Analistë dhe autorë të huaj që shkruajnë për Kosovën, shumica syresh të dhënat i marrin nga gazetarët e zyrtarët tanë, që bashkëpunojnë me ta dhe që shpërblehen materialisht për shkrime të tilla, sidomos kur është fjala për diskreditimin e Kosovës, për shtrembërimin e realitetit dhe paraqitjen e vendit tonë si tokë të pëlleshme të ISIS-it, apo si vendi, që paska madje edhe origjinë nga radikalizmi islam, sikur ka deklaruar kohë më parë kryetari, Hashim Thaçi, për të shtuar se ai me shumë sukses po e lufton këtë radikalizim me masa të ashpra ligjore. Nga kjo del hapur në sipërfaqe hipokrizia politike e kreut të Kosovës. Lejo dhe nxite fillimisht vajtjen e shqiptarëve në luftime në Siri, pastaj nxirr ligje që sanksionojnë pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftë jashtë Kosovës, merr fushatë për arrestimin e dhjetëra “terroristëve” paraprakisht të mashtruar e të fabrikuar, filloi ndjekjet e arrestimet dhe rrah gjoks se po e lufton terrorizmin si asnjë shtet tjetër në rajon. Kjo është farsa e inskenuar me program dhe e realizuar ashtu sikur në një film futurist të spiunazhit.
Në një shkrim të botuar në Huffington Post nga Fron Nahzi, drejtor i Përgjithshëm i Zhvillimit Global në Institutin McCain për Lidership Ndërkombëtar, të afishura në Klan Kosova, autori shkruan se Europa me ndalimet që po i bën Kosovës në rrugën drejt integrimit europian, po e shtynë vendin e ri e të vogël drejt Turqisë, apo “neo-otomanizimit të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.
Jo vetëm ky analist, por edhe disa shkrues të tjerë shfaqin mendime të tilla, të cilat nuk kanë asnjë bazë reale, sepse ky konstatim është krejtësisht i paqëndrueshëm, në radhë të parë për faktin se Kosova nuk i ka realizuar kushtet e BE-së për liberalizim të vizave. Po t’i kishte realizuar këto kushte dhe po të ishin kërkuar kushte të tjera, atëherë ky konstatim do të mund të qëndronte.
Duke pretenduar ta arsyetojë konstatimin e tij, Fron Nahzi, e mbështet në paragjykimet për Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin, me siguri të interpretuara nga ndonjë denoncues shkrim dhe shqip-folës. Bazën për konstatimin e tij e mbështet në një deklaratë të Albin Kurti para elektoratit në Llap, ku ai ka folur figurativisht, duke përdorur frazeologjinë e betimit të llapjanëve në Kuran dhe në profetin Muhamet, por nuk ka bërë kurrfarë betimi në Kur’an sikur shkruan z. Nahzi. “Fjalimi në fillim erdhi si shok. Në një tubim partiak para zgjedhjeve të tetorit lideri i partisë opozitare Vetëvendosje, Albin Kurti, u betua në Kuran se fitorja do të jetë e tyre. ‘Kur të vijmë ne në pushtet’, u tha ai mbështetësve, ‘do t’i japim fund islamofobisë”, shkruan në rreshtat e parë të shkrimit të tij Nahzi.
Ky analist nuk merr mundin ta interpretojë tekstualisht pjesën e fjalimit, e cila nuk përmban asnjë betim në Kur’an. Si mund të betohet në Kur’an lideri i majtë socialdemokrat, përveç me një diskurs të një fjalimi shoqëror, të ilustruar me të folmen krahinore, në formë shakaje dhe asgjë më tepër.
Gazetari apo zyrtari që ia ka interpretuar këtë fjalim, analistit, Nahzi, këtë e ka bërë për një qëllim të caktuar, qëllim krejtësisht politik, qëllim për diskreditimin e Kurtit e të Vetëvendosjes. Pastaj vinë konstatimet pa asnjë bazë reale, pa asnjë fakt, pa asnjë dëshmi e dokument se “Vetëvendosje po ndihmohet nga Turqia, Katari dhe të tjerë, të cilët po e mbushkan boshllëkun e lënë nga BE-ja dhe Amerika. Nën rrethana të paqarta, në vitet e fundit qeveria e Kosovës shpërbleu Turqinë me kontrata miliardëshe”. “Ndërsa Katari, një mbështetës i hershëm i Erdoganit, besohet të jetë një nga donatorët më të mëdhenj të partive politike në Kosovë që përcjellin linjën islamiste të Erdoganit”. “Me kohë, kosovarët humbën besimin në lidershipin ndërkombëtar, derisa Vetëvendosje po e rritë popullaritetin e saj. Duke mësuar nga ngjitja e Erdoganit në pushtet, Kurti bëri fushatën e tij duke portretizuar Europën si të keqe dhe anti-kosovare”.
Ky shkrim hipokrit dhe diskreditues në radhë të parë është shkrim kundër Kosovës, kundër shqiptarëve të Kosovës, por edhe kundër Qeverisë së Kosovës, vetëm për faktin se ata me shumicë kanë përkatësi fetare islame, dhe Nahzi e pëshpëritësi i tij nga Kosova, e dinë mirë se feja te shqiptarët, veçmas në Kosovë, nuk ka qenë ndonjëherë, nuk është, as do të jetë përcaktues primar që lidhet me kombin dhe bashkimin e shqiptarëve me një shtet të përbashkët, të cilin nuk e durojnë evropianët, për shkak se nuk duan t’i vënë në dilemë vendimet antishqiptarëve të gjysh-stërgjyshërve të tyre, në Londër më 1913, në Versajë më 1918, në Jaltë më 1945, në Rambuje në vitin 1999.
Analistët, si puna e këtij Nahziut, duhet ta shfletojnë pak Historinë e Popullit Shqiptar dhe të binden se të gjitha personalitetet kombëtare shqiptare, 90 për qind e tyre kanë qenë të besimit islam, por janë pikërisht ata, në radhë të parë që kanë luftuar për çlirim nga robëria turke, por nuk kanë luftuar islamin sikur kanë dëshiruar dhe dëshirojnë sot evropianët dhe ndonjë shqiptar konveritit, as mish as peshk, me emër islam me fe krishterë, me bindje ateist, që nuk shkon në kishë as në xhami por shan dhe akuzon, “Baba Sulltanin”, për të cilin atgjyshi i tij ngrihej në këmbë sa herë që i përmendej emri i tij dhe thoshte: “Jam turk elhamdulilah”, por kur e donte nevoja ia shkrepte në ballë asqerit të Mbretit.
Shqiptarët kanë përcaktim Shqipërinë, një e të bashkuar dhe në këtë aspiratë të natyrshme nuk u duhet ndihma aq e kursyer e Evropës, as ajo e Azisë, Turqisë apo e Francës, sepse të gjithë këta e të tjerë kanë synimet e tyre, të cilat nuk përputhen me aspiratat tona jetike.
Vetëm synimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në aspektin strategjik lidhen me synimet tona. Ky është një realitet historik. Ishte Woudrov Wilson, që përdori veto në vitin 1920 dhe nuk lejoi që Shqipëria, të ndahej e të katandisej mes Jugosllavisë dhe Greqisë, asokohe me bekimin e të gjitha shteteve të Evropës, pa asnjë kundërshtim. Ishte kryetari, Bill Klinton, Sekretarja Olbrajt, Komandanti Klark, “kryekomandanti” ndër më meritorët, Toni Bler, të cilët në vitin 1999 i dhanë munxët Serbisë dhe nuk lejuan shpërbërjen e Kosovës e të Shqipërisë. Doemos se ata e patën përkrahjen edhe të disa shteteve, e në këtë mes edhe të Turqisë, e cila deshëm nuk deshëm ne, ka interesa strategjike në Ballkan, dhe për këtë nuk pyet askënd, aq më pak na pyet ne. Këto interesa i ka veçmas në Bosnje, në Sanxhak, Shqipëri, Kosovë e në Maqedoni. Kjo nuk duhet të na frikësojë, sepse rreziku konstant, rreziku historik, shqiptarëve u vjen nga Beogradi e Athina, nga Kremlini e nga shtet sllave përgjithësisht. Në këtë konstelacion të forcave ne do të rreshtohemi me ata që na përkrahin për bërjen e një Shqipërie unike, e cila tashmë ka filluar të duket me koniukutra të dallueshme, të cilat do të thellohen sipas ligjeve të jetës, të ekzistencës dhe të natyrës, gjithnjë në evolucion historik, politik e strategjik.