Letërsia ruse e shekullit 19 shënon kulmin e letërsisë së përgjithshme botërore me shumë emra shkrimtarësh ndër më të njohurit jo vetëm në Rusi. Në mesin shkrimtarëve më të mëdhenj të asaj kohe pa dyshim se radhitet edhe Shçedrini, i njohur si shkrimtar realist por edhe satirik i pamëshirshëm. Duke qenë bashkëkohës i Gogolit, Lermantovit, Dostojevskit, Tostoit dhe shumë shkrimtarëve të tjerë të mëdhenj, Shçedrini shquhet sidomos për kritikën shoqërore që i beri rendit feudal-borgjez të kohës. Ai qysh në tregimet e tij të para kishte shfaqur talentin e tij prej shkrimtari, në një kohë kur letërsia në Rusi kishte shënuar një zhvillim të hovshëm dhe ishte bërë prijatare jo vetëm në zhvillimin e arteve por edhe të jetës së përgjithshme shoqërore, politike e fetare.
Shçedrini, Gogoli, Dostojevski, Turgenievi, më vonë Çehovi e të tjerë kanë arritur që regjimit të kalbur feudo-borgjez t’i bëjnë autopsinë në të gjitha këndvështrimet. Shçedrini solli në këtë mes, krahas realizmit të hollë në përshkrimin e realitetit të shoqërisë ruse edhe kundrimin e tij satirik shpotitës, duke mos ngelur prapa as nga Gogoli i madh, i cili e fshikullonte me kamxhik aristokracinë ruse, ashtu si karrocieri që fshikullon kalin e dobët dhe të ushqyer keq. Përderisa Gogoli në fund të jetës së tij kishte shkalluar dhe kishte hequr dorë nga tërë krijimtaria, Shçedrini i mbeti besnik letërsisë deri në fund të jetës. “Unë jam dhënë pas letërsisë me mish e me shpirt. Jam i bindur se nuk jam vetëm, po kushdo që i thotë vetes njeri, nuk mund të mos e kuptojë se pa letërsi nuk ka as të mira, as kënaqësi, as edhe jetë”.
Kështu e kishte shprehur angazhimin dhe dashurinë e tij të zjarrtë për letërsinë ky shkrimtar i madh. Në romanin “Zotërinjët Gollovliovë”, Shçedrini arrin pjekurinë e tij më të lartë letrare artistike në përshkrimin e realiteti kaotik, që mbizotëronte asokohe në qarqet sunduese dhe në rendin shoqëror të Rusisë. Duke qenë njohës i thellë i realitetit dhe i marrëdhënieve shoqërore, që mbizotëronin jo vetëm në Rusi, por edhe në shtetet e tjera të Evropës, Shçedrini projekton dhe realizon njërën ndër kryeveprat e letërsisë botërore. Duke qene edhe vetë bir i një çifligari, ai qysh në moshën e rinisë së hershme kishte vërejtur kontradiktat e thella dhe të papajtueshme të rendit shoqëror, i cili po kalbej e po tretej, por vazhdonte t’ia rëndonte kurrizin popullit duke e nëpërkëmbur atë deri në djallëzi. Shkaktarët kryesorë të të gjitha vuajtjeve dhe përdhunimeve ai i identifikonte në meset e përfaqësuesve të aristokracisë sunduese, e cila ishte krejtësisht e paaftë për të qeverisur, ashtu sikurse ishte krejtësisht e paaftë për të bërë ndërrime dhe reforma. Rusia e asaj kohe po lëngonte nga bijtë e saj shkapërdarë, që kishin trashëguar pushtetin e egër despotik nga të parët, pushtet të cilin e abuzonin e keqpërdornin, e shfrytëzonin dhe të cilin po ashtu edhe vetë e urrenin.
Shkrimtari në romanin e tij “Zotërinjtë Gollovliovë” përshkruan tri etapa të shthurjes graduale të sistemit shoqëror të kohës, përmes tre brezave të familjes së pasur të Gollovliovëve: gjyshja, bijtë, nipat e mbesat. Janë tre breza njerëzish që urrejnë njëri tjetrin, një urrejtje e trashëguar nga brezi në brez, janë njerëz që ia nxijnë jetën njëri tjetrit dhe në fund që të gjithë përfundojnë në mënyrë tragjike. Këtu shohim sesi djali urren nënën dhe babanë, sesi vëllai ia nxin jetën vëllait, sesi prindi lejon vetëvrasjen e fëmijëve dhe nuk i ndihmon as e mëshiron, sesi motra sulet kundër motrës për ta bërë lavire, ashtu sikur është bërë edhe vetë.
Për dallim nga “Shpirtërat e vdekur” të Gogolit, i cili përshkruan anën më të errët dhe më të shthurur të shoqërisë ruse, ku nuk gjen dot as edhe një shpirt të mirë, Shçedrini, po ashtu përshkruan anët më të errëta të kësaj shoqërie, në të cilën ka edhe ndonjë shpirt njeriu të pastër, por edhe atë e përlan përpara dhe e prish jeta e shthurur dhe pa rrugëdalje e shoqërisë së kohës.
Duke përshkruar atë realitet makabër, shkrimtari ofron një dyzinë situatash dhe faktesh relevante e irelevante, përmes së cilave ndërton godinën e tij madhështore, monumentin e goditur artistikisht në përshkrim të detajuar të një shoqërie, e cila po shthurej mizorisht dhe po merrte me vete jo vetëm bartësit kryesor të saj, por edhe popullin fukara, i cili nga aristokracia trajtohej më keq se shtaza. Përbuzja, shtypja dhe shfrytëzimi që i bëhej popullit, muzhikëve që trajtoheshin si klasë e skllevërve të përjetshëm, që kishin humbur të gjitha të drejtat njerëzore dhe jetonin gati si kafshët, është përbuzje e çmendur, e cila prish dhe degjeneron jetën e njerëzve në përgjithësi. Shçedrini ka bërë analiza të shumta të jetës së njerëzve të kohës së tij. Ai ka identifikuar me sukses të gjithë shkaktarët e asaj gjendjeje kaotike, duke veçuar në radhë të parë katandisjen morale të shoqërisë, krizën e përgjithshme morale, ekonomike, politike, ku nuk funksiononte as edhe një vlerë e mirëfilltë . Një shoqëri pa ideal, e paaftë për të ekzistuar dhe për ta reformuar jetën, një shoqëri statike e cila sharron në llumin e veseve dhe epsheve të mbrapshta njerëzore, pa asnjë përpjekje për të bërë kthesa në drejtim të duhur, në drejtim të çlirimit të shpirtit nga fëlligështia pagane dhe nga veset e nopranitë njerëzore.
Familja e gollovliovëve në këtë roman paraqitet e prishur dhe krejtësisht e degjeneruar në segmentin moral. Feja e krishterë, nuk ka arritur të ndikojë as ta emancipojë frymën e egër të çifligarit rus të asaj kohe. Për më keq edhe shumë nga priftërinjtë ishin të degjeneruar, sado që maskoheshin para popullit. Të gjithë kanë nga një maskë në atë maskenball të çuditshëm të jetës njerëzore në një gubernë të Rusisë cariste.
Arina Petrovna, është përfaqësuese tipike e çifligares, e cila fillimisht mbështet moralin e klasës të cilës i takon, por nuk lë mjet të lig pa përdorur për t’i marrë frerët e familjes në dorë, në kohën kur ajo po degradohej ekonomikisht dhe kur burri i saj jetonte në shthurje e degjenerim. Duke qenë dorështrënguar dhe e aftë për të kurdisur kurthe, ajo ia merr qeverisjen burrit dhe fillon të grumbullojë pasuri, duke i shfrytëzuar deri në palcë muzhikët, por edhe çifligarët më të dobët. Ajo është një autokrate e aftë, por po ashtu në brendi ka një shpirt pagan, të pa reformuar, një shpirt të njëjtë më Koroboçkën nga “Shpirtërat e vdekur” të Gogolit. Ajo urren pijen dhe i ndalon të tjerët të pinë, por ndërkohë pi tinëz. Predikon moral dhe drejtësi, por e lë djalin e sëmurë të vdesë urie, duke i dhënë ushqime të prishura dhe duke ia kufizuar të gjitha lëvizjet. Stepani, i cili kishte abuzuar me paranë e shtetit, të cilin e thërrasin me nofkën “Halldup” vdes në gjendje të mjeruar, pa asnjë përkujdesje. Edhe pse ishte një i degjeneruar i llojit të vet, nëna Arina Petrovna ia kryen të gjitha shërbesat fetare dhe lutet shumë për shpirtin e tij pas vdekjes.
Porfir Vlladimiriqi, ne nofkën Judushka që është edhe përfaqësuesi tipik i çifligarit totalisht të shthurur rron me emrin e perëndisë në gojë, predikon, mban festat, falet, lutet, shtiret se ka frikë nga ndëshkimi hyjnor, por në anën tjetër ai është zhytur në llumin e prapësive dhe të gjitha ligësive njerëzore. Ai është vetë satanai në figurë njeriu, moralisht i shthurur, llafazan, dorështrënguar, ai kënaqet duke llogaritur pasurinë e pakufishme, të cilën e ka trashëguar me mjaft marifetllëqe, duke i lënë vëllezërit të vdesin urie. Ai edhe pse kishte grumbulluar një kapital përrallor, nuk iu jep para bijve, as atëherë kur ndodhen në gjendje fatale, as atëherë kur djali, i tij po ashtu një degjenerik i lindur, Vollodja, paralajmëron se do të vetëvritet, mirëpo ai nuk ia jep 3 mijë rubla. Ai nuk ia jep as tre kopekë. Nuk merakoset fare kur i tregojnë se djali ka vdekur apo se djali tjetër ka bërë vetëvrasje. Ka çaste kur ai i kredhur në mendime, pendohet, por sapo kontakton me njerëzit e vet i humbet kjo ndjenjë dhe vazhdon të predikojë për moral punë e sakrificë. E lë me barrë shërbëtoren Evrpakseja dhe kur lind djali jashtë kurore, ai përmes një shërbëtoreje tjetër, të cilën po ashtu e kishte abuzuar, foshnjën e porsalindur e dërgon në shtëpinë e fëmijëve të braktisur në Moskë. Porfir vladimiriqi, është shembulli më tipik i njeriut satana. Ai nuk njeh asnjë vlerë njerëzore dhe morale. Gjithçka në shpirtin e tij zien, kurdis çdo të ligë të mundshme vetëm e vetëm për të përfituar mbi kurriz të tjetrit, për të grumbulluar pasuri dhe për ta ruajtur atë pasuri si dritën e syrit, duke i lënë të tjerët të vdesin urie. Ai paraqitet edhe më koprrac dhe më i pangopshëm se “Gobseku” i Balzakut. Edhe pse e kupton se po i vinte fundi, ai nuk mendon fare për pasurinë, për trashëgimtarët, madje as për të birin e vogël, të lindur jashtë kurorës, të cilin e ka dërguar në jetimore. Në çastet e fundit të jetës së tij të degjeneruar ai degjeneron edhe mbesën, Aninjkën, e cila qysh në fëmijëri së bashku me motrën Lubinka kishin mbetur jetime dhe ishin rritur nën kujdesin e gjyshes koprrace, Arina Petrovna.
Aninjka që parqet edhe trungun e fundit të tharë dhe të prishur të gollovliovëve, të paktën mundohet të kthehet në një jetë tjetër, por pasi kishte rënë në llumin e shoqërisë së degjeneruar, ajo i lëshohet fatit dhe bëhet pre e meshkujve të degjeneruar e të shkujdesur. Edhe pse ishte aktore e një teatri të provincës, ajo bënte jetën e prostitutës. Në fund, pasi motra Lubinka kishte pirë helmin, ajo ishte frikësuar ta pinte pjesën e vet të helmit, edhe pse ishte betuar, Për të ngrysur ditët e fundit të jetës së trishtueshme shkon sërish te daja, te Judushka, i cili i ngjallte kruptë me qëndrimin e tij të shthurur dhe me predikimet morale e fetare, që nuk kishin të sosur.
Shuarja fatale e gollovliovëve shënonte edhe fillimin e shuarjes së artistokracisë sunduese, e cila po përpëlitej në shtratin e vet të vdekjes së pashmangshme. Revolucioni social në Rusi, i dha grushtin e fundit rendit të kalbur borgjez.
Shqedrini si në krijimtarinë e tij artistike, ashtu edhe në publikimet e shumta me karakter shoqëror e politik ishte përfaqësues i brezit të ri përparimtar, që kishte ide të reja ashtu si Bjelinski, Çernishevski, Plehanovi e shumë të tjerë, të cilët ofronin reforma dhe parapëlqenin rendin e revolucionit socialist. Ai mbi të gjitha ishte shkrimtar, vrojtues i thellë dhe njohës po ashtu i thellë i jetës njerëzore, i jetës ruse në veçanti, i asaj jete të cilën e përshkroi për mrekulli, pa e idealizuar fare, pa e mistifikuar, duke e paraqitur realisht krejtësisht lakuriq, atë botë të kalbur, e cila nuk mund të vazhdonte më tej. ( A.Q.)