Është bërë një vit nga vdekja e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Një hetim i bërë nga institucionet vendore të hetuesisë thotë se Dehari u vetëvra. Por, familja kërkon ekspertizë ndërkombëtare. Për këtë, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri zotohet se do të ketë angazhim maksimal. Tahiri ka thënë se që nga dita e parë e punës e ka vendosur këtë çështje në prioritet.
“Edhe sot, dua të ritheksoj se i kam dërguar kryeprokurorit një letër në të cilën kam kërkuar bashkëpunim dhe kam theksuar se e ndjej për obligim institucional dhe njerëzor që të përmbushen obligimet që dalin nga rekomandimet e Kuvendit të Kosovës. Kam kërkuar një super-ekspertizë, që do të behet në bashkëpunim me familjes Dehari”, tha Tahiri, në një prononcim për Gazetën Metro.
Ai tha se Qeveria e Kosovës ka aprovuar kërkesën e tij që të ndahen mjete financiare në shumën prej 50 mijë eurove për ekspertizën shtesë jashtë vendit në lidhje me vdekjen e Astritit. Tahiri kërkon që ky rast të mos përdoret politikisht nga kushdo, por t’i lihet drejtësisë, qoftë edhe ndërkombëtare ta thotë fjalën e vet. Ministri shton se mbi të gjitha familja Dehari meriton drejtësi, dhe për këtë jep zotim se do të ndodhë.