Këngëtarë meritorë të këngës burimore shqiptare: Shkurte Fejza, Ilir Shaqiri, Dava Gjergji, Thanas Moraiti

 Për specifikat dhe vlerat antologjike të këngës shqiptare sa e sa herë është folur dhe është shkruar nga muzikologët shqiptarë dhe të huaj.
Kënga shqiptare mbërthen me vete shumë segmente të jetës sonë, të historisë së dhembshme, tragjike dhe heroike, por edhe shumëllojshmërinë e formave dhe trajtave, në të cilat paraqitet kjo këngë, e cila e shoqëroi shqiptarin në gaz e hare, por edhe në dhembje e shqetësime shpirtërore.
Kënga shqipe njeh një dyzinë emra këngëtarësh të dalluar, të cilët janë bërë të njohur me specifikat e tyre të këndimit. Ata kanë arritur të futen në antologjinë e këngës së kënduar shqipe. Në krye të kësaj antologjie zënë vend meritorë edhe Ilir Shaqiri, Shkurte Fejza, Dava Gjergji e Thanas Moraiti.
Kemi marrë në trajtim këndimin e këtyre këngëtarëve për shkak të disa specifikave origjinale të këndimit, po ashtu edhe me qëllim të prezantimit të këngës shqiptare nga vise të ndryshme të atdheut, nga Kosova, si dhe nga veriu dhe jugu i Shqipërisë.

Rritja e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve të Kosovës, sidomos në vitet 70, në kohën e liberalizimit kulturor në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, i dha hov zhvillimit dhe emancipimit kombëtar të muzikës shqiptare në vend, e cila po thuajse tërësisht gjeti mbështetje në këngët, që asokohe këndoheshin në Shqipëri, por pa lënë anash as traditën e begatshme dhe të pasur folklorike, që tashmë kishte mbijetuar edhe në Kosovë, sa do që në rrethana represioni sistematik të pushtuesit serbo-malazez.
Krijimi i shoqërive kulturore artistike në vitet 70, i dha hov konkurrencës dhe arriti, që për një kohë të shkurtë, të nxjerrë në sipërfaqe talente të mrekullueshëm, të cilët nuk mund të mos ishin nën ndikim të këngëtarëve më të njohur, zëri i të cilëve shpërndahej sidomos nga Radio-Tirana dhe Radio-Kukësi, e më vonë edhe nga Radiotelevizoni i Shqipërisë. Edhe Radio-Prishtina dhe disa radiostacione lokale, sado të censuruara nga redaktorët e muzikës, kishin fituar të drejtën që të emetonin disa nga këngët që këndoheshin në Shqipëri.
Në kohën kur në Kosovë nuk mund të flitej për një traditë të organizimit të mirëfilltë autentik kulturor me përmbajtje kombëtare, sepse kishte pengesa të theksuara ideologjike, këngëtarët e mirëfilltë nuk mund të mos ndikoheshin nga kënga e Dervish Shaqës, Fatime Sokolit, Fitnete Rexhës, Xhevdet Hafizit, Naile Hoxhës, Aziz Ndreut, Tomë Nikollës, Vaçe Zelës, Zeliha Sinës e shumë të tjerëve. Pikërisht sepse kjo frymë e re e ndikimit të këngës burimore po shpërndahej hovshëm në tërë Kosovën, në verë të vitit 1981, pas demonstratave të rinisë studentore të Marsit dhe Prillit, filloi të shtrëngohet ashpër censura ideologjike, e cila rezultoi me ndalimin e shumë këngëve, ndalimin edhe të një pjese të literaturës që vinte nga Shqipëria, e cila sipas titistëve kishte indoktrinuar rininë shqiptare, meqë e kishte vetëdijesuar për të kërkuar drejtësi, liri dhe barazi me popujt e tjerë të Jugosllavisë.
Lufta kundër këngës shqipe dhe përgjithësisht kundër përhapjes së kulturës që vinte nga Tirana, shkoi aq larg sa Jugosllavia filloi edhe pengimin e valëve të të gjitha radiostacioneve dhe të Televizionit të Shqipërisë.
Në anën tjetër, drejtori i atëhershëm i RTP-së Agim Zatriqi, kishte eliminuar nga emetimi të gjitha këngët e Radios Tiranës. Po ashtu, ky dhe censorë të tjerë, kërkuan kthimin e këngëve dygjuhëshe, të llojit “Oj dragane iza brega” ( O i dashur në atë breg), që këndoheshin një strofë në gjuhën serbe tjetra strofë e përkthyer në gjuhën shqipe. Dhe mjerisht, në një kohë të caktuar, sidomos në vitet 60 dhe 70, kishte edhe disa këngëtarë që këndonin këngë të tilla mushke, që këndonin këngët më të çoroditura, që janë dëgjuar ndonjëherë në Kosovë. Këngët e tilla, bënte përpjekje t’i legjitimonte si të vetme, dhe si avangarde, edhe një grup i profesorëve të albanologjisë, që merreshin me folkloristikën e ideologjizuar. Këta, madje edhe krijonin apo përkthenin këngë të tilla dygjuhëshe, që pastaj ua jepnin për t’ i kënduar disa këngëtarëve, të cilët me zell të tepruar i këndonin duke i thurur himne regjimit.

Pikërisht në këtë kohë të një segmenti të çoroditjes së këngës shqipe, do ta pushtojnë skenën një varg rapsodësh dhe këngëtarësh popullorë të cilët kishin arritur ta ruanin këngën tonë burimore. Disa nga ata, për këngët e tyre edhe u dënuan, u rrahën dhe u ndëshkuan, por kënga e pastër shqipe, asnjëherë nuk pushoi. Në vitet 70 të shekullit të kaluar tashmë ishte afirmuar një klasë e tërë rapsodësh si: Rizah Bllaca, i cili shquhej për këndimin homerik të këngëve me përmbajtje historike dhe i cili dinte përmendsh me mijëra vargje madje edhe nga “Lahuta e Malcisë” e Gjergj Fishtës, pastaj këngëtarët si: Sefë Mleçani, Avdullah Bellani, Rexhë Kopiliqi, Adil Cena, Selman Haradini, të cilët shquheshin sidomos për këndimin e këngëve historike dhe të trimërisë, Salih e Feriz Krasniqi, shquheshin për melodinë dhe përmbajtjen e pasur të këngëve të ndryshme, Tahir Drenica e Hashim Shala, të cilët po ashtu krijonin edhe këngë të reja, por me shumë devotshmëri i këndonin edhe këngët e traditës. Një timbër të ri këngës shqipe i kishin dhenë edhe disa këngëtarë të njohur nga Dukagjini si Shaqë Avdia, Lan Dobra, Bajrush Doda, Marash Krasniqi, Augustin Ukaj, Hamëz Lokaj e shumë të tjerë.

Në fund të viteve ‘80 adhuruesit e këngëve në Kosovë identifikuan në mesin e shumë zërave edhe dy të atillë që premtonin shumë: Shkurte Fejzën dhe Ilir Shaqirin. Asokohe kishte edhe këngëtarë e këngëtare shumë të njohur si: Nexhmije Pagarusha, Shaqir Cërvadiku, Shyhrete Behluli, Remzie Osmani, Zyle Krasniqi, Emine Hasimi, Shqipe Kastrati e shumë të tjerë.

Shkurte Fejza u dallua si këngëtare në Shoqërinë kulturore “Afërdita” të Mushtishtit. Zëri i saj melodik, emetimi origjinal i këngëve që shpërndaheshin nga valët e Radio-Tiranës dhe të Radio Kukësi, futja e një timbri karakteristik, sidomos të timbrit të këngës vendore të Anadrinit, e bënte këngën e saj jo vetëm të lezetshme, por edhe tejet të këndshme si nga përmbajtja, e cila censurohej lehtas, ashtu edhe nga përkushtimi, që nuk ishte vetëm përkushtim i rëndomtë për këngën, por mbi të gjitha ishte përkushtim patriotik, në përpjekje për të përngjarë, me nënën Shqipëri.
Dhe pikërisht ky përkushtim ndaj këngëve të tilla, zgjonte dhe vetëdijësonte një pjesë të rinisë shqiptare të Kosovës, të cilës i imponohej kënga sllave dhe ajo e bastarduar, që e përhapnin radiostacionet jugosllave dhe grupet, të cilat jepnin koncerte në Kosovë nga të gjitha viset e Jugosllavisë.
Të përkujtojmë me këtë rast, një koncert të këngëtarit, Dragan Qoliq në Stadiumin e Prishtinës, mbase në vitin 1979, ku morën pjesë mijëra studentë dhe qytetarë, të mesin e tyre edhe nga radhët e rinisë militante, të cilët ishin futur atje me qëllim për ta diskredituar koncertin dhe këngëtarin serb. Nuk kanë qenë pak në numër ata të rinj dhe ato të reja shqiptare që i brohorisnin Qoliqit dhe të digjnin shamitë për të.
Pikërisht në këtë kohë, në kohën e përplasjeve që po përgatiteshin të ndodhnin, në kohën kur duhej të krijohej hendeku në mes patriotizmit të imponuar dhe të panatyrshëm jugosllav dhe patriotizmit të vërtetë shqiptar, kënga e pastër shqipe dhe shpirti i pastër kombëtar, nuk mund të ishin indiferentë. Dhe pikërisht në atë kohë, në vitet ‘80 e më vonë, Shkurte Fejza, Ilir Shaqiri, Remzie Osmani, Shyhrete Behluli, Shaqir Cërvadiku, Bege Gashi, Begishe Avdiu, Zyle Krasniqi, Nazmije Hoxha, Emine Hasimi, Shqipe Kastrati, Nimon Mushkolaj e të tjerë mbajtën gjallë këngën burimore, e cila në segmente të caktuara frymëzoi e mbajti gjallë edhe idealin për liri, barazi dhe bashkim kombëtar.
Përderisa zëri i Shkurte Fejzës buronte me frymëzime nga fushat e Anadrinit dhe nga jehona e këngës malësore që përhapej prej Lumës e maleve të Sharrit, zëri i Ilir Shaqirit buronte nga kënga e trimërisë e traditës drenicase. Iliri, doemos se do të ndikohej nga zëri burrëror i rapsodëve të njohur të mesit ku ishte rritur, por me shpejtësi arriti të sintetizojë vlerat e këtyre rapsodëve, duke i ikur me mjeshtëri emetimit, të cilin zakonisht bëjnë fillestarët. Qysh në këngët e para vërehej një origjinalitet, që premtonte, që imponohej, dhe që bënte përpjekje për ta krijuar sa më parë stilin autentik të këndimit.
Fati i këtyre dy këngëtarëve qëndron edhe në bashkëpunimin që këta bënë me hartuesit e këngëve, meqë kënga mban me vete shumë komponentë, duke u nisur nga përmbajtja, mesazhi, vokali, melodia, orkestra, instrumentet, solo këndimi, gradacioni, ritmika dhe një mori faktorësh anësorë që sajojnë tërësinë e një kënge, e cila dëgjohet për disa minuta, por që lë gjurmë të pashlyeshme në veshin e dëgjuesit.
Shkurte Fejza ka një qasje autentike ndaj këngës. Ajo këndon lirshëm, natyrshëm, këndon me përkushtim, duke u përkujdesur ndaj çdo cikërrime që mund ta dëmtojë qoftë këngën, qoftë zërin, qoftë ritmin, apo edhe një tingull të vetëm. Ajo ka rezervuar edhe paraqitjen dinjitoze dhe serioze në të gjitha aspektet e prezantimit para publikut.
Kënga e Shkurte Fejzës mban në vetvete shumë elemente artistike të komponuara në tërësinë e saj, tërësi e cila buron edhe si gurgullimë e burimit të pastër malor, edhe si thirravaje e së kaluarës, edhe si qëndresë e pashtershme për të mos u dhënë, për të mos u dorëzuar, por për të çarë përpara.
Shkurta disponon zërin tejet melodik, të cilin e begaton me shqiptimin e pastër të tingujve, me melodinë autentike të shpirtit krijues, të shpirtit që shkrihet në pasion, jo vetëm për këngën si këngë, por që shkrihet në pasion të tërësisë së këngës, të mesazhit dhe të përmbajtjes së saj. Zëri i Shkurte Fejzës, për dallim nga zërat e këngëtareve të tjera, ka një dozë të mjaftueshme të timbrit të zërit burrëror, të atij timbri që shënon krenarinë e ligjshme për përkatësinë e racës, të kombit, gjuhës. Këndimi i saj ka fuqinë mobilizuese, sepse ajo përqendrohet me tërë qenien kur këndon, sepse këndon nga thellësia e shpirtit, sepse këndon duke u bërë bashkë me këngën, ashtu sikurse bëjnë gjenitë dhe artistët e njohur, të cilët njëzohen me veprat e tyre. Si i tillë, këndimi i Shkurte Fejzës, prek majat sipërore, prek majat përtej së cilave nuk kalohet. Ajo prek infinitet e një këndimi origjinal, autentik, këndim që paraqitet vetëm në epoka të thyerjeve të mëdha, të epokave që i përjetuam, të epokave me këngë e barot, me vaje, vuajtje e këngë, me lot e zjarr…

Qasja e Ilir Shaqirit ndaj këngës është qasje mashkullore, është qasje e mllefit të grumbulluar të drenicasit në kuptimin etnogjenetik, qasje e njeriut i cili gjithmonë e ka sfiduar robërinë, qysh prej kohës së Romës e Bizantit, e deri në kohët tona.
Kënga e Ilirit shquhet në radhë të parë për krenarinë, zërin burrëror, mesazhin për mobilizim.
Në këtë drejtim, kënga e tij është vënë në funksion të përkushtimit çlirimtar. Edhe në vitet 90, për dallim nga përhapja e një tipi të këngës rezignuese me doza pacifizmi e ankimi, Ilir Shaqiri këndoi vargjet mobilizuese të Naim Frashërit dhe këngë trimërie për atdhetarët.
Zëri i tij melodik, fuqia mobilizuese, teksti i këngëve mjaft i goditur, bëjnë që kënga e Ilir Shaqirit të shquhet për origjinalitet dhe qasje autentike. Ai e dashuron këngën, vargun e saj kuptimplotë, duke aspiruar të njëzohet në tërësinë e vargut dhe të përmbajtjes.
Në këndimin e tij shquhet një dozë e hetuar e këndimit të hershëm të rapsodive, dozë e përpunuar me kohë, duke thithur nga ajo nektarin dhe duke i dhënë këngës liri, fuqi djaloshare e burrërore, duke e vënë në shërbim të çështjes, duke e bërë pjesë të historisë, e më në fund duke e endur nëpër jetëshkrimet e dëshmorëve në të gjitha frontet e luftës tonë çlirimtare dhe fitimtare.
Këngëtari i mirënjohur Ilir Shaqiri, tashmë ka krijuar stilin e vet autentik, dhe çdo këngë e tij shquhet për specifika dhe tonalitet të pastër burimor, shquhet mbi të gjitha për fuqinë mobilizuese kombëtare, fuqinë Ademjasharjane të shprehjes artistike, në këndimin e këngëve të trimërisë.
Këngët e Ilir Shaqirit për veç forcës mobilizuese, që është tipari dallues dhe origjinaliteti i tij autentik, shquhet edhe për çiltëri, muzikalitet, ritmikë dinamike, elokuencë në shqiptimin e tingujve, shquhet për fjalë e melodi që burojnë nga zemra e njëzuar me fuqinë burrërore në interpretimin sidomos të temave historike ashtu edhe në përmbajtjet retorike e moralizuese.
Zëri i tij i fuqishëm, i jep këngës gjallëri dhe forcë prometejane, forcë të qëndresës tipike shqiptare. Në këtë aspekt kënga e Ilir Shaqirit është këngë tipike shqiptare, këngë e kohës sonë, këngë e cila është segmentuar me përmbajtje të vetë historisë sonë kombëtare e shoqërore në njëzet vitet e fundit.
Shkurte Fejza dhe Ilir Shaqiri paraqesin binomin fenomenal të këngës sonë, binom që ka përjetësuar aspiratën e lirisë në këngë, duke zgjedhur me mjeshtëri nga nektari shumë i pasur i këngës shqipe, e cila dikur ka reflektuar dhe ka pasur një shtrirje në këngët e të gjithë popujve të Ballkanit.
Tablotë me piktura ku janë skicuar shqiptarët duke kënduar si në Greqi, në Serbi në Bullgari e në Turqi, na bëjnë të kuptojnë se kënga shqipe, si ajo solo, ashtu edhe ajo polifonike kanë mbjellë një farë, e cila nuk shkulet dot nga tradita e këngës së popujve të Ballkanit. Andaj kur sot dëgjojmë këngë të kënduara nga yjet e këngës arvanitase në Greqi, Thomas Moraiti, Alekos Dhima, e të tjerë kur dëgjojmë këngën origjinale të arbëreshëve të Kalabrisë, nuk ka si të mos na dalin para sysh ato tablotë e piktorëve më të mëdhenj botërorë të shekujve të kaluar si: Jaen Baptiste Vanmur, Jean Huysmans, Viande Liebig, Paja Jovanoviq e të tjerë, të cilët kanë krijuar tablo të ndryshme me motive nga këngëtarët shqiptarë, ose tablo të shqiptarëve duke kënduar e duke vallëzuar.
Iliri dhe Shkurta me këngët e tyre kanë begatuar sfondin e këngës shqipe, me këngë origjinale, të cilat kanë ushtruar dhe po ushtrojnë ndikim në përhapjen e këngës origjinale shqipe në kohën e një konkurrence marramendëse të shundit folklorik me përmbajtje nga këngët turke greke e sllave, të cilat mjerisht sikur po ia zënë frymën këngës së pastër shqipe, e cila po kultivohet me vështirësi, për shkak të përhapjes pa fre të këngëve të huaja me fjalë shqipe.

Një formë të veçantë dhe shumë origjinale të këndimit epiko- heroik parqet edhe kënga e këngëtares së mirë njohur shqiptare, Dava Gjergji.
Kjo këngëtare e veriut të Shqipërisë ka kultivuar një përmbajtje të tipike të këndimit heroik, burrëror, karakteristikë e rapsodive të pasura të veriut të Shqipërisë etnike, që shtrihet nga Mirëdita, në Malësinë e Madhe, në Krajë e Shestan, në Plavë e Guci dhe që arrin në viset më të thella veriore të Kosovës.
Për dallim nga Shkurte Fejza, e cila e kursen këngën nga timbri i fuqishëm burrëror, apo nga Fitnete Rexha, e cila e bën tepër të ndjeshëm përkushtimin femëror të këngës, Dava Gjergji e fuqizon timbrin burrëror, për të nxjerrë në sipërfaqe stilin autentik të këndimit. Me subtilitetin e zërit melodik, ajo e pushton në tërësi mënyrën e këndimit epiko- heroik.
Zëri i saj i çiltër dhe shqiptimi i pastër i tingujve e rrokjeve shpërthejnë natyrshëm ashtu si ujëvare që del nga burimi, për më tepër zëri i saj buçitës përmblidhet si krismë e thekshme e pushkës, në përpjekje për të shpërthyer si këngë-revoltë gjithëpopullore, e cila vazhdimisht ka shpërthyer gjatë shekujve të gjatë të robërisë.
Këndimi i Dava Gjergjit të sjellë në kujtesë përfytyrimin mbi gjenin burrëror dhe heroik të femrës shqiptare, që nga Teuta e Daorta, Vojsa e Donika Kastrioti e deri te Nora e Kelmendit e Shote Galica.
Paraqitja e saj para publikut është më se dinjitoze.
Veshja karakteristike kombëtare, të cilën ajo nuk e tradhtoi për asnjë moment, prezantimi serioz në skenë, zëri pushkë dhe krejtësisht i shpengueshëm, (i ngjashëm me përfytyrimin poetik popullor për Shtojzavallet e legjendave shqiptare), përbëjnë një tërësi magjepse të këndimit autentik, që buron nga e kaluara e largët, e cila ka mbijetuar nga shekulli në shekull dhe në një trajtë autentike ka arritur deri në ditët tona, falë përkushtimit që kanë treguar këngëtarët e njohur shqiptarë në të gjitha epokat e historisë sonë tragjike por edhe heroike.
Dava Gjergji ka kënduar edhe një dyzinë këngësh për dëshmorët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, këngë të cilat admirohen nga dëgjuesit e shumtë të kësaj pjese të atdheut.
Qasja e kësaj këngëtareje ndaj këngës është shumë serioze dhe tejet e përkushtuar. E rritur dhe e edukuar në një rreth familjar dhe shoqëror ku janë ruajtur me fanatizëm vlerat e mirëfillta kombëtare, ajo mbase e trashëgoi, por edhe i dha fuqi dhe e përparoi jehonën më të çiltër të këngës heroike shqiptare, të asaj kënge e cila e kishte mbajtur gjallë kujtesën kombëtare, kishte frymëzuar brezat për qëndresë dhe ruajtje të dinjitetit dhe integritetit shpirtëror e kombëtar.

Thanas Moraiti

Një këngëtar tjetër, ende jo sa duhet i njohur i botës së muzikës shqiptare është arvanitasi, Thanas Moraiti, i lindur dhe i rritur në një mes arvanitasish, në fshatin Vaje të Greqisë.
Kënga e tij autentike, edhe pse shumë shekuj e shkëputur nga bota muzikore shqiptare, ka ruajtur në tërësi solo këndimin e dikurshëm autentik të arvanitasve, popullatë kjo e cila dikur përbënte një të katërtën e Greqisë.
Thanas Moraiti dhe Alekos Dhima kanë sjellë në muzikën shqiptare nota krejtësisht të reja të këngës sonë të dikurshme, e cila mrekullisht është ruajtur gjatë shekujve dhe ka arritur ndër ne në formën e tanishme të këndimit, duke u ruajtur nga helenizimi i fuqishëm asimilues.
Kënga e Kostandinit, apo kënga e Kapedan Thomait, kënduar nga Thanas Moraiti na kthejnë në kujtesë mënyrën e këndimit arkaik të baladave shqiptare të mesjetës, e ndoshta edhe mënyrën e këndimit të këngës shqipe të shekujve më të hershëm.
Ai, në këndimin e tij ka sintetizuar elementet e pasura të folklorit burimor arvanitas, traditë kjo mjaft e pasur në formë dhe përmbajtje, por jo sa duhet e njohur për botën shqiptare në tërësi.
I rritur dhe i edukuar në një oazë të pasur gjuhësore, folklorike e dokesore, ai ka arritur të vjelë nektarin e këngës, duke e pasuruar qoftë me përmbajtjen dhe mënyrën autentike të këndimit, qoftë me ritmin dhe melodinë magjepse, që përcjellë këngët e tij antologjike.
E veçanta e këndimit të këtij këngëtari dhe artisti të famshëm hetohet në përkushtimin e tij të thellë ndaj këngës, në njëzimin e tërë qenies me këngën, shqiptimin e kuptueshëm të tingujve e rrokjeve, e mbi të gjitha me ngjyrat specifike të zërit të pasur me tone të një ritmike harmonike, ku fjala shkrihet në tingull, ku melodia buron nga thellësitë e shpirtit.
Moraiti, paraqet një antologji të veçantë të këngës shqipe, të këngës arvanitase, e cila falë meritës dhe përkushtimit të tij dhe të disa intelektualëve arvanitas, edhe pse me një fond të vogël, ka arritur deri në ditët tona.

Këta katër yje të ndritshëm të këngës shqipe: Iliri, Shkurta, Dava dhe Thanasi, në mesin e shumë yjeve të këngës shqiptare dallojnë me disa specifika origjinaliteti nga shumë këngëtarë të tjerë, po ashtu meritorë e mjaft të njohur dhe shumë të çmuar.
Për mendimin tim këta katër këngëtarë meritorë dallojnë në radhë të parë me përkushtimin dhe seriozitetin që kanë treguar dhe po tregojnë ndaj këngës. Dallojnë me dhuntitë që u ka falur natyra në këtë drejtim. Dallojnë me afshin e pashuar për këngën, të cilën e dashurojnë si gjënë më të shtrenjtë dhe së cilës iu kanë përkushtuar përjetësisht.( A.Q.)

 

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …