Kadri Rexha: LIBËR MË VLERA TË PAMOHUESHME

 

( Nikë Gjeloshi: „Kosova 1999 as republikë e proklamuar as autonomi e imponuar“, publicistikë politike, „Gjergj Fishta“, Tiranë, 2002)

Ka libra që lexohen vetën një herë në jetë. Ka libra të tjerë që në çaste të veçanta lexuesi u kthehet përsëri. Ka libra që posa fillon t’i lexosh detyrohesh t’i përplasësh për muri. Por ka edhe libra që gjatë tërë jetës i mban mbi tryezë, apo nën jastëk, siç thuhet rëndomë. Në kategorinë e librave që të bëhën bashkëudhëtarë gjatë tërë jetës, për mëndimin tim, hyn edhe libri „Kosva 1999 as republikë e proklamuar as autonomi e imponuar“ i politologut Nikë Gjeloshi. Ky libër, sëbashku me veprat „Tronditja e shekullit“ e Rexhep Qosjes, „Vitet e humbura“ dhe „Mirupafshim në një luftë tjetër“ të Mehmet Krajës, „Tragjedia kosovare“ e Naim Balidemajt dhe „E fshehta e hapur e Kosovës“ e Bedri Islamit paraqet tipin e librit që trajton temën e madhe shumëdimensionale njerëzore, në rastin konkret, fatin e kombit shqiptar me të gjitha baticat dhe zbaticat që e përshkojnë gjatë gjithë shekullit e sidomos gjatë dekadës së fundit të viteve të shekullit që e lamë pas, fatin e kombit shqiptar të vënë në sprova dhe në pikëpyetje të shumëllojshme për jetë a vdekje. Pra, libri që e kemi në shqyrtim si dhe librat e cekur më sipër, me temën e madhe që kanë për bazë, ta quajmë temë biblike, në esencë shquhen për trajtimin e të vërtetës së zhvillimit të ngjarjeve historike, të vërtetës së zhvillimit të proceseve politike si dhe të vërtetës mbi personalitetet e kohës, si aktorë në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare politike.
Libri „Kosova 1999 as republikë e proklamuar as autonomi e imponuar” është një libër i jashtzakonshëm që posedon vlera të pamohueshme. Është libër mbresëlënës i zhanrit publicistikë politike. Kronikë besnike e Kosovës për ngjarjet e kohës. Analizë e përgjegjshme profesionale, deri në detale, e rrjedhave politike në Kosovë. Analizë mbi liderët partiakë, mbi qëndresën e masave të gjëra popullore, analizë e hollë e politikës pushtuese, koloniale, gjenocide dhe etnocide serbe në Kosovë dhe më gjërë. Ndonëse libër i kulluar politik, faqet e tij ndërtohen nga elemente komplekse historie, dokumenti, memorjeje, ditari personal, polemike, drame, tragedie dhe komedie sa vende-vende lexohet si letërsi e kulluar artistike. Lënda voluminoze e librit, rreth 400 faqe, nuk jepet në formë përshkrimi të ftohtë shkencëtari, por si material i jetuar me tërë qenien fizike dhe intelektuale të autorit.
Autori i librit nuk mjaftohet vetëm me vrojtim të thjeshtë, apo vetëm me rënditjen e ngjarjeve, me sistemimin e mendimit dhe veprimit politik në kohë dhe në hapësirë, por, i ndodhur në vorbullën e gjithë lëvizjes politike të kohës, mu nga qendra, në rastet më të shpeshta edhe si protagonist, analizon, inicon dhe riaktualizon ide, vepron dhe gjykon drejtë dhe pamëshirshëm. Prandaj, gjykuar nga përmbajtja shumëdimensionale, libri mund të cilësohet sa si monografi e mendimit dhe e veprimit politik të Kosovës së fundit të shekullit të kaluar, po aq edhe si monografi personale për Nikë Gjeloshin, vizionarin politik dhe veprimtarin praktik të Kosovës.
Për të qenë sa më konkret dhe sa më praktik për lëxuesin, lëndën e këtij libri publicistik shkencor autori e organizon, pos parathënies, në dhjetë kapituj me fusnota, në dhjetëra fotografi e dokumente si dhe në indeksin e emërave. Siç theksohet edhe në parathënie, objektivi i autorit në këtë libër është i përqëndruar kryesisht në zhvillimin e ngjajeve gjatë viteve 1997-1999, por herë pas herë, i detyruar nga imperativi kohor, ai i analizon edhe zhvillimet politike dhe ato të luftës qysh nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këndej, me ç’rast bëhën krahasime mbi zhvillimet dhe dështimet tona si popull edhe në dekadën e fundit të shekullit që e kapërcyem. Të gjitha këto analiza dhe të gjitha përfundimet shkencore autori i bën me një qëllim të qartë: të pajisën, të begatohen dhe të forcohen njerëzit e idealit kombëtar me njohuri të reja për të qenë të sigurtë, të guximshëm dhe të gatshëm për ta çuar përpara idenë e pavarësisë së Kosovës dhe atë të bashkimit kombëtar. Në këtë drejtim, shkakun e dështimit të politikës, si fushë veprimi ndër shqiptarët, në dekadën e fundit të shekullit që shkoi, Nikë Gjeloshi e gjen në humbjen e identitetit të shqiptarëve, si njerëz dhe si komb, në politikën injorante dhe hileqare, egoiste dhe lakmiqare, e cila pengoi ringjalljen e ndjenjës dhe krenarisë kombëtare si dhe të drejtën legjitime për pavarësi dhe bashkim kombëtar. Lojërat e ndyera politike të përfaqësuesëve politikë dhe të një pjese të intelegjencisë autori i emërton si veprime esadiste, si pasojë e të cilave do të vijë deri tek zhvillimet e ndara politike dhe të luftës në mbarë etnikumin shqiptar.
Një model kësisoji, i bartur me dekada, përkundër luftës së pastër çlirimtare gjatë viteve 1998 dhe 1999, Kosovën e dërgoi në Rambuje e Paris, ku edhe u nënshkrua marrëveshja, sipas së cilës Kosova përsëri mbetet etin “nën sovranit e popullit dhe itegritetin territorial të RFJ-së.” Pavarësisht këtyre definimeve të argumentuara që nuk mund të mohohen sot e as nesër, Nikë Gjeloshi, në vazhdimësi, thekson domosdonë e realizimit të idesë për pavarësi të Kosovës dhe atë të unifikimit kombëtar duke mos lënë anash edhe zgjidhjen e kahjes së arritjes së këtij qëllimi si dhe të bartësve të tij. Thënë shkurtë, nga autori, herë pas herë, riaktualizohet edhe profecia se derisa të mos realizohet iadeja e bashkimit kombëtar shqiptar, në popull do të shpërthejnë si vullkan rrymimet e ndryshme që synojë këtë ide, sot dhe nesër, profeci e cila dha një provë të re në muajin mars të vitit 1994.

Në librin që e kemi në dorë, autori, nga kapitulli në kapitull përcjellë besnikërisht, hap pas hapi, në mënyrë kronologjike, rrjedhën e ngjarjeve, rrjedhën e mëndimit dhe të veprimit të faktorëve të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë të lidhur drejtëpërdrejt me fatin e Kosovës. Duke trajtuar zhvillimet në Shqipëri dhe në Kosovë gjatë vitit 1997 e më vonë, angazhimin e Nënës Terezë për çështjen kombëtare, angazhimin e Grupit të Kontaktit rreth Kosovës, shpërthimin e luftës së Jasharjve në Drenicë, mbajtjen e zgjdhjeve të pavlefshme të 22 marsit të vitit 1998, rrethanat e luftës gjatë vitit 1998, daljen e patriotëve të shumtë në mbrojtje të atdheut, përpjekjet që të luftohej nën një komandë dhe pengesa e unitetit luftarak, strategjinë e tokës së djegur nga okupatori serb, përpjekjet e autorit të librit për ta bashkuar FARK-un me UCK-në, qëndrimin e udhëheqjes së LDK-së ndaj luftës dhe akuzat që i bëhëshin UCK-së, qëndrimin e e faktorit politik dhe atij të luftës për heqjen dorë nga pavarësia e Kosovës, përpjekjet e ndërmjetësuesit amerikan Richard Hollbruk për një zgjidhje politike, zhvillimet politike në Maqedoni, rrethanat që e dërguan Kosovën në Rambuje, krahasimin e marrëveshjes së nënshkruar në Rambuje me marrëveshjen shqiptare-serbe të aprovuar në Kuvendin e Prizrenit të vitit 1945, kërkesën e argumentuar të autorit të librit drejtuar nënshkruesve të marrëveshjes së Rambujesë për t’u tërheq nga politika, analizën e rrethanave të takimit Rugovë-Millosheviq të 1 prillit 1999 në Beograd si dhe analizën e mos shpalljes së gjendjes së luftës mbrojtëse të Kosovës, të cilat autori i shpallë akte tradhtie ndaj Kushtetutës dhe ndaj popullit shqiptar të Kosovës, negociatat e faktorit ndërkombëtar me Millosheviqin dhe pranimi i kushteve të ndërsjella, marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën e KS të OKB-së të 10 qershorit 1999, qëndrimet e faktorit ndërkombëtar: BE-së, Grupit të Kontaktit, SHBA-ve, OKB-së dhe NATO-s lidhur me statusin e Kosovës, vizitën e Bill Klintonit dhe të Madlenë Olbrajtit në Kosovë, shuarjen e institucioneve të Kosovës dhe fillimin e sërishëm të ndërtimit të tyre, pra, duke i trajtuar këto dhe shumë çështje të tjera, autori në librin e vet u përgjigjet pyetjeve më të ndërlikuara dhe sfidave më të papritura politike që lidhen me zgjidhjen e çështjes së Kosovës si dhe me zgjidhjen e problemit mbarëshqiptar. Dhe, krejt në fund të kësaj pune aq të mundimshme, thuaja punë e nivelit të një instituti, autori, me ndjenjë të çiltërt dhe me mendje të kthjelltë, u bën apel njerëzve të idealit që të dalin jashta rrethit të grupimeve oligarkike dhe lakmiqare dhe të vihen në pozita të shëndosha, të drejta, të kritikuesëve qëllimmirë, në pozita të ndarjes së vërtetës nga rrena, të ndarjes së drejtësisë nga padrejtësia, të ndarjes së të mirës nga e liga me qëllim që të shtohet dhe të rritët forca vepruese drejt ndryshimeve pozitive, drejt pavarësisë, unitetit dhe harmonisë kombëtare. Autori, poashtu, insiston që rrafshi politik shqiptar, i stërngarkuar me parti e asociacione politike, të ristrukturohet në tri deri në katër parti duke këmbëngulë në një sistem zgjedhor proporcional me lista të hapura, përmes të cilit populli do t’i eleminonte nga listat zgjedhore kandidatët që aq me përkushtim i shërbyen dje dhe po i shërbejnë edhe sot regjimit okupues të Sërbisë.

Si përfundim, mund të shtoj, autori Nikë Gjeloshi me këtë libër ka hapur një shteg të ri të mëndimit politik mbi zhvillimet politike dhe mbi personalitet politike të Kosovës duke e dhënë një porosi të qartë: në këtë botë nuk mbetet asgjë e mbuluar përjetësisht! Porosi tjetër e autorit është edhe kërkesa e rreptë për presion, kontollë të qartë opinionesh e veprimesh politike për personalitetet politike dhe pushtetare si dhe për kritikë të argumentuar, kategori këto të kulturës politike dhe shtetërore para të cilave përkulën të gjithë popujt shtetformues.
Pas leximit të librit “Kosova 1999 as republikë e proklamuar as autonomi e imponuar « lexuesit i sillen në kokë një varg pyetjesh dhe përgjegjiesh mbi bërien e politikës pa politikë, mbi fajet personale, mbi fajet kolektive, mbi luftërat e vazhdueshme, mbi qëndresen prometheike, mbi mundimet sizifiane, mbi flijimet shekullore, mbi shpërngulejet biblike, mbi varrezat masive, e kështu me radhë. Pra, ku ishte dje Kosova dhe, si rrjedhojë e gjithë kësaj, ku janë sot shqiptarët si etni dhe ku janë trojet e tyre legjitime. Ku është sot autori i këtij libri, Nikë Gjeloshi, autori i tekstit të referendumit të 26-30 shtatorit 1991 “për shtetin sovran e të pavarur të Kosovës” si dhe njeriu qeveritar që në rrethana tejet të rënda bëri përpjekje të mëdha për vënien e themeleve të strukturës së mbrojtjes së Kosovës…

Këmbëngulja e vazhdueshme e Nikë Gjeloshit për pavarësi dhe unifikim kombëtar, në perputhshmëri me idealet e gjeneratave prej Rilindësve e këndej, e shtjelluar qartë edhe në këtë libër, duket se atë e ka nxjerrë jashtë lojes së një politike të fëlliqur, jashta një cirku të verdhë që u luajtë gjatë dekadës së fundit, ashtu siç ka nxjerrë breza të tërë mendimtarësh dhe veprimtarësh shqiptarë deri më sot. Por, cili shqiptar nuk e sheh ardhmërinë e kombit të vetë të pavarur dhe të unifikuar, pikërisht në këtë pikë merandimi aq shumë të theksuar nga Nikë Gjeloshi? Prandaj, duke u mbështetetur në punën e tij të palodhme, tek Nikë Gjeloshi shoh njeriun e pathyeshëm, shoh publicistin që angazhon, shoh veprimtarin konseguent, i cili jo vetëm e do popullin dhe atdheun e vet por, e di se si duhet dashtë dhe si duhet punuar për këto ideale kaq të larta.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …