sociale) të Kosovës dhe më gjerë. Ai për shkak të angazhimin e tij për ndriçim e fakteve objektive historike, ekonomike, politike dhe sociale, si dhe në mbrojtje të çështjes së drejtë të shqiptarëve (para së gjithash të Kosovës) ai dhe portali i tij „Kosova-Aktuell“ janë atakuar e edhe paditur disa herë nga qarqet të ndryshme antidemokratike dhe antishqiptare për çka iu është dashur të përballen edhe me procese gjyqësore me pasoja financiare në Gjermani.
Kontributi publicistik i Max Brym mbi Kosovën
Ky është libri i dytë për dhe mbi Kosovën i profesorit e gazetarit Max Brym, pas atij në gjermanisht “Schuld ohne schuld“ të përkthyer edhe në shqip „Faji pa faj“. Libri i parë i tij është një rrëfim kronologjik që shpërfaq gjendjen e mjerueshme të situatës komplekse politike, ekonomike e politike, si dhe situatën grave të dhunuara gjatë luftës, të cilat pas poshtërimit shoqëror që kanë pasuar pas luftës, detyrohen të ushtrojnë prostitucion.
Max Brym pos tjerash është autor edhe i tri broshurave në gjermanisht; „Brennende Steine –KOSOVA, Protektorat oder nationale Selbstbestimmung“ (Gurë të djegur – KOSOVA, Protektorat apo vetëvendosje kombëtare), publikim dokumentues 100 faqesh, më 1 gusht 2000; „MILOSEVIC, KOSOVA, JUGOSLAWIEN“, Një përpjekje kundër marrëzinë me pjesën speciale: Izrael – Palestinë, të publikuar nga “Forum International” (Forumi Ndërkombëtar) në maj 2003; „Kosova fuqi baroti, Artikuj, Polemika dhe Intervista nga dhe mbi Protektoratit të UNMIK-ut“, botim i përbashkët me Agron Sadikun, në maj 2003.
Kosova si eksperiment neoliberal i politikës globale në Evropë
Tani rishtas nga shtëpia botuese “united p.c. Verlag” në Klagefurt është botuar libri i tij i ri “Kosova koloni dhe El Dorado neoliberale”, që parë nga prizmi i majtë mbyll një vakum në tregun gjerman të librit. Qysh në hyrje të librit autori theksohet: Kosova është dhe mbetet një fuçi e rrezikshme baruti në Evropën juglindore. Jeta e popullit karakterizohet nga varfëria dhe mjerimi social. Si mund të zgjidhet problemi social dhe kombëtar në Kosovë?
Max Brym edhe në këtë libër shprehet qartë për të drejtën e vetëvendosjes së Kosovës. Këtu kundërshtohet si thirrja e vjetër e Serbisë për të drejtën koloniale kundrejt Kosovës, e po ashtu refuzohen edhe pretendimet e saja të reja. Më tej autori me shumë saktësi analizon strukturën e re koloniale të Kosovës nën sundimin e EULEX-it .
Autori shqyrton politikën aktuale ndërkombëtare në lidhje me Kosovën, ku Kosova trajtohet si një fushë eksperimentale koloniale neoliberale. Ai në mënyrë shumë objektive përshkruan konkurrencën e grupeve të ndryshme kapitaliste ndërkombëtare që bëhet edhe për burimet e pasura minerale të Kosovës. Edhe për këtë temë ka materiale të bollshme. Lexuesi duke lexuar këtë libër e vëren se sa mirë e njeh Max Brym çështjen e Kosovës.
Shpronësimi i pasurisë shoqërore dhe varfërimi i popullatës
Autori përshkruan me përkushtim pasojat e procesit të privatizimit në Kosovë, të cilin ai e cilëson si falje të pasurisë publike. Max Brym kritikon rreptë këtë proces privatizues, i cili Kosovës i kushtoj mbi 76’000 vende të humbura pune. Mesatarisht me rastin e secilit privatizim humben 50% e vendeve të punës. Punëtorët e mbetur në ndërmarrjet e privatizuara nuk gëzojnë kurrfarë të drejtash. Në libër përmes shumë shembujve dokumentohet se si ndikon ky proces në varfërimin masiv të popullatës në Kosovë. Në mënyrë të përpiktë autori përshkruan privatizimin e Ferronikelit të Drenasit në vitin 2006, apo privatizimin e PTK-së. Kritikë në libër i bëhet edhe privatizimit të shpërndarësit të rrymës KEK.
Në shënjestër të autorit është vënë edhe ndërtimi i autostradës nga Bechtel & Enka. Nga kritikat e mbështetura me argumente objektive mbi korrupsionin nuk kursehen as institucionet vendore politike drejtuese të Kosovës. Në libër përshkruhen edhe një mori faktesh deh publikohet edhe një intervistë e gjatë tematike me Visar Ymerin, kryetarin e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!
Kundër monopoleve të huaja shfrytëzuese private-kapitaliste
Më tej Brym thekson faktin se në Kosovë janë duke u krijuar monopole private-kapitaliste, të cilat shfrytëzojnë lëndën e parë, në asnjë mënyrë nuk pranojnë të drejtat e punëtorëve dhe profitin e transferojnë në shoqërinë e tyre amë, pa paguar asnjë lloj tatimi në Kosovë. Në librin e tij, Brym kërkon të kundërtën, që pasuria publike të shërbejë për interes të njerëzve të zakonshëm në vend. Ai mes tjerash shprehet se Trepça nuk duhet të privatizohet dhe privatizimet e bëra duhet të prishen. Kosova si vend është shumë i pasur dhe popullata gjithmonë e më e varfër, andaj ai apelon që kjo situatë nuk duhet të tolerohet edhe më tej.
Për fuqizimin e lëvizjes punëtore
Autori përpos që është në parim për të drejtën për vetëvendosje kombëtare, angazhohet edhe për barazinë sociale dhe demokracinë. Libri përmban sugjerime të rëndësishme për riaktivizimin e lëvizjes punëtore në Kosovë. Të gjithë ata që duan të informohet për jetën dhe luftën e njerëzve të zakonshëm në Kosovë u sugjerohet leximi i këtij libri dhe me siguri se nuk do të zhgënjehen.
Brym e vuri Kosovën në kontekstin e politikës neoliberale në Evropë: “Kosova ishte dhe mbetet një eksperiment neoliberal në Evropë. Kosova është vendi më i varfër i Evropës, mirëpo gjithnjë e më shumë shtete në Evropë në kuadër të krizës kapitaliste po i afrohen standardeve të Kosovës. Është e nevojshme rezistenca ndërkombëtare e lëvizjes punëtore kundër KOSOVARIZIMIT të pjesëve tjera të Evropës. Gjithkund duhet të ketë rezistencë sociale”.
Aspekte tjera
Autori në këtë libër trajton edhe ndarjen etnike të vendit. Libri përshkruan ndarjen e njerëzve në etni të ndryshme të dëshiruar nga “ndërkombëtarët”. Autori kundërshton rreptë “tolerancën etnike” të propaganduar nga ndërkombëtarët. Zbulimi i interesave të përbashkëta sociale e klasore sipas autorit është i mundur vetëm duke pranuar të drejtën e vetëvendosjes dhe duke tejkaluar “strukturat koloniale”.
Elsässer, Pirker, Oeschlin me kompani
Në libër krahas pjesës kronologjike historike mund të lexohen edhe disa polemika kundër debateve mbi Kosovën në opinionin publik gjerman. Me ketë rast ish politikani i majtë Jürgen Elsässer i ngarkohet mbështetja e shovinizmi që nga periudha e Millosheviçit. Në një pjesë të librit i ashtuquajturi specialist i Ballkanit, Oschlies akuzohet për propagandim të “racizmit antishqiptar”. Autori i “Junge Welt” Werner Pirker akuzohet për pikëpamje e pozicion të përafërt me të djathtën në Gjermani, Austri dhe Serbi. Në parim me pozicionimin e majtë Brym përkrah të drejtën e Kosovës për vetëvendosje. Gjatë polemikës autori akuzon Werner Pirker se nuk është i majtë por kur është fjala “për çështjen e Kosovës zhvendoset mjaft djathtas”.
“Kosova – Koloni dhe El Dorado neolibeale” është një libër që gjithsesi ia vlen të lexohet!
Librin mund ta porositni në: http://www.amazon.de/dp/3854387121
Osman Osmani, Bern-Prishtinë