Ndodh që RTK-ja multietnike “ qind për qind e pavarur” të përgatis ndonjë film dokumentar për luftën e UÇK-së. Mirëpo edhe kur ndodh kështu filmi i tillë sajohet duke pasur për bazë mistifikimin e shpeshherë edhe deformimin e realitet, ashtu sikurse ndodhi më 23 mars 2007, në shënimin e 8-vjetorit të intervenimit ushtarak të NATO-s kundër Jugosllavisë. Emisioni, përgatitur nga gazetari, Nuhi Bytyçi, është shembulli më tipik i deformimit perfid të vlerave të luftës sonë çlirimtare.
Gazetarit të RTK-së, Nuhi Bytyçi, nuk mund të thuhet se i mungon dija profesionale për sajimin e emisioneve të tilla, për më tepër ai është i vetmi nga gazetarët e këtij mediumi, që arrin të bëjë emisione të tilla, nganjëherë edhe të suksesshme. Nëse ai është i detyruar, nga “bordi drejtues” i RTK-së, apo nga drejtorët me origjinë nga koha e bashkim vëllazërimit të dikurshëm, që luftën e UÇK-së ta minimizojë dhe ta degradojë sa për ta mbajtur atë vend të punës, për këtë na vjen shumë keq.
Filmi për 8-vjetorin e intervenimit të NATO-s, është sajuar në mbështetje të një dokumentacioni të varfër, madje mjaft skematik, duke marrë për bazë vetëm prononcimet e disa protagonistëve me prejardhje politike dhe duke lënë anash Legjendarin, Adem Jashari dhe Jasharët në përgjithësi, që janë alfa e luftës tonë çlirimtare. Ishte rezistenca e Adem Jasharit në Prekaz, ajo që i dha hovin vendimtar luftës sonë të fundit për liri, që ndikoi në mobilizimin e përgjithshëm kombëtar dhe në lëkundjen e parë nga vendi të diplomacisë së rëndë ndërkombëtare.
Nuk e pamë as edhe një foto të Adem Jasharit, edhe pse nuk ishte tema për të, mirëpo nuk e pamë as zëdhënësin politik, Jakup Krasniqi, as zëdhënësin e përgjithshëm, Adem Demaçi, u mënjanuan fare Radio-Kosova e Lirë, dhe Agjencia Kosovapress, të cilat tri ditë pas intervenimit të NATO-s u bombarduan nga dy aeroplanë serbë, me ç rast pati të vrarë e të plagosur. Këto dy institucione të informimit kanë kryer me ndërgjegje të lartë e përkushtim misionin historik të informimit nga zonat e luftimeve. Këtë të paktën nuk do të duhej ta kishte harruar Nuhi Bytyçi, nëse nuk ka qenë i detyruar.
Ushtarët e UÇK-së, në këtë emision na u prezantuan vetëm nëpër marshime, nëpër kampe, në pushimore, pa e ilustruar me asnjë aksion konkret operativen mjaft të suksesshme të njësive të UÇK-së , edhe pse RTK-ja disponon storje të luftimeve drejtpërdrejt të luftëtarëve tanë kundër forcave serbe. Në këtë film dokumentar përshkruhet shumë zbehtë operacioni “Shigjeta” dhe Beteja e Kosharës, ndërsa me, apo pa qëllim, janë anashkaluar disa nga ngjarjet më dramatike që çuan drejtpërdrejt në intervenimin e NATO-s, sikur është Masakra e Abrisë, e Reçakut dhe krime të tjera monstruoze që kryen policët dhe ushtarët serbë kundër popullatës civile shqiptare.
Autori, është fokusuar te Konferenca e Rambujesë, por pa dhënë as një dimension tjetër lidhur me opinionet për dhe kundër kësaj konferencë, e cila nuk shkëlqeu, as i solli lirinë Kosovës, sikur pretendojnë ta bindin opinionin disa nga aktorët e saj të atëhershëm e të tanishëm. Dhe nuk ishte vetëm mosnënshkrimi i “Marrëveshjes” së Konferencës së Rambujesë nga pala serbe, që çoi në intervenimin ushtarak të NATO-s kundër makinerisë së krimit serb në Kosovë. Duhet pasur para sysh faktin se NATO-ja po shënonte 50-vjetorin e themelimit, se Serbia kishte mbetur pa u ndëshkuar në rastin e luftës në Kroaci dhe në Bosnje e Hercegovinë, se regjimi i Milosheviqit ishte shënjestra e vetme, ku kishin drejtuar cakun gjeneralët e NATO-s.
Filmi dokumentar për intervenimin e NATO-s nuk dha informacione të drejta për luftën e UÇK-së, e cila ishte jo vetëm aleate, por në një farë mënyre ishte edhe këmbësoria e saj. Nuk u fol asnjë fjalë lidhur me ndihmën dhe kontributin e Divizionit të Kukësit si dhe kontributin e luftëtarëve dhe oficerëve nga Shqipëria, ndërsa u prezantuan dy prononcime të zbehta, të Ilir Metës dhe Salih Berishës. Nuk u dha asnjë prononcim i gjeneral Klarkut apo i zëdhënësit, Xhejmi Shea. Filmi i tillë dokumentar, i sajuar nga një këndvështrim tendencioz, është përpjekje jo e pasuksesshme për ta devalvuar më tej luftën tonë heroike, ishte përpjekje për ta konceptuar një përmbajtje në shërbim të klimës pacifiste politike, për ta zhveshur atë nga realiteti, duke segmentuar pamje pasive dhe inerte, të cilat te shikuesi krijojnë bindje sikur UÇK-ja paska qëndruar nëpër kampe e llogore.
Sikur të ishte ashtu nuk do të kishim më shumë se 1860 dëshmorë të kësaj lufte, ndërsa ne nuk pamë as edhe një dëshmorë të rënë, nuk pamë asnjë ballafaqim konkret edhe pse ka sa e sa skena të tilla të incizuara gjatë luftës. Se cila ka qenë vlera e kësaj lufte në njëfarë mënyre, përmes gjuhës shumë lakonike e tha edhe vetë, Marti Ahtisari, duke arsyetuar vendimin e tij lidhur me dokumentin për statusin e Kosovës. A. Q.
Kontrolloni gjithashtu
Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!
Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …