Clirimtaret dhe Mercenaret - Ahmet Qeriqi

Fatmir Graiçevci: “Çlirimtarët dhe mercenarët” një roman që troket në ndërgjegjen kombëtare dhe humane

 Të rralla janë romanet që të bëjnë t’i lexosh me një frymë e edhe më të rrallë shkrimtarët që krijojnë vepra të tilla. Për fatin tonë të mirë, ka kohë që letërsisë sonë i është shtuar një libër i tillë sikur është romani “Mercenarët dhe Çlirimtarët” i studiuesit, shkrimtarit, përkthyesit, analistit, albanologut dhe të burgosurit politik, Ahmet Qeriqi. Ashtu sikur në shumicën e librave të tij që trajtohen ngjarje dhe personalitete të anashkaluara me pa të drejt nga historiografia, letërsia dhe publicistika jonë, edhe në këtë roman, shkrimtari Ahmet Qeriqi ka trajtuar me mjeshtëri tema të ndryshme të patrajtuara deri më tani në mënyre meritore.

 Në mesin e tematikave të ndryshme që trajtohen në romanin “Mercenarët dhe Çlirimtarët” është edhe fati i femrës së dhunuar shqiptare gjatë luftës çlirimtare dhe damkosja e poshtërimi i saj nga kategoria më e ultë e shoqërisë sonë, duke filluar nga pronarët e bordellove e deri te klientët e tyre dhe njerëzit që ndikohen nga thashethemet dhe “moralizimi” i të pamoralshmëve. Përveç tematikave të ndryshme të trajtuara me një mjeshtëri dhe stil të pashoq, shkrimtari Ahmet Qeriqi ka trajtuar një nga kategoritë e shoqërisë sonë që është në pozitën më të vështirë sikur janë vajzat dhe gratë e dhunuara. E themi këtë sepse vajzat dhe gratë e dhunuara kanë një jetë me halle dhe sfida të jashtëzakonshme dhe që kërkojnë trajtim të veçantë për arsye të shumta! Së pari, pjesëtaret e kësaj kategorie ndjehet të pavlera dhe të pa perspektivë për shkak të dhunimit të tyre nga ushtria dhe policia e Serbisë dhe grupet paraushtarake serbe.

Së dyti, përveç kësaj, dhuna seksuale ka ndodhur në një shoqëri patriarkale ku nderi dhe vlera e femrës përcaktohet nga virgjëria!

 Sikur të mos mjaftonte kjo, një numër i madh i tyre vështirë se do të gjejnë qetësi ndonjëherë në jetë për shkak të pasojave të dhunës seksuale dhe mbetjes së tyre shtatzënë.

Kjo ka bërë që ato të ballafaqohen me dilema të mëdha dhe cilëndo zgjedhje që e kanë bërë, do ta kenë ndërgjegjen e vrarë për gjithë jetën, kuptohet pa fajin e tyre!!! Nuk duhet shumë imagjinatë për ta kuptuar se në ç’hall të madh janë gjendur të gjitha ato vajza dhe gra që kanë mbetur shtatzënë nga dhunimet prej forcave serbe se çka të bëjnë me frytin e tyre!? Ta abortojnë apo ta rrisin!? Nëse do ta abortonin, do të duhej të hiqnin dorë nga një pjesë e qenies së tyre dhe ta vrasin atë me vendimin e tyre për abortim! Edhe nëse nuk do ta abortonin, sërish do të ishin në hall sepse do të duhej ta mbanin në trupin e tyre një qenie të ngjizur nga qenie vrastare!

Po sikur ta rrisnin si do të ju dukej foshnja dhe fëmija i tyre, si mishërim i viktimës-engjëllit apo dhunuesve-djajve!? Janë edhe shumë e shumë halle të tjera me të cilat përballen çdo çast të jetës së tyre dhjetëra mijë vajza e gra shqiptare të dhunuara nga policia dhe ushtria e Serbisë dhe grupet paraushtarake serbe por ja që ne nuk kemi kohë të paktën të bashkë ndjejmë me to dhe të ju japin të kuptojnë se nëse dikush duhet të turpërohet atëherë ato nuk do të duhej të jenë ato por qindra mijëra e miliona të tjerë që s’arritën t’i mbrojnë nga dhuna shtazarake e ushtrisë dhe policisë së Serbisë dhe gjeneralët e saj që gradohen dhe trajtohen si heronj!

Fati i femrës së dhunuar shqiptare është rrëfyer nëpërmjet personazhit të Leme Gjetës dhe ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Besim Hoti, të cilët shumë vite më parë ishin shoqëruar gjatë shkollës së mesme dhe kishin ndjerë simpati reciproke por këto ndjenja të çiltra ishin ndrydhur nga rrethanat e kohës si dhe rreshtimi i familjeve të tyre që kishte krijuar hendek mes tyre, ku në njërën anë ishin qytetarët që nuk e duronin dot jetën nën robëri, ku bën pjesë familja e Besim Hotit dhe familjet që kishin pranuar zgjedhën nën robëri në këmbim të një posti, sikur ishte familja e Leme Gjetës. Ngjarjet e përshkruara me një stil të jashtëzakonshëm në romanin “Mercenarët dhe Çlirimtarët” zhvillohen në vitet e pasluftës, por që hera herës personazhet i kthejnë në kujtesë ngjarjet e viteve të paraluftës dhe gjatë luftës çlirimtare, gjatë së cilës nga ushtria dhe policia e Serbisë dhe grupe të ndryshme paraushtarake serbe janë dhunuar dhjetëra mijëra vajza e gra shqiptare në mesin e të cilave edhe Leme Gjeta.

Jeta e saj merr tatëpjetën kur një grup policësh serbë e rrëmbejnë nga banesa e saj në Prishtinë dhe shfryjnë epshet e tyre në mënyrë shtazarake mbi trupin e saj të njomë dhe të bëshëm për disa ditë me radhë. Kjo ngjarje krijon plagë të jashtëzakonshme të Lemja dhe do të bënte që jeta e saj të katandisej çdo ditë e më shumë edhe pas përfundimit të luftës çlirimtare dhe çlirimit të vendit.

E trajtuar pa të drejtë me përbuzje nga e gjithë shoqëria, Lemja më nuk do t’i gëzohet asnjë ngjarjeje tjetër në jetë dhe nuk ka më asnjë motiv për të jetuar pasi e sheh se çdo ditë e më shumë po nënvlerësohet, poshtërohet dhe trajtohet vetëm si objekt, mall seksi. Ndonëse më shumë e do vdekjen se sa jetën e tillë, ajo vazhdon ta durojë një jetë të padurueshme vetëm e vetëm që të siguroj pak euro për ta ushqyer me thërmija buke nënën e paralizuar dhe vëllanë  e saj të vogël. Derisa ajo vazhdon të bëjë një jetë të tillë poshtëruese, një ditë takohet rastësisht pas 17 viteve me shokun e saj të adoleshencës, Besim Hotin, për të cilin kishte pasur simpati ashtu sikur kishin pasur për atë të gjitha vajzat e shkollës. Ndonëse takimi kishte ndodhur kalimthi, Besimi me një intuitë të pashoqe e ndjen se Lemja kishte kaluar nëpër situata të rënda të cilat kishin lënë vragë në jetën e saj. Karakteri i tij i ndjeshëm e nxit që ta takoj sërish dhe të mësojë për jetën dhe peripecitë e saj gjatë luftës.

Gjatë takimit të dytë, Besimi tronditet teje mase nga rrëfimi i Lemes dhe fati i rëndë nëpër të cilën po kalonte ajo dhe familja e saj që nga momenti i dhunimit nga policia serbe. Gjatë bisedës së zhvilluar, Besimi vëren se shoqja e tij e hareshme, shtatë hedhur dhe plotë jetë sikur ishte afër 20 vite më parë, tani ishte krejt ndryshe. Ajo dukej e tretur, e fishkur, e lodhur dhe e katandisur edhe pse nuk kishte më shumë se 35 vjet, dukej shumë më e moshuar, disi krejtësisht e shtrydhur. “Kam kaluar gjëra të tmerrshme Besim, thotë duke e ndezur cigaren. Ma kanë vrarë ardhmërinë njerëzit e ligj dhe ja si më kanë katandisur… Unë bëjë jetë të prostitutës Besim. Përveç babushit, që është pronar i atij lokali ku më takove atë ditë, të gjithë pronarët ku kam punuar më kanë shfrytëzuar madje jo vetëm për veten e tyre por edhe për shokët e tyre. Jam bërë si ajo Lukja e Migjenit”,  thotë me dhembje në mes tjerash, Leme Gjeta. Në vijim të bisedës, ajo i tregon Besimit se gjëra të tilla poshtëruese është e detyruar t’i bëjë për ta mbajtur familjen- vëllanë e vogël dhe nënën e paralizuar, që nuk ndihmohen nga askush. Në vijim të bisedës ajo i tregon se sikur të mos mjaftonin këto, pas luftës asaj ia vrasin edhe babanë dhe e kishin bindur se prapa vrasjes qëndron Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ndonëse Besimi nuk e pranon këtë shpjegim, ai nuk reagon por parashtron disa pyetje të cilat e bëjnë Lemën të dyshojë në këtë shpjegim të sajuar nga njerëzit e nëntokës që punojnë natë e ditë për ta kompromentuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën e sajë.

Pas këtij takimi, Besimi interesohet edhe më shumë për Lemen dhe vazhdon të shoqërohet edhe më shumë, gjë që do të filloj të ndikojë pozitivisht te Lemja. Jo pse ajo mendonte se do të ndryshoj fati i saj por se ndjehej tej mase mirë meqë nga dikush po kuptohej dhe po trajtohej si njeri. Me kalimin e kohës, ata dy ndjejnë edhe më shumë afërsi dhe kjo bënë që ai të mëson edhe ngjarje të tjera nga jeta e saj, pasi ajo i ishte hapur tërësisht me që ngadalë e kishte ndjerë se atij mund t’i besonte plotësisht.

Në të njëjtën kohë, humanizmi dhe sjellja shembullore e Besimit bënë që Lemja të mos ketë më urrejtje ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pjesëtarëve të saj si dhe të dyshojë në shpjegimin se prapa vrasjes së babës së saj qëndron UÇK-ja. Shkrimtari, Ahmet Qeriqi, ia ka dal për mrekulli ta shfaq karakterin dhe botëkuptimin e pjesëtarëve të përkushtuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sikur është Besim Hoti i cili ndonëse edhe pas çlirimit të vendit bënë luftë për mbijetesë, ai angazhohet me tërë qenien për mirëqenien e Leme Gjetës, e cila keqtrajtohet si mos më keq nga ajo kategori e shoqërisë e cila gjatë luftës çlirimtare kishte bërë sehir dhe nuk kishte bërë as minimumin për t’i dal në mbrojtje popullatës civile ndërsa pas lufte pa pikë turpi ‘moralizonin” dhe damkosnin Leme Gjetën dhe mijëra vajza të tjera që kishin pësuar si ajo nga forcat ushtarake e paraushtarake të Serbisë!!!

Me kalimin e kohës, Lemja zë një vend të posaçëm te Besimi i cili ndjen më shumë se sa respekt për shoqen e tij të dikurshme dhe me të cilën ndjehej mirë sa herë gjendeshin afër njëri-tjetrit. Një ditë prej ditësh, Besimi vendos ta masë pulsin e Lemes duke i thënë: Çka mendon sikur të hiqje dorë nga jeta që bënë nëpër lokale të ndryshme të natës? Ende pa e mbaruar mirë fjalën, Lemja ia kthen se do të pranonte të martohej edhe me një plak vetëm e vetëm që ta kishte një punë të ndershme sa për ta mbajt familjen dhe të hiqte dorë një orë e më parë nga jeta që bënte. Kjo bënë që Besimi ta njohë edhe më shumë Lemen dhe shpirtin e saj të dëlirë dhe të ndjejë edhe më shumë për atë por pret momentin e përshtatshëm për t’ia shfaq ndjenjat asaj.

Muajt kalojnë dhe Besimi e Lemja shoqërohen çdo ditë e më shumë derisa në një natë dimri takohen dhe Besimi do ta shtrëngoj për krahu Lemen që të mos rrëshqiste nëpër rrugën e mbuluar nga akulli! Ky shtrëngim krahu te Lemja do të zgjojë ndjenja të papërshkruara, mbështetje, afërsi, përkujdesje dhe ndjenja të fuqishme pozitive të paprovuara kurrë më parë ne jetën e saj 35 vjeçare!

Shkrimtari, Ahmet Qeriqi, me pendën e tij arrin ta nxitë imagjinatën e lexuesit të kuptoj ndjenjat e personazheve të romanit “ Çlirimtarët dhe mercenarët” edhe kur ato ndjenja nuk përshkruhen me fjalë! Ai ia ka arrit për mrekulli që lexuesi ta ndjej dashurinë e jashtëzakonshme në mes të Leme Gjetës dhe Besim Hotit më shumë se sa mund të thuhet me fjalë! Përveç kësaj, shkrimtari Ahmet Qeriqi, nëpërmjet personazhit të Besim Hotit ka dhënë mesazhin se si duhet të trajtohen këto vajza dhe se për çka kanë ato më së shumti nevojë. Kjo kuptohet nga ndjenjat e jashtëzakonshme që përjeton Lemja gjatë bisedës me Besim Hotin dhe trajtimi tejet human prej tij. Ajo herë-herë sikur nuk beson se është duke u trajtuar aq njerëzisht, herë-herë i bëhet sikur është në ëndërr dhe sikur ka frikë të hap sytë dhe të ndaloj së pari atë ëndërr të bukur.

Mbase edhe me të drejt ajo mendon ashtu pasi për afër dy dekada trajtohet si vajzë e përdalë, e pamoralshme dhe vetëm si mall seksi dhe asgjë më shumë. Kjo ia kishte humbur të gjitha shpresat se një ditë ajo do të trajtohej si qenie e dinjitetshme derisa takohet me ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Besim Hotin i cili ishte një djalë i dëshirueshëm nga vajza të shumta për shkak të cilësive të shumta që posedonte duke përfshirë nderin, besimin, karakterin luftarak dhe liridashës, fizikun e tij dhe tipare të tjera që e bënin të jetë i dashur për të gjithë.

Lemja ndonëse e çmon atë teje mase, për shkak të përvojës së saj gjatë luftës nga policia dhe ushtria e Serbisë dhe mandej jetës së saj pas luftës, ajo e sheh veten të padenjë për një djalë si Besimi por një natë ndodhë e papritura. Besimi fillimisht ia vë në pah se ka kohë që ajo ka ndryshuar dhe sikur është rinuar, ajo duket e freskët, e bukur dhe fytyrës së saj iu ishte kthyer shkëlqimi që kishte shumë vite më parë. “E di e di Besim- ia kthen Lemja e skuqur, por ardhmëria ime është rrënuar, më bëhet sikur është thyer diçka dhe unë kam rrënuar jetën time! Lëri këto fjalë dhe mos gjyko veten tënde sepse nuk i ke bërë këto gjëra me dëshirë por ke sakrifikuar veten për nënën e paralizuar dhe vëllanë e vogël që ke. S’ke pasur askënd të të ndihmojë për familje andaj ke qenë e detyruar të bësh jetë të tillë pa vullnetin tënd, sikur e qorton Besimi dhe shton: Tani t’i lëmë këto por më dëgjo mua: Unë dhe ai shoku im Mirani kemi menduar ta gjejmë një burrë ty, një burrë që ti e njehë mirë!?

Faleminderit Besim por unë tani jam shumë mirë edhe pa burrë. Fal teje më asgjë nuk kërkoj nga jeta veç kësaj prehjes shpirtërore që ma ke ofruar ti, ai shoku yt Mirani, vëllai im dhe ai pronari ku punoj unë, që është sjellë mirë dhe më ka bërë ta quaj babush. Nuk ka mashkull për mua Besim. Mua nuk më mbetet tjetër vetëm se në pjesën tjetër të jetës të shlyej mëkatet që kam bërë. Te unë është thyer diçka për gjithmonë dhe ka diçka që nuk shkon më në jetën time. Besim, më kupto të lutem. Nuk mundem!, vijon më tutje bisedën  Lemja. Mundesh  Leme, ia kthen Besimi dhe duke e përqafuar shton: Ne do t’ia dalim mbanë bashkërisht.

Unë jam e padenjë për një djalë si ti Besim- ia kthen Lemja duke ndjerë se po e lëshonin fuqitë dhe po i dridhej i tërë trupi nga fjalët që po ia thoshte njeriu më i mirë që kishte njohur në jetën e saj- Besim Hoti. Ai vazhdon më tutje: Më dëgjo Leme. Ti je e vetmja femër të cilën dua ta kem pranë dhe ta jetoi pjesën tjetër të jetës që më ka mbet. Lemja ndjente se po pushtohej prej ndjenjave të pashpjegueshme, po i ndodhte diçka më mirë se në ëndrra. Humanizmi i Besim Hotit dhe dashuria e tij e kishin bërë të ndjehej më mirë se sa kishte mundur ta imagjinojë ndonjëherë. Ajo sikur po i thoshte lamtumirë jetës së deritashme që i ngjante skëterrës dhe po fillonte një jetë të re me djalin e ëndrrave të saj – Besim Hotin.

Me kalimin e kohës, Lemja sa vinte e ndjehej më e hareshme, plotë jetë dhe optimizëm por herë-herë i vinte befas një parandjenjë ogurzezë. A do të mund ta bënte të lumtur njeriun e ëndrrave të saj!? Po natën e martesës si do ta kalonte!?, dhe kishte frikë të mendonte më tutje ngase kaplohej nga një ankth që e shqetëson tej mase. Sa herë mendon për natën e martesë sikur në një shirit filmik i kujtohet dhuna shtazarake e pjesëtarëve të ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serb të ushtruar për disa ditë e net me radhë mbi trupin e saj të njomë. Sa më shumë ofrohet data e martesës, aq më shumë i rikthehen në kujtesë momentet e dhunës së shfrenuar seksuale kundër saj, djegia me cigare nëpër trupin e saj dhe shenjat e shumta që kishte nga armët e ftohta! Me ndjenja të përziera dhe shqetësim të madh fillon edhe dasma e saj e shumë pritur. Lemja në fillim sikur ia del ta vë nën kontroll shqetësimin e saj dhe ankthin por me kalimin e kohës i duhet të shpenzojë sa më shumë energji për të mos shfaqur shqetësimin dhe ankthin e saj. Sforcimi për disa orë me radhë sikur ia shteron gjithë energjitë dhe pak para mesnate, në momentin kulminant të dasmës kur fillojnë duartrokitjet e shumta që paralajmërojnë fillimin e valles së udhëhequr nga nusja dhe dhëndëri, Lemja në hapat e parë ndjen marramendje, vështirësi në frymëmarrje, vështirësi në drejtpeshim, keqpërceptim të fytyrave të dasmorëve dhe herë herë i bëhet se po i sheh fytyrat e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë së Serbisë dhe paramilitarëve serb, herë-herë fytyrat e personave me të cilët kishte pasur kontakt kur punonte në lokalet e natës dhe në një moment i humb ndjenjat, alivanoset dhe bien përtokë.

Kjo gjendje tejet e vështirë e Lemes do ta lëndoj teje mase Besimin i cili mbanë para duarsh pa ndjenja vajzën me të cilën donte ta kalonte gjithë pjesën tjetër të jetës. Ndonëse me ndihmën e shokëve të luftës ia arrin ta dërgoj shumë shpejt në emergjencë, në fytyrat e mjekëve e vëren se gjendje e Lemes është tejet e vështirë dhe kjo e bënë të ndjehet tejet keq pasi më ai nuk mund të bëjë më asgjë për atë. Megjithëkëtë ai i jep shpresë vëllait të saj, Ilirit se Lemja do të mbijetoj ndonëse thellë në qenien e tij nuk beson se do të shpëtonte, nuk do ta merrte më veten…

Shkrimtari, Ahmet Qeriqi, nëpërmjet personazhit të Besim Hotit dhe shokëve të tij të idealit ka portretizuar në mënyrën më të mirë ushtarët e përkushtuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ëndrrat e tyre dhe dashurinë për njeriun dhe njerëzoren. Vlen të theksohet se autori i romanit “Çlirimtar dhe Mercenar” nëpërmjet personazheve të tij pozitive, sikur është babushi, Mirani, Jetoni,  e personazheve të tjera jep porosinë se si duhet trajtuar vajzat e dhunuara të luftës dhe shembullin më të mirë e jep ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personazhi Besim Hoti duke u martuar me një vajzë të tillë!

Përveç tematikës së vajzave dhe grave të dhunuara dhe vështirësitë e tyre të shumta gjatë dhe pas luftës, shkrimtari Ahmet Qeriqi, nëpërmjet personazheve të tij në romanin “Çlirimtarët dhe Mercenarët” ka pasqyruar jetën e vështirë dhe me plotë halle dhe të përbuzur e nënçmuar që bëjnë në liri kategoritë më meritore për çlirimin e vendit (!) sikur janë veteranët dhe invalidët luftës në njërën anë dhe jetën përrallore të sabotuesve të luftës në anën tjetër! Libri “Çlirimtarët dhe Mercenarët” ka 360 faqe, i shkruar me një gjuhë të thjesht, lehtë të kuptueshme dhe që fisnikëron lexuesin. Tematikat e trajtuara në këtë roman do ta bëjnë lexuesin të ketë dëshirë të lexojë edhe libra tjera dhe nuk na mbetet tjetër vetëm se të urojmë që të dalin në dritë sa më parë edhe libra dhe romane tjera që janë në dorëshkrim të studiuesit, shkrimtarit, përkthyesit, analistit, albanologut dhe të burgosurit politik, Ahmet Qeriqi i cili deri më tani ka nxjerrë në dritë libra të  temave të ndryshme, kryesisht nga letërsia, historia, publicistika e përkthimi.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi – Në …