Forca e Sigurisë së Kosovës me rastin e Ditës së saj-27 Nëntorit, organizoi ,,Ditën e Hapur’’ në të gjitha kazermat për të gjithë qytetarët e Kosovës. Manifestimi qendror me rastin e shënimit të 27 nëntorit-Ditës së FSK-së u mbajt në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, si dhe në të gjitha kazermat tjera të FSK-së në Kosovë, ku së bashku me ushtarë, nënoficerë dhe oficerë ishin pjesë e saj edhe mijëra nxënës, qytetarë, deputetë, personalitete ushtarake dhe politike të Kosovës, si dhe përfaqësues diplomatik të akredituar në Republikën e Kosovës. Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, në shënimin e Ditës së FSK-së, ishin të pranishëm edhe ministri Rrustem Berisha, zëvendës ministrat Brahim Mehmetaj dhe Agim Çeku, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretari i përgjithshëm Shkëlzen Sylaj, gjeneralët: Zymer Halimi, Nazmi Brahimaj, Gëzim Hazrolli, si dhe oficerë të lartë të MFSK/ FSK-së, të KFOR-it, të NALT-it, etj.
Me një fjalë rasti, në Ditën e FSK-së të pranishmëve ua drejtoi ministri i MFSK-së, zotëri Rrustem Berisha, i cili pos tjerash tha: “Sot, është Dita e Forcës së Kosovës, dhe unë jam shumë krenar që jam në krye të një institucioni që është vlerësuar si institucioni më i besueshëm në vend, dhe me ketë rast, shfrytëzojë rastin, që t’ju uroj të gjithë pjesëtarëve të FSK-së, këtë ditë, dhe njëherësh rezultatet dhe sukseset e FSK-së, na banjë me u ndie krenarë.