Mr. Arben Hoxha: VETËDIJA MODERNE HISTORIKE NË ,,SHËRBIM TË LIRISË”Kadrush Radogoshi : NËPËR UNIVERSIN LETRAR, Rilindja

Kadrush Radogoshi me veprat e tij të botuara deri më tani, si në zhanrin e poezisë, prozës ashtu edhe të dramës, gjithnjë duke u udhëhequr nga vetëdija moderne historike, dëshmoi se në planin e ideshmërisë, domethënë të qëndrimit dhe vizionit ndaj botës, u takon atyre krijuesve që, siç thotë Satri, krijimtarinë letrare e vënë në ,,shërbim të lirisë”. Përpos në fushën e krijimtarisë imagjinative, Kadrush Radogoshi, që me botimin e veprës së parë me kritikë me titull ,,Interpretime” dëshmoi se edhe në fushën e krijimtarisë diskursive është ithtar i zbatimit të modelit të ,,angazhimit sartian”. Duke mos qenë ithtar i konceptit sipas të cilit natyra e letërsisë, apo e krijimtarisë imagjinative përgjithësisht, është vetëm ,,lojë”, është e natyrshme, që përmes praktikës së krijimtarisë së tij diskursive, natyrën e kritikës letrare, si disiplinë të shkencës së letërsisë, të mos e konceptojë si ,,dekor”, por si një aktivitet intelektual me funksion të rëndësishëm shoqëror, përmes të cilit duhet të ndikohet në formimin e modelit dhe të konstituimit të horizontit të ri të pritjes estetike të tij. Në veprën e tërësishme të Kadrush Radogoshit, koncepcioni i shkrimtarit për natyrën e letërsisë, në praktikën e krijimtarisë imagjinative, qëndron në raport komplementar me koncepcionin e kritikut për natyrën e kritikës, në krijimtarinë diskursive të tij. Ky komplemantaritet në mënyrë eksplicite shpërfaqet në veprën me kritikë të titulluar ,,Nëpër universin letrar”. 

Koncepcioni dhe kriteret klasifikuese për organizimin e veprës 

Mbi bazën e kriterit të përcaktimit zhanror të veprave që ka për objekt shqyrtimi analizimi dhe kriterit të funksionit kulturor të tipit të shkrimit që ka zbatuar për shqyrtimin e atyre veprave, librin me kritikë ,,Nëpër universin letrar” autori e ka ndarë në pesë kapituj. Duke marrë parasysh se në këtë vepër janë përfshirë shkrime, të cilat janë botuar në faqet e gazetave dhe të periodikut tonë letrar brenda një periudhe kohore tetë-nëntë vjeçare, është e kuptueshme që vepra për nga forma të ketë karakter heterogjen. Por, këpuja lidhëse, ajo që krijon unitetin e brendshëm të këtyre shkrimeve shtrihet në aspektin përmbajtësor të veprës për dhe rreth karakterit ontologjik të natyrës së lirisë njerëzore në njërën anë, dhe koncepcionit të pandarë për natyrën e letërsisë dhe kritikës letrare, si forma shprehëse të emancipimit të vetëdijes shoqërore me mundësi të pushtimit të horizonteve të reja të lirisë, nga ana tjetër. 
Pjesa e parë e titulluar ,,Një mundësi interpretimi”, në cilën për shqyrtim është marrë vepra e Kadaresë ,,Kush e solli Doruntinën” qëndron si pjesë në vete mu për shkak se në organizimin e veprës autori është udhëhequr nga kriteri i funksionit kulturor të shkrimit. Duke e konceptuar si një studim në vete kritiko-letrar, procedimi interpretues i të cilit ndërtohet mbi bazën e një aparature strikte teoriko-letrare, autori e ka parë të arsyeshme që këtë shkrim ta vendosë brenda një kapitulli të veçantë. Ndërkaq, në kapitullin ,,Poetika e kodit simbolik”, duke përfshirë artikuj e studime që trajtojnë rrjedhat, prirjet dhe problemet e prozës sonë të viteve të 90-të, autori, në punë të klasifikimit dhe organizimit të veprës, ka përfillur kriterin e përcaktimit zhanror të shkrimeve të marra për shqyrtim. 
Në kapitullin e tretë ,,Semantika e flijimit” janë përfshirë shkrime të karakterit antropologjik e kritiko-letrar, ku merret për shqyrtim e trajtim çështja e ,,aktit të flijimit”, fillimisht nga aspekti teoriko-antropologjik, si vlerë substanciale mbi bazën e së cilës është ndërtuar ngrehina e civilizimit njerëzor, për të kaluar më pastaj në shqyrtimin konkret të fenomenit të flijimit, në dimensionin e tij praktik brenda realitetit tonë historik e aktual, për t’iu rikthyer sërish shkoqitjes dhe zbërthimit historiko-letrar të mesazheve artistike brenda veprave të letërsisë shqiptare në të cilat është materializuar ideja e aktit të flijimit. Nga kjo shihet se klasifikimin e shkrimeve brenda këtij kapitulli autori e ka bërë duke marrë për bazë aspektin përmbajtjesor të tyre. 
Në kapitullin e katërt ,,Jehona e martirizimit” hyjnë shkrimet interpretuese për veprat kryesisht të karakterit historiko-publicistik, në të cilat pasqyrohet jeta dhe vepra e disa prej figurave të historisë sonë më të re, për përpjekjet, krajatat dhe sakrificën më sublime të tyre në shërbim të idealit të lirisë, si: për figurën dhe personalitetin e Xheladin Hanës në veprën e Rushit Ramabajës ,,Shtëpia ku nuk vdiset – Rekuiem për Xheladin Hanën” për personalitetin e Jusuf Gërvallës – në veprën e Kadri Rexhës ,,Fati i luleve” si dhe për figurën dhe personalitetin e Adem Jasharit, akti i flijimit i të cilit bëri kthesën e madhe në rrjedhën e historisë së kombit shqiptar të trajtuar në veprën e Bedri Tahirit ,,Adem Jashari/legjendë e legjendave”. 
Pra, në këtë kapitull kalohet në shqyrtimin e aktit të flijimit nga aspekti teorik e estetik në atë praktik e jetësor, për t’iu rikthyer sërish shqyrtimit të tij në aspektin historiko-letrar (përmes interpretimit të veprës së Injac Zamputit me titull ,,Atje, nën hijen e Rozafës”, të panjohur deri më sot për opinionin lexues tek ne)dhe shqyrtimit kritiko-letrar (përmes interpretimit të dy vëllimeve poetike të Rasim Selmanajt, të shkruara gjatë kohës së qëndrimit të tij nëpër kazamatet serbe). 
Ndërkaq, kapitulli i pestë me titull ,,Poezi e kundërvënies dhe e kultit të ardhmërisë”, në të cilin interpretohen vëllimet poetike të Sonila Varfrit ,,Unë trishtimi”, Izet Çullit ,,Bijtë e Zonjës Mëmë”, Pal Ndrecajt ,,Lule mbi plagë”, Hasan Krasniqit ,,Vrasja e përkohësisë” dhe Musa Berishës ,,Trokitjet në ëndrrat e mia”, është klasifikuar mbi bazën e kriterit zhanror të veprave të marra në shqyrtim. 
Nga e gjithë kjo që u tha del se në punë të organizimit të veprës dhe klasifikimit të studimeve, të vështrimeve dhe eseve në pesë kapituj, autori herë udhëhiqet nga një kriter klasifikues, e herën tjetër nga një kriter tjetër klasifikues e herën e tretë vepron mbi bazën e sinkretizmit të këtyre dy kritereve. Mund të thuhet se kjo zhvendosje e kritereve është një akt i vetëdijshëm krijues i autorit, i cili çdo gjë e vë në funksion të fuqizimit të koncepcionit të tij për organizimin e veprës, boshti i së cilës është vënia në pah e idesë së aktit të flijimit me funksionin e saj për emancipimin e vetëdijes njerëzore dhe të pushtimit të horizonteve të pafundme të lirisë. 

Zbatues i tipit të kritikës objektive 

Në veprën me kritikë ,,Nëpër universin letrar”, përmes poetikës, autori evidenton përbërësit e strukturës së veprave dhe përcakton raportin e pjesëve dhe funksionin e tyre brenda tërësisë në veprat letrare të autorëve të ndryshëm. Procedimi interpretues për veprat e marra në shqyrtim, si në zhanrin e prozës, ashtu edhe në atë të poezisë në këtë vepër, fillimisht, drejtohet kah aspektet e ndërtimit të jashtëm, për të kaluar më pastaj në shkoqitjen e aspekteve etike, psikologjike, filozofike dhe historike të tyre. E gjithë kjo flet për përcaktimin metodologjik të autorit, përmes të cilit ai synon t’i shmanget qasjes subjektiviste në procesin e gjykimit estetik për vlerat letrare të tyre. 
I vetëdijshëm se çdo element i rëndësishëm konstituiv i poetikës së një vepre mund të shqyrtohet e hulumtohet objektivisht vetëm i vështruar nga aspekti i përcaktimit zhanror dhe atij tipologjik, nuk është e rastit që kërkesa për përcaktimin tipologjik dhe zhanror të jetë për autorin parim bazë interpretues, si në rastin kur për shqyrtim merr veprat letraro-artistike, ashtu edhe ato me karakter historiko-publisictik. 
Kështu duke bërë fjalë për veprën ,,Kush e solli Doruntinën” autori fillimisht do t’i hyjë punës së hulumtimit të parimit strukturor – parimit të enigmës – mbi bazën e të cilit është organizuar lënda romanore, për të bërë më pas përcaktimin tipologjik të këtij romani si tip i romanit ,,Kush”. Duke ofruar argumente teoriko-letrare autori do t’i shkoqisë ata përbërës, që këtë vepër e përafrojnë me tipin e romanit kriminalistik, por edhe argumentet, që në pikëpamje strukturore e përmbajtësore, këtë vepër e bëjnë të dallojë thellësisht nga tipi i romanit kriminalistik. Dallimin e thellë me tipin e romanit kriminalistik të kësaj vepre autori do ta zbulojë në raportet e mikronjësive fabulare-kompozicionale dhe atyre syzheike dhe funksionin kompozicional të tyre. Duke bërë paraqitjen numerike dhe grafike të njësive fabulare-kompozicionale dhe rendit të njësive syzheike me qëllim të vënies në pah të mospërputhjes së plotë të tyre, me të drejtë ai konstaton se Kadareja nuk e respekton suksesionin e të rrëfyerit fabular, karakteristikë kjo për romanin kriminalistik, për ta rrumbullakuar mendimin se ,,sado që shkrimtari ka shfrytëzuar mjaft elemente të skemës strukturore të romanit kriminalistik, ai vetë nuk e ndërton një strukturë të tillë, por përkundrazi e rrënon atë”. Mu për këtë arsye ,,Kush e solli Doruntinën” është vepër që nuk mund të shkruhet në seri, siç ndodh me romanet e tipit kriminalistik. 
Duke qenë se besa dhe ringjallja dalin si kategori themelore, funksionimin e këtyre kategorive në roman Radogoshi e sheh si mekanizëm që e vë në lëvizje boshtin e subjektit të veprës: domosdonë e përsëritjes së aktit të flijimit për mbrojtjen e atdheut në rrethanat e kërcënimit të zhbërjes kulturore e biologjike të kolektivitetit. Këtë kërkesë të përsëritjes e fuqizon e dhëna se në roman, sado që bashkekzistojnë logjika historike dhe ajo mitologjike, me rrënimin e të gjitha hipotezave për mohimin e aktit të ringjalljes, fiton logjika mitologjike, qoftë si veprim artistik, qoftë edhe si lëndë artistike. 
Në kapitullin ,,Poetika e kodit simbolik”, duke u marrë me rrjedhat dhe problemet e romanin tonë të botuar gjatë viteve 90-të, autori i librit ,,Nëpër universin letrar” arrin të hulumtojë e të zbulojë dukuritë dhe prirjen zotëruese të kësaj proze, teksti i së cilës është enkoduar në bazë të kodit simbolik. Sintagmës ,,kodi simbolik”, autori nuk i jep karakter vlerësues, por kryekëput tipologjizues. 
Në shkrimin ,,Enkodimi simbolik i tekstit romanor”, synimi për t’i analizuar tendencat e përgjithshme të romanit të kodit simbolik, autori e arrin duke bërë vështrimin e përbërësve dhe dukurive analoge në vepra të autorëve të ndryshëm. Duke u marrë me parimet themelore dhe tiparet e përbashkëta të ndërtimit të veprave: të përdorimit të hapësirës vendore e kohore, të pozicionit të rrëfimtarit, të përmasës së respektimit apo injorimit të fabulës, tipave të personazheve, të përmasës së dominimit të parimit të mitologjizimit, si veprim artistik dhe qëndrim ndaj botës etj.; dhe gjithë këta përbërës duke i vënë në raporte krahasimi mes veprave të autorëve të ndryshëm, autori do t’i shpalosë modalitetet e funksionimit të tyre dhe trajtat e strukturimit të lëndëve të ndryshme artistike brenda tipit të romanit të kodit simbolik. Një procedim të ngjashëm interpretues autori do ta zbatojë, si atëherë kur për objekt shqyrtimi merr një vepër të një autori të veçantë, ashtu edhe atëherë kur për objekt shqyrtimi e hulumtimi ka disa vepra të të njëjtit autor. Duke veçuar, fillimisht, kontaktet e poetikës së këtyre veprave, autori do t’i zbulojë prirjet e përgjithshme të formës së tyre artistike, si dhe marrëdhëniet e përbërësve brenda çdo vepre, të cilat, pavarësisht se ndikojnë në mënyrat e ndryshme të strukturimit të lëndës, të përbashkët kanë vetëdijen e re historike e ekzistenciale për dhe rreth modaliteteve të qeniesimit tonë në histori mbi bazën e modeleve dhe tipave të ndryshëm të qëndresës dhe flijimit. 

Flijimi për lirinë – peshojë e vlerave të një shoqërie

Në eseun ,,Fenomeni i flijimit”, Radogoshi, duke vështruar flijimin nga këndvështrimi i sociologjisë gjenetike do të konstatojë se për nga karakteri flijimi nuk është statik, i pandryshueshëm, por ai evulon bashkë me zhvillimin e kulturës së një kombi dhe zhvillimin e gjithmbarshëm shoqëror të tij. Megjithatë karakteri dinamik i aktit të flijimit nuk është i shkëputur plotësisht nga faktorët e tjerë determinues statikë, të cilët atij i japin karakter universal, duke bërë që modele e tipa të ndryshëm të aktit të flijimit të bashkekzistojnë, pavarësisht nga hapësira vendore e kohore. Mu për këtë arsye, nuk është e rastit që, p.sh., simbolika e flijimit për Drurin e jetës, prezente në botën e magjisë dhe mitit, për të cilin flet Xhejms Xhorxh Frejzer në librin ,,Dega e artë”, me semantikën e vet mund të mbulojë shumicën e flijimeve të njeriut në vende dhe kohë të ndryshme. 
Në varshmëri të shkaqeve, motivimeve dhe qëllimeve, autori, nga historia e zhvillimit të njerëzimit, do të veçojë modele të ndryshme të flijimit, mbi bazën e të cilëve funksionojnë tipa dhe nëntipa të ndryshëm të aktit të flijimit. Kështu ai dallon modelin magjik e mitik të flijimit, modelin folklorik, modelin historik dhe modelin letrar të flijimit. Këto modele gjatë procesit të zhvillimit kulturor dhe shoqëror të njerëzimit kanë dhënë dhe kanë marrë nga njëri-tjetri. Prej tipave të flijimit autori veçon: flijimin e virgjëreshave, flijimin për dashurinë, flijimin për shkak të demaskimit të tradhtisë, flijimin në emër të ngadhënjimit mbi vdekjen, flijimin prometeik dhe flijimin e intelektualitetit për shkak të ideve dhe mbrojtjes së tyre. Pasi bën shqyrtimin e modeleve dhe tipave të veçantë të flijimit në rrafshin teorik dhe analitik, autori i hyn punës së dëshmimit të funksionit të këtyre modeleve dhe tipave të flijimit në kulturën dhe jetën shqiptare. 
Duke bërë tipologjinë e heronjve shqiptarë brenda modelit historik të flijimit mbi bazën e mjeteve dhe mënyrave me të cilat ata i kundërvihen së keqes dhe duke gjetur tipare të ngjashme ndërmjet tyre dhe heronjve mitikë antikë, autori do të dallojë tipin e heronjve, ai veçon aktin e flijimit të Oso Kukës dhe të Mic Sokolit. ,,Nëse këta heronj – do të konstatojë autori – i krahasojmë me dy yje madhështorë në qiellin e flijimit shqiptar, atëherë Adem Jasharin mund ta krahasojmë me diellin e madh, i cili e ndriçoi ndërgjegjen e përgjumur shqiptare dhe e vrau njëherë dhe përgjithmonë politikën e zhurmës së madhe patriotike e veprimit liliputan, politikën e qyqarllëkut dhe të lëmoshës. Flijimi i tij…dhe Jasharajve të tjerë është një shembull madhështor i flijimit para të cilit dimensioni i madhështisë së flijimit mitik na duket më i vogël, figurën e Jasharajve nuk e zë asnjë mit.” 
Në grupin e dytë të tipit të flijimit të intelektualit që flijohet në emër të ideve dhe mbrojtjes së tyre, autori, si një nga figurat embelmatike në kuadër të këtij tipi flijimi do të veçojë sakrificën e mr. Ukshin Hotit. Duke e vënë në raport krahasimi me figura antike e mitike, ai do të gjejë tipare të përbashkëta të tyre me sakrificën e Ukshin Hotit. ,,Vërtet – thekson autori – gjykatësit e Sokratit antik ishin të të njëjtit popull, pra ishin grekë, ndërsa në rastin e gjykimit të Sokratit shqiptar (Ukshin Hotit – A.H) gjykatësit ishin serbë edhe akuzuesit formalë ishin serbë. I vështruar nga ky aspekt gjykimi dhe dënimi më tepër na duket prometeik, por kurrë nuk harrohet fakti se përpara akuzuesve formalë fshiheshin politikanë smirëzinj e të zhveshur nga çdo lloj përgjegjësie dhe mediokriteti kulturor e shkencor nga radhët e shqipfolësve, të cilët nuk mund t’i durojnë njerëzit me potencë të madhe morale e intelektuale, çfarë ishte mr. Ukshin Hoti, problemi është më tepër Sokratik…Sokrati antik ua përkujton akuzuesve po edhe ndëshkuesve të tij turpin dhe dënimin që i pret në të ardhmen, të njëjtën gjë e bëri edhe Sokrati shqiptar në Apologjinë e tij”. 
Ndërkaq, kur flet për modelin letrar të flijimit, autori nuk ka parasysh vetëm ato vepra që për bosht të subjektit të tyre kanë heronjtë që flijohen për ideale të larta, shembuj të të cilëve i nxjerr që nga letërsia e romantizmit shqiptar e deri te letërsia bashkëkohore, por edhe krijuesit e këtyre heronjve, pra shkrimtarët, të cilët edhe vetë janë flijuar, si: Pjetër Budi, Naum Veçilharxhi, papa Kristo Negovani, Shtjefen Gjeçovi, Bernardin Palaj, Etëhem Haxhiademi, Fazli Graiçevci, Rexhep Elmazi, Jusuf Gërvalla, Enver Hadri etj. Duke u marrë me hapësirën që zë akti i flijimit në letërsinë shqiptare, autori do të konstatojë se, p.sh. mbi bazën e parimit estetik të poetëve të romantizmit shqiptar, sipas të cilit heroi gjatë flijimit nuk duhet të shprehë vuajtje dhe dhembje, por lumturi për përfundimin e jetës në mënyrë madhështore, akti i flijimit në letërsinë e Rilindjes Kombëtare u ngrit në kult. ndërkaq, nga letërsia bashkëkohore, autori do të veçojë tipin e flijimit të modelit mitik-folklorik të gruas shqiptare në themelet e kalasë apo të urës, të trajtuar, tani nga pozita e demitizimit, në veprën ,,Beselam pse më flijojnë” të Rexhep Qosjes dhe ,,Ura me tri harqe” të Ismail Kadaresë. Sado që këto dy mënyra të trajtimit të aktit të flijimit në letërsinë tonë drejtohen nga dy vetëdije krejtësisht të kundërta: njëra glorifikuese dhe tjetra kritike; megjithatë si njëra dhe tjetra gjenerohen nga ideali i ruajtjes së qenies, ekzistencës dhe hapësirës gjeografike për kultivimin e një jete të denjë në liri. 
Në këtë kontekst duhet theksuar se autori sikur që nuk është ithtar i idesë që letërsia të vulgarizohet që publicistikë, njëkohësisht i kundërvihet ithtarëve të asaj letërsie, të cilët në emër të estetizimit dhe artizmit e injorojnë atë letërsi dhe ato vepra që trajtojnë aktin e flijimit, duke i cilësuar se vepra jo moderne, jo avangarde etj. Për t’iu kundërvënë një koncepti të tillë ai fton në ndihmë strukturalistin çek, Mukazhovski, i cili thotë: ,,Autonomia e veprës artistike, mbizotërimi i vlerës dhe funksionit estetik në veprën letrare paraqitet jo si mjet për mbytjen e kontaktit të veprës letrare me realitetin natyror e social, por përkundrazi, si ringjallje e tij” (f.112). Dhe a është e nevojshme të bindet dikush se në realitetin social të këtij mendimi hyn edhe fenomeni i flijimit? – do të pyesë autori. 

Përfundim

Si përfundim mund të thuhet se në qoftë se antropologët tanimë kanë konstatuar se konceptet dhe qëndrimet ndaj Lirisë gjatë gjithë zhvillimit të historisë së njerëzimit përfaqësojnë boshtin mbi të cilin është ngritur ngrehina e civilizimit, sidomos atij perëndimor, mund të thuhet se kategori themelore mbi bazën e të cilave janë formësuar ato koncepte dhe qëndrime ndaj Lirisë është ideja e flijimit dhe qëndrimi ndaj mënyrave të shfaqjes së saj. Si i tillë, flijimi përfaqëson esencën e qeniesimit të Lirisë, si dimension ontologjik, me mundësi të relizimit të plotnisë së qenies dhe ekzistencës njerëzore. 
Prandaj një popull që aspiron Lirinë dhe mban qëndrim injorues, përbuzës dhe tallës ndaj aktit më sublim, siç është flijimi i vetëdijshëm dhe i vetëvullnetshëm i jetës për ideale të larta, dëshmon se ai popull, në të vërtetë, jo vetëm se është i papërgatitur që ta realizojë idealin e të qenit i lirë, por ai nuk është as në rrugën e të ëndërruarit të lirisë.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …