Ngrehinën e këtij libri e kisha piketuar me kohë në mendje, sepse gjithë lëndën e ndërtimit, qerestenë, gurët e gëlqeren, e kisha safi prej vëndlindjes, Fushëbardhës, po kur mendova t’i hidhja çatinë, u ndodha para një të papriture të këndshme që ta bien vetëm miqtë e vërtetë, ata që i shkruan me “M” të madhe, në ditarin personal. Në atë periudhë të shkurtër të qëndrimit tim në Tiranë pas ardhjes së radhës (një herë në dy vjet) nga Kanadaja, u gjënda në Patok, buzë detit, në njërin nga restorantët e peshkut bio, me mikun dhe bashkëfshatarin tim të respektuar Astrit Miho. Bisedat tona shumë herë u vërtitën për Fushëbardhën dhe fushëbardhasit. I tregova atij për idenë e një vëllimi të plotë; për poezitë, tregimet dhe publicistikën me motive nga vendlindja dhe më tej, të cilin me pak punë thuajse e kisha gati, por hë për hë, nuk ia kisha ngenë, pa i thënë që isha matur disa herë të hiqja dorë nga ky pasion sfilitës i të botuarit, që të çakordon mendërisht e materialisht, pa rigjetur e ndjerë as sadifaksionin më të vogël. Megjithatë libri, le të priste në radhë.
Atij i shkëlqyen sytë dhe më tha se ishte i gatshëm ta sponsorizonte menjëherë e ta shpërndante vetë. Propozimi i tij më erdhi i papritur, por në të vërtet, më ngazëlleu. Nuk e kam vënë kurrë në dyshim mikëpritjen e këtij njeriu bujar, derëbabën e të cilit krahinarët e mi, që i ka heq udha të bujtin aty, e kanë pagëzuar “derë që i hahet buka”, por as që mund ta mendoja sponsorizimin e këtij libri tak-fap. Astriti nuk është i krijimtarisë letrare, blen literaturë për kënaqësi të tij si mik i hershëm i librit dhe lexon me pasion sidomos ato me subjekt historik, ndërkohë rriskon me ide të kohës si krijues në biznesin e tij modest të policisë private, vret mendjen e stresohet ta ketë sa më bashkëkohor, me të gjitha mjetet e duhura elektronike të siguritisë, paçka se deri më sot, nuk ka dalë dot në krye, me sa duket edhe nga konkurenca e pandershme e gllabërimit nga peshku më i madh dhe përdorimit të atyre lloj-lloj marifetesh që praktikohen sot në universin kapitalist shqiptar.
Kur shprehu gatishmërinë për të më sponsorizuar, m’u kujtua historia e një miku të hershëm, në vendin e të cilit imagjinova veten time, që pasi kishte bërë disa vajza rresht, hoqi dorë përfundimisht nga dëshira dhe lufta e mëtejshme për të kërkuar djal. Iu gjend një njeri i mirë dhe i thotë: “Provoje dhe një herë për mua more burrë i dheut se do ta rrit unë atë fëmijë po e bëre vajzë!….”. Dhe e mbajti fjalën!..
Nderim e respekt për njerëz si Astrit Miho, që, edhe pa patur ndonjë kapital kushedi çfarë, bëjnë të kundërtën e asaj që bëri para ca kohësh një biçim milioneri i kapardisur, që për t’u dukur se kishte edhe mëndjen me bollëk ashtu siç kishte paratë, i hodhi një shukë njëqindmijshe një kolegut tim shkrimtar të mirënjohur, si “nder”për t’i blerë një tufë me libra nga të tij duke i thënë troç: “ S’’kam ndërmënd t’i lexoj, por i blej për të të ndihmuar.” Qofshin sa më të pakët të tillë miq të librit; është më e “hajrit” që libri të bëhet karton se sa të blihet me “shumicë” e të kalbet aty, në ndonjë kthinë të errët e me lagështi. U trishtova shumë kur e dëgjova, njësoj sikur të qe fati i librit tim. Sepse, si ç’u thashë, qerestenë e tij e zbrita me lodhje, barrë-barrë, me krahë, nga shtigjet e gurta të vëndlindjes, aty ku sëpari gjakosa këmbët, gërxheve e shkureve të fëmijërisë, ku ndoqa dritën e shkollimit dhe u rrita. I kam shkuar sa e sa herë në mendje ndodhi e ngjarje nga më të ndryshmet, me to kam udhëtuar pa më lënë të mërzitem, u ndala kur m’u dukë se duhej të ndalesha dhe e bëra bashkë shpirtin e trurin, jeta qe mbushur plot me të tilla jetë, që ngjanin por dhe dallonin si nata me ditën, ama, njësoj të ngjizura në të njëjtat hapësira, me të njëjtat zakone e tradita, me njerëz e karaktere që më dukej se i njihja.
I latova me merak mahijet e nxjerra nga pyjet që harkojnë Fushëbardhën dhe kulmova në pikëtakimin e tyre dashurinë dhe mallin për fshatin që më lindi dhe për gjithë Labërinë, dhembshurinë për njerëzit dhe krahinarët e mi, që kam kënduar e qarë me ta, në dasma e në morte, në takime të rastit e sebepe të përbashkëta. Të lehta apo të rënda këto mahije, nuk di ç’të them, lexuesit dhe dashamirët e mi do ta ndjejnë se sa është pesha reale e tyre.
Zëri i parë më erdhi me të hapur gojën, e kisha pranë veshit, këtu në emigrim. Kolegu im i hershëm i letrave Avdulla Kënaçi, gjithnjë dashamirës i krijimtarisë sime dhe, shumë afër saj vitet e fundit, më tha: “ Përpara sesa të mbrish në Fushëbardhë, shumë fshatra të dalin para, disa i ke mbi xhade si Porngjia e Kardhiqi, të tjerat i ke karshi si Picari e Kolonja, më tej ke Golemin dhe gjithë pllajën e Labërisë, ti ke dhe tematikë prej tyre, zgjeroje pak gjeografinë sepse kështu, ngrehina të del më karshi diellit.” Qe vërtet një ide e vyer që s’mund ta lërja pas dore, kisha poezi e tregime që identifikonin tematikë shumë më të gjerë sesa kufiri gjeografik i fshatit tim.
Kështu që, te “Ftesë nga Fushëbardha” përfshiva një pjesë të krijimtarisë time poetike që prej librit të parë ”Shtigje të gurta” 1972, e në vazhdim, por dhe një pjesë të prozës së shkurtër, të cilat kanë aromën por dhe vulën e Labërisë. Nuk u prira t’i përzgjidhja cilësisht, sepse nuk kisha qëllim për të bërë një vëllim të përzgjedhur, por një libër me përzgjedhje tematike që të bjerë erë çaji dhe rigoni nga të gjitha gjitonet e Fushëbardhës. Sepse nuk di të kem munguar pa vënë buzët në buronjat e tyre, duke pirë ujë dëbore me grushte në vend që të përdorja gota e mastrapan dhe as u ruajta mos të bëja qull këmishë e pandallona, sepse e dija që askush s’do më qortonte e qesëndiste për këtë pakujdesi.
Kriteri bazë qe përzgjedhja tematike, jo vetëm frymëzimi, por dhe motivet. Frikën e monotonisë e hoqa sepse i qëmtova një më një, jo vetëm në ditët dhe netët e praruara me rreze dielli e hëne, por dhe në netët e acarta kur borërat zinin njera-tjetrën dhe i bënin rrugët kapicë.
Në mahinë e parë mbërtheva disa nga poezitë e botuara, por edhe të pabotuara; të botuarat ruajnë origjinalitetin e publikimit të parë, nuk m’u duk e arësyeshme t’i redaktoja, në frymën e këtyre kohëve, le të mbajnë vulën e periudhës që janë ngjizur.
Tregimet e qepura te mahia e dytë janë disa kuturisje në prozën e shkurtër vitet e fundit, s’di nëse rrjedha e tyre do të pihet me kënaqësi.
Në mahijen e fundit, vara si vergje trëndeline, disa skica e portrete bashkëfshatarësh si dhe një përpjekje mbetur përgjysëm me shpresë për ta vazhduar më pas, këndvështrimi tim mbi historinë dhe vendbanimet e hershme të Fushëbardhë-Zhulatit, deri aty tek ndjehet jehona e kengës labe: “…në Gjashtë u vranë zhuletë/ Idrizi me shtatë a tetë…” si teritore dhe rrënjë të të “njëjtit zjarr” të Zhulatit të tejmë dhe të këtejmë (Fushëbardhës së sotme). Shpresoj të gjeni diçka mbresëlënse. Autori