leoni

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Kosova pas Vjenës nuk duhej t’ i pranonte bisedimet politike me Serbinë

Nga viti 2012, në Bruksel janë zhvilluar bisedime politike, që nuk do të duhej të fillonin. Arsyetimi për fillimin e atyre bisedimeve, jo vetëm një herë por është thënë shumë herë atëherë nga Kryeministri i atëhershëm, Thaçi që sot është Kryetar i Kosovës, jo pak herë na është thënë: “Se për bisedimet politike e ka mbështetjen e Uashingtonit, pra të SHBA-së e të Brukselit”! Rezultati i atyre bisedimeve, pas pesë viteve të gjithëve na është më shumë se i njohur. Është dështim i plotë i palës sonë në ato bisedime, për faktin se pala jonë në Bruksel është shkuar me duar në xhepa, që do të thotë është shkuar pa asnjë përgatitje as politike e as profesionale?! Pse ka ndodhur kjo, vetëm ata që  i kanë udhëhequr ato bisedime e dinë!

Një gjë duhet ta dinë secili politikan në Kosovë, se ecja në rrugën e kaluar një herë, në rrugën që nuk ka dhënë ndonjë rezultat në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, nuk jep rezultat tjetër veç dështimit. Kosovës i duhen suksese e jo dështime! Pastaj të gjithë duhet ta dimë se: pas bisedimeve të Vjenës (2006/2007), pas shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008, në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar, ku SBA-ja kishte rrolin e saj goxha përcaktues, e sidomos pas verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i dhënë më 22 korrik 2010, Kosovën askush nuk e obligonte që të zhvillonte bisedime politike me Serbinë. Ishte Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme e OKB-së që kërkonte Bisedime teknike me ndërmjetësimin e Brukselit (BE-së), por jo bisedime politike. Unë nuk e di se ka qenë ndonjë instancë ndërkombëtare që e ka obliguar  vendin tonë që të zhvilloj bisedime politike?! Nëse ka le të bëhet publike.

Ne një situatë të tillë, Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e dalë nga ai duhet ta sqarojnë një herë e mirë çështjen, pse dhe si filluan Bisedimet Politike Kosovë – Serbi, pas kompromisit të madh që Kosova kishte bërë në Bisedimet e Vjenës? Atëherë kompromisi u bë për Pavarësinë e Kosovës! Bisedimet e Brukselit nën cilin presion u bënë? Në interes të kujt u bë kompremitimi i madh i Brukselit? Të  Kosovës  apo të individit? Vetëm pasi të sqarohen këto pyetje e shumë të tjera dhe të bëhen përgatitjet e duhura me konsensus nacional, me njerëz që dinë e duan të arrijnë përfundime që i duhen vendit e paqes në rajon, të rifillojnë bisedimet pa e kapërcyer as edhe një shkronjë të Dokumentit të Presidentit Ahtisari. I cili dokument komuniteteve pakicë e sidomos komunitetit serb, u jep kompetenca që kalojnë çdo standard ndërkombëtar për komunitete.

Se fundi, çdo ngutje nga cilido udhëheqës i Kosovës dhe çdo presion që mund vjen nga jashtë, nuk mund të zgjidhë asnjë problem real, veçse krijon e ndërlikon situatën politike në rajon dhe kjo si duhet askujt! Ndërsa thirrja që bënë zyrtarët e Brukselit se: “duhet të heqin dorë të dy palët nga diçka” janë të pa drejta dhe nuk zgjidhin asgjë! Brukseli duhet të kërkoj nga Kosova, zbatimin e Dokumentit të Presidentit Ahtisari, por jo përtej tij!

Institucionet e Kosovës, drejtuesit e tyre, nuk kanë nevojë të kërkojnë ndihmë nga ata që i ndihmuan, por, të kërkojnë përgjegjësi nga vetja e tyre, nëse nuk dinë le ta kërkojnë ndihmën e atyre që dinë!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …