Drejtuesit e Fakultetit Filozofik kanë reaguar në lidhje me vendimin që dje ka marrë Gjykata e Apelit e cila ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për ta konsideruar të tërhequr padinë e UP-së për pronësinë e tokës, ku gjendet Kisha Ortodokse.
Reagimi i plotë:
Dje, më 13.11.2017, përmes mjeteve të informimit publik, u informuam se Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për ta konsideruar të tërhequr padinë e UP-së për pronësinë e tokës, ku gjendet e ashtuquajtura kishë e pafunksionalizuar. Në informacion thuhet, se si pasojë e mospjesëmarrjes së përfaqësuesve të Universitetit të Prishtinës në seancat gjyqësore, gjykata ka konstatuar, se kjo tokë i mbetet në pronësi kishës ortodokse. Në emër të Fakultetit Filozofik, kundërshtojmë këtë vendim dhe konsiderojmë si papërgjegjësi të institucioneve të gjyqësorit dhe të udhëheqjes – rektoratit dhe Këshillit Drejtues – të Universitetit të Prishtinës lidhur me këtë vendim.
Kundërshtimi ynë nuk është një tentativë për ndërhyrje në punën e gjyqësorit dhe as në cenimin e të drejtës së besimit dhe religjionit të asnjë komuniteti në Republikën e Kosovës dhe nuk duhet të kuptohet si i tillë.
Ky kundërshtim ka të bëjë me faktin, se pas suprimimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989, pushteti i dhunshëm serb i Millosheviqit aplikoi ligje diskriminuese në raport me shqiptarët e Kosovës në të gjitha aspektet, përfshirë edhe ato pronësore.
Për kujtesë organeve të gjyqësorit në Kosovë, këto ligje diskriminuese, të cilat e transformuan pronën shoqërore pa i pyetur pronarët e vërtetë, nuk u zbatuan as nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).