Kadri Rexha: AMANET BREZ PAS BREZI

 


( Hydajet Hyseni: “Pushka amanet“, poemë, botoi “Zëri i Kosovës”, 1989)

“Pushka amanet” e autorit Hydajet Hyseni i posedon të gjitha komponentet e krijimit artistik letrar, që e bëjnë të dashur dhe të përjetshëm në kujtesën e lexuesit, sidomos të lexuesit të moshës së rinisë, të cilëve edhe u dedikohet. Në këtë drejtim, në mënyrë të veçantë, ndikon tema aktuale kohore, e jetuar gjallërisht nga brezi ynë, si dhe ideja militante revolucionare e poemës, që të dyja së bashku të realizuara me sukses: thjeshtë dhe qartë. Pastaj poema vjen nga Hydajet Hyseni, nga njeriu, atdhetari, mendimtari, veprimtari, organizatori, ilegali dhe nga publicisti i talentuar, talentin e të cilit sot po e brenë ngadalë terri dhe ritimi i burgjeve mesjetare jugosllave, me çka ai e karakterizoi bindshëm figurën e personalitetit të pastër, atdhetarit të shquar i cili asnjëherë nuk e ndau fjalën nga vepra.
Tema e poemës “Pushka amanet” nxjerr në pah synimin e Hydajet Hysenit për të pasqyruar realitetin kosovar në artin letrar. Në këtë aspekt pena e Hydajet Hysenit i bashkohet plejadës së shkrimtarëve përparimtarë të Kosovës së robëruar, të cilët, me flijime mbinjerëzore, po gjejnë forma dhe po krijojnë nën peshën e rëndë plumb të cenzurës së pushtetit gjakatar. Në poemë autori e trajton Aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve në Kosovë gjatë dimrit të egër të viteve 1955-56 me të gjithë dhunën dhe terrorin e pushtetit dhe peripetitë tjera që e shoqëruan atë. Tema është e madhe, ndonëse, në e parë, nuk karakterizohet nga ndonjë epikë apo heroizëm për të qenë. Prandaj, mu këtu vjen në spikamë invencioni dhe gjeturia krijuese e autorit…. Nga një temë aq shumë prozaike autori krijon atmosferë, personazhe, situata, tension, emocione dhe ide që të rrëmbejnë, që nuk të lënë të qetë. Edhe atje ku e bëjnë të vetën dajaku dhe shoku elektrik, bora dhe stufa e skuqur, uji dhe konopi, kaloriferi dhe frigoriferi; edhe atje ku dukej se dinjiteti dhe krenaria shekullore e shqiptarit kishte rënë fare poshtë, deri në baltë, poeti e sheh rezistencën e popullit, e sheh rezistencën që po forcohej, e sheh shkëndijën e zjarrit të urrejtjes kundër robërisë, kundër pushtuesit:

E shihja tek rritej
Këtë zjarr gjithkund;
Rritej në çdo zemër,
Rritej dhe tek unë.

-urrejtje kjo që po përgatitej të shpërthejë në të ardhmen, me të gjitha ngjyrat e heroizmit dhe të epikës shqiptare.
Atmosfera e poemës është po ajo e Kosovës martire: e zymtë, ferr, e padurueshme. Shprehjet e zakonshme: “acar”, “ngricë”, “akull”, “borë”, “dimër i vështirë”, “erë”, “stuhi” ankth”, “trishtim”, “hapa patrullash”,”gjipsa”,”vetura”,”udbash”,”njerëz të zi”, “spiun”, etj., janë vetëm disa elemente perceptimesh të kësaj skëterre që marrin kuptime metaforike. Ne këtë natë të gjatë e të zezë edhe fëmijët i kap shqetësimi, ata bien në shtrat por nuk i merr gjumi.
Murrashi, gogoli dhe qeniet e tjera të frikshme fantastike janë zëvendësuar me një qenie tjetër konkrete: me udbashin. Pushteti përmes udbashit kërkon armë, kërkon shfarosjen e popullit shqiptar:

– Jo, thoshte babai,
S’duan veç armët tona,
………………………….
Duan që të zhdukin
Gjithçka që është shqiptare,
Emrin, gjuhën, plisin…
Të na qesin fare.

Këtë pushtet, këtë mekanizëm të pushtetit – UDB-në, populli ynë e njeh fare mirë. Dorën e tij gjakatare e ka provuar në mish të vetë edhe para luftës, edhe gjatë saj, edhe më vonë. Atë po e provon edhe sot. Ata qenë gjithmonë të njëjtë dhe vetëm rrobat i ndërruan. Përkrah tyre u vu edhe fundërrina e kombit tonë, bastardët. Ata në poemë personifikohen përmes ofiqarit dhe hoxhës, tradhtarë të fshatit, të cilët, që të dy predikojnë pajtimin me gjendjen aktuale, predikojnë nënshtrimin:

Zoti është i pari
I dyti hyqymeti
Por, populli nuk nënshtrohet. Populli qëndron. Dhe në qëndresën e tij ai është i fuqishëm. Shtypja dhe dhuna e pushtetit lindin indinjatën, rezistencën, protestën. Në kërkesën e pushtetit për të dorëzuar armën, protagonisti kryesor i poemës, përfaqësuesi i popullit, pa asnjë lëkundje betohet:

I gjallë nuk e jap

Ky betim, ngjashëm me betimin e Brahim Sadikut në këngën popullore, si fill i kuq bëhet lajtmotiv i tërë veprës dhe në tragjiken e vet të brendshme shpalos në mijëra nuanca ëndrrat dhe gjakimin e popullit tonë për ditë të lumtura në liri, për të cilat u përpoq gjatë shekujsh.
Subjekti i poemës “Pushka amanet” rrëfehet mjeshtërisht përmes kujtesës së fëmijës së rritur. Ai është dëshmitar dhe pjesëmarrës aktiv i një drame të tmerrshme të një kohe dhe të një ambienti. Ai si i këtillë është fëmijë i pa fëmijëri. Bota e fëmijërisë së tij që herët ka shtegtuar, ka tretur diku larg, për t’ia lëshuar vendin një bote preokupimesh te të rriturit, të pjekur dhe t burrëruar para kohe. Ai tashti ëndërron të jetë i madh, të hakmerret për të atin dhe për të gjithë sivëllezërit e tij. Ëndërrimet e tij nuk janë të pa baza. Ato ngritin kokë si vazhdimësi e një jete të jetuar nga të parët e tij, nga gjyshi dhe nga i ati. Ato shkojnë edhe më larg dhe zënë vend të pushojnë në ditët e bardha të lirisë, për të cilat aq shumë u derdh gjak. Ne epilogun e poemës bëhet edhe një kthesë. Pranë maliherit qëndron edhe arma tjetër e fortë, po aq e rëndësishme në rrugën e lirisë, – mësimet revolucionare, veprat e udhëheqësit Enver Hoxha.
Me këtë element edhe poema merr shumë në peshë në aspektin ideoestetik. Prandaj, edhe betimi i këtij fëmije të burrëruar shëmbëllyeshëm me betimin e të atit: “I gjallë nuk e jap” – na vjen aq i natyrshëm duke e dhënë kështu kuptimin e amanetit të trashëguar brez pas brezi. Pushka në këtë poemë simbolizon objektin më të shtrenjtë të shqiptarit, mikun më besnik të tij, mjetin më efikas për të fituar lirinë. Ajo:

Është nderi i shtëpisë;
Është amanet i brezave
Është pushkë e lirisë…

Historia e kësaj pushke është e gjatë, sa heroike po aq edhe tragjike. Si historia e Kosovës. Si historia e shqiptarëve. Ku nuk gjëmoi kjo pushkë. Nga beteja në betejë. Nga lufta në luftë. Në mal e në vërri. Plumbat e saj zanuan sulltan e krajla. Shtegtoi nga Boletini në Vlorë. Nga Presheva në Dibër. Në Kosovë e në Sanxhak. Nga Çyçavica në Dragobi. Kudo në trojet shqiptare. Ajo ishte mbrojtja e lirisë, mbrojtja e atdheut:

Por, s’erdhi liria
Se rrugën e saj
Ia preu tradhtia.

Prandaj, edhe amaneti që u lihet brezave është kuptimplotë dhe poeti aktualizon ndërgjegjshëm këtë armë, këtë amanet që vjen si domosdoshmëri e realitetit:

Luftë gjerë në vdekje,
Për liri të vatanit
Pushka e lirisë,
Kurrë në dorë dushmanit!

Poema “Pushka amanet” e Hydajet Hysenit ka marrë rrugën ilegale për tek lexuesit. Poema po e përjeton fatin e shqiptarit të Kosovës.
U krijua në ilegalitet, u botua në ilegalitet, po lexohet në ilegalitet. Ngjashëm me krijimet e Rilindësve tanë edhe kjo poemë do të qarkullojë, do të bëhet pronë e brezit të ri dhe do të kryej misionin e saj të shenjtë.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …