Mehmet Bislimi: Historia e Kullës së Tahir Mehës

 


Kullat tona në përgjithësi, te ne (në mungesë të institucioneve të mirëfillta që ishin nën diktat të pushtuesit), kanë luajtur rol shumë pozitiv në kontributin e ngritjes së vetëdijes sonë qytetare, kombëtare, por edhe edukative, madje kanë mbajtur gjallë frymën tonë liridashëse dhe atë të besës e traditës sonë. Në themelet e kullave tona legjendë, kanë zënë fill shkëndijat e lirisë sonë kombëtare, ato shekuj me radhë kanë ruajtur dhe kanë bërë frymëzimin tonë për të qenë të lirë e sovran në tokat tona.

Ekzistojnë tri faza të përjetësimit të kullave tona:
– Kullat fortifikatë, që kemi shembuj të shumtë në historinë tonë.
– Kullat Legjendë, që janë përjetësuar nga sakrificat tona heroike për liri.
– Kullat Muze, ku ruhet meritueshëm historia jonë e bujshme ndër shekuj.

Krahasueshëm me shoqet e saja qëndron kryelartë edhe kulla e Tahir Mehës. Kjo kullë me simotrat e saja si kulla e barotit të Oso Kukës, Ali Pashë Tepelenës, Haxhi Zekës, Sulejman Vokshit, Kamer Loshit, Zhujë Selmanit, Nak Berishës, Ahmet Delisë, Shaqir Smakës, Azem Bejtës Galicës, Shaban Polluzhës, Mehmet Gradicës, Tahir Mehës, Shaban Jasharit e dhjetëra kullave tjera më me zë ndër ne.

Kulla e Tahir Mehës

Edhe kulla e Tahir Mehës ka historikun e vet, sa të dhimbshëm, por edhe krenar e kryelartë. Kjo kullë së bashku me kullat tjera të rezistencës sonë kombëtare, deri te kulla e Komandantit Legjendar Adem Jashari, bënë historinë tonë duke nxjerr nga gjiri i tyre luftëtarët me të denjë të lirisë. Sigurisht se themelet e saja datojnë që nga stërgjyshërit e largët të Tahir Mehës, pra që nga prindërit e Mehës së pare. Mirëpo. pas djegies së saj nga ushtria e Aqif Pasha Turgutit e deri te djegiet pasuese që ia bënë asaj nga xhandarmëria e Serbisë së parë, menjëherë pas kongresit të Berlinit. Kështu që në Kosovë filloi fushat e vrasjeve dhe djegieve të qendrave tonë të rezistencës që kryesisht organizoheshin dhe mbaheshin nëpër kulla ku merreshin vendime të mëdha historike për popullin shqiptarë, si në kullën e Ahmet Delisë, ku Hasan Prishtina kishte mbledhur parinë e Drenicës për të marrë vendime të prera për një kryengritje të përgjithshme kundër pushtuesit Serb.
Pas djegies së kullës së Mehës së parë dhe ngritjes së saj të sërishme, ajo ishte djegur prapë nga Serbia e Karpateve.
Emin Lati me shokë, merr vendimin që kullën e legjendës ta rindërtonin përsëri , që në vitin 1913, punimet për ngritjen e kullës vazhduan dhe kulla ishte gati për banim në pranverë të vitit 1916.
Në ngritjen e saj kontribuan lagjja Mehaj, miqtë dhe shokët e bashkëluftëtarët e Emin Latit, gjyshit të Tahir Mehës.. Në pranverën e viti 1916 përurimin e kullës e bënë bashkëluftëtarët e Emin Latit, atëbotë Shaqir Smaka, Azem Bejta, Mehmet Delia, Fazli Berani, Rifat Banjska, Shaban Manxholli, Mursel Delia, Xhemë Ternavci, Halit Bajrami, Bajram Zena, Lim Qerimi e dhjetëra bashkëluftëtarë tjerë të Emin Latit.

Në këtë kullë kanë bërë konak dhjetëra figura të larta kombëtare, ku janë marrë vendime të rëndësishme kombëtare si: Hasan Prishtina, Azem Bejta, Mehmet Delia, Shaban Polluzha, Mehmet Gradica e deri te Shaban Jashari me dy të bijtë. Këtu kanë gdhirë net të tëra burrat e dheut, duke qarë hallet e vatanit!
Kulla e Emin Latit ishte djegur prapë në vitin 1945, nga Çetniko komunistët Jugosllav. Serbia familjen e Emin Latit – Mehaj e kishte pengesë të vazhdueshme, prandaj filloi fushatën kundër saj, por tani me metoda më të sofistikuar duke e goditur atë në brezin pasues! Nebih Meha, ishte bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës, dhe pasi që kishte shpëtuar gjallë, filloi zbatimi i masave kundër familjes së Emin Latit. Në fakt kullën e djegur me 1945 e ngritën prapë lagjja Mehaj me vet kontributin e tyre- mbase jo në atë arkitekturë që kishte më parë, ngase pushteti komunist i Jugosllvit nuk i lejoi. Me 13 maj 1981, kulla e Tahir Mehës digjet serish po nga pushteti serb për t’u kthyer tani më në Kulla Legjendë e Tahir Mehës nga Prekazi. Origjina e Mehës së parë Që nga Meha i parë i cili në luftime të rrepta me xhandarmërinë Serbe, bie heroikisht me 1912 në fshatin Kollë, aty plagosët rëndë edhe i vëllai i Mehës, Emin Lati i cili i vazhdon përpjekjet e tij për liri në radhët e çetës së Azem Bejtë Galicës. Ndërkaq më pastaj i biri Nebihu vazhdon përpjekjet për liri të atdheut si bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës.
Me 1951, UDB-ja e atëhershme Jugosllave fillon persekutimet kundër familjes së Emin Latit, duke e izoluar atë ekonomikisht dhe politikisht. Kështu, me 1951 ia arreston dhe dënon me vite burg të rëndë, Mehmetin, djalin e vogël të Eminit. Me 1959, ia arreston dhe dënon me vite burg të rëndë në Goli-Otok, edhe djalin e madh të Nebihut, Beqirin. Reprezaljet e pushtuesit serbosllav kundër Mehajve nuk pushuan me kaq, me 13 maj 1981, Policia dhe Ushtria Jugosllave, rrethojnë kullën e Tahir Mehës dhe vrasin Nebih e Tahir Mehën, babë e birë, ua djegin atyre kullën dhe plagosin rëndë vajzën e mitur të Tahirit.
Në këto luftime, pushteti i atëhershëm Jugosllav mori një leksion të mirë nga Tahiri dhe Nebihu.
Origjina e Emin Latit – Mehaj, po ringjallej, si Feniksi. Rrugën e lirisë së atdheut në radhët e UÇK-së i vazhdoi Beqiri , i cili ra heroikisht me pushkë në dorë në fushën e nderit më 1999. Plagoset i biri i tij, Enveri, ndërkaq stërnipi i Emin Latit- Plak, sot Emin Lati- i ri, bartë me nder petkat e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, i cili edhe pse në moshë të re atëbotë, po ashtu pa hezitim ishte bashkangjitur radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të udhëhequra nga Komandanti ynë Legjendar, Adem Jashari.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …