Nezir Myrtaj “Një libër i vogël me përmbajtje të rrallë”

(Para disa muajsh, intelektuali dhe krijuesi, Ahmet Qeriqi, botoi librin me titull “Fenomene Shqiptare”. Shkrimin tim për këtë libër e kam titulluar: “Një libër i vogël me përmbajtje të rrallë”, sepse, në kuptim të vëllimit dhe të numrit të faqeve, ai vërtet është një libër i zakonshëm, me vetëm 136 faqe të formatit A-5. Mirëpo, ai është i veçantë dhe i rrallë, në pikëpamje të përmbajtjes së tij. Ky fakt vërteton se peshën e një libri nuk e përcaktojnë vëllimi i tij dhe numri i madh i faqeve, por përmbajtja e temave që shtjellon.)

Libri FENOMENE SHQIPTARE është i sajuar nga tri tërësi të veçanta tematike. Tema e parë ka përmbajtje historike, që para opinionit lexues shqiptar nxjerr nga anonimiteti, figurën e shquar kryengritëse e reformatore të jeniçerit shqiptar të shekullit 18-të, Halil Patrona, emër pothuajse krejt i panjohur dhe i anashkaluar nga historiografia jonë. Ky anonimitet, kjo harresë dhe anashkalim, pa dyshim, paraqet një fenomen që do të mund të cilësohej si fenomen i llojit shqiptar.
Tema e dytë i kushtohet shpirtit heroik dhe veprës madhështore të komandantit legjendar Adem Jashari. Shembulli unikat i sakrificës për liri, në historinë e qytetërimit, siç vlerëson autori, i Komandantit Legjendar, pa dyshim, paraqet një fenomen të llojit shqiptar. Dy tërësitë e para tematike përbëjnë pjesën e parë të librit FENOMENE SHQIPTARE.
Tema e tretë, ndërkaq, që përbën pjesën e dytë të librit, do të thosha i përket llojit të publicistikës së filozofisë politike, mbi bazën e së cilës është mbështetur dhe vazhdon të mbështetet edhe sot, përpjekja e shqiptarëve në kërkimin dhe krijimin e identitetit të tyre kombëtar. Për fat të keq, kjo përpjekje, historikisht, kur më shumë e kur më pak, është shfaqur si përpjekje dy kahe, prandaj, me të drejtë, autori e trajton si fenomen shqiptar.
Mendoj se autori i librit FENOMENE SHQIPTARE, zotëri Ahmet Qeriqi, brendinë e librit të tij e ka shprehur që në titullin shumë domethënës dhe kuptimplotë. Çdo fjalor i zakonshëm gjuhe dhe terminologjie, fjalën “fenomen”, apo dukuri, e shpjegon si shprehje të jashtme, a shfaqje të thelbit të sendeve e të proceseve të realitetit. Në qoftë se është i pranueshëm ky definicion, atëherë mund të thuhet se jo rastësisht, te ne ekzistuan dhe vazhdojnë të ekzistojnë dy kahe të përpjekjeve për krijim të identitetit kombëtar; jo rastësisht Halil Patrona ngeli figurë anonime e historisë dhe jo rastësisht, Legjendari Adem Jashari u bë shembull unikat në historinë e qytetërimit, i sakrificës për liri. Në këtë kuptim, ndonëse me tematikë të ndryshme, dy pjesët e këtij libri paraqesin tërësinë kuptimore të përmbajtjes së tij.
Në studimin me mbi titull: Dy kahe të përpjekjeve për identitet kombëtar, që përbën pjesën e dytë të librit FENOMENE SHQIPTARE, autori, në fakt shtron për diskutim një çështje shumë komplekse, e cila historikisht e ka shoqëruar popullin shqiptar si tërësi. Para se të depërtojë në thelbin e çështjes së shtruar dhe me qëllim të argumentimit të segmenteve të saj, ai përshkruan karakteristikat që e kanë shquar gjatë periudhave historike popullin shqiptar, si populli më i keqtrajtuar i Evropës, siç konstaton autori. Në këto karakteristika numëron diversitetin konfesional, kulturor, fisnor, partiak etj., karakteristika të shprehura, por edhe të keqinterpretuara edhe sot e kësaj dite.
Autori nxjerr përfundimin se te të dy kahet dhe drejtimet e lartpërmendura, duhet parë edhe arsyet e paaftësisë së shqiptarëve për t’u konsoliduar si komb, në periudhën e formimit të kombeve në Evropë dhe paaftësinë për të formuar shtetin e tyre kombëtar, në fillim të shekullit 20. Po ashtu, te ky bigëzim përpjekjesh duhet parë edhe rrënjët historike të shkëputjes së Kosovës nga trungu i Shqipërisë etnike dhe pushtimin e tokave shqiptare nga Serbia, mbështetur në argumentin e saj të trilluar mbi të drejtën historike.
Siç edhe thuhet në tekstin e librit, me studimin e fenomenit të dy kaheve të përpjekjeve krijimin e identitetit kombëtar, autori synon të shpjegojë shkaqet e pamundësisë së popullit shqiptar për të bërë Shqipërinë unike, pra për të bërë shtetin kombëtar shqiptar, duke parë ato te përpjekjet e vazhdueshme dhe te roli antikombëtar i një klase vasalësh, që përherë iu bë krah pushtuesit kundër forcave të mirëfillta kombëtare, që u përpoqën për t’i bashkuar copat e ndara të atdheut.
Sikur të mos ekzistonte klasa e vasale dhe bastarde, e vënë në shërbim të pushtuesit, pa dyshim, nuk do të ndodhnin siç kanë ndodhur historikisht, përçarjet dhe konfliktet brendashqiptare. Në këtë kontekst, autori analizon pozitën e shqiptarëve në periudhën pas pushtimit të Kosovës nga Serbia në vitin 1912, deri në vitin 1941, në kohën kur do të pezullohet për pak kohë ky pushtim. Ai përshkruan luftën ndërmjet krerëve shqiptarë të të dy rrymave, përkatësisht, ndërmjet krahut atdhetar dhe atij antikombëtar, që për interesa të ngushta u bë vegël qorre në shërbim të pushtuesit. Mbi bazën e kësaj lufte dalin të qarta dy kahet e kundërta dhe dy vijat e një lufte, ku në njërën anë do të kemi Azem e Shotë Galicën, Bajram Currin, Avni Rrustemin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin e figura të tjera, kurse në anën tjetër, Ceno Beg Kryeziun, Esat Pashë Toptanin, Ahmet Zogun e bashkëpunëtorë të tjerë të pushtuesit serb.
Po ashtu, autori spikat dy kahet e kundërta dhe dy vijat e luftës politike në Kosovë, edhe në përfundim të Luftës së Dytë Botërore dhe më pas. Në fillim të vitit 1945, duke vërejtur rrezikun e ripushtimit që po i përgatitej Kosovës nga jugosllavët, luftëtari Shaban Polluzha mobilizoi forcat e shëndosha kombëtare dhe organizoi rezistencën e armatosur në Drenicë. Frymën e kësaj rezistence kundër ripushtimit serb të Kosovës, më pas e vazhduan edhe luftëtarë të tjerë të lirisë kombëtare, siç ishin Gjon Serreçi, Marie Shllaku dhe një armatë atdhetarësh, që nga Adem Demaçi e deri te Komandanti Legjendar Adem Jashari dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Mirëpo, njëkohësisht, për ta ruajtur pozitën nënshtruese të Kosovës së pushtuar, si dhe favoret që atyre u solli shërbimi besnik prej vasalësh, me afsh u angazhuan në shërbim të Beogradit, jugosllavistët shqiptarë të Kosovës, siç ishin Fadil Hoxha, Ali Shukriu, Xhavit Nimani, Kolë Shiroka, Sinan Hasani, Mahmut Bakalli e deri te Azem Vllasi e Rrahman Morina.
Fenomenin e përpjekjeve dy kahe për krijimin e identitetit kombëtar shqiptar në Kosovë, të trajtuar në librin FENOMENE SHQIPTARE, autori nuk e konsideron vetëm si fenomen shoqëror të së kaluarës, apo vetëm si një tendencë tashmë të përfunduar historike. Përkundrazi, bashkëjetesës së dy përpjekjeve antagoniste, si unitet i të kundërtave, i jep përmasat e një filozofie vepruese, që është mjaft aktive edhe në ditët e sotme. Duke analizuar me mprehtësi shkencore përmbajtjen dhe synimet e kësaj filozofie, ai arrin t’i identifikojë edhe protagonistët dhe bartësit kryesorë të saj. Personalitetet që personifikojnë dy rrymat e kësaj filozofie, pikëpamjeve të të cilave autori ua atribuon edhe ndikimin dominant në rrjedhat e sotme të politikës kombëtare në Kosovë, janë Adem Demaçi, Rexhep Qosja, Ukshin Hoti dhe Ibrahim Rugova. Përderisa emrat e tre të parëve personifikojnë idenë e Rilindjes Kombëtare për bashkim kombëtar, emri i Ibrahim Rugovës mishëron aspiratat antihistorike, separatiste e të mohimit të karakterit unik e historik të identitetit kombëtar të shqiptarëve, duke e paraqitur popullin shqiptar të Kosovës, si të ndryshëm nga ai në Shqipërinë administrative dhe në viset e tjera etnike. Këto dy ide, zotëri Ahmet Qeriqi arrin t’i ballafaqojë në kontekstin e relacioneve Rugova-Demaçi, Rugova Qosja dhe Rugova-Hoti.
Për të pasqyruar bazën morale e filozofike, mbi të cilën mbështeten pikëpamjet politike të këtyre figurave politike, autori i portretizon ato në një pamje shumë të qartë, duke theksuar veçantitë e karaktereve të secilit prej tyre. Në këtë kuptim, duke pasur parasysh përmasat e rolit edukativ e frymëzues atdhetar, Demaçi cilësohet si kryetari moral i kreut atdhetar të Kosovës dhe si rindërtues i krenarisë e i vertikalitetit të shqiptarëve. Figura e tij simbolizon tipin e revolucionarit të pathyeshëm e të pamposhtur shqiptar, si dhe të luftëtarit të palodhshëm për identitet historik mbarëshqiptar. 
Figura e Ukshin Hotit dhe fryma e filozofisë së tij origjinale e militantizmit të pastër shqiptar, cilësohen si rezervë e artë kombëtare. Formula e tij, e cila përmbledh esencën e kuptimit të luftës për liri, është: Bëje, ose vdis! Ukshin Hoti simbolizon tipin e intelektualit kryengritës, i gatshëm për të luftuar deri në fund, në shërbim të lirisë kombëtare të popullit të vet dhe të identitetit historik mbarshqiptar. Rexhep Qosja cilësohet atdhetar realist, intelektual i përmasave të ideologut të filozofisë së integrimit kombëtar shqiptar. Emri i tij personifikon mbrojtësin dhe vazhduesin këmbëngulës të idesë së Rilindjes Kombëtare, të sublimuar në programin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si dhe intelektualin e palodhshëm veprues në mbrojtje të identitetit historik mbarshqiptar dhe luftëtarin e denj kundër ideologjisë, siç e quan ai, të shpërbërjes kombëtare. 
Demaçi, Hoti dhe Qosja, prandaj, përbëjnë tri shtyllat e piramidës, maja e së cilës paraqet idenë historike të identitetit kombëtar shqiptar.
Figura pototip që personifikon idenë e çintegrimit kombëtar dhe të ndasisë historike, fetare, kulturore e dialektore të popullit shqiptar, është ajo e Ibrahim Rugovës. Prandaj, edhe kësaj figure, autori i bën një trajtim të veçantë, duke stigmatizuar gjithë infrastrukturën politike e psikologjike të filozofisë që simbolizon ajo. Thelbi i kësaj filozofie, po ashtu vepruese, qëndron në strategjinë (e Rugovës) për të sajuar kombin kosovar, si identitet i veçantë dhe i ndryshëm nga identiteti historik i kombit shqiptar. Me të drejtë autori i konsideron në funksion të kësaj strategjie, të gjitha veprimet që çojnë në drejtim të synimit për të formuar gjuhën kosovare, për të nxitur rikonvertimin në fenë e krishterë, për të ndërtuar tempujt fetarë të krishterë, për të ndërtuar simbole të veçanta kombëtare me bazë fisnore e të tjera. Në funksion të kësaj strategjie, po ashtu është edhe aspirata separatiste për trajtimin e Kosovës si vend autentik gjeografik të Dardanisë.
Në realitet, brenda nocionit komb kosovar përvijohet synimi për shkombëtarizimin e shqiptarëve të Kosovës dhe për shtrembërimin e identitetit të tyre historik kombëtar, që si pasojë ka mohimin e karakterit shqiptar të Kosovës, si pjesë e trungut etnik kombëtar.
Autori, po ashtu, trajton karakterin e politikës mbi 15-vjeçare, e cila është sinonim i emrit dhe figurës politike të Rugovës, një politikë pacifiste në dukje, por shumë agresive në përmbajtje. Shprehje e këtij agresiviteti është edhe ikonografia fizike dhe shpirtërore e filozofisë së ashtuquajtur pacifiste rugoviste. Kjo, në fakt, nuk është politikë gandiste dhe as luteriste, siç herë-herë pretendohet të interpretohet, por një aoreolë fanatike e frymës krishterimit bizantin. Trinia e shenjtë politike e saj: Papa-Nëna Terezë-Bogdani, paraqet formulën e pagëzimit mbi të cilën pacifizmi rugovist e mbështet mohimin e identitetit historik kombëtar të shqiptarëve të Kosovës. Autori e gris këtë aoreolë, duke zbuluar edhe shtyllat mbi të cilat mbështetet politika pacifiste e shtrembërimit dhe çintegrimit kombëtar. Ai identifikon edhe gjithë pararojën dhe praparojën e politikës rugoviste. Si pararojë identifikohen Vatikani dhe disa qarqe e shtete të krishtera perëndimore, veçanërisht Italia e Franca. Ndërsa, si praparojë identifikohen gjithë shtresat populiste dhe injorante të tipit “haxhibabë”, siç i quan autori, laramanët dhe qarqet labile e me moral të dyfishtë fetar, shtresat e tjera as me ndjenja islame dhe as të krishtera fetare e të tjera.
Si bazë mbështetëse e pacifizmit rugovist me përmbajtje të çintegrimit kombëtar, stigmatizohet edhe shtresa e çrevolucionarizuar dhe karrieriste e ish të burgosurve politikë, shumë prej të cilëve, në fillim të viteve 90 të shekullit të kaluar u rreshtuan pas Rugovës, për shkak të favoreve dhe famës publike që prodhonin postet dhe improvizimet e politikës së tij. Kjo mbështetje vazhdoi deri në fillim të luftës së organizuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe si e tillë ajo i solli një dëm të konsiderueshëm frymës tradicionale të rezistencës dhe të luftës për çlirim nga kthetrat e pushtuesit.
Në përfundim, mendoj se libri FENOMENE SHQIPTARE paraqet një libër unikat, që trajton segmente të caktuara të jetës sonë kombëtare, duke u mbështetur në burimet historike, por edhe në aktualitetin e sotëm. Autori i tij ngre me guxim intelektual e me forcë argumentuese çështje të ndjeshme dhe shumë shqetësuese për botën shqiptare, siç janë përpjekjet për feudalizimin dhe shthurjen e identitetit historik kombëtar shqiptar. Ky libër, është ndër të parët që, jo vetëm hap dhe nxit debatin lidhur me idenë e çintegrimit kombëtar, që ka marrë hov sidomos kohët e fundit në Kosovë, por, bashkë me librin “Ideologjia e Shpërbërjes”, të akademik Rexhep Qoses, paraqet një përgjigje të drejtpërdrejtë e të domosdoshme kundër kësaj ideje antishqiptare. Ai, po ashtu së bashku me librin “Ideologjia e Shpërbërjes”, do të mund të cilësohej si platformë, mbi të cilën duhet të mbështetet lufta politike, ideologjike e shkencore për demaskimin e synimit të ngritur në program, për të rikthyer dhe vulosur përçarjet dhe ndasitë në mesin e shqiptarëve, duke sajuar realitete të reja të identitetit kombëtar.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …