Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj ka bërë të ditur se bisedimet me partitë e tjera para balotazhit të 19 nëntorit janë duke shkuar mirë. Totaj ka thënë për lajmi.net se ka pasur bisedime me të gjitha partitë, përveç me Vetëvendosjen me të cilën janë në balotazh në qytetin e Prizrenit. “Jemi në bisedime me të gjitha partitë e tjera përveç kësaj me të cilën jemi në balotazh. Bisedimet po shkojnë mirë, edhe është mbet me vendos a do të kemi koalicion formal para balotazhit apo pas”, ka thënë kandidati i PDK-së për kreun e Prizrenit.
Totaj tutje ka bërë të ditur se janë duke harmonizuar programet në mënyrë që të mos bëjnë koalicione pa një plan qeverisës. Sipas Totajt, koalicionet do të bëhen duke u bazuar në premtimet që ai i ka dhënë gjatë fushatës. “Çështja e bisedimeve vetëm ka filluar dhe ka interesim nga partitë tjera, edhe po i harmonizojmë pikat e programit qeverisës në mënyrë që mos të bëjmë koalicone të cilat nuk e kanë barrën në program, dhe te premtimet që i kam dhënë në mënyrë që para qytetarëve të dalim sa më konsekuent”, deklaroi Totaj për lajmi.net
Ai foli edhe për mbështetjen që mund ta marrë nga minoritetet, duke ditur që tradicionalisht në Prizren pakicat e kanë përkrahur PDK-në. Totaj bëri të ditur se gjasat janë të mëdha që me minoritetet bashkëpunimi të vazhdojë edhe më tutje. “Sipas të gjitha gjasave minoritetet do të na përkrahin. Jemi në proces të bisedimeve dhe bisedimet janë frytdhënëse dhe konstruktive. Gjasat janë të mëdha të vazhdojë bashkëpunimi që e kemi pasur deri më tani”, përfundoi Shaqir Totaj.
Dihet se minoritetet në qytetin e Prizrenit kanë një numër të madh votazh. Në zgjedhjet e 22 tetorit, Sencar Karamuço i komuniteti turk ka pasur 5.56% të votave, kurse Emilja Rexhepi nga komuniteti boshnjak ka pasur 4.54%. Ndryshe, Shaqir Totaj në raundin e parë ka kryesuar në garën për Prizrenin me 29.66% të votave, duke e lënë prapa Mytaher Haskukën e Vetëvendosjes me 22.30%.
Lidhja Demokratike e Kosovës në bisedimet që po zhvillohen për koalicione, ka pasur oferta edhe nga Vetëvendosjes por edhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Kandidati i kësaj partie, Hatim Baxhaku ka dalur i treti në zgjedhjet e 22 tetorit pasi ka marrë 19.68% të votave. Balotazhi i zgjedhjeve lokale në Kosovë mbahet më 19 nëntor.