Kryeministri Ramush Haradinaj përsëriti sot se kufiri me Malin e Zi është në Çakorr, ndërsa shtoi se Kosova tanimë e ka një komision shtetëror dhe do t’i presin rezultatet e tij për të vazhduar më tej më këtë proces. Ai tha se është në dijeni për qëndrimet e presidentit Hashim Thaçi dhe për qëndrimet e shumë personaliteteve tjera në Kosovë. Ai nuk ka përjashtuar edhe mundësinë e çuarjes së demarkacionit me Malin e Zi në arbitrazh.
“Kosova e ka një Komision Shtetëror, është në punë ky Komision, kur të vijë me rezultate ne veprojmë më tutje ashtu në bazë të të gjeturave të këtij komisioni. Për momentin kaq, kur t’i kemi rezultatet flasim, dhe kuptohet jemi në dijeni për qëndrimet e presidentit dhe për qëndrimin e shumë palëve në Kosovë. Besoj edhe ju e dini qëndrimin tim dhe Kosova e di, pra të gjeturat do të na drejtojnë nga mund të përfundojmë në arbitrazh dhe mund të jetë një prej opsioneve, sepse nuk po prejudikojmë tani në çfarë drejtimi do të shkojmë, ende është herët. Por një gjë të gjithë e dimi dhe besojmë të gjithë pajtohemi se nuk kanë dy të tretat për këtë versionin ekzistues, sepse është i gabuar. Kufiri vërtet është në Kullë dhe në Çakorr, ndërsa ka rënë në Kuqishtë dhe të gjithë e dimi që është gabim”, theksoi Haradinaj. Ai këto deklarata i ka dhënë gjatë një takimi që pati me ministren e Mjedisit Albena Reshitaj.