Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, kërkon rinumërimin e të gjitha votave në Prizren, duke thënë se pas numërimit të votave me kusht triumfues i zgjedhjeve është subjekti i tyre. “PDK në Prizren, fton organet kompetente që të hapin të gjitha kutitë dhe të rinumërohen votat, në Prizren, për hir të transparencës para qytetarëve dhe mediave, meqë është e vetmja formë e cila qetëson të gjithë ata demokratë dhe demokrate të Prizrenit, ku çdo votë e tyre është e shenjtë dhe garantuesja e vetme e stabilitetit të jetës normale në qytetin e Prizrenit”, thuhet në reagimin e PDK-së në Prizren.
“Kërkesa jonë është që të rinumërohen votat e të gjithë qytetarëve, duke qenë ky një mekanizëm për të paraqitur vullnetin e të gjithë qytetarëve të Prizrenit e jo të mbizotëroj mashtrimi dhe deformimi i vullnetit të popullit nga LVV-ja. Vetëm rinumërimi do t’a tregonte shprehjen e vullnetit të qytetarëve të Prizrenit dhe do t’a legjitimonte kryetarin e ardhshëm të Prizrenit”, theksohet tutje në reagim.
PDK, thotë se do t’i ndjek të gjitha rrugët ligjore dhe demokratike, për të quar siç thotë kjo parti, ‘në vend verdiktin e qytetarëve të Prizrenit, duke mos hequr dorë në zbardhjen e parregullsive dhe keqpërdorimeve që janë bërë në Qendrat e Votimit, nga lëvizja terroriste dhe partnerët e koalicionit terrorist, në ditën e zgjedhjeve, më 19 nëntor, për të cilat ka fakte dhe argumente të qarta.