Ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha tha para anëtarëve të Komisionit për Integrime se në vizitën e saj në Bruksel ka marrë mesazhe të qarta nga komisioneri Johanes Hahn që marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që të plotësohet edhe kushti i fundit për liberalizimin e vizave. Madje ajo shtoi se Hahn ka kërkuar rritjen e presionit qytetar mbi opozitën dhe Kuvendin për ratifikimin e demarkacionit. Hoxha shtoi se ajo e ka informuar edhe me hapat e qeverisë se re rreth demarkacionit porse kërkesa e tyre ka qenë strikte: Procedimi i marrëveshjes aktuale në Kuvend dhe miratimit të saj pikërisht para zgjedhjeve.
Hoxha foli edhe për zbatimin e MSA-së, ku tha se ka progres në këtë drejtim pasi për dy vjet kanë arritur të implementojnë 34 përqind dhe duke parë se zbatimi i MSA-së ka afat dhjetë vjet atëherë nuk mund të thonë se nuk ka progres. Por sipas saj mund të bëjnë më shumë në këtë aspekt. Ndërsa deputeti Ilir Deda theksoi se nëse duan të kenë liberalizim vizash para zgjedhjeve të reja në BE duhet me urgjencë ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit sepse për këtë kanë edhe dy muaj kohë.
Ndërsa deputeti i AAK-së Ahmet Isufi tha se presioni qytetar ka sjellë dyshime se marrëveshja është e dëmshme. Deputeti i LDK-së Armend Zemaj pati kritika duke thënë se deri me tani asnjë ligj rreth agjendës evropiane nuk është miratuar. Sipas tij, nga 34 sa duhet të miratohen janë miratuar vetëm 4 ligje. Zemaj theksoi se janë larg në rrugën integruese.