Intervistë me Fahri.F.Fazliun-nip i Heroit të kombit, Fahri Fazliu

RKL: Dëshmorët e kombit janë burimi i rrezatimit që ndriçon idealet atdhetare të të gjithë brezave. Ju jeni brezi pasardhës i Heroit, Fahri Fazliu, dhe keni trashëguar emrin e Tij, a jeni krenar për këtë?

Fahri.F.Fazliu: Jo vetëm që jam krenar, por edhe e kam për nderë ta mbaj ketë emrë të xhaxhit tim Fahri, Hero i Kombit.

RKL: Xhaxhai Juaj, Fahri Fazliu i takon plejadës së ideatorëve të përkushtuar të lirisë, sa jeni i  njohur me aktivitetin e Tij?

 

Fahri.F.Fazliu: Për aktivitetin e Fahriut më ka folur shumë familja dhe bashkëveprimtaret e tij. Ata më kanë thënë se Fahriu ka qenë njeri ndër ideologët e Lëvizjes kombëtare shqiptare, një organizator i mrekullueshëm i lëvizjeve ilegale-patriotike të kohës. Njeri, që aktiviteti i tij patriotik shtrihet jo vetëm në hapësirat ku jetonin shqiptarët nën Jugosllavi, por edhe jashtë saj, deri në Rumani.

RKL: Fahri Fazliu, Afrim Zhitia  e të tjerë u bënë shtyllat intelektuale, organizuese e vepruese të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, bazat e së cilës organizatë i kishin vënë kolosët e mendimit dhe të veprimit militant, Kadri Zeka e Jusuf Gërvalla, sa dini të tregoni për ato aktivitete, për të cilat me siguri se keni dëgjuar sa e sa herë.

Fahri.F.Fazliu: Jusuf e Bardhosh Gervalla, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha e shumë e shumë dëshmorë të tjerë, kanë qenë shtylla kurrizore të organizatave patriotike e ilegale të Kohës. Njerëz me virtyte të larta njerëzore,  që jetën e tyre e vunë në shërbim të kombit, njerëz që asgjë nuk i morën kombit, por vetëm i dhanë atij.

RKL:   Në “Bregun e Diellit”, në një betejë të pabarabartë midis Fahri Fazliut dhe Afrim Zhitisë, dhe qindra forcave policore të atëhershme jugosllave, pas disa orë luftimesh, duke luftuar deri në frymën dhe fishekun e fundit, Afrimi dhe Fahriu ranë heroikisht. Heroizmi i tyre a do të ishte mjet i fuqishëm inspirimi, për ushtarët e ardhshëm te UCK-së?

Fahri.F.Fazliu: Heroizmi i Afrimit e Fahriut, jo vetëm që ka qenë inspirim i fuqishëm i ushtarëve të UÇK-së, por edhe mbi heroizmin e tyre, mbi punën e tyre të palodhur në shërbim të çështjes kombëtare, mbi gjakun e tyre të derdhur për liri, është edhe themelimi i vet UÇK-së.

RKL: Tani në këtë 28-të vjetor të rënies heroike, si ndiheni kur e kujtoni  xhaxhanë ?

Fahri.F.Fazliu: Sa më shumë që shkojnë vitet, aq më shumë rritet respekti për veprën e tyre. Ecja në rrugën e tyre, është siguria më e madhe për të ardhmen tonë.

RKL: I nderuar Fahri,  ju falënderojmë se u bëtë  pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Ju urojmë suksese në jetë.

Fahri.F.Fazliu: Ju faleminderit që më nderuat me ftesën e juaj.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …