Pezullohet greva e aktorëve, grup punues për plotësimin e rregullores që parasheh rritjen e pagave për krijuesit e performuesit

Bashkërisht, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Shoqata Sindikale e Aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatri Kombëtar do të formojmë një grup punues për ndryshimin e rregullores për paga të aktorëve. Kështu u shpreh në një konferencë për media, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi. Me këtë marrëveshje mes palëve, pezullohet greva e aktorëve të teatrit dhe nga fillimi i vitit 2018, aktorët por edhe të gjithë krijuesit e përforcuesit nëpër institucionet tjera të kulturës do t’i marrin rrogat me rritje, në bazë të rregullores së re që do të hartohet nga ky grup punues. “Më lejoni t’i falënderoj përfaqësuesit e Shoqatës Sindikale për mirëkuptimin dhe për gatishmërinë që këta tre muajt në vijim bashkërisht të punojmë në plotësimin e këtij dokumenti dhe që nga janari i vitit të ardhshëm, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në koordinim edhe me Ministrinë e Financave, me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës të marrin vendim për rritje të pagave për këto kategori dhe për këtë jemi dakorduar edhe me Shoqatën Sindikale”, tha ministri Gashi. “Jemi në fazën e hartimit të buxhetit për vitin 2018 dhe bashkërisht do të ulemi dhe do të shohim sa do të ketë implikime buxhetore rritja e pagës për të gjithë krijuesit dhe përformuesit që do të parashihen me rregullore, pas plotësim-ndryshimit të saj”, u shpreh ndër të tjera ministri Gashi. Ndërkaq, kryetari i Shoqatës Sindikale, Ismet Azemi, u shpreh se pas takimeve të shumta kemi arritur në një marrëveshje dhe me këtë hap kemi arritur një qëllim të rëndësishëm sa i përket kërkesave tona dhe përmbush nevojat e komunitetit tonë. Dhe me këtë e shprehim mirënjohjen dhe falënderimin për gatishmërinë e ministrit dhe të MKRS-së për të arritur deri tek realizimi i zotimeve tona.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …