Kryeministri Ramush Haradinaj tha sot se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në avancimin e agjendës së reformave evropiane dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, që do të ndikojnë në uljen e varfërisë dhe rritjen e mirëqenies sociale për qytetarët. Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me zëvendësen e përfaqësuesit të përhershëm të Programit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Alessandra Roccassalvo, të cilën e falënderoi për përkrahjen që UNDP-ja i ka dhënë dhe vazhdon të japë për Kosovën përmes projekteve të saj.
Ndërsa Roccassalvo, vlerësoi punën e institucioneve në forcimin e sundimit të ligjit, për ndërtimin e paqes dhe të një qeverisje demokratike në Kosovë. Ajo shprehu gatishmërinë e UNDP-së për të ofruar mbështetje të mëtutjeshme për qeverinë në realizimin e projekteve të përbashkëta.