(Mendime rreth romanit: “Burgu”, autor Ahmet Qeriqi, botim i vitit 2004, në Prishtinë)
Pas publikimit të një seri krijimesh historike- artistike dhe novelës “Meditime në arrati”, Ahmet Qeriqi i paraqitet lexuesit me romanin e tij të parë, të titulluar “Burgu”. Qysh në rreshtat e parë të romanit, lexuesi, i cili e ka kaluar nëpër duar veprën e Ahmet Qeriqit, bindet se romani “Burgu”, së bashku me novelën “Në arrati”, përbëjnë një diptrik.
Romani është shkruar në vetën e tretë. Bazuar në subjektin e romanit dhe në personazhet e tij mund të themi se romani “Burgu” është një vepër autobiografike dokumentare e letrarizuar, ku personazhet janë që të gjithë personazhe realë, por që një pjesë e tyre paraqiten me emrin e vërtetë, kryesisht ata personazhe që nuk jetojnë më, ndërsa personazheve të tjerë u është bërë modifikimi i emrave. Një lexues bashkëkohës i autorit dhe i vëmendshëm e bën shumë lehtë deshifrimin e emrave edhe të personazheve që u është modifikuar emri.
“Shtëpitë” e shpirtrave në Jugosllavi
Lexuesi e ka të lehtë ta kuptojë se autori, romanin duhet ta ketë parashikuar fillimisht si kujtime nga jeta e burgut, por më vonë ai ka ndryshuar mendim dhe e ka shndërruar në vepër artistike. Mendoj se gjetja që autori Qeriqi ka bërë, është gjetja më e mirë, pasi, duke e shndërruar nga kujtime në roman, ai ka mundur të shprehi artistikisht edhe botëkuptimin dhe filozofinë e tij personale, gjë që po të ishte trajtuar vetëm si kujtime nuk mund ta realizonte këtë arritje kaq të mirë. Njëkohësisht, përmes trajtimit në formën e romanit e bën veprën më tërheqëse, të kuptueshme për të gjitha moshat, shtresat dhe të gjitha kohërat, pasi kemi të bëjmë me një përgjithësim të jetës të të burgosurve shqiptarë në ish Federatën Jugosllave.
Deri tash lexuesi shqiptar është njohur për vuajtjet e shqiptarëve nëpër burgjet e Jugosllavisë përmes raportesh dhe librash politikë, përmes deklaratave të shoqatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përmes fjalimesh politike, përmes kujtimeve, bisedave, ditarëve dhe letrave të të burgosurve si dhe përmes poezive të tyre, por ky roman është vepra e parë e këtij lloji e botuar në Kosovë. Dhe, ajo që është e veçanta e saj, është se ky roman është shkruar nga një intelektual, i cili i ka vuajtur vetë vuajtjet në ato burgje, apo sikundër e perifrazon ai Dostojevskin, autori na vjen nga shtëpia e të vdekurve të pa groposur, thënë ndryshe, është një i mbijetuar i atyre shtëpive të vdekjeve masive të shqiptarëve, që guxuan të mendonin ndryshe nën epokën “e ndritur” të komunizmit jugosllav. Burgu, si institucion i domosdoshëm represiv kundër shqiptarëve në ish-Jugosllavi ishte një aparat ndëshkimi mizor, ishte pjesë e fushatës së egër politike kundër tyre si komb, në esencë antihumane. Mirëpo, përveç aparatit ndëshkues administrativ, edhe disa nga të burgosurit ia nxinin jetën të burgosurve “Kurrgjë burgu, çka janë të burgosurit”, thuhet në zhargonin e të burgosurve, ku intriga ishte aktiviteti kryesor i tyre, e cila nëpër burgje shndërrohet në art, e sidomos kundër të burgosurve shqiptarë. Përmes këtij libri mësojmë edhe botëkuptimin e të burgosurve, psikologjinë e tyre, kategoritë e të burgosurve. Mësojmë sesi sistemi jugosllav i shndërronte ata fizikisht në hije; mësojmë se si rriten veset dhe prapësitë njerëzore e stërhollohen deri në mizori; mësojmë se cili është dallimi me njeriun në burg dhe jashtë burgut; mësojmë se si stërmundohet i burgosuri të ruaj karakterin dhe prestigjin e vet; mësojmë se si jetohet në atë hapësirë të ngushtë me lloj lloj karakteresh e tipash njerëzorë; mësojmë pasojat që të len burgimi shumëvjeçar; mësojmë se si ekziston në burg hierarkia njerëzore; mëson se si është “ky ferr i botës titiste”, që “kur del nga burgu të duket sikur del nga thellësitë e nëntokës”, sikundër shprehet njëri nga personazhet e këtij libri.
Tipizimi i të burgosurve
Përmes romanit “Burgu” mësojmë se ndasitë shoqërore në burgun jugosllav kanë pasur një karakteristikë krejt të ndryshme nga ato në “shoqërinë e lirë”, në qoftë se do ta quanim kështu jetën e shqiptarëve nën ish Jugosllavinë. Ahmet Qeriqi, përmes këtij romani u heq çatitë dhe muret tërë burgjeve të ish Jugosllavisë dhe i nxjerr ata lakuriq, duke i treguar njerëzve që nuk e kanë parë mirë botën e “shtëpive të të vdekurve” në ish Jugosllavi, duke na treguar “humanitetin” e vërtetë të atij sistemi që pretendonte se ishte udhëheqës i botës së paangazhuar.
Sistemimi i të burgosurve nëpër burgjet e Jugosllavisë ka qenë i organizuar nëpër grupe, ku madhësia e grupeve kishte deri ne 20 veta, por që në të shumtën e rasteve ishin më të vogla. Grupet e të burgosurve ndaheshin sipas llojit të veprave penale. për të cilën ishin akuzuar ose që kishin kryer. Grupet më të parespektuara, ose më të përbuzura del se grupet e pederastëve, të dhunuesve, trafikantët e fëmijëve, kriminelët e pa shpirt etj. Trafikantët e atëhershëm të fëmijëve, sipas romanit, del se përbëheshin thjeshtë nga raca rome dhe që në burg shoqëroheshin kryesisht me kriminelët dhe dhunuesit dhe bëheshin denoncues të pështyrë. Këto grupe vuanin tërë përbuzjen dhe urrejtjen e të burgosurve të tjerë. Përsa i përket grupit të dhunuesve, sipas përshkrimeve në roman, ata zakonisht nuk e pranonin veprën e tyre. Veprën e kryer ata ia atashonin rastësisë, efektit të pamatur dhe përgjithësisht xhelozisë së femrës.
Sipas autorit, hajnat përbënin një kategori të veçantë të të burgosurve. Përgjithësisht ata ishin inteligjentë, të shoqërueshëm, kurdoherë me disponim të mirë dhe krejtësisht pa komplekse. Edhe pse ishin në shënjestrën e gardianëve, nga që bënin probleme, ata kurrë nuk nënshtroheshin. Hajnat ishin më agresivët kundër denoncuesve, duke i dënuar e ndëshkuar kolektivisht, pasi u hidhnin batanijen në kokë në kushtet e errësirës. Është interesante të thuhet se hajnat ishin ata të burgosur që i përkrahnin haptas të burgosurit politikë, duke i ndihmuar në çdo gjë. Arsyeja kryesore pse hajnat përkrahnin të burgosurit politik ishte se hajnat nuk e duronin dot fyerjen. Kjo kategori të burgosurish ishin përgjithësisht njerëz të paarsimuar. Edhe në rast se në grupin e tyre kish ndonjë me shkollë të mesme, ata dalloheshin për shpirtin e tyre si të derrit, hipokrizinë dhe dinakërinë shtazarake.
Autori bën kujdes dhe na jep diferencimin brenda grupit të hajnave. Ajo pjesë e hajnave, që ishin vjedhës të rëndomtë, bënin pjesë ndër më të përbuzurit, pasi janë njerëz të të gjitha veseve njerëzore, madje edhe shpifës dhe të aftë për çdo gjë të ligë. Ata i ngjasojnë qenit që kafshon tinëz, thotë autori dhe, si të tillë e nuhasin shumë shpejt rrezikun. Është edhe një kategori tjetër hajnash, sikundër del nga romani, të cilët autori i cilëson “rrëmbyes”. Rrëmbyesit vinin nga radhët e jetimëve dhe të varfërve ekstremë, të cilët e urrenin pushtetin e që nga puna nuk kishin arritur të siguronin ekzistencën, ndaj dhe kishin zgjedhur rrugën e plaçkitjes. Në qenien e tyre, thekson autori, vlonte hakmarrja kundër pushtetit, edhe pse nuk kishin ndonjë ideal të caktuar. Ata zakonisht plaçkitnin pushtetarët. Ishin plot ide dhe plane për jetën pas burgut, ku më tipiku prej tyre paraqitet serbi Miletiç prej Vareshit të Bosnjës. Ai të linte përshtypjen e kryengritësit të vetmuar. Ai shoqërohej me të burgosurit politikë, pasi ishte i sigurt se nuk denonconin dhe nuk i tradhtonin për ato çka ata tregonin në biseda, pasi “burgu të bën llafazan të pakorrigjueshëm”, thotë një personazh. Ai shpenzonte nuk e pinte duhan, ishte inteligjent dhe çuditërisht i drejtë dhe solidar.
Rrëmbyesit bëjnë plane pas daljes nga burgu për një jetë normale, gjë që nuk manifestohej nga vjedhësit, por që shprehnin dyshimin se shoqëria nuk do t’ua krijonte atë mundësi. Midis tyre, ka edhe dinakë, mashtrues e djallëzorë që pretendojnë të prezantohen ndryshe, nga që pretendojnë të paraqiten ndryshe nga ç’janë në të vërtetë. Rrëmbyesit përgjithësisht nuk vrasin dhe nuk e pranojnë veprën as në hetuesi dhe as në gjykatë.
Ja si i kundërpërgjigjet rrëmbyesi Miletiç, vjedhësit serb Tadiç:
“Rrëmbyesit u rrëmbejnë atyre që kanë dhe jo fukarenjve.
Ti nuk e di dallimin midis rrëmbyesit dhe hajnit. Pikërisht vetëm për këtë vepra e rrëmbyesit dënohet shumë më ashpër, sepse ajo i godet të pasurit, pushtetarët, ndërsa vjedhja jo, sepse ti vjedh ata që e sheh se i mund, ata që janë më të dobët se ti”.
Kategoria tjetër që përshkruhet në libër është ajo e vrasësve. Ata përgjithësisht, thotë autori , dukeshin si ujqër të futur në kafaz, të cilët ishin gati të shqyenin njeri tjetrin, por që ndaj autoriteteve të burgut bëheshin urë, plastofilë njëqind trajta, frikacakë të pështyrë, kameleonë njëqind ngjyrësh. Kriminelët ishin kategori e veçantë, pavarësisht nga kombësia. Në tërësi ishin njerëz të egër, me përjashtime të rralla, kur krimi kish ndodhur për vetëmbrojtje apo në rrethana të paparashikuara. Vrasësit krekoseshin deri në marrëzi, kur ata rrëfenin mënyrën sesi e kishin kryer se si kish krimin. Egërsia e tyre dukej edhe në pamjen e jashtme. Frika që ata manifestonin kur gardiani hynte papritmas në qeli, tregonte se ata bënin pjesë në familjen e qenit të rrugës. Këta kriminelë kishin fituar një bindje të verbër se urrejtja e hapur kundër të burgosurve politikë do t’i ndihmonte për t’u liruar para kohe, pasi kish pasur raste të tilla, si p.sh. me kriminelin Dak Daku. Kriminelët zakonisht ishin të unifikuar dhe gjatë gjithë ditës rrinin në çajtore ose shëtisnin në grupe prej 8 apo 10 vetash, ndërsa në menzë uleshin pranë njëri tjetrit, por nuk provokonin. Kurrë nuk flisnin me të burgosurit politikë. Midis kriminelëve dhe të burgosurve politikë ekzistonte hendeku më i thellë, pasi kriminelët i fajësonin këta të dytët për veprën e tyre të drejtuar kundër bashkim-vëllazërimit. Pabesia e tyre vërehej qysh në fytyrë. Shumica e tyre ishin dënuar me 10 – 20 vjet burg. Më të rrezikshmit ndër ta ishin dinakët, të pabesët, shpirt ligjtë dhe që të gjithë ata përkraheshin nga autoritetet e burgut. Në radhët e tyre bënin pjesë edhe kriminelët e damkosur, të cilët kishin kryer vepra të neveritshme gjakësore. Kish edhe një kategori tjetër vrasësish, ata që kishin vrarë spiunë ose bashkëpunëtorë të rrezikshëm të pushtetit, të cilët respektoheshin për trimërinë dhe përkraheshin edhe nga të burgosurit politikë.
Një kategori tjetër të burgosurish, që trajtohen në roman, ishin ata që kishin abuzuar në detyrë, si Jusa nga Medvegja, të cilët nuk e fshihnin orientimin e tyre projugosllav dhe që justifikoheshin se në vepër i kishin shtyrë shqiptarët nacionalistë, nga që ishin projugosllavë. Nga radhët e tyre kish provokatorë dhe spiunë.
Një kategori e veçantë përbënin të burgosurit për krime ekonomike, të cilët leximin e përdornin thjeshtë për të konsumuar kohën. Ata ishin kryesisht intelektualë, të cilët ishin dënuar për korrupsion, mitmarje, humbje në organizatë apo vepra të tjera që binin ndesh me ligjin. Edhe kjo kategori dallohej për unitet midis tyre.
Ekzistonte edhe një kategori tjetër të burgosurish, ata që nuk kishin orientim të caktuar kombëtar ose politik, por rastësia kish bërë që ata të gjendeshin në ndonjë grupim, ku dikush, i detyruar nga dhuna, u kish futur emrin në grup, ose që kishin dash të arratiseshin në Shqipëri dhe i kishin kthyer me dhunë. Ata, në përgjithësi ishin simpatizantë të ndonjë çështje madhore, por që nuk i kuptonin si duhet rrethanat politike, flisnin me sllogane, por që nuk i kuptonin thellësisht ato çka trajtonin.
Të gjitha këto kategori dalloheshin për unitetin e lartë brenda grupit, ku nuk kishte grindje dhe prishje të shoqërisë pothuajse aspak. Ato kategori i bashkonte krimi dhe bindjet e tyre për jetën, pavarësish se brenda secilit grup kishte dallime arsimore, origjine, sociale dhe ekonomike. E vetmia gjë që e forconte atë unitet ishte paraja, fitimi i padrejtë, pavarësisht se nuk kishin të njëjtin nivel kulturor, por që forcohej bashkimi për shkak të interesit personal dhe të ndarjes së barabartë të fitimit. Ata i bashkonte, thotë autori përmes dialogjeve, edhe çështja e ndarjes së barabartë të rrezikut, e cila forcon lidhjen shoqërore të tyre, ndaj dhe grindjet janë inegzistente në grupet e tyre.
Të burgosurit politikë
Kategoria e të burgosurve politikë respektoheshin nga shumica e të burgosurve. Nga të burgosurit që ndodheshin në Burgun e Gjurakut, humica e tyre ishin dënuar nga 1 deri 8 vjet burg, ndërsa ata që i përkisnin grupit marksist Leninist të Kosovës ishin dënuar më rëndë. Për të burgosurit politikë do të zgjatemi më shumë, pasi edhe personazhi kryesor i këtij romani, Eknat Malmiri, i përket kësaj kategorie dhe që shtjellohet më së shumti në roman. 90% e të burgosurve në burgun e Prishtinës ishin të burgosur politikë, por nga që ishin shumë, ata ishin shpërndarë në të gjitha burgjet e Jugosllavisë, ku vet personazhi kryesor, Eknat Malmiri ka ndërruar 5 burgje, nga Prishtina deri në Suboticë. Asnjë prej të burgosurve politikë shqiptarë, përjashtuar ata që ishin penduar, nuk ishte thyer qoftë në hetuesi qoftë në gjyq, nuk kishin frikë dhe nuk merrnin parasysh kërcënimet e ndryshme që u bëheshin nga gardianët apo nga kamxhiku i tyre. Këtë e shohim në shumë përshkrime të autorit, por që më së qarti del në dialogun në hetuesi midis të burgosurit Eknat Malmiri dhe Sekretarit Krahinor për Punët e Brendshme të Kosovës, Mehmet Maliqit në burgun e Prishtinës.
“Eknati: Zotni hetues, nuk e pranoj se kam bërë faj. Nga këndvështrimi i juaj unë kam bërë kundërvajtje, por nga këndvështrimi im unë kam vepruar me ndërgjegje, gjithnjë duke menduar se shqiptarët në Jugosllavi nuk janë të barabartë me popujt e tjerë….
Maliqi, duke e ndërprerë, ngihet nga kolltuku, me njërin sy të verbër, duke ecur ngadalë, i afrohet Eknatit dhe papritmas e godet me shuplakë, duke i thënë: “Foli edhe ji herë ato fjalë. Çfarë barazie lyp ti. Unë synin tem e kam lënë në luftë kundër ballistëve dhe gjermanëve e ti po ma kallxon mua barazinë”.
Të burgosurit politikë në përgjithësi ishin intelektualë, studentë dhe punëtorë. Forca e pathyeshmërisë së tyre qëndronte te bindjet e tyre, te ekzistenca dhe dashuria për shtetin amë, besimi te liria, te forca dhe militantizmi liridashës shqiptar edhe pse ishin të vetëdijshëm se ajo forcë kish marrë mijëra goditje. “Sa më shumë që shqiptarët armiqësoheshin me serbët dhe me popujt e tjerë sllavë-thotë autori në f.76- aq më tepër fitonte ideja e pavarësisë dhe e bashkimit kombëtar”. Studenti Met Lami, i cili kish sfiduar trupin gjykues me qëndrimin e tij militant, kishte bërë që të rritej respekti edhe më shumë për të burgosurit politikë. Pothuajse që të gjithë ishin të burgosur të republikës, sikundër thirreshin. Ritmikën e parullës “Republikë, kushtetutë ja me hatër ja me luftë” ata e kishin shndërruar në një lloj alfabeti Mors, duke shfrytëzuar ritmikën e rrokjeve, duke e përdorur në trokitjet në muret ndarëse të qelive për të komunikuar midis tyre si dhe për të thirrur gardianët, të cilët kundërpërgjigjeshin duke i përplasur dyert me rapëllimë.
Rrallë ndodhte të takohej i burgosur politik për ndonjë delikt tjetër. Besimi mes të burgosurve politikë fitohej qysh në njohjen e parë. Ata e donin dhe e ruanin njeri-tjetrin më shumë se vëllezërit midis veti. Ata ishin skajshmërisht solidarë me njeri tjetrin dhe të gjitha ushqimet që u sillnin familjet i ndanin së bashku. Ata ndiheshin si një familje e vetme, të cilët edhe kur nuk pajtoheshin për çështje të veçanta teorike e ruanin unitetin, e sidomos autoritetin e njeri-tjetrit. Gjatë gjithë kohës së lirë ata i shihje duke lexuar literaturë politike ose artistike, ose mësonin gjuhë të huaja. Vetëm në raste krejt të rralla mund të ndodhte ndonjë mosdurim, por që me intevenimin e shokëve, pa vonesë arrihej pajtimi. Të burgosurit politikë zakonisht mbaheshin mirë moralisht. Të mësuar me skamjen, varfërinë dhe gjithmonë nën robëri, ata nuk kishin çfarë të humbnin, veç prangave. Të burgosurit politikë i respektonte edhe populli dhe kjo jepet në mënyrë shumë të qartë e të kursyer nga autori, vetëm në një pasazh të shkurtër, kur një gardian i panjohur i sjell Eknatit të fala nga një ish kolegia e tij, Dranja, e shoqja e një funksionari të lartë të Komitetit Krahinor.
Dallimet midis të burgosurve politikë shqiptarë
Edhe midis të burgosurve politikë shqiptarë të viteve tetëdhjetë, kur shtjellohen ngjarjet e romanit, kemi një ndarje, e cila del qartë përmes personazheve dhe dialogjeve të tyre. Grupi më i respektuar ndër ta ishte Grupi Marksist Leninist i Kosovës, të cilët kërkonin idealen, bashkimin me Shqipërinë. Shumica e të burgosurve politikë anonin nga ky grup, nga që kreu i këtij grupi, gjatë gjykimit në gjyqin e Prishtinës kish bërë një mbrojtje të fuqishme dhe të guximshme, e cila kish ndikuar te rinia militante, por edhe te të burgosurit e tjerë. Të ishe pjesëtar apo simpatizant i këtij grupi, llogaritej se ishe në rrugë të drejtë dhe në linjë të drejtpërdrejtë me politikën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Edhe Eknat Malmiri e simpatizon këtë grup, por meqë ai është një studiues kritik i teorisë marksiste, njëkohësisht edhe studiues dhe lexues i drejtimeve të tjera filozofike dhe i letërsisë artistike, ai anon nga grupi i Partisë ML të Shqiptarëve të Jugosllavisë, të cilët në programin e tyre kishin krijimin e republikës shqiptare në Jugosllavi, ku të përfshiheshin të gjitha trojet shqiptare të federatës. Kjo ishte një kërkesë, e cila e sfidonte më së tepërmi politikën shtetërore të Jugosllavisë, por që sfidohej nga anëtarët e GMLK-së, të cilët këtë organizatë e pranonin me rezervë. Për strukturat partiake titiste dukej sikur ishte më i përshtatshëm se sa GMLK-ja, i cila kërkonte bashkim kombëtar, dhe, e dyta, nga që “kreu i PKMLSHJ kish dalë jashtë Jugosllavisë” dhe nuk kish guxuar të përballej me drejtësinë titiste. Eknati, edhe pse bënte pjesë në grupin e Lëvizjes Çlirimtare për Bashkim, por falë rezistencës së tij dhe organizimit nuk ishte dekonspiruar, ai do të duhej të ishte në anën e PKMLSHJ, pasi analiza që ai i bënte programit të tyre i dukej më përfitues e më pragmatist, pasi i tubonte gjithë shqiptarët e ish Jugosllavisë në një republikë të vetme, duke i evidentuar më tej jo si kombësi, por si komb dhe bëheshim republika e tretë për nga madhësia në FJ. Kjo ishte edhe pika më e papranueshme për titistët dhe serbët, të cilën autori na e shpreh përmes thënieve të komandantit të burgut në Novi Sad, malazezit nga Peja, Martinoviq, fjalët e të cilit tregojnë se Jugosllavia po “marshonte drejt nacionalsocializmit ekstrem, të rrezikshëm për shqiptarët por edhe për popujt e tjerë të Jugosllavisë”, thotë autori.
Midis të burgosurve politikë ekzistonte edhe grupi i studentëve që kishin marrë pjesë në demonstrata, por që nuk kishin ndonjë ngjyrim politik apo ideologjik. Kish gjithashtu edhe intelektualë të dënuar për shkak të bindjeve të tyre që binin ndesh me politikën antishqiptare të jugosllavisë, si Gip Reçi, Met Tërni etj., por që ishin shumë të paktë dhe që pothuajse rinin të veçuar e jashtë ndikimeve, edhe pse të burgosurit e tjerë politik mundoheshin t’i mbanin afër dhe i ndihmonin në çdo rast. Individualiteti i tyre rridhte nga mbivlerësimi që ata i bënin vetes.
Ekzistonte edhe një grup tjetër të dënuar politik, ata që ishin kapur duke shpërndarë literaturë politike të ndaluar e që vinte nga Shqipëria.
Përsa i përket pjesës së të burgosurve politikë, të cilët ishin penduar para gjyqit, ata ishin diferencuar dhe shoqëroheshin me kriminelët, ata quheshin :të thyer”. Më tipiku prej tyre ishte Ruzh Gjaku, apo Dan Dani, të cilët improvizonin dhe filluan të degjenerojnë në të gjitha, pasi ishin izoluar nga të gjithë. Degjenerimin e tyre e shohim te dialogu midis Dan Danit dhe Eknatit.
Dani: po mundohem t’i bind autoritetet se nuk jam nacionalist.
Eknati: E çka je ti?
Dan Dani: Unë nuk i urrej serbët si ti dhe disa të tjerë.
Eknati: As unë nuk i urrej serbët, por aparatin e tyre shtypës… Por ti edhe pse je penduar dhe ke rënë kaq poshtë prapë se prapë nuk do të besojnë, madje edhe shka të behesh”.
Shumë nga të rinjtë e sotëm, por, sidomos lexuesit e nesërm, do të bëjnë pyetjen e natyrshme: Si është e mundur të quhen të burgosur politikë shqiptarët nën ish Jugosllavi, kur ata e quanin veten marksistë-leninistë (komunistë), kur vet Federata Jugosllave ishte shtet socialist dhe udhëhiqej nga ideologjia marksiste-leniniste. Këtë shpjegim na e jep Ahmet Qeriqi përmes romanit të tij “Burgu” dhe veçanërisht përmes personazheve: Eknati dhe të tjerët. Nga romani kuptojmë se Eknati, i burgosur politik, është një studiues kritik i teorisë marksiste, por ai nuk mjaftohet vetëm me këtë. Ai lexon edhe filozofi të tjera, krahas literaturës artistike të të gjitha kombeve, falë njohjes e zotërimit të shumë gjuhëve të huaja: serbo-kroatisht, rusisht, italisht, arabisht, frëngjisht dhe hungarisht. Krahas leximit të literaturës politike dhe artistike që botohet në shtetin amë, në Shqipëri. Si i tillë ai ka mbërritur në përfundimin se teoria marksiste nuk është e vetmja teori e vërtetë dhe nuk e pranon se është teoria më e përsosur. Fillimisht atij i ka pëlqyer ajo ideologji, ndaj edhe e simpatizon GMLK nga që është pak a shumë si ata, idealist. Ashtu sikur ka thënë Mark Tuen: “Një njëzetvjeçar që nuk është komunist, është pa zemër, por kur është 40 vjeç dhe vazhdon të jetë ende komunist, do të thotë se është pa tru”.
Mirëpo studimi dhe thellimi në ato çka ai lexon, ballafaqimi i njohurive që ai përvetëson, e bëjnë atë më liberal, i jepte të drejtën vetës të shfaqte dyshime të caktuara në raport me realitetin në Shqipëri, dhe gradualisht, ai kthehet në një ideolog idealist nacionalist, jo komunist, por realist, i zhveshur nga çdo shovinizëm, i cili nuk urren as edhe një komb tjetër, veçse kërkon barazinë e kombit të tij me kombet e tjera dhe dhënien e të drejtës edhe kombit të tij të bashkohet, si e drejtë njerëzore e çdo populli. Domethënë, ai ka arritur të shndërrohet nga militant i teorisë marksiste leniniste të vërtetë (dhe kështu cilësohej vetëm Partia e Punës e Shqipërisë e udhëhequr nga Enver Hoxha), rritet në bindje, njohuri dhe kulturë dhe shndërrohet në një atdhetar demokrat idealist. Lind pyetja tjetër se pse cilësohej Partia e Punës nga të burgosurit politikë në Kosovë si e vetmia parti e vërtetë marksiste leniniste? Së pari, nga që shteti amë dhe partia që udhëhiqte atë ishin kundërshtarët dhe kritikët më të rreptë e më të ashpër të ideologjisë dhe praktikës që udhëhiqte Federatën Jugosllave. Si të tillë, mbështetja parimore e të burgosurve politikë nën ish Jugosllavi ishte mbështetja në politikën e Republikës së Shqipërisë, duke u nisur nga parimi: “nëna nuk të tradhëton kurrë. Si rjedhojë “simpatia që kishin të burgosurit politikë për Shqipërinë dhe Enver Hoxhën ishte krejtësishtë e arsyeshme”,(f.109), pranon Eknati. Mirëpo Eknat Malmiri, nga studimi, leximi dhe ndjekja me kujdes e çdo zhvillimi që kish të bënte me Shqipërinë, e dinte se Shqipëria ishte një vend i izoluar dhe nuk kishte kurrëfarë ndikimi në politikën ndërkombëtare, prandaj ai kish arritur në përfundimin se mendimi që ekzistonte në shumicën e të rinjve shqiptarë se, Shqipëria kishte armatimin më të fuqishëm në botë dhe se vetëm për disa ditë do të mund ta shkatërronte Jugosllavinë, ishte thjeshtë një iluzion. Përkundrazi, Eknati frigohej se “mos Jugosllavia do të gjente mercenarë dhe do ta gllabëronte edhe atë pak Shqipëri që kish mbetur”, duke ua shprehur këtë merak kolegëve të tij në burg gjatë bisedave të ndryshme. Eknat Malmiri asnjëherë nuk kishte shfaqur haptas dyshime në kursin politik të Shqipërisë, thotë autori.
Ai besonte se Shqipëria do të mund të jetonte e vetmuar dhe e izoluar në Evropë. Ai kurrsesi nuk e pranonte marksizmin si të vërtetën e patjetërsueshme dhe të vetmen filozofi të pagabueshme, dhe që për këtë e bindte fakti se midis vendeve komuniste kishte divergjenca të papajtueshme në interpretimin e teorisë marksiste, “përveç faktit, thotë Eknati, që marksizmi në praktikë kishte filluar të çalonte”.
Të gjitha këto, dhe nga nevoja për t’u identifikuar me Shqipërinë, e cila deklaronte në atë kohë se vetëm ajo e mbronte teorinë e vërtetë marksiste, të gjithë nacionalistët shqiptarë në Federatën Jugosllave, që njihen me emrin të burgosur politikë, e quanin veten marksistë leninistë. Njëkohësisht, duke u cilësuar si marksistë, ata kishin bërë zgjidhjen më të zgjuar, nuk cilësoheshin si të infektuar nga teoritë djathtiste. Në këtë mënyrë, ata mendonin se shteti jugosllav nuk do të mund t’u thoshte kundërrevolucionarë e antisocialistë, armiq të bashkim vëllazërimit. Nga ana tjetër, ata, duke u vetëcilësuar si komunistë marksistë, mbroheshin se nuk ishin për shpërbërjen e Federatës por për avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në atë federatë, për t’u barazuar me popujt e tjerë, teori që e trajtonte edhe teoria marksiste.
Në rast se Eknat Malmiri do të guxonte të shprehte haptas ato mendime të tij, atëherëë ai mund të akuzohej nga shokët e burgut si revizionist, si mungesë e kalitjes revolucionare, si dorëzim apo thjesht si tradhti, pasi ata kujtonin se e vetmia teori e vërtetë marksiste zbatohej në Shqipëri. Ata ishin dogmatikët, me të cilët debaton shpesh Eknati dhe që “këtu thyheshin heshtat”, sikundër thotë vet ai. Dogmatikë ishin zakonisht ata që nuk kishin përgatitjen e duhur shkollore ose intelektuale, ndaj dhe e mbanin veten për dijetarë, liderë e teoricienë të marksizmit, ndaj dhe kishin maninë të imponoheshin, duke u mbështetur në grupazhe, pavarësisht se ishin atdhetarë fanatikë.
Përmes romanit na jepet edhe statistika se këta janë të burgosurit e viteve tetëdhjetë në Federatën Jugosllave dhe këto janë krimet e asaj kohe, ku shumicën e të burgosurve të federatës e përbënin shqiptarët dhe midis tyre, shqiptarët e dënuar për politikë.
Përmes romanit “Burgu” autori na përshkruan edhe figurën e gardianit dhe edukatorit shqiptar në burg. “Shumica e gardianëve shqiptarë, thotë autori përmes personazheve, kishin mbrojtur drejtësinë dhe gjakun e rinisë shqiptare…, ndërsa edukatorët e shkolluar në shkollat e policisë politike, bijtë e regjentëve të Titos e të Rankoviqit, kishin shpallur fajtorë të burgosurit politikë”.
“Të dy jemi në pranga, me një dallim shumë të vogël”, i pat thënë gardiani Eknatit kur e çonte për ta marrë në pyetje hetuesi. Personazhi tipik i gardianit atdhetar shqiptar na jepet përmes figurës së Id Maçit, pavarësishtë se kish edhe gardianë shqiptarë që mundoheshin të tregoheshin me serbë se gardianët serbë, por ata nuk përbënin shumicën.
Të burgosurit e kombësive të ndryshme
Në romanin “Burgu” Ahmet Qeriqi, prej faqes 171 – 176 dhe 180 – 181) na jep një pasur shumë të veçantë duke përshkruar përmes dialogjeve të zgjuara të të burgosurit veteran, Llukës, jetën, mentalitetin, botëkuptimin dhe filozofinë e ciganëve, të këtij populli të lindur artist. Një arritje kjo nuk e shohim as te Pushkini, as te Nafiz Bezhani (“i mallkuari Noes”), etj.
Ja një pasazh i shkurtër nga ajo trajtesë, përmes Llukës:
“Mos i harroni edhe ciganët e mi të mjerë, profesor.
Ata këndojnë nga zori.
Këngët cigane janë këngët më të përvuajtura dhe më të dhimbshmet në botë.
Ato janë këngë vaji. Në to shpirti i popullit tim digjet si kandili. Ne jemi qytetarët më besnikë të botës. Ne jemi endacakë, profesor,…një palë na rrahin, disa të tjerë na mirëkuptojnë, ndërsa disa të tjerë na shkaktojnë plagë edhe në gjendjen tonë të mjerë. Jetën e fillojmë para kohe…”.
Ahmet Qeriqi, parë nga këndi i të burgosurit, nuk lë pa tipizuar edhe shqiptarin, edhe serbin, edhe boshnjakun, edhe hungarezin etj. “Serbët – thotë ai – i urrejnë shqiptarët edhe pse asnjëherë nuk e shpjegojnë shkakun….Serbët janë të çuditshëm. Janë njerëz që vështirë të mund të përkufizohen, qoftë si racë, qoftë si etnitet kombëtar…, zor të ketë origjinë të pastër serbe, thotë autori duke dhënë shpjegime për përzierjen e tyre racore”.
Ndërsa, “shqiptarët në përgjithësi kanë një ego të sëmurë për bajraktarizëm. Në masën e të burgosurve për vepra krimi e dhune po hetohej një degjenerim i tmerrshëm, i prishur deri në skajshmëri”, mendonte Eknati. Kur personazhi kryesor i romanit flet për hungarezët, ai në një rast thotë: “ Gjuha dhe kultura hungareze në Novi Sad ishte ngulfatur. Edhe ata që ishin hungarezë me origjinë, apo që e dinin gjuhën, nuk e flisnin atë, madje as me njëri tjetrin. Vetëm gjuha, kënga dhe fjala serbe dëgjoheshin kudo”. Personazhi tipik i hungarezit paraqitet përmes drejtorit të burgut në Suboticë të Vojvodinës, Hegyi Bella.
Personazhi më interesant dhe më simpatik që jepet në roman është babai i Eknat Malmirit, Zani, të cilin duket sikur autori e len pak si në hije, por që qëllimi i tij është për t’i treguar lexuesit se ka edhe njerëz që i ngjajnë Perëndisë. Në çdo nevojë që ka Eknati dhe familja e tij, është Zani, ai që u gjendet në moment e për çdo gjë. Ai i shoqëron fëmijët e Eknatit edhe në burg për vizitë. Po nuk qe Zani, fëmijët nuk mund të lëvizin. Mangësia rreth këtij personazhi mendoj se është në fund të romanit, por ndoshta autori ka menduar për ta bërë trilogji dhe atëherë mund të na shfaqet përsëri Zani.
Përfundimisht mund të themi se romani “Burgu”, me autor Ahmet Qeriqin, i përcjell lexuesit mesazhin se: E gjithë ajo sakrificë, ato përpjekje të rinisë shqiptare të Kosovës së viteve ’80-të, për barazimin e Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë, shkuan dëm, pasi udhëheqja politike e atëhershme shqiptare e Kosovës, (pa veçuar këtu edhe pjesën dërmuese të inteligjencës së saj), ndryshe nga udhëheqjet politike të popujve të tjerë të asaj federate, bëri gabimin historik, nuk e mori situatën në dorë, nuk u identifikua me kërkesat që shtronte koha, rinia dhe gjithë populli shqiptar në ish Jugosllavi e më gjerë, në mbrojtje të interesave kombëtare, të kërkonte që Kosova të avancohej në Republikë.
Ajo udhëheqje nuk afroi as edhe një lloj zgjidhje para udhëheqjes së Federatës së atëhershme, por madje doli edhe kundër kërkesës së kësaj rinie, duke u bërë shërbëtore e bindur e atij regjimi dhe duke u distancuar nga populli. Këtë autori e nxjerr shumë qartë përmes dialogut, midis të burgosurit politik Gim Celi dhe Sekretarit të atëhershëm Krahinor për Drejtësi të Kosovës, Ves Lati, ku Gimi i thotë: “Kur do të filloi të shpërblehet besnikëria e jote e verbër që po i bën këtij pushteti?”, ndërsa Ves Lati i përgjigjet: “Pozita që kam nuk më lejon të dëgjoj dërdëllisjet e armiqve të pushtetit tim”.
Dhe, mesazhi tjetër i romanit është ai se, populli shqiptar në Kosovë dhe rinia e tij nuk i humbën përsëri shpresat, ata filluan të përgatiteshin për një rrugë tjetër, atë të luftës me armë, pasi ato sakrifica e mbollën farën e lirisë, e cila i dha frytet e saj në fund të shekullit, pas 20 vjetësh, ku ata personazhe ishin përsëri aktorë të asaj lufte. Kjo shprehet shumë bukur në fjalët inkurajuese që i jep Eknati, shokut të idealeve dhe të burgut, Gim Celit: “Ne jemi më të fortë se këta që na mbajnë nëpër burgje, pasi jemi mësuar gjithnjë me vuajtje e mjerime dhe do t’i përballojmë të gjitha…, e gjatë do të jetë rruga deri në liri…, andaj duhet të bëhemi të fortë si çeliku, të fortë e të pathyeshëm”.
Prishtinë, 23.11.2004.
Kontrolloni gjithashtu
Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!
Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …