Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është miratuar raporti me listën e numrit të dëshmorëve të kombit, të luftës së UÇK-së. Sipas listës aktuale numri i dëshmorëve të kombit është 2961. “Është miratuar edhe raporti me listën e numrit të Dëshmorëve të Kombit, sipas shënimeve të ofruara nga puna e Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të pjesëtarit, veteranit, invalidit dhe dëshmorit të Luftës së UÇK-së. Numri i dëshmorëve të kombit, sipas listave aktuale është 2961”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Në qershor të vitit 1999, numri i dëshmorëve nga shtatë zonat operative ka qenë 1839. Tani, 18 vjet pas mbarimit të luftës, në listat e dëshmorëve del të jenë shtuar edhe më shumë se 1000 dëshmorë të tjerë. Po ashtu edhe kategoritë e veteranëve e invalidëve janë dyfishuar e trefishuar. Përfaqësuesit e veteranëve, shumë nga krerët e luftës, komandantët e caktuar, prore thirren në mbrojtje të vlerave të luftës, por kur ato shkelen me rritjen e trefishimin e veteranëve, invalidëve, rritjen për gjysmë të numrit të dëshmorëve, ata heshtin. Heshtja e tyre flet dhe shpjegon gjithçka. Nderi dhe vlerat e luftës nuk mbrohen duke falsifikuar luftën e shtrenjtë dhe të shenjtë të UÇK-së dhe duke rrahur gjoks nëpër protesta, sapo të vonohen pagat. (RKL)