Qeveria e Kosovës synon që të ndërtojë shoqëri të dijes përmes ngritjes së nivelit dhe performancës së arsimit dhe shkencës, të integruar në rrjedhat evropiane dhe me mundësi të barabarta për zhvillim ekonomik e shoqëror. Kështu ka thënë se ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, në prezantimin e tij me temë “Shkenca si nxitëse e zhvillimit ekonomik”, në konferencën “Sfidat në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, që po mbahet në Budvë, të Malit të Zi.
Ai ka thënë se promovimi i shkencës dhe i hulumtimeve shkencore do të përkrahen me investime financiare dhe ngritje të kapaciteteve, për të motivuar hulumtuesit dhe krijuesit shkencorë, që të marrin si rast studimor temat që kanë të bëjnë me zbulime teknologjike. Konferenca “Sfidat në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, në të cilën po merr pjesë ministri Besim Beqaj, është organizuar nga Oda Ekonomike e Malit të Zi dhe Qeveria e Malit të Zi dhe po mbahet në Budvë. Në konferencë po marrin pjesë kryeministrat dhe ministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor ku po diskutohet për ndërtimin e lidhjes së qëndrueshme mes shkencës dhe ekonomisë në funksion të progresit dhe zhvillimit.