Emri i Gëzim Mekulit, tashmë është mjaft i njohur në letrat tona, si gazetar, që e njeh profesionin, të cilin edhe e respekton, duke depërtuar në thellësinë e problematikës, që nënkupton gazetaria, sidomos gazetaria hulumtuese, e cila është krah i fortë i së vërtetës dhe i së drejtës, krah i fortë i vlerave afirmative të qytetërimit bashkëkohor.
Libri “Mediet dhe politika” shkruar nga Gëzim Mekuli, botuar nga Qendra informative “Mekuli Press”, në Oslo, ndodhet në duar të gazetarëve, lexuesve dhe studiuesve tanë. Autori i këtij libri, ka magjistruar në shkencat politike,njeh disa gjuhë botërore, është anëtar i Lidhjes së Gazetarëve në Norvegji, ndërsa aktualisht editon me kujdes e përgjegjësi edhe Agjencinë “Mekuli Press” në internet.
Autori në librin “Mediet dhe politika” trajton temën e gazetarisë hulumtuese në përgjithësi, e në veçanti segmente të caktuara të gazetarisë në mediet e sotme në Kosovë, të cilat ku më shumë e ku më pak lëngojnë nga plagët e përgjithshme të Kosovës, të Kosovës ende pa status të definuar, ende larg stabilitetit të mirëfilltë, të Kosovës gjithnjë e më e varfër, gjithnjë e më e varur politikisht dhe ekonomikisht. Dhe në këtë “Shoqëri të sëmurë ekonomikisht”, nënvizon autori, është vështirë të gjesh informim në mënyrë profesionale dhe objektive. “Në një mes të tillë ngatërrohet viktima me fajtorin, agresori me mbrojtësin, heroi me tradhtarin, lufta çlirimtare me luftën pushtuese”. Ndodh kështu, në radhë të parë sepse edhe gazetaria e sotme është e varur, ashtu sikurse është e varur Kosova, por edhe shqiptarët përgjithësisht, të ndarë padrejtësisht në pesë shtete të Ballkanit, të varur nga BE-ja, nga OSBE-ja, nga UNMIK-u, nga NATO-ja dhe nga shumë organizma të tjerë ndërkombëtarë.
Gazetari, Gëzim Mekuli, me punën e tij hulumtuese ka arritur të kondensojë një botëkuptim të avancuar për gazetarinë në përgjithësi, duke kuptuar esencën e ndikimit të informimit të drejtë në opinionin publik, informim i cili është një armë e fuqishme në duart e politikës, qoftë asaj vendimmarrëse ndërkombëtare, qoftë i politikave klanore apo partiake.
Duke qenë njohës i mirë, por edhe besnik i pasionuar i profesionit, ai ka arritur të shtjellojë me kujdes lëndën, duke e mbarështuar në kapituj të veçantë, por duke e integruar atë në një tërësi mjaft të kondensuar dhe të sistemuar me mjeshtëri.
Duke filluar nga analiza që i ka bërë komunikimit në përgjithësi, ai është ndalur në veçanti në rapotin e medieve dhe politikës, në ndikimin shumë të shprehur të televizionit, pastaj ka trajtuar me kujdes raportin mes etikës dhe fjalës së lirë, duke dhënë këshilla dhe sugjerime lidhur me krijimin e lajmit, duke marrë në shqyrtim dhe duke analizuar në thellësi disa mediume të vendit tonë dhe të tjera, për të shqyrtuar fenomenin e “mendimit bunker” me konstatimin se “mediet e ngulfatura nga politikat e UNMIK-ut, janë bërë arenë qendrore për fitimin e luftës politike dhe ekonomike”.
Duke qenë vrojtues i thellë dhe njohës shumë i mirë i profesionit, por edhe i segmenteve të caktuara, relevante, të zhvillimit të shoqërisë sonë, të ndërlidhura me këtë profesion, Gëzim Mekuli, ka konstatuar me kohë se “në Kosovë, mediet kanë shumë fuqi dhe kjo fuqi është duke u përdorur gabimisht”. Ky konstatim realist hetohet edhe sot kudo, jo vetëm në vendin tonë.
Falë medieve të kontrolluara nga UNMIK-u dhe ndikimit, që ka ushtruar e po ushtron në këtë drejtim klasa e sotme politike përmes këtyre medieve, opinioni ynë është kthyer në vrojtues pasiv të realitetit, duke ngelur në margjina të reflektimit, meqë një pjesë e madhe e njerëzve tanë, të ndikuar dhe “të edukuar” me “mendimin bunker” janë mësuar t’ ia bëjnë qejfin vetes. Janë shumica e medieve në Kosovë, pjesë e fajit dhe pjesë e dështimit aktual të konceptit të vetëvendosjes së këtij populli. Këtë e kemi parë në mënyrën e trajtimit të protestave të 10 shkurtit, por edhe të shumë ngjarjeve e zhvillimeve të tjera, të cilat nga shumë medie janë amputuar, me qëllim për të krijuar apati, me qëllim për ta zbehur deri në pakufi konceptin e natyrshëm të vetëdeklarimit të vullnetshëm dhe të lirë të qytetarëve.
Ndikimi për të keq që ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë sidomos RTK-ja në vendin tonë, është një kapitull i veçantë, të cilit, autori, i ka kushtuar faqe të tëra, sepse kjo krijesë mediatike ka monopolin e informimit, me faktin se është krijuar si e tillë dhe si e tillë po mbahet, po përforcohet, madje duke plaçkitur të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët detyrimisht paguajnë gjobë vjetore në shumë prej 36 eurove, përmes faturave të rrymës, ashtu sikur i paguhej detyrimisht RTS-së para luftës.
Po të llogaritim këtë shumë të inaksimit të mjeteve, shumën tjetër që ndahet nga buxheti i Kosovës për këtë kreaturë mediatike dhe thithjen nga RTK-ja të të gjitha donatorive nga organizatat e huaja, atëherë do të shihej qartë se çfarë “mamuthi” informativ ka krijuar UNMIK-u në Kosovë, se për cilat qëllime të caktuara ka investuar dhe investon në një krijesë të tillë mediatike, duke shtuar ironinë sarkastike në stilin ne jemi “qind për qind” të pavarur.
Gazetari, Gëzim Mekuli, në librin e tij “Mediet dhe politika” ka trajtuar me mjaft sukses, pothuajse të gjitha segmentet aktuale të gazetarisë ndër ne, të raporteve të informimit në përgjithësi dhe të mplekjes së politikës në mediume, që është karakteristikë e paevitueshme për vendet, të cilat kanë kaluar dhe po kalojnë fazën e tranzicionit, nga shoqëritë autoritare në rrugë të pakthyeshme drejt globalizmit mediatik. Janë të shumta problemet, të cilat i ka mbarështuar dhe i ka shqyrtuar me objektivitet dhe përgjegjësi, autori i këtij libri. Ai ka bërë edhe krahasime të disa medieve, ka prezantuar të dhëna hulumtuese, ka segmentuar disa nga përvojat utilitare të informimit bashkëkohor. Ky libër, për mendimin tim, do të duhej të shërbente si literaturë e domosdoshme, sidomos në shkollat e gazetarisë ndër ne, meqë i plotëson të gjitha kërkesat e një doracaku më se të nevojshëm për profesionin e gazetarit, aq më tepër kur në Kosovë mungojnë studime të tilla të mirëfillta shkencore.
Kontrolloni gjithashtu
Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!
Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …