Marin Mema ka ndjekur gjurmët e historisë shqiptare, duke informuar opinionin për gjenocidin dhe përpjekjet për tkurrjen e trojeve shqiptare. Kështu u tha sonte një ceremoni me rastin e ndarjes së çmimit “Hasan Prishtina” për gazetarin Marin Mema, organizuar nga Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta me seli në Prishtinë. Jahja Lluka, kryetar i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, pasi foli rreth historikut të formimit të kësaj shoqate në Pejë më 1990, e cila më pas u zgjerua edhe në trojet tjera shqiptare, tha se çmimi “Hasan Prishtina” ka në bazën e tij dhimbjen e popullit tonë dhe krenarinë e luftën për liri. “Sot është një ditë e veçantë, sepse çmimi “Hasan Prishtina” po ndahet në vigjilje të festës sonë kombëtare Ditës së Flamurit dhe Marinin e përgëzoj për gjithë punën që ka bërë në të gjitha trojet shqiptare. Ai i ndoqi gjurmët e historisë, por e informoi opinionin për gjenocidin dhe përpjekjet që tokat shqiptare po tkurren vazhdimisht”, ka thënë Lluka.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në historinë e Kosovës ka rrugëtime të vështira dhe është një numër i madh i atdhetarëve shqiptarë që jetën e tyre e kanë përmbyllur me flijim për atdhe. Haradinaj theksoi se Marin Mema është njëri prej të rinjve shqiptarë që nuk kanë përtuar të gjurmojnë historinë e shqiptarëve andaj edhe ndarja e çmimit “Hasan Prishtina” është një nderi i veçantë që i bëhet atij. “Marini nuk është nga ata që ka burra, që ka përmbyll karrierën e tij jetësore, por është prej atyre të rinjve shqiptarë që s’ka përtuar të ndalin të gjurmojnë shqiptarinë në atdhe dhe më gjerë. Përmes nderimit për Marin Mema nderojmë secilin që punon që shqiptari të dalë në dritë, ajo e sotmja, ajo në atdheun tonë dhe kudo që janë. Duke qenë kështu uroj që shqiptarët në trojet tona të forcohemi, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Maqedoni, Luginë të Presehvës, kudo që jemi dhe uroj që në trojet tona të bashkohemi me vëllezërit tanë shqiptarë në të gjitha kohërat”, ka thënë Haradinaj.