leoni

Prof. assoc. dr. Sabit Syla: Fazli Berani, (1875 - 1954) veprimtar i dalluar në Lëvizjen Kombëtare

Prof. assoc. dr. Sabit Syla: Fazli Berani, (1875 – 1954) veprimtar i dalluar në Lëvizjen Kombëtare

 Drenica dhe rrethinat e saj janë pjesë e trungut etnik shqiptar. Ajo ka  një të kaluar të pasur me ngjarje e personalitete të rëndësishme historike, që nga kohërat me të hershme e deri në ditët e sotme. Popullsia e asaj treve shqiptare me traditë e qëndresë aktive kundër pushtuesve të huaj, përgjatë historisë ka dhënë një kontribut të veçantë, duke zënë kështu një vend të rëndësishëm në historinë e popullit shqiptar. Në mesin e shumë atdhetarëve që i dha Drenica kombit shqiptar e që u gjendën në ballë të qëndresës politike dhe ushtarake, pa dyshim është edhe Fazli Berani, i cili zë një vend të merituar si patriot dhe luftëtar i pa kompromis i çështjes kombëtare shqiptare. Puna dhe vepra e tij e gjatë atdhetare, në shërbim të përpjekjeve për çlirim e bashkim kombëtar e krijuan këtë personalitet, emri i të cilit rreshtohet midis figurave të shquara të kombit shqiptar.

Fazli Berani i lindur më 1875 ishte birë i një familje atdhetare me tradita kombëtare nga Klina e Epërme e Skenderajt, familje kjo e ardhur nga Lugu i Baranit. I ati, Meta (i biri i Hysenit) qe vrarë më 1877 afër Nishit, në luftë me forcat e armatosura të princit Serbisë, Millan Obrenoviqit. Meta la katër djem dhe një vajzë: Smajli, Ibrahimi, Sadriu, Hyseni, Fazliu dhe bija Hamidja. Smajli dhe Ibrahimi ishin ushtarë të mbretit Turqisë, ku dhe mbetën të vdekur atje. Ndërkaq, në tetor te vitit 1912, në luftimet me forcat serbe mbetën të vrarë si luftëtarë për liri edhe dy vëllezërit tjerë të Fazliut, Sadriu dhe Hyseni. Në këtë mënyrë kishin qenë rrethanat e krijuara të kohës që kishin aktivizuar tërë familjen në mbrojtje të interesave kombëtare. Edhe Fazliu qysh në moshë të re, u kalit dhe u vu në mbrojtje të atdheut. I mbetur pa babë e vëllezër nuk pati kohë për lojëra e gëzime rinore. Herët ia ngjeshi armët brezit e u shqua si veprimtar i denjë  për çështjen e formimit e konsolidimit të shtetit shqiptar dhe përfshirjes së të gjitha trojeve shqiptare brenda kufijve të një Shqipërie, rrugë kjo e ndjekur nga i ati dhe vëllezërit e tij, të cilët edhe u flijuan për këtë ideal. Edhe veprimtaria e Fazli Beranit gjithnjë u lidh me çështjen aktive të kombit dhe aktivitetin e tij e filloi të prirur nga tradita familjare e të lidhur ngushtë me atë mori atdhetarësh që vepronin në atë kohë si: Hasan Prishtina, Hoxhë Kadri Prishtina, Bajram Curri, Shaqir Smaka, Azem e Shote Galica, Kamer Loshi, Dan Deroci, Emin Lati, Mursel Ahmeti-Delia etj.

Në dekadën e parë të shek. XX Lëvizja Kombëtare Shqiptare shënoi një rritje të gjithanshme e veprimtaria e Fazli Beranit në Kosovë qe më aktive se kurrë. Këtë e dëshmon veprimtaria e tij e denjë në Lëvizjen e fillim shekullit XX e njohur ndryshe në historiografinë e deritanishme shqiptare edhe me emrin si “Lëvizja Kaçake”. Fazli Berani, radhitet ndër personalitetet kryesore të Kreut të Çetës së Lëvizjes (Lëvizjes Kaçake), pavarësisht kontradiktave dhe divergjencave të mëdha që paraqiten të kjo Lëvizje, sa i përket themelimit dhe udhëheqësve të parë të saj1. Emri i tij radhitet si përfaqësues i Kreut të çetës luftarake së bashku me Shaqir Smakën, Fekë Bajramin dhe Imer Binakun2, si dhe “këshilltarë i parë i Azem Bejtes – udhëheqës çete” 3, e njeriu më autoritativë në Lëvizje, si burrë i urtë, i mençur, largpamës, bujarë e vizionarë me zë. Në periudha të ndryshme kohore është shquar si udhëheqës  aktivë nder beteja të shumta luftarake ndaj ushtrisë turke, serbe,     austrohungareze, bullgare, si dhe ndaj bashkëpunëtorëve shqiptarë të cilët ishin vënë në shërbime serbe e të cilët në atë kohë ishin të njohur me emrin si hafi.

Në vitin 1910 Fazli Berani, me përvojën e traditës luftarake, punoi për përgatitjen e kryengritjes së madhe të Kosovës si dhe për zbatimin e vendimit të Kuvendit të Verrat e Lluges (buzë Bistricës së Deçanit), si dhe u aktivizua për pajtimin e gjaqeve dhe lidhjen e besës. E kur trupat e Shefqet Turgut Pashës kaluan gryken e Kaçanikut, ishte ndër luftëtarët e shumtë që kishte ngritur priten gjigante të Grykës së Carraleves e më 1912 po ashtu mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme antiosmane të vitit 1912 si dhe u ndodh ndër 12 mijë luftëtaret e Rrafshit të Dukagjinit që rrethuan Prishtinën4. Po ashtu Fazli Berani qe i pranishëm nder shume beteja të përgjakshme luftarake ndaj ushtrisëserbe, ku u dallua si luftëtar dhe njohës i mirë i strategjisë ushtarake. Çeta nën drejtimin e tij ka luftuar në fshatrat: Klinë, Çubrel, Kërrninë, Radishevë, Kotorr, Broboniq, Prekaz, Gradicë, Qyqavicë, Gjurgjevik etj. Në vjeshtën e vitit 1913, kur xhandarmëria dhe ushtria serbe e rrethuan shtëpinë e Shaqir Smakes*, në fshatin Kastriot dhe kërkuan që të dorëzohet, kërkesë kjo e cila u refuzua, qe i pranishëm edhe Fazliu5. Po ashtu, në rrethimin që u bë nga forcat serbe në fshatin Çubrel me ç’rast u rrethua kulla e Latif Smajlit*, qe i pranishëm Fazli Berani së bashku me shokët Shaqir Smaka e Azem Bejta dhe pas një përleshje të armatosur që u bë me xhandarët serbë, u qa rrethimi i forcave pushtueseserbe6. Ndërkaq me luftëtarët si Xhemë Terrnafcin, Mehmet Delinë etj., në janar të vitit 1920, zhvilluan një luftë të rreptë me forcat pushtuese serbe në fshatin Gradicë, forca të cilat kishin rrethuar Azem Bejten7.

Si njeri i afërt i Azem Bejtes-këshilltar, udhëheqës e njëri nderë personalitetet më autoritativ në Lëvizje, Fazli Berani me të dëgjuar për vrasjen e familjes së Azem Bejtës nga xhandarmëria serbe i cili i mërzitur shumë dhe gjaknxehtë kishte thënë: “due me i hyre prej Pantine deri ne Prelluzhe, e kah te muj, xhandar e mynafik, kah të muj due me i kallë flakë. Ashtu, qysh po jau bane atyne si pushtet, me vra gra e thmi, ma bane edhe mue me i vra e me i kalle ata”, Fazli Berani i kishte thënë me këtë rast “Azem, ti nuk duhet me bë kështu. Bash si janë pre robët tu, ti duhet me ba gajret shumë”8.

 

Fazli Berani si një figure e ndritur e Lëvizjes, mori pjesë si delegat nga Drenica në punimet e Komitetit Mbrojtja Kombëtare të Kosovës.9 Fazliu si përfaqësues përqafoi vendimet e dala nga ky Komitet i kryesuar nga Hoxhë Kadriu, për t’u ardhur në ndihmë kryengritësve kosovarë përmes Programit 10 pikësh, në të cilën spikaten edhe çështjet kryesore të kryengritjes së përgjithshme të Kosovës më 1919:

Asnjë kryengritës nuk guxon t’i dëmtoje shkiet e vendit veç atyre që qëndrojnë me armë në dorë kundër qëllimit shqiptar.

Asnjë kryengritës nuk guxon të djegë shtëpia, të rrënojë kisha e gjera të tjera.

Plaçka është jasak (e ndaluar) e kryengritjes.

Asnjë kryengritës nuk guxon të bëjë ndonjë shëmtim mbi trupat e të vrarëve të armikut, as t’i zhvesh ata armiq qe vdesin a plagosen ose që zihen robër.

Veprimi më i gjallë është kundër ushtrisë, xhandarmërisë, kundër komitëve te armikut që kundërshtojnë me armë në dorë edhe në kjoft se armiku bënë mizorinë shqiptarëve pa armë verte, I, II, III, IV, kanë për tu përmbajte plotësisht e rreptësisht.

Një tradhtar që kundërshton luftën krahas me armikun ose veç është kundër qëllimit shqiptar, ka për t’u vrarë pa gjyq e pa afat e kushdo që të jetë. Por, një tradhtar pa arme ne dore ka për t’u gjykuar para gjyqit te kryengritjes (pas) e ka për t’u dënuar mbas dokumentesh e jo me përralla të hallkut.

Me te zbatuarit e jo me te çliruar te një katundi serb, shkiet e vendit, ashtu edhe çarshia te ruhen me njerëz, besnikëria e kryengritjes te ndjeke armikun pa afat e pa bjerrë asnjë dakikë neper qytet e neper katunde.

Kot e pa nevoje, as gjaku i popullit tone as gjaku i armikut, s’ka pse te derdhet. Por aty ku është nevoja një kryengritës nuk guxon te kurseje aspak gjakun e vet.

Aeroplanët, konsullatë e çka i përket këtyre ka për t’u ruajtur me njerëz me besnike e me te marre vesh.

Te vrarët shqiptare s’kanë për t’u shti ne dhe derisa te vije një komision i huaj. Mizoritë e bëra prej armikut kane për t’u shënuar

dhe për t’iu dëftuar Evropës e Amerikës10.

Pas aprovimit të këtij programi Fazli Berani qe drejtues i grupeve të luftëtarëve të lirisë i cili mbante lidhje me Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”11. Ndërkaq pas vitit 1918 Fazli Berani u bë ndër drejtuesit kryesorë tëçetave kryengritëse të Drenicës, te cilat luftonin po ashtu nën drejtimin e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”12, kundër politikes së Mbretërisë Serbo Kroate Sllovene. Në aksionin për kryengritje më 6 maj të vitit 1919, që filloi duke sulmuar Deviçin si qendër administrative e rrethit të Drenicës, në ballafaqim të drejtpërdrejtë kundër forcave armike, ku morën pjesë afro 1000 luftëtarë, për trimëri të rrallë u shqua sidomos  Fazli Berani. Ndërkaq në mesin e muajit maj mbi Rrafshin e Dukagjinit u takuan grupet e çetave kryengritëse shqiptare përballë monarkistëve serbë, Azem e Shote Galica se bashku me  Fazli Beranin, Mursel Ahmetin etj., udhëhiqte Shtabin e Drenicës13.

Në nëntor të vitit 1920, kur Azem Bejta me pesëmbëdhjetë shokë u nisë për Shkodër, si përgjegjës kryesor për strehimin e shokëve tjerë të luftës dhe mbrojtjen e popullit kishte emnuar Fazli Beranin së bashku me Dan Derocin e Lutë Gllanasellen. Madje Azemi me tu nisur për Shkodër i kishte porositur: “se në qoftë se nuk i ndreqim diçka, vi unë tek ju, e në qoftë se jo, vini ju atje, kështu grup siç jeni”. Dhe mbasi Azemi nuk u kthye, një grup prej 50 vetash u nisë për Shqipëri në krye me Fazli Beranin, te cilët shkuan në Shkodër dhe u takuan me Azemin e shokët tjerë14. Po ashtu Fazliu ishte “shoqërues i Shotë Galicës e vëllait të saj Meti”15, që me shumë bashkëluftëtarë shkuan dhe u vendosen në Shkodër.

Në pranverë të vitit 1922, grupi i luftëtarëve të Azem Bejtes, Fazli Berani, Xhemë Terrnafci, Mehmet Delia etj., kaluan në zonën neutrale të Junikut dhe u takuan me udhëheqës të çetave të tjera, si Mehmet Konjuhi, Kerin e Sadri Bardhit, Sadik Ramen etj., dhe u strehuan në kullat e Batushës e në qershor xhandarmëria dhe ushtria serbe filloi sulmin ndaj tyre me arsenal luftarak (topa)16.

Fazli Berani u shqua edhe për kontributin e tij të dhënë në formulimin dhe parashtrimin e kërkesave që përfaqësuesit e kryengritësve u paraqiten të dërguarve të autoriteteve jugosllave në bisedimet e tetorit të vitit 1921 në Mitrovicë. Edhe në bisedimet qe u mbajtën në një lendinë të fshatit Polac më 1923, me palën serbe të përberë prej 12 vetash e të kryesuar nga Mihailo Ceroviqi, qe pjesëmarrës Fazliu së bashku me Azem Bejten, Shaban Mangjollin, Bajram Terrnafcin etj.17 Fazliu mbrojti gjithnjë pikëpamjen se “paqja në trevat shqiptare në Jugosllavi mund të arrihej vetëm me ndërprerjen e politikes shoviniste ndaj popullsisë shqiptare dhe me njohjen e së drejtës së saj të ligjshme për vetëvendosje”18. Në bisedimet e zhvilluara të Azem Bejtes dhe disa krerëve të tjerë në Mitrovicë me Mihajo Ceroviqin, Gig Bozheviqin etj,. për të vendosur një lloj marrëveshje dhe qetësie me kryengritësit, si pjesëmarrës edhe Fazliu palës serbe iu parashtruan këto kërkesa:

Të njihet e drejta e popullit shqiptar të Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë.

Të ndalohen menjëherë vrasjet, djegiet dhe plaçkitjet kundër shqiptarëve.

Të ndalohet grabitja e tokave të shqiptarëve, ardhja e kolonistëve serbë e malazeze dhe dëbimi i shqiptarëve jashtë vendit.

Të ndalohen operacionet ndëshkuese të ushtrisë kundër shqiptarëve nën pretekstin e marrjes së armëve dhe ndjekjes se çetave.

Të lejohet hapja e shkollave shqipe.

Gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare dhe nëpunësit e huaj të zëvendësohen me nëpunës shqiptarë.

Të ndalohet burgimi dhe internimi i familjeve të luftëtarëve të çetave dhe të atyre që i përkrahin çetat.

Të ndalohet ndjekja e çetave shqiptare dhe të gjithë ata që ndiqen të mbrohen nga çeta19.

Po ashtu Fazli Berani së bashku me Bajram Deline e Terrnafcit, me pëlqimin e çetës dhe të Azem Bejtes shkuan për bisedime edhe një herë të Ceroviqi, por nuk u arrit te lidhej asnjë lloj marrëveshje20. Prefekti i qarkut të Zveçanit lidhur me këtë informonte Beogradin se këta dy bashkëpunëtorë të Azem Galicës janë dorëzuar, mirëpo, ata qysh të njëjtën ditë u kthyen në çetë, gjë që tregon se ky raport nuk ka qenë i saktë21.

Fazli Berani edhe në zhvillimet politike të Shtetit Shqiptar, u shqua me veprimtari të tij. Ai ishte përkrahës i pozitës liberal-demokrate e gjatë ditëve të triumfit të opozitës në qershor 1924 ai luftoi nën komandën e Bajram Currit në Krume, në Bicaj, në Kalanë e Dodes, në Peshkopi etj22. Ndërkaq pas vrasjes së Azem Bejtës më 1924 në Kosovë, vijoi aksionet luftarake në krye të luftëtarëve të Drenicës së bashku me Mehmet Delinë dhe Shote Galicën deri në fund të vitit 192623, si dhe shoqëroi Shotën të plagosur nga Kosova në Fushë-Krujë. Në tetor të vitit 1926, Fazliu u detyrua të largohej nga Kosova dhe u vendos në Derven të zonës së Krujës, ku qëndroi deri në prill të vitit 1941, kur u shkatërrua Mbretëria Serbo-Kroate Sllovene nga Gjermania Naziste. Fazli Berani u rikthye në Kosovë si shumë patriotë të tjerë si dhe e priti me entuziazëm pushtimin e Jugosllavisë, ku shqiptarët kishin qenë të diskriminuar në kuadër të asaj krijese artificiale të Versajës. Gjatë Luftës së Dytë Botërore simpatizoi lëvizjen antifashiste. U zgjodh kryetar i komisionit të Krahinës së Drenicës për pajtim të mosmarrëveshjeve të ndryshme familjare, gjaqeve etj. Me përfundimin e Luftës disa pushtetarë të kohës i ofruan prona toke e vila luksoze në Drenicë e Prishtinë të cilat i refuzoi dhe u vendosë në vendin e tij të lindjes, në skajin verior të lagjes së Beranëve, rrëzë pyllit. Deri në vdekje më 1954 nga populli i Drenicës e më gjerë u respektua me epitete të tilla si: baba Fazli, agë, kuvendar, gjyqtar popullor e pajtues i shumë gjaqeve. Po ashtu edhe në poetiken popullore qe shumë i dalluar si nga krijuesit popullorë, bashkëkohësit e bashkëluftëtarët e tij.

Fazli Berani për veprimtarinë e tij atdhetare e kombëtare është dekoruar nga ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sali Berisha me, “Urdhrin për Veprimtari Patriotike të Klasit të Parë”24.

Literatura e referencat:

1 Sabit Syla, Vështrim mbi Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Drenicës, revista, “E Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike-(7), Prizren-Ferizaj”, 2009, f. 503

2 Islam Dobra, Krerë dhe prijës të Lëvizjes Kombëtare nga Drenica, prej gjysmes se shekullit XIX deri pas Luftës së Dytë Botërore,Prishtinë,1996, f. 161

 3 Limon Rushiti, Kujtime për Lëvizjen Kaçake, Prishtinë, 2003, f. 52

4 Marenglen Verli, Nga Kosova për Kosovën, Profile biografike personalitetesh dhe luftëtarësh të shquar, vëll. i parë, Tiranë, 2006, f. 206-207

* Shaqir Smaka ishte një ndër  themeluesit e Lëvizjes Kaçake në Drenicën veriore., madje në disa studime historike, emri i tij përmendet edhe si kryekomandant i çetave luftarake para Azem Bejtë-Galicës në Lëvizjen Nacionalçlirimtare.

5 Islam Dobra, Vepër e cituar…, f. 158

* Gruaja e Fazli Beranit-Raza, ishte vajza e Latif Smajlit të Çubrelit.

6 Islam Dobra, Vepër e cituar …, f. 164

7 Bedri Tahiri, Azem Bejtë Galica, Prishtinë, 2005, f. 86

8 Limon Rushiti, Vepër e cituar…, f. 172

9 Demir Ahmetaj, Lëvizja Kombëtare-Kaçake në Drenicen Veriore nën udhëheqjen e Shaqir Smakes dhe Azem Bejtes, Prishtinë, 1996, f 88; 111

10 Limon Rushiti, Lëvizja kaçake në Kosovë 1918-1928, Prishtinë, 1981, f. 94-95

11 Jetish Kadishani, Sadik Rama-Gjurgjeviku (1872-1944), Prishtinë, 2003, f. 414

12 Marenglen Verli…, Vepër e cituar, f. 207-208

13 Jetish Kadishani…, Vepër e cituar, f. 169

14 Limon Rushiti, Vepër e cituar…, f. 173

15 Bedri Tahiri, Vepër e cituar…, f. 94

16 Fazli Hajrizi, Halit Ahmeti-ndërlidhës i Lëvizjes Kombëtare për çlirim në Podgur, Drenicë dhe Shalë të Bajgores, revista, E Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë etnike-(6), Prizren-Istog (Burim), 2007, f. 392

17 Xheladin Shala, Aktiviteti i Shotë Galicës në vitet 1918-1924, vepra, “Shotë Galica heroinë e kombit”, Instituti i Historisë-Prishtinë, 2003, f. 179

18 Marenglen Verli, Vepër e cituar…, f. 208

19 Ajet Haxhiu, Shote dhe Azem Galica, Tiranë 1976, f. 89-90

20 Bedri Tahiri, Vepër e cituar…, f.102

21 Nezir Qitaku, Drenica në shekuj, Ulqin 2007, f. 225

22 Marenglen Verli, Vepër e cituar…, f. 208

23 Demir Ahmeti, Vepër e cituar…, f. 105

24 Dekreti Nr. 435, dt. 26. 01. 1993.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …