Të flitet, të shkruhen romane apo histori për biografinë e tij, të xhirohen filma dokumentarë apo filma artistikë për heroizmat e tij, të ngritën lapidare apo përmendore, sikur për çdo dëshmorë të lirisë dhe të bashkimit kombëtar, pa u realizuar amaneti i tij, bashkimi i Mitrovicës me Kosovën, në veçanti, dhe bashkimi i trojeve etnike shqiptare, në përgjithësi, për ne bashkëmendimtarët dhe bashkëluftetarët e tij, prapë do të mbetet zbrazëti dhe mosplotësim i amanetit të tij dhe amanetit të mbarë dëshmorëve të kombit.
Kushën tim, (kushë e thërrsnim njëri – tjetrin), edhe pse shumë më i ri në moshë se unë, e kisha një ndër shokët më të dashur të idealit qysh kur ai ishte në bankat e gjimnazit «Muherrem Bekteshi » në Vushtrri. Më kujtohet, i kam të gjalla bisedat që i kam bërë me të, kur shpesh herë, si me ngurim e me druajtje, më kërkonte këshilla e detyra konkrete për veprimtari patriotike: -Kushë, pak po punohet për atdhe, dua edhe unë të bëj diçka për lirinë e Kosovës !…
-Kusha im, ia ktheja unë, me djem trima si ti Kosova nuk e ka të largët lirinë !…
Shpeshëherë më shkonte mendja dhe kisha parandjenja se ky djalë , që ishte gojëmbël kur fliste për shokët, por dhëmbët i qitshin flakë kur fliste për armiq dhe për shërbëtorët e tyre, do të bënte heroizma si Mic Sokoli apo si Vojo Kushi. Dhe nuk kisha gabuar në këto parashikime. Qysh kur filluan protestat e para kundër helmimeve të nxënsëve nga armiku, apo demonstratat kundër marrjës së autonomisë së Kosovës nga Serbia, ai ishte kudo në ballë, ai ishte i pari në sakrifica. Ferkiu, bashkë me shokët e vet, ia arriti që të organizonte protestat e marsit të vitit 1989 edhe në fshatrat Pantinë, Akrashticë dhe Shtruerë (ish-Shtitaricë)…Me serbë kishte dëshirë të madhe të kacafytej dhe dilte gjithmonë ngadhnjimtar; por ndodhte që në anën e armikut gjendeshin edhe sherbëtorë të zellshëm që survejonin dhe i spiunonin protestuesit, atëherë Ferkiu iu sulej si shqiponjë, i sulmonte dhe i dërmonte me grushtat e tij të çeliktë duke iu thënë:UNË JAM FERKI ALIU – PLLANALIU !
Për të gjitha këto më tregonte shoku dhe kushëriri i tij moshatar, Selmani , djali i vëllait tim Hasimit, i cili në çdo aksion ishte bashkë me të. Që të dytë konsultoheshin edhe me një trim tjetër sypatrembur që ishte dëshmuar në kacafytje me gardianët çetnikë nëpër burgjet serbo-sllave, pra, me Ilmi Muzaqin, shokun tim të idealit, për të cilin edhe simboli i rezistencës sonë, Adem Demaçi, ka konsideratat më të mëdha .Pëveç aktiviteteve të shumta të dëshmuara për luftën për liri dhe bashkim kombëtar, Ferkiu, me shokët e vet, u vinte në ndihmë edhe familjeve të burgosurve politikë, ndër të cilat edhe familjes time. Në një rast, pas lirimit tim nga burgu, më 1997, erdhi tek unë dhe m’i solli disa ndihma që ia kishin dhënë kusherinjt e tij më të ngushtë dhe, kur i thashë se nuk kam nevojë, ai sikur humbi dhe nuk dinte si të vepronte. Dhe, më në fund, më tha: -Kushë, i gjallë nuk kthehem pa ia dorëzuar familjës tënde këto marka! Unë mbeta pa koment dhe i pranova. Po kush mund t’i kundërshtonte Ferkiut për ndonjë vendim që ai merrte! Pastaj fillonim bisedat, si gjithëherë, për luftën kundër okupatorit serbë. Më ndëgjonte me vëmendje sikur donte t’i përbinte të gjitha fjalët që ia thosha. Por shpesh më nxinte ngushtë kur kërkonte nga unë ndonjë detyrë që nuk e kasha paraparë.
Ai fliste pak, por vepronte shumë.
Njëherë ma kërkoj një këshillë konkrete. –Kushë, jam i gatshëm që t’i dërmoj spiunët e fshatrave tona!
Sipunë kemi shumë, nga ata më të vegjlit e deri tek ata më namzinjtë, siç është kushëriri ynë Basri Pllanën nga Kçiçi i Mitrovicës. Do ta lypin birën e miut po i “puthi” grushti i Ferki Aliut!…Nga një gojëmjaltë kur fliste me shokë e për shokë e ndryshonte shpejt të folurit dhe i ndryshonte ngjyra e fytyrës e gjestet fizike sikur kërkonte duel me kundërshtarë dhe shpraste dufin që kishte për ta. – Me dorën time kam për t’ua këputur qafën spiunëve, mu si vremçave!…Pastaj interesohej të dinte se a mos kishte në mesin e fisit tone ndonjë intelektual të rangut të Ukshin Hotit, dhe kur e shihja se i vinte keq që nuk kishim një të tillë ia thoja një urti , që i madhi Metush Krasniqi e përdorte shpesh: “Nuk ka fis pa një pis..!” Pajtohej se frontin duhet hapur kundër armiqve e pushtuesve e jo kundër shqipfolësve qyqarë e të mashtruar, kurse atyre që do të mbesin në anën e pushtuesit serb e siguroja se do t’ua gjejmë vendin, si për të gjallë ashtu edhe të vdekur, aty ku edhe e kanë: në plehrat e historisë.
Me Ferkiun kam pasur lidhje të pashkëputura edhe kur dola në mërgim, nga gushti i vitit 1997. Shkëmbenim përshëndetje nëpërmes Xhemailit, vëllaut tim, sepse këta tashmë ishin edhe bashkëluftëtarë, qysh nga ditët e para të formimit të UÇK-së në Zonën Operative të Shalës. Sa herë bëheshin aksione të ushtarëve trima të UÇK-së Ferkiu ishte në ballë të tyre si dikur Vojo Kushi. Ai, tashmë, kishte marrë edhe epitetin e Gjergj Elez Alisë! Luftonte pa pushuar, edhe pse në shtat kishte marrë shumë plagë në betejat e njëpasnjëshme. A nuk ishte ky një Gjergj Elez Ali i ditëve tona që lufton me nëntë plagë në trup kundër bajlozëve serbë! Për trimëritë e tij të rralla më tregojnë shpesh shokët e tij të luftës. Po edhe kusha i tij në Zvicër, se kushë i pëlqente të më thërriste, e ndihmonte UÇK-në nëpërmjet Fondit “Vendlindja thrret”, fond të cilin e kishte formuar LPK-ja, organizatë të cilës i përkiste edhe ai, në krye të të cilit gjendej atdhetari idevotshëm Jashar Salihu ,shok ideali, bashkëmëndimtar, bashkëveprimtar, vazhdues dhe përcjellës i amanetit të pishtarit të LËVIZJËS sonë – Jusuf Gërvallës.
Ferkiu u angazhua në çështjën kombëtare me tërë familjën: në luftë me vëllezër e kusherinj, kurse në megrim e kishte vëllaun, Enverin, dy motrat me burrat e tyre dhe të afërmë të tjerë që grumbullonin mjete për t’i ardhur në ndihmë luftës së shenjtë që zhvillonte UÇK-ja e lavdishme.
Herën e fundit që kontaktova me Ferkiun ishte gushti i vitit 1999. Kisha shkuar për ta parë Kosovën e çliruar nga kriminelët serbo-çetnikë. Kur shkova në Prekazin heroik për t’ia bërë përkuljën dhe ndërimin më të madh në jetën time, Komandantit Legjendar Adem Jasharit, si dhe Hamzës, të cilin kisha pasur nderin ta njihja, bacë Shabanit, dajës Osman dhe gjithë dëshmorëve të tjerë , shkuam bashkë me vëllaun tim , Xhemajlin, me kusherinjtë Bedriun, Fadilin dhe me kusherirën time më të devotshme, Mirvete Hasanin që kishte Prekazin në roje si shqiponjë mali në aksionet luftarake, bashkëluftëtarë të Ferkiut, e ftuam me telefon edhe kushën tonë nga Pantina.
Po Ferkiu kishte qenë në kujdestari zyrtare dhe nuk mundi të vinte me ne. Kur u ktheva në Mitrovicë u ndala dhe bisedova me të disa orë në zyrën e tij ushtarake. Biseduam gjerë e gjatë. Për Luftën, për dëshmorët, për jetën dhe të ardhmën e popullit tonë. Ishte po ai Ferki gojëmbël, i dashur e i respektuar nga të gjithë. Sikur nuk ngiheshim duke biseduar dhe, në një moment, para se të ndaheshim, më tha :-Kushë, Mitrovica me Trepçë na mbetën në duar të shkjeve ! Edhe trojet tjera, në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, po na mbesin jashtë !…Unë nuk jam i kënaqur me këtë epilog të luftës! Jam i gatshëm që të vazhdojmë luftën për çlirimin e të gjitha trojeve etnike, bile edhe deri te Molla e Kuqe!…-Kusha im, ia ktheva, edhe unë kam droje të madhe dhe nuk pajtohem me këtë përfundim të luftës. Hile të mëdha ka diplomacia ndërkombëtare! Serbia e Millosheviqit duhet të ndëshkohet mu si Gjermania e Hitlerit! Udhëheqësit tanë duhet të jenë vigjilentë dhe t’i bidin Qendrat e Vendosjës se e Drejta natyrore dhe juridike është në anën tonë sepse është edhe e njohur sipas Kartës së OKB-së si parim mbi Vetëvendosjën e popujve…Vdekja tragjike dhe enigmatike Ferkiut Aliut – Pllanës në një aksident komunikacioni në Kçiç ishte një humbje e madhe për familjën e tij, për kusherinjtë ,për miqtë e të afërmit, për bashkëluftëtarët, për Trupat Mbrojtëse të Kosovës, si dhe për mbarë popullin shqiptar. Për mua, kushën e tij më të dashur, humbja e tij është një mungesë e madhe dhe thellë në zemër e ndiej sikur m’u ka shkëputur një cope e saj ashtu siç shkëputet një meteor nga qielli!
FERKI ALIU – PLLANA më ka mbetur i gjallë në kujtesën time! Pothuaj nuk ka ndeja e biseda, sidomos kur flitet për dëshmorë, që nuk përkujtohet e nderohet edhe emir i tij. E si mos të kujtohën dëshmorët, që falë luftës, sakrificave dhe gjakut të tyre sot frymohet lirshëm në Kosovë!
LAVDI DËSHMORVE TË KOMBIT NË KRYE ME KOMANDANTIN LEGJENDAR ADEM JASHARIN!
KUJTIM TË PËRJETSHËM FERKI ALIUT!
Kontrolloni gjithashtu
Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!
Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …