“Atë që bën shkopi në një shtet totalitar, e bën propaganda në demokraci” – Noam Chomsky. Etiketimi që kryeministri Rama i pati bërë medias si “kazan” shkaktoi dhe vazhdon ende të ngjallë reagime, kundërvënie dhe pakënaqësi, sidomos tek ata që zotërojnë medie vizive apo të shkruara si dhe tek shumë nga ata që janë të punësuar në to. Reagimet dhe pakënaqësitë mund të konsiderohen të përligjura, por dëshira dhe përpjekjet për ta paraqitur median si engjëll mbrojtës të popullit dhe të së vërtetës çalojnë shumë dhe nuk i përgjigjen as realitetit shqiptar dhe as atij botëror.
Mediat, cilatdo qofshin ato, nuk kanë qenë dhe nuk janë “pushteti i katërt”, siç propagandohen. Ato janë pjesë e veçantë e pushtetit ekonomik, janë biznes. Meqenëse janë një biznes i veçantë, i natyrës intelektuale, kulturore dhe politike, ato të krijojnë përshtypjen se qëndrojnë jashtë strukturës social-politike të shoqërisë dhe se “vigjilojnë” mbi ata që i bëjnë dëm popullit, sidomos mbi pushtetin, politikën dhe politikanët. Përkrah përshtypjes së rreme qëndron edhe e vërteta se kudo dhe kurdoherë ka pasur dhe ka individë idealistë dhe guximtarë që përpiqen t’i shërbejnë të vërtetës dhe popullit. Të tillë, ndonëse me pakicë, gjenden edhe në media.
Por, a mund të jetë media e pavarur nga politika dhe interesi vetjak? Assesi jo. Media nuk mund të jetë tërësisht e pavarur për shumë arsye. Që të themelosh një media duhet të zotërosh njëfarë pasurie. Që ta mbash dhe zhvillosh atë ke nevojë për të ardhura shtesë dhe të përditshme. Në këtë mënyrë je i detyruar t’u nënshtrohesh rregullave të tregut dhe dihet se tregu nuk është as i paanshëm dhe as i moralshëm. Këtu gjendet edhe arsyeja që varësinë e parë e realizon tregu i reklamave. Që të sigurosh reklama duhet të sigurosh lexues, dëgjues apo shikues më shumë se të tjerët. Si t’i sigurosh këta?
Disa mund të thonë: me profesionalizëm, drejtësi etj.etj. Përgjigje si këto të shtyjnë të pyesësh: a është e vërtetë që “spektatorët” e medias i tërheq e vërteta, e drejta dhe e moralshmja apo më shumë vrapojnë pas skandalit, gënjeshtrës së ambalazhuar bukur, banalitetit, lakuriqësisë, spektaklit ekstravagant dhe zhurmës pa përmbajtje? Rendja pas kotësisë dhe vezullimit pa përmbajtje po bëhet gjithnjë e më shumë prirje e botës ku jetojmë, e një bote ku egoja vetjake kërkon përmbushje në gjëra pak ose aspak të vlefshme, por që mund të zotërohen pa pasur nevojë për përsosje të shijeve estetike dhe aq më pak për zbatim të kritereve etike.
“Armiku” tjetër i pavarësisë dhe drejtësisë së medias është politika. Ta kesh mirë me qeveritë do të thotë të mos “ngacmohesh” shumë për detyrimet financiare që ke dhe të rritësh sigurinë se nuk do të ngarkohesh me detyrime shtesë për shkak të shkeljes së rregullave të veprimtarisë së medias si biznes ekonomik, por edhe si mjet propagandistik dhe artistik. Përveç kësaj, ta kesh mirë me qeveritë do të thotë të marrësh më shumë reklama qeveritare dhe, sidomos, të kesh lehtësi në sigurimin e lejeve për veprimtari të tjera ekonomike. Shkurt, ta kesh mirë me qeveritë do të thotë të kesh mundësi më të mëdha për të konkurruar në tregun mediatik.
Qeveritë, nga ana e tyre, kanë gjithnjë nevojë për median për ta paraqitur fytyrën e tyre me makijazh përpara elektoratit. Fakti që një pjesë e medias anon gjithnjë nga njëri krah politik dhe anasjelltas nuk e rrëzon konkluzionin e aleancës së vullnetshme ose jo të saj me politikën pasi, në tërësi, të gjithë krahët përbëjnë trupin politik të një vendi. Duke qenë kryesisht biznese të njerëzve më të pasur të një vendi, mediat janë detyrimisht zëdhënëse dhe mbrojtëse të interesave të tyre ekonomike. Rrjedhimisht, ato do të paraqesin si të drejtë dhe si të “mirë të përbashkët” gjithçka që iu shërben, më së pari vetë pronarëve të tyre. Në jo pak raste mediat janë krijuar dhe funksionojnë si mjetet presioni ndaj qeverive për t’i “lënë rehat” dhe për të mundësuar zhvillimin e qetë dhe të shpejtë të bizneseve të tjera të pronarëve të tyre.
Mediat kanë një efekt të jashtëzakonshëm në orientimin dhe formimin e opinionit publik. Ato janë mjetet shpirtërore të kapitalit që realizojnë parashitjen e mallrave nëpërmjet orientimit dhe, madje, “detyrimit” për të blerë këtë ose atë mall që reklamat e paraqesin si të domosdoshëm dhe “më i miri” paçka se mund të mos jetë fare i nevojshëm dhe cilësisht mund të jetë i papranueshëm. Meqenëse kapitali ka si synim të vetëm fitimin material dhe skrupujt moralë e bezdisin, të njëjtën fytyrë do të ketë edhe veprimtaria mediatike që lidhet me mallrat dhe tregun.
Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botën perëndimore mediat shërbejnë shpesh për përpunimin e opinionit publik dhe orientimin e tij drejt interesave të një grushti njerëzish, duke i paraqitur ato si e mirë dhe dobi e përbashkët. Është mjaft i njohur fakti se në SHBA, disa nga mediat kryesore e bombardonin përditë publikun amerikan me “rrezikun” e sajuar nga politika dhe manjatët e prapaskenës duke e orientuar kështu drejt bindjes se vendi i tyre duhej të shkonte në luftë në Kore, Vietnam apo Irak dhe pastaj, pasi mbaronte lufta dhe realizoheshin qëllimet e një grushti njerëzish, mbi 80% e popullit arrinte në përfundimin se lufta kishte qenë e gabuar dhe shumë e dëmshme sa për vendin e pushtuar, aq edhe për vetë popullin amerikan. Përpunimi i opinionit bëhej (siç bëhet shpesh tek ne për probleme të tjera) duke paguar një duzinë “opinionistësh” që shëtisin nga njëra studio televizive tek tjetra për të përsëritur të njëjtat gjëra.
Një tjetër “armik” i pavarësisë dhe moralit mediatik janë edhe interesat vetjake dhe prirjet e, jo rrallë, pasionet e vetë gazetarëve apo drejtuesve të emisioneve televizive. Njeriu e ka të vështirë të jetë plotësisht i paanshëm, por anësia duhet të orientohet sa më shumë nga e vërteta dhe e drejta dhe jo të mbetet e lidhur me interesat e vjetër apo të rinj të lajmdhënësit apo opinionistit. Mangësitë e nivelit kulturor dhe aftësive profesionale janë jo rrallë një pengesë alarmante e cilësisë së produkteve mediatike.
Duke pasur parasysh sa më sipër, duhet pohuar se cilësia dhe morali mediatik shkojnë paralel me cilësinë dhe moralin e përgjithshëm shoqëror dhe se, rrjedhimisht, ne mund të kemi një “kazan mediatik” me çorbë të pangrënshme, por kazanë të pakallajisur kemi edhe në qoshet e tjera të shtëpisë-shtet. I pari në radhë është “kazani politik”, “kazani i drejtësisë” e kështu me radhë. Madje, kazani politik ka rezultuar më i dëmshmi i të gjithë kazanëve dhe “era” e tij e keqe vazhdon të kundërmojë pambarim dhe pa shërim. Duke pasur parasysh këtë fakt mund të them se z. Rama ka të drejtë kur flet për “kazan mediatik”, por nuk ka të drejtë kur “harron” kazanin politik dhe ndihmesën që jep krahu i tij politik në “pjekjen e rakisë”.
Në aspektin e të drejtave të njeriut dhe parimeve kushtetuese, kryeministri dhe të gjithë politikanët e tjerë kanë po aq të drejtë të flasin për cilësinë dhe moralin e medias sa ç’ka media të drejtë të flasë për politikanët. Përpjekjet për ta paraqitur median si një lëndinë engjëjsh në të cilën s’ka të drejtë të shkelë askush është sa e mjerë, aq edhe e dështuar. Si në të gjithë aspektet e tjera të jetës edhe në media punojnë njerëz që janë bartës të virtyteve e veseve tona dhe, pashmangshmërisht, shtyhen dhe udhëhiqen edhe nga interesat vetjake.
Sikur pronarët dhe shumica e drejtuesve të medias të udhëhiqeshin sa nga interesi aq edhe nga idealizmi dhe skrupujt moralë nuk do të lejonin që në shumicën e emisioneve të tyre “kulturore” të mbizotëronin vulgariteti, banaliteti, lakuriqësia, imitimet e shëmtive të marra nga të katër anët e botës, emërtimet e emisioneve me fjalë të huaja, veprimet e padenja dhe fyese në skenë nga drejtuesit apo pjesëmarrësit në emision.
Po të udhëhiqeshin nga parimet e së vërtetës dhe të drejtës nuk do ia lejonin vetes që t’i paraqisnin popullit shqiptar si lajm gënjeshtra pa fund, shpifje, trillime, keqinterpretime apo të shisnin për “lajm bombë” të pëgërat gojore e të përditshme të Sali Berishës si të prejardhura nga “korrieri dixhital”, burime pa emër dhe të paverifikueshme. Kjo lloj medie që, për njëqind klikime më shumë, ia shet popullit sapunin për djathë nuk duhet të jetë e pakritikueshme, përkundrazi duhet të braktiset. Të gënjesh për të shtuar fitimet e tua është njëlloj si të spekulosh në treg me mallra të skaduar. Kjo përbën fyerje, zhvatje dhe nëpërkëmbje për klientët e tu në veçanti dhe për popullin shqiptar në përgjithësi.
Njerëzit e medias janë qytetarë të një vendi dhe si të tillë duhet të jenë të barabartë përpara ligjit. Ata duhen respektuar kur bëjnë emisione dhe punë të mira, por duhet t’iu nënshtrohen ligjeve të shtetit kur shpifin, fyejnë apo kërcënojnë të tjerët. Nuk mund dhe as duhet të ketë kategori shoqërore të përdalluara për keq dhe të përjashtuara nga përgjegjësia morale dhe ligjore për sjelljet dhe veprimet e tyre. Liria dhe e drejta e fjalës dhe e mendimit nuk mund të shkojnë deri tek fyerja, mashtrimi dhe kanosjet. Këto të fundit janë shpërdorim i të drejtës dhe si çdo shpërdorim tjetër i nënshtrohen gjykimit të ligjit.
Gabimet e kryeministrit nuk qëndrojnë në etiketimin e medias, por në veprimet apo mosveprimet e tij gjatë “zierjes së rakisë politike” pasi edhe ky “kazan” mban erë. Përpjekja e deputetëve të tij për ta akuzuar Bashën si të lidhur me trafikun e narkotikëve vetëm pse kushërinjtë e largët të bashkëshortes së tij qenkan marrë me këtë veprimtari është rënie në pozitat e kundërshtarit dhe e shton mjerimin e kazanit politik. Për këtë “të metë” do ta kisha votuar Bashën njëqind herë për kryeministër. Ai nuk është i denjë për atë post, jo për shkak të biografisë së “miqve” të tij, por për shkak të qëndrimeve dhe veprimeve të veta të padenja, madje kriminale dje në qeverisje dhe sot në opozitë.
Tipik për moralin e tij ishte edhe qëndrimi më i fundit kur, përpara pak ditësh, deklaronte se “Në Shqipëri nuk do të ketë as stabilitet, as rend, as drejtësi, as liri, as demokraci… me Edi Ramën në krye të qeverisë”. Duke e bërë këtë deklaratë në të njëjtën ditë që Komisioneri për Zgjerimin në BE, Johannes Hahn deklaronte se “Besoj se raporti i ardhshëm (edhe për Shqipërinë) do të jetë pozitiv”, Basha, për shkak të epshit për pushtet dhe të frikës së vet për ndonjë ndëshkim të ardhshëm për krimet e së shkuarës, e vinte veten në rolin e antishqiptarit dhe penguesit të përparimit drejt BE-së.
Reagimi i Ramës ndaj keqinformimit të Top Çenëll ishte në shpërpjesëtim të madh me heshtjen e tij ndaj akuzës së Sali Berishës se “Rama ka marrë tre milion euro nga Tahiri…”. Akuza e Berishës, ose ishte e vërtetë dhe kryeministri duhet të vetëlargohet sa më parë dhe të paraqitet në gjyq për të dhënë llogari, ose akuza është thjesht një shpifje e radhës e cila duhet ta çojë autorin në sallën e gjyqit për ndëshkim. Ata që kanë respekt për veten e tyre, për zgjedhësit e tyre dhe për popullin shqiptar nuk mund dhe nuk duhet t’i kalojnë akuza të tilla konkrete si aspekt i luftës politike apo si dërdëllitje të “një të marri”. Për të marrët ka spital psikiatrik; për shpifësit ka gjykata dhe gjoba; për të korruptuarit ka burg.
Era e Vetingut ka filluar të fryjë dhe ka nisur një kohë tjetër për sistemin e drejtësisë. Fullankat, fanat dhe më guximtarët e korrupsionit i lanë karriget, të tjerë po bëhen gati të ikin. Ballo presidenciale, për të larë para syve të popullit fytyrat e ndyra të korrupsionit si shpërblim për mbylljen e çështjeve penale, duket se nuk do të ketë më në Shqipëri. Është koha që çdo shtetas shqiptar, nga kryeministri deri tek qytetari i thjeshtë, të kërkojnë drejtësi për çdo padrejtësi që u bëhet. Është koha të ndihmojmë të gjithë që të marrë fund kaosi, paqartësitë dhe situatat ku gënjeshtra dhe mashtrimi gëzojnë të njëjtin status, ku si e vërteta dhe e drejta fyejnë njësoj, duke dëmtuar rëndë moralin e popullit shqiptar, të sotmen dhe të ardhmen e tij.
Po i mbyll këto radhë me kërkesën që, përpara “kallajisjes” së kazanit mediatik, kryeministri duhet të bëjë maksimumin e vet për riparimin dhe pastrimin e kazanit politik. Do mbetej i respektuar qoftë edhe për kaq.